Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Protesta, rezistenca dhe fuqia e insistimit

Lëvizja studentore

Të gjithëve na kujtohet data 1 tetori i vitit 1997. Protestat studentore. Rruga e Velanisë në Prishtinë. Protesta jashtëzakonisht mirë të organizuara. Krejtësisht paqësore. Diku 25,000 studentë, por edhe qytetarë të tjerë. Sipas udhëzimeve, studentët kishin veshur rroba të bardha sipër. Plani ishte ky: nga pikënisja tek zyret e Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës (UPSUP) dhe të revistës Bota e Re (lokalet ishin të njëjta, si dhe stafi pak a shumë i njëjti) do të zbritej poshtë rrugës së Velanisë, pastaj në rrugën kryesore dhe kështu ngadalë do të ecej deri në qendër të qytetit. ”Universiteti – Kosova – Studentët. Tomorrow will be late. NOW”, ishte parulla kryesore e protestave. Siç dihet, atë ditë u protestua për lirimin e objekteve universitare që ishin zaptuar nga regjimi serb.

Njëkohësisht, protestat përfaqësonin edhe një rebelim implicit kundër rezistencës së kryetarit Rugova, rezistencë që tanimë ishte kredhur në një moçal të paralizës e frikës. Ato konferencat e lodhura për shtyp nga e premtja në të premte në sfondin e një konflikti të armatosur në shpërthim e sipër. Në takimin që lidershipi i UPSUP-së kishte pasë me Rugovën, ky i fundit ishte shprehur haptazi kundër mbajtjes së protestave. Druhej se rrugët e kryeqytetit do të laheshin me gjakun e studentëve shqiptarë. Po ashtu shpresohej se me ndërmjetësimin e njëfarë organizate nga Vatikani (Shën Egjidio i thoshin), regjimi millosheviqian do të lironte objektet universitare. Ky ishte iluzion, natyrisht. Protestat, pra, përveç që ishin revoltë kundër sistemit shtypës serb, ishin edhe orvatje për të shkundur popullin nga amullia trullosëse e një LDK-je pasive post-dejtoniane.

Disa muaj më herët unë kisha filluar të punoja në Botën e Re dhe pastaj edhe në UPSUP. Unioni dhe revista studentore ndanin zyret, gjë që ma mundësoi që të kontribuoja më lehtë rreth organizimit të protestave, të merrja pjesë në mbledhje të ndryshme, e të isha i pranishëm në një sërë takimesh me gazetarë e diplomatë të huaj që filluan të na vizitonin në atë kohë.

Pasi ishte protesta e parë, 1 tetori kërkoi një organizim më të gjatë e më të shtjelluar. Mirëpo, siç dihet, plani i protestës, ashtu siç u përshkrua më lart, nuk u realizua. Poshtë Velanisë marshi i studentëve u stopua nga milicët e armatosur serbë. Në çast filloi ndërhyrja dhe lidershipi i UPSUP-së bashkë me rektorin e atëhershëm Prof. Ejup Statovcin u kapën zhagas, u keqtrajtuan dhe u futën në pizgauer. Janë disa fotografi ikonike derisa tërhiqen zvarrë Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi dhe, natyrisht, Albin Kurti. Pas maltretimit në stacionin policor ata u lëshuan.

Ndërkohë, përkundër kërcënimeve nga milicia, studentët në masë të madhe u ulën dhe sfiduan dhunën në mënyrë joviolente. Pasoi hedhja e gazit lotsjellës dhe sulmi i egër i milicëve mbi trupat e studentëve. Masa filloi të ikë dhe të shpërndahej. Unë e mbaj mend të jem ngjitur fushënaltave atëbotë të pandërtuara të Velanisë, i përlyer në baltë e me sy që lotonin nga gazi. Në tollovi e sipër papritmas e pashë krahas meje Avni Spahiun, ish-gazetar dhe ish-kryeredaktor i Rilindjes dhe Bujkut, dhe ish-ambasador këto vitet e fundit. Edhe ai kishte marrë pjesë në protestë.

Bashkëveprimi në mes protestës paqësore dhe dhunës – “it takes two to tango”

I gjithë ky spektakël – protesta paqësore në njërën anë, pasuar nga dhuna e egër në anën tjetër, u përcoll nga gazetarë të huaj që kishin zbritur në Prishtinë pikërisht për këtë arsye. Protesta pa dyshim ishte moment kthese në historinë e vonshme të Kosovës, pasi që shkundi vendin nga letargjia. Ishte ngjarje për t’u mbajtur mend edhe për arsye të dhunës brutale që u përdor nga forcat policore serbe. Reportazhet e asaj dite mund të dëshmonin me fakte për këtë regjim të egër dhe për dhunën që ushtrohej mbi studentët e pafajshëm shqiptarë.

Ajo çfarë zakonisht nuk përmendet është se pas 1 tetorit pasuan edhe një numër protestash tjera të organizuara nga UPSUP: më 29 tetor, më 30 nëntor, dhe më 30 dhjetor (për të vazhduar edhe me aktivitete tjera në vitin pasues). Për shembull, në protestën e 29 tetorit u improvizua një tribunë afër UPSUP-së dhe Rektoratit që ishte i vendosur në një shtëpi në Velani. U lexuan një varg fjalimesh nga liderët studentorë, madje pati edhe përkthim të atyre fjalimeve në anglisht, gjermanisht e frëngjisht. Në fund, para se turma të shpërndahej, u lëshuan disa pëllumba të bardhë.

Tingëllon pak hippy, por ashtu ndodhi. Gjatë gjithë kësaj kohe milicia serbe ishte barrikaduar në pikat neuralgjike rreth Velanisë, duke përfshirë edhe poshtë në rrugën kryesore, aty ku më 1 tetor kishin përdorur dhunë shtazarake kundër nesh. Por kësaj here nuk pati dhunë. Ne u lejuam të përfundonim performancën tonë, ndërsa ata nuk dhunuan. Dhe kështu përfundoi ajo ditë. Në një antiklimaks. Madje edhe për gazetarë të huaj kjo ngjarje mezi përbënte lajm.

Çka e bëri protestën e 29 tetorit të dukej më e zbehtë sesa atë të 1 tetorit? Çka mëton të mbërrijë një protestë? Pse bëhen lëvizjet popullore? Si marrin hov ato? Këto e pyetje të tjera si këto nxiten nga skenarët e përshkruar më sipër. Në përvojën time, ose si aktivist në rini të hershme ose si studiues i lëvizjeve të tilla, një gjë duket e qartë: protesta, ose lëvizja, përbëhet nga dy elemente gjithsesi polarizuese e kundërshtuese, por paradoksalisht edhe konstituive.

Në njërën anë janë protestuesit, pra ata që mobilizohen për të protestuar kundër një padrejtësie, dhe në anën tjetër është sistemi që ushtron këtë padrejtësi. Sa më i dhunshëm sistemi, aq më i përligjur organizimi i protestës apo lëvizjes. Por, mos të harrojmë, edhe e kundërta është po aq e vërtetë. Sa më akomodues, demokratik dhe tolerant sistemi, aq më shumë bjen poshtë raison d’être për mbajtje të protestës. Pra, në një mënyrë, për të arsyetuar vetveten, si dhe kauzën e saj për luftimin e represionit, protesta e përligj vetveten nëse ndaj saj ushtrohet dhunë. Në këtë mënyrë regjimi e tregon fytyrën e vet të vërtetë. Por ç’ndodhë nëse regjimi tregohet dinak dhe nuk ushtron dhunë? Në rast të tillë protesta rrezikon të humbasë momentumin e saj. Kështu disi ngjau edhe me protestën që e pasoi 1 tetorin.

Është ironike, por reagimi i dhunshëm nga pushteti e përligj protestën ose lëvizjen, dhe ndihmon në theksimin e ndikimit të saj. Është ndoshta në natyrën njerëzore që si publik të reagojmë më shpejt ndaj dhunës, zhurmës, asaj që konsiderohet jonormale dhe që indinjon ndjenjat tona humane. Këtë logjikë kultivojnë edhe mediat të cilat janë të prirura që të raportojnë për dhunën, vdekjen e skandalin, e shumë rrallë për qetësinë e të zakonshmen. Kështu ishte edhe me protestat studentore të UPSUP-së. Ajo e 1 tetorit bëri bujë pasi që: 1. Ishte protesta e parë dhe ishte tejet mirë e organizuar, dhe 2. Sepse, thënë troç, protesta rezultoi të stopohej nga dhuna brutale e makinerisë së okupatorit. Ky përbënte lajm, dhe kjo dëshmonte për regjimin gjakpirës të Millosheviqit kundruall studentëve paqësorë që s’kërkonin asgjë më tepër sesa realizimin e një të drejte elementare për t’u shkolluar. Ndërsa në protestën e 29 tetorit, kontrasti qëndronte në faktin se milicët si duket kishin mbushur mend dhe nuk u ngashnjyen drejt përdorimit të dhunës. Shih për këtë arsye, çuditërisht, kjo protestë ishte më pak e suksesshme dhe me ndikim më të zbehtë se ajo e para.

Përgatitja teorike për protestim: nga Enver Hoxha në Gene Sharp

Protestat studentore të 1 tetorit si dhe ato që pasuan ishin vazhdimësi e ndodhive të ngjashme që në Kosovë kishin marrë hov që nga viti 1981 e këndej (pa harruar shkëndijat e para të kësaj lëvizjeje që nga vitet ’60). Demonstratat e protestat studentore të fillimit të viteve ’80, pastaj grevat e urisë të minatorëve e të studentëve e demonstratat e tjera kah fundi i viteve ’80 dhe fillimi i viteve ’90, ishin të gjitha pararendëse të 1 tetorit. E përbashkëta e tyre ishte luftimi i pabarazisë e represionit, dhe kërkesa për liri, demokraci, pavarësi. Për nga aspekti ideologjik e teorik, prapa tyre nuk është se kishte një platformë të detajizuar politike, përveç ndoshta një frymimi marksist-leninist, apo më saktë të themi enverist.

Në këtë mes, 1 tetori përbën shkëputje nga protestat e mëhershme. Organizimit të saj dhe protestave që erdhën më pas i parapriu një studim nga liderë studentorë sikur Kurti i lëvizjeve joviolente nëpër botë. Në UPSUP ka pasur diskutime mbi strategjitë, qasjet e metodat e liderëve si Martin Luther King Jr. dhe lëvizjes për të drejta civile në ShBA, pastaj për konceptin e joviolencës së praktikuar nga Ghandi në Indi, apo për lëvizjen për të drejta të barabarta në Irlandë të Veriut. Ghandi, për shembull, kishte praktikuar konceptin e satyagraha-s, apo përpjekjes së mbështjetjes në të vërtetën si parim bazë në rezistencën joviolente ndaj kolonizatorëve. Ja çfarë thotë Gene Sharp, studiuesi i lëvizjeve joviolente: ”Rrëzimi më efektiv i diktaturës përballet me katër detyra imediate:

• Popullata e shtypur duhet pajisur me vetëbesim dhe dije për rezistencë;
• Duhet fuqizuar grupet e pavarura sociale dhe institucionet e popullit të shtypur;
• Duhet krijuar një forcë e brendshme dhe e fuqishme e rezistencës;
• Duhet zhvilluar një plan strategjik të përgjithshëm për çlirim, që duhet implementuar me besnikëri”.

Autorë si Gene Sharp ishin mjaft të njohur për lidershipin studentor të Kosovës së asaj kohe. Shkrimet e tij gjithsesi ndikuan në organizimin e protestave studentore.

Pra, brenda kësaj fryme të përgjithshme u organizua edhe 1 tetori me protestat që pasuan. Strategjia e organizimit të protestave ndërtohej rreth kristalizimit të plotë të kërkesave për të cilat protestohej, praktikimit të paekuivok të jodhunës, dhe rezistencës joviolente edhe përballë dhunës që do të mund të ushtrohej. Natyrisht, mediatizimi i protestave, sidomos në tregun ndërkombëtar, ishte qëllim i vetëkuptueshëm. Transmetimi dhe shkrimet mbi 1 tetorin nga mediat e huaja bënë shumë që të rizgjohej opinioni publik ndërkombëtar mbi luftën që ishte në prag të shpërthimit në Kosovë.

Koncepti i ”përpjekjes” në Kosovën unmikiane dhe të pavarur

Kaq sa i përket lëvizjes së protestave në Kosovën e paraluftës. Por çfarë ndodhi me këtë lëvizje pas luftës? A ekzistonte ende një raison d’être për organizimin e protestave? Apo mos papritur arsyet ishin eliminuar me ardhjen e lirisë? Në Kosovën unmikiane po rritej një brez që kishin qenë shumë të rinj për të marrë pjesë në protestat e paraluftës. Protesta e 1 tetorit dhe e atyre që pasuan kanë gëzuar një atraktivitet të veçantë përmasash gati mitike në mesin e këtyre të rinjve. Figurat e liderëve të UPSUP-së, veçmas e të riut të sapoliruar nga burgjet serbe, Albin Kurtit, ishin magnetike për këta të rinj. Në të njëjtën kohë, Kosova e protektoratit ndërkombëtar si dhe ajo pas pavarësisë, u bë një vend i kapluar nga keqmenaxhimi dhe keqqeverisja, nga krimi e korrupsioni. Në këtë sfond, u bë e qartë se kishte parakushte të mjaftueshme për shkëndijimin e protestave popullore që kishin ambicie të bëheshin diç edhe më shumë, pra të bëheshin lëvizje.

Kjo do të ishte një mënyrë që shpjegon daljen e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në skenë. Një nga sukseset e kësaj Lëvizjeje, dhe e Kurtit si lideri i saj thuaja shpirtëror, është se arritën t’i bëjnë vend brenda vetes gjithë atij frustrimi popullor që nga përfundimi i luftës e këndej. Pa marrë parasysh a kishim të bënim me pakënaqësi për nivelin e papunësisë, apo me rastet e korrupsionit, apo me menaxhimin paternalizues nga ndërkombëtarët, LVV ishte adresa përmes së cilës transmetohej kjo pakënaqësi. Që nga paslufta e deri më sot nuk ka pasë ndonjë lëvizje tjetër popullore që ka arritur të tërheqë interesim serioz. Deri më sot LVV-ja ka gëzuar monopol të padiskutueshëm mbi frustrimin e akumuluar popullor.

Për të ndërtuar lëvizjen e Lëvizjes, natyrisht se lidershipit të saj i është dashur të krijojë një narracion të besueshëm e autentik. Për rreth pesëmbëdhjetë vite të ekzistencës së saj, narracioni i LVV-së ka goditur mbi idenë se administrata ndërkombëtare ishte de facto pushtet kolonizues, ndërsa strukturat politike vendore ishin pakorrigjueshëm të korruptuara. ”Rezistenca, jo negociata, është esenciale për ndryshim në konflikte ku kemi të bëjmë me çështje fundamentale… Suksesi më së shpeshti determinohet jo nga negociimi i një zgjidhjeje por nëpërmjet përdorimit të mençur të mjeteve më të përshtatshme dhe më të fuqishme të rezistencës”. Ky citat nga Gene Sharp mund të duket i njohur në praktikën e protestimit nga LVV. Natyrisht, gjërat nuk kanë qenë kurrë pikërisht si ky narracion, sepse pa marrë parasysh problemet e shumta Kosova e pasluftës ka qenë dhe është vend pakrahasimisht më i lirë e më demokratik sesa ajo e paraluftës. Por me rëndësi për Lëvizjen, si për çdo lëvizje, ka qenë konsistenca e trumbetimit të këtij narracioni në publik.

Ky narracion i LVV-së ka mundur të mbijetojë, ndërsa Lëvizja të akumulojë përkrahje gjithnjë në rritje, në pjesë të madhe për arsye se elita ”e vjetër” politike u ka dhënë armatim të vazhdueshëm për t’u përforcuar. Çdo rast krimi e korrupsioni, çdo moment dështimi në drejtësi e sundim të ligjit, u ka dhënë njerëzve arsye shtesë që të ndiejnë neveri ndaj politikës së vjetër, dhe të orientohen kah LVV si alternativë e vetme dhe viable për të ardhmen.

Këtu duhet përmendur edhe dy elemente kyçe të lëvizjes së LVV-së që ia mundësuan asaj që sot të udhëheqë me qeveri. I pari është insistimi. Që në krijim të LVV-së Albin Kurti, Glauk Konjufca, Xhelal Sveçla, Liburn Aliu etj., i kanë hyrë këtij projekti ashtu siç i qaset vrapuesi maratonës. Pra, si projekt afatgjatë dhe rreth të cilit nuk ka asnjëlloj kompromisi. Kjo është fuqia e insistimit kryeneç të lëvizjeve popullore, dhe kjo përbën kokëçarje të veçantë për pushtetin. Pra, si tha Sharp më lart, rezistencë dhe asgjë tjetër, deri në përmbysje të rendit të vjetër. Se, vërtet, si ballafaqohesh si pushtet me një protestë apo lëvizje që nuk pushon së protestuari? Si tejkalohet kjo bezdi? Të përçash duke ofruar mito? Poste qeveritare? Ose t’i injorosh protestat e tyre? Qeveri të njëpasnjëshme e provuan këtë taktikë, por LVV veç çka shtoi trysninë. E nganjëherë, siç është e dokumentuar, edhe provokimin e dhunshëm si domosdoshmëri për t’u faktorizuar e madje viktimizuar. Ose të përdorësh dhunë nëpërmjet aparatit shtetëror? Siç e dimë, edhe kjo u provua nga shteti në shumë raste. Por, ashtu si shpjegova me protestat e 1 tetorit, dhuna shtetërore ka rrezik t’i kontribuojë përforcimit të mëtejshëm të protestuesve (sidomos nëse shteti duket se po dështon në qeverisje). Gjë që edhe ndodhi me LVV-në.

Dhe elementi i dytë është koncepti i “përpjekjes”. Në anglisht kemi termin ”struggle” të përdorur në literaturën e rezistencës joviolente. Fjala më e përshtatshme në shqip mbase është ”përpjekje”. Pra, përpjekje për rezistencë të pakompromis, përpjekje në protesta, në lëvizje, insistim i pareshtur. Vetëdijësim dhe besim se fuqia në fakt gjendet tek të pafuqishmit, për të parafrazuar Vaclav Havelin. Këto parime, si insistimi e përpjekja, ishin udhërrëfim për LVV-në në rezistencën e saj afatgjatë.

”Përpjekja” e PSD-së

Tash që LVV është në pushtet, ajo instinktivisht bëhet gardiane e rendit publik dhe institucioneve të vendit me të cilat deri dje ishte në një lloj rivaliteti. Çfarë do të ndodhë me protestën si aktivitet social dhe politik në shoqërinë kosovare? Kush do të marrë stafetën? PDK, LDK, AAK nuk ia kanë traditë, të paktën jo në atë nivel vetëmohimi e insistimi si ka qenë me LVV-së.

Megjithatë, sado të vogël në numër, sado të margjinalizuar, mendoj që Dardan Molliqaj me aktivistët e tij të PSD-së kanë potencialisht mundësi të rindezin fuqinë e protestës tek ne. Në fund të fundit, nuk duhet harruar se për një kohë Molliqaj ishte në top treshen e lidershipit të LVV-së dhe udhëhiqte me rrjetin organizativ të partisë/lëvizjes. Ai dhe kolegët e tij njohin strategjinë, doktrinën e rezistencës, si dhe kuptojnë fuqinë e insistimit e të përpjekjes. Ka gjasa që nëse kanë vullnet, konsistencë dhe përkushtim – pra, nëse i qasen përpjekjes si maratonë afatgjate, jo si sprint – ata do t’i japin mjaft kokëçarje qeverisë Kurti. Me këtë rast, është qeveria ajo që do të përballet me dilemat e përjetshme të konfrontimit me protestuesit: të persekutojë si shtet apo jo? Këto dilema veç çka do të thellohen me çdo dështim eventual të kësaj qeverie.

Author

  • Armend Bekaj

    Armend Bekaj është Ligjërues në Departamentin për Kërkime të Paqes dhe Konfliktit në Universitetin e Uppsala-s, Suedi. Ka punuar për një sërë organizatash ndërkombëtare, përfshirë International IDEA në Suedi. Ka të kryer doktoratën në shkenca politike në Universitetin e Sheffield, Britani të Madhe.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.