Që nga përfundim i zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit dhe veçanërisht pas krijimit të institucioneve të reja, Kuvendit, Qeverisë dhe në fund Presidencës, diplomatë të ndryshëm perëndimorë, krahas urimeve për fituesin e këtyre zgjedhjeve, nuk kanë lënë pa nënvizuar në vazhdimësi një kërkesë dhe thirrje tjetër – atë të rifillimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kësaj thirrje iu bashkua edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antoni Blinkin, në një letër urimi dërguar Kryeministrit Kurti. Në këtë mesazh Sekretari Blinken, krahas inkurajimit për thellimin e reformave, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe luftën kundër pandemisë, në mënyrë të qartë dhe pa ekuivoke, ia përkujtoi udhëheqësit të qeverisë pritjet që kanë ShBA-të nga ai që të angazhohet në procesin e dialogut. Sekretari Blinken nuk la pa nënvizuar se: “sigurimi i një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve me Serbinë, e përqendruar në njohjen e ndërsjellë, është thelbësor për Kosovën që të arrijë potencialin e saj të plotë dhe të ecë përpara në rrugën e anëtarësimit në BE”. Këtu nuk duhet harruar faktin se një letër të ngjashme Sekretari amerikan i Shtetit ja kishte dërguar edhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq-it, ndonëse ai mesazh ishte dërguar me një shkas tjetër.
Kryeministri Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani kanë pranuar mesazhe të tilla urimi më herët edhe nga drejtuesit e vendeve të BE-së, si Kancelarja gjermane Angela Merkel, Presidenti i Francës Emanuel Makron dhe vet Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Jozef Borel. Në mënyrë thuajse të sinkronizuar, të gjithë këta protagonistë të politikës evropiane iu kanë përkujtuar të dy liderëve më të votuar në Kosovë “rëndësinë strategjike” të dialogut si dhe nevojën që të angazhohen më tërë kapacitetin e tyre institucional dhe politik në funksion të tij, më qëllim që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vlerësimi i përbashkët i tyre është se nuk ka kohë për të humbur për asnjërën palë dhe se dialogu i menaxhuar nga Brukseli nuk ka alternativë.
Kthesa Amerikane
Përkundër ngjashmërisë që i karakterizon këto thirrje diplomatike, ato, megjithatë, i veçon një dallim substancial. Ky ndryshim spikat sa i përket qëllimit final që duhet ta ketë ky proces. Ndonëse si Uashingtoni ashtu edhe vendet e veçanta të BE-së, si dhe vet Brukseli, e kanë shtruar nevojën e një impetusi më dinamik për rifillimin urgjent të dialogut, për ShBA-të ky proces i komplikuar duhet të përfundoj me njohje reciproke. Ndërsa, në anën tjetër, vendet evropiane nuk e kanë ravijëzuar kaq qartë dhe hapur qëllimin themelor të tij. Ato në vazhdimësi e theksojë vetëm agjendën evropiane si parim drejtues të kësaj ndërmarrje diplomatike.
Nuk ka dyshim se një dallim i tillë derivon edhe nga natyra e politikëbërjes që i karakterizon dhe dallon ShBA-të nga BE-ja. Brukselit, siç dihet, i duhet përpjekje “titanike” për ta ndërtuar një konsensus bazik për tema ta caktuara në politikën e jashtme, por këtu nuk duhet harruar faktin se edhe pse janë pjesë e kësaj strukture transnacionale, shtete të veçanta të BE-së në vazhdimësi ndjekin politika të pavarura dhe në koherencë me interesat e tyre nacionale. Madje shpesh herë ato e kanë pozicionuar vetën në antinomi me parimet e përbashkëta të politikës së jashtme të BE-së. Andaj, është për tu “habitur” se përse në këtë rast asnjëra nga këto vende, bie fjala si Gjermania, Franca etj., nuk e kanë bërë kaq eksplicite qëllimin final që duhet të ketë kjo marrëveshje, ashtu siç e kanë bërë ShBA-të!
Ky avancim i diplomacisë amerikane me projeksione të qarta për epilogun e këtij rrugëtimi, tregon se mënyra se si është zhvilluar deri më tani procesi i dialogut, nuk e ka tejkaluar realitetin e status quo-s. Për më tepër, kjo gjendje është bërë e papërballueshme, e lodhshme dhe frustuese. Që nga nënshkrimi i marrëveshjes lidhur me “Parimet që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, e cila në Kosovë u ratifikua edhe nga Kuvendi i Kosovës, asnjë lëvizje tjetër substanciale nuk është shënuar në këtë drejtim. Shumë marrëveshje kanë mbetur vetëm në letër. Si të tilla, ato janë arkivuar në sirtarët administrativ të të dy shteteve, pa gjetur kurrë zbatim konkret në terren. Në anën tjetër, që nga nënshkrimi i marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, situata ka ardhur edhe duke degjeneruar. Gjykata Kushtetuese e Kosovës i shpalli shumë pika të kësaj marrëveshje anti-kushtetuese. Skena politike e Kosovës u kaplua nga një antagonizëm ekstrem ndërmjet partive kryesore politike në Kuvendin e Kosovës. Tensionet arritën kulmin dhe u davarit çdo mundësi reale për konsensus nacional për këtë proces delikat.
Dështimi i deritanishëm i dialogut
Dialogu i cili filloi para 10 viteve, zyrtarisht thuhej se mëtonte të “promovonte bashkëpunimin, të arrinte përparim në rrugën drejt BE-së, dhe të përmirësonte jetën e njerëzve”. Duke u bazuar në këto parametra, ai u quajt edhe dialog mbi të “ardhmen evropiane”. Madje, si tillë, ky proces ishte mbështetur në prapaskenë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse, me anë të kësaj formule, synohej që në formë inkrementale të krijoheshin parakushtet për normalizim të plotë të raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Në anën tjetër, me këtë ndarje të roleve – me BE-në si lehtësuese e dialogut dhe ShBA-të si faktor determinues prapa perdeve – tentohej të defaktorizohej roli dhe influenca e Federatës Ruse gjatë fazave vendimtare të tij.
Lirisht mund të thuhet se të gjitha këto synime strategjike dhe gjeopolitike nuk janë përmbushur. Madje situata ka shënuar edhe prapakthim. Qarjet transatlantike, tensionet e brendshme politike në Kosovë, si dhe sabotimi konstant që Serbia i ka bërë këtij procesi, që shoqërohej me një politikë duale e aplikuar me perfiditet nga lidershipi politik në Beograd – edhe me Perëndimin dhe me Rusinë – janë bërë shkaktar të këtij regresi.
Shprehje eksplicite e ndasisë ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, gjatë kohës së Administratës Trump, u bë edhe krijimi i dy qendrave paralele ndërmjetësuese të këtij procesi. Njëra qendër, si zakonisht në Bruksel, e drejtuar nga i emëruari i posaçëm për këtë temë, diplomati sllovak Mirosllav Lajçak, kurse tjetra e ndërmjetësuar nga Shtëpia e Bardhë e udhëhequr nga ish-ambasadori amerikan në Berlin, Riçard Grenell, i emëruar si emisar special i ShBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi. Pasojat e këtij tensioni e tronditën edhe skenën politike të Kosovës. Ndodhi rrëzimi i Qeverisë Kurti 1 dhe krijimi i Qeverisë Hoti. Procedura e zgjedhjes së të dytës u konsiderua si antikushtetuese, çfarë e detyroi Kosovën t’i mbante zgjedhjet e parakohshme parlamentare me 14 shkurt. Këto zgjedhje e nxorën fituese absolute Lëvizjen Vetëvendosje, e cila për një kohë të gjatë kishte mbajtur qëndrim refuzues dhe kritik ndaj dialogut që ishte zhvilluar në Bruksel. Po ashtu, kjo Lëvizje atakoi edhe Marrëveshjen e Uashingtonit që u nënshkrua nga Kryeministri Hoti dhe Presidenti serb Aleksandër Vuçiq në prezencë të Presidentit Donald Trump. Kurse partitë e establishmetit, që deri me tani kishin participuar në këtë dialog, pësuan humbje serioze.
Natyrisht, këtij prapakthimi i kontribuuan edhe zhvillime të tjera ndërkombëtare. Shpërthimi i pandemisë Covid-19 si dhe goditja nga kriza ekonomike, politike dhe shëndetësore që mori pjesa më madhe e planetit – e të mos flasim këtu për krizën e mëhershme ku ishte zhytur paradigma e globalizmit – u bënë katalizator që e cenuan modelin multilaterist të bashkëpunimit ndërkombëtar. Po ashtu, këto devijime shtruan terrenin për ringjalljen e pasioneve nativiste dhe sentimenteve partikulariste nacionale. Të kërcënuara biologjikisht, shoqëritë njerëzore filluan të kërkojnë shpëtim vetëm brenda projekteve të tyre të mbijetesës kombëtare. Kjo frymë e mendësisë “tribale” e përfshiu edhe vet BE-në që deri para shpërthimit të Covid-19 konsiderohej si shembull i zhvillimit “post-historik” e solidaritetit transnacional. Shprehje tipike e kësaj ndarje të re, mund të merret Ura e Ibrit, ku autoritetet shëndetësore të Serbisë, në kundërshtim flagrant më çdo parim legal dhe kushtetues të Kosovës, filluan vaksinimin e qytetarëve serb përtej urës për mbrojtje nga pandemia nën emrin e mbijetesës biologjike të kombit serb. Natyrisht, këtu nuk duhet amnistuar dështimin flagrant të Prishtinës për të siguruar mjetet e domosdoshme për imunizimin e qytetarëve të Kosovës.
***