Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Putini dhe Erdogani: garë drejt fundit të pusit

Mungesa e performancës solide ekonomike e Rusisë dhe Turqisë është ajo çfarë i motivon të dy liderët që të shtypin qytetarët e tyre.

Gjendja e vështirë e kritikut të Kremlinit Alexei Navalny dhe përkrahësve të tij, ka shpërfaqur edhe njëherë brutalitetin e sundimit me dorë të hekurt të presidentit rus Vladimir Putin.

Javët e marshimeve pro Navalny-t, që prej Moskës në Vladivostok, lanë gati 11000 protestues në burg, disa prej tyre të rrahur keq. Ndërkohë, Navalny u dërgua në Koloninë Penale n.2 – me nam për trajtimin abuziv të të burgosurve.

Dy autokratë dhe shkopinjtë e tyre

Ndërkohë në anën tjetër të Detit të Zi, miku i Putinit, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, është angazhuar në shtypjen e studentëve që protestojnë kundër emërimit të një të afërmi të tij, të pakualifikuar e me histori të plagjiaturës, rektor të universitetit kryesor publik të Stambollit.

Erdogani po përpiqet që me çdo kusht të largojë vëmendjen e publikut turk nga kriza gjymtuese ekonomike dhe papunësia e madhe në vend. 

Gara drejt fundit të pusit të Indeksit të Demokracisë

Asgjë nuk ilustron më mirë garën e Putinit dhe Erdoganit drejt fundit të pusit se sa Indeksi i Demokracisë. Aktualisht, Rusia rradhitet e 124-ta, mes 167 vendeve të analizuara në studimin e përvitshëm të Njësisë së Inteligjencës të The Economist. Ajo e liston Rusinë si “regjim autoritar.”

Turqia rradhitet e 104-ta, e kategorizuar nga indeksi si “regjim hibrid” – një tip i përkufizuar nga parregullsitë e mëdha zgjedhore dhe presioni qeveritar mbi opozitën. Ky është dukshëm rangimi më i ulët i ndonjë vendi të NATO-s, me Malin e Zi (vendi 81të) menjëherë pas Turqisë.

Traditat demokratike të Turqisë

Krahasuar me Rusinë, Turqia ka pasur përvojë shumë më të gjatë dhe më të thellë me demokracinë shumëpartiake dhe aktivizmin e shoqërisë civile. Për shembull, gjatë viteve 1970, përderisa në Bashkimin Sovjetik po rritej shtypja e brendshme, Turqia kishte rreth 45000 organizata të shoqërisë civile.

Pas shtypjes që solli grusht shteti i vitit 1980, numri i OJQ-ve në Turqi u trefishua sërish brenda dy dekadave. Lulëzoi një brez i ri shoqatash, të cilat avokuan për një spektër të gjerë çështjesh, duke filluar nga të drejtat e pakicave dhe të drejtat gjinore.

Kjo flet për qendrueshmërinë dhe vitalitetin e shoqërisë civile të Turqisë, që partitë politike, sindikatat e punës, shoqatat civile dhe mediat, arritën të rimëkëmben në të kaluarën – madje edhe pas mbylljes nga regjimet ushtarake dhe liderët autoritarë.

Makineria shtypëse e Erdoganit

Ndërkohë që pretendon se ka qenë viktimë e grusht shtetit ushtarak, Erdogani – ashtu si Putini – është tejet i zënë me burgosjen e kujtdo që e konsideron kërcënim për sundimin e tij gjithnjë e më despotik.

Partia Demokratike e Popullit e Turqisë (HDP), mishërimi i një linje të gjatë të partive prokurde, është shënjestër e tillë. Me teke të Erdoganit, ish bashkëudhëheqësi dhe kandidati presidencial popullor i HDP-së Selahattin Demirtas, njëri tërheqës dhe politikisht i aftë, gjendet në burg që prej vitit 2016. Ai mund të dënohet me 142 vite burg. Ndërkohë, ai vazhdon të luftojë nga qelia e tij përmes Twitterit, letrave dhe librave.

Një dallim mes Erdoganit dhe Putinit

E vetmja gjë për të cilën Erdogani mund të thotë se dallohet nga Putini, është hezitimi i tij që të përdorë agjentë nervorë dhe izotope radioaktive për të eliminuar disidentët.

Sido që të jetë, presidenti turk ka përsosur strategjitë jovdekjeprurëse të ngulfatjes së kundërshtarëve. Për të parë si funksionon kjo, vetëm merrni parasysh fatin e filantropit më të madh turk dhe aktivistit të të drejtave të pakicave Osman Kavala.

Duke qenë shënjestër personale e Erdoganit, për më shumë se tre vite Kavala është duke u kalbur i izoluar në vetmi në burgun e sigurisë maksimale Silivri, në dalje të Stambollit.

E gjitha ka të bëjë me ikjen nga ekonomia

Përfundimisht, mungesa e performancës solide ekonomike e Rusisë dhe Turqisë është ajo çfarë i motivon të dy liderët që të shtypin qytetarët e tyre.

Rusia mbetet shtet me qira, me një ekonomi të varur tej mase nga hidrokarbonet. Sipas OSBE-së, të ardhurat nga nafta dhe gazi arritën 40% të BPV-së së Rusisë më 2018 – ndërsa lëndët djegëse përbëjnë mbi 60% të eksporteve.

Abuzimet e Putinit

Ndonëse, për ditë të këqija, Putini ka themeluar një fond prej afër $570 miliardësh në ar dhe këmbim valutor, për të izoluar regjimin e tij nga presioni dhe shoku i jashtëm, jashtë ekstravagancës së rrokaqiejve të Moskës, Putini nuk ka arritur të përmirësojë aspak gjendjen ekonomike të qytetarëve të rëndomtë.  

Për këtë arsye, rrjepja e përditshme e pasurive të Rusisë nga njerëzit e afërm të Putinit kafshon një copë të madhe nga molla ekonomike.

Vetëdisfatizmi i Erdoganit

Fatkeqësia e Erdoganit – dhe ironikisht fati i mirë i Turqisë – është se vendi nuk është i bekuar me rezerva të lëndëve djegëse. Turqia importon 92% të naftës së papërpunuar, 99% të gazit natyror dhe 40% të qymyrit.

Marrë parasysh djerrësinë e pasurive materiale, qeveritë turke janë mbështetur tradicionalisht në të hyrat kapitale nga Perëndimi. Në këtë kuptim, Erdogan po i pret këmbët e veta – meqë investitorët e huaj priren të shmangin vendet që sundohen pamëshirshëm nga autokratët.

Përderisa afrohen zgjedhjet e ardhshme në Turqi, të cilat do të mbahen më 2023, vendi mbetet në pikën e vlimit.

Nëse edhe përkundër përkrahjes më të vogël për partinë e tij në sondazhet e opinionit publik që prej vitit 2002, Erdogani arrin përfundimisht të vjedhë zgjedhjet nga fituesit e gjasshëm të bllokut opozitar, Perëndimi duhet ta mbledhë mendjen.

As Shtetet e Bashkuara as Bashkimi Europian nuk kanë llogari të humbin më shumë kohë e energji duke përsëritur strategjitë e paqësimit, që sa e sa herë nuk u kanë bërë punë.

Një gjë është e sigurt: një qasje efektive kundër Erdoganit kërkon gjithashtu bashkëpunim me forcat prodemokratike të Turqisë. Koha është tash.

***

Artikulli origjinal në The Globalist, më 3 mars 2021.

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.