Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Qeveria e re e Gjermanisë: shenja premtuese për integrimin e Ballkanit perëndimor në BE

Qeveria në ardhje e koalicionit ‘semafor’ duhet të kuptojë rreziqet që e rrethojnë BE-në në kufijtë e Ballkanit perëndimor – dhe të ndihmojë në shtyrjen përpara të integrimit në BE për shtetet e rajonit.

Gjatë vizitës së fundit në Ballkanin Perëndimor si kancelare e Gjermanisë, Angela Merkel u përpoq të siguronte përsëri popujt e rajonit se pasardhësi i saj do të jetë i po aq përkushtuar sa ajo ndaj Ballkanit Perëndimor dhe të ardhmës së tij.

Shumë qytetarë dhe politikanë të rajonit adhurojnë Merkel-in për stilin e saj të lidershipit dhe e shohin Berlinin si lojtar të besueshëm. Gjermania nën Merkel-in ka qenë vendimtare në ndërmarrjen e hapave të rëndësishëm sikurse procesi i negociatave mes Kosovës dhe Serbisë dhe Procesi i Berlinit – nismë që synon të inkurajojë liderët e rajonit që të bashkëpunojnë përderisa i afrohen hyrjes në BE.

Gjermania ka qenë gjithashtu vendimtare në ndaljen e marrëveshjes së dyshimtë të shkëmbimit të tokave mes Serbisë dhe Kosovës që ishte përkrahur nga ish përfaqësuesja e lartë e BE-së Federica Mogherini. Ndërsa lidhur me çështjen e rëndësisë kryesore, gjatë vizitës së fundit kancelarja në largim hoqi të zitë e ullirit të thoshte se “është në interes tonë absolut gjeostrategjik që t’i pranojmë vërtet këto vende në Bashkimin Evropian.” Ajo la të kuptohet se boshllëku i lënë pas nga evropianët do të mbushej nga influencat tjera në rajon, duke e pasur fjalën kryesisht për Kinën dhe Rusinë.

Për këto vende, progresi drejt anëtarësimit në BE ka qenë i ngadaltë, që mbase është një prej shkaqeve të prapakthimit demokratik të rajonit në kohët e fundit. Nacionalizmi popullist tash është forcë serioze, dhe së bashku me mosfunksionimin e duhur të mekanizmave të  kontrollit dhe balancit kanë krijuar rreziqe rë reja politike dhe për sigurinë në rajon. Pretendimet identitare po shfrytëzohen në shërbim të projekteve dhe ideve politike që kërcënojnë demokracinë dhe synojnë ndryshime demografike përmes homogjenizimit etnik.

Mes tyre është ideja e Srpski svet – botës serbe; manipulimi i zgjedhjeve në Bosnje dhe Hercegovinë; propozimet për ndryshim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë të përkrahur në kohë të ndryshe nga liderë të dy vendeve, korrupsioni, krimi i organizuar dhe emigrimi janë rritur. Qytetarët e Ballkanit Perëndimor kanë gjithnjë e më pak besim se do t’i shohin ndonjëherë vendet e tyre në BE.

Rreziqet për BE-në janë të dukshme. Çdo lulëzim edhe më i madh i lidershipit nacionalist dhe joliberal në rajon do të mund të shkaktonte rrëshqitjen në dhunë ndëretnike. Vetëm gjatë këtij viti, rajoni ka parë festimin e “Ditës së Bashkimit” serbe, një ngjarje e re që u bën thirrje të gjithë serbëve që jetojnë në Ballkanin Perëndimor që të shfaqin flamurin kombëtar. Gjatë një zënke me Kosovën për tabelat e automjeteve, Serbia grumbulloi ushtrinë e saj buzë kufirit me Kosovën dhe fluturoi aeroplanë ushtarakë brenda hapësirës ajrore kosovare, duke paralajmëruar se brenda orëve do të ndërhyjnë për të “mbrojtur” serbët në Kosovë nëse NATO nuk do të reagonte brenda 24 orëve. Kurse në Mal të Zi, ndikimi politik i aktorëve të huaj dhe joshtetërorë – shumica nga Serbia, Rusia dhe kishat e tyre, dhe i organizatave politike të ekstremit të djathtë – është rritur në atë masë sa të kërcënojë stabilitetin e vendit dhe rajonit.

Në këtë kontekst, do të ishte gabim strategjik për Gjermaninë dhe BE-në që kjo të lejohet të vazhdojë. Prandaj, qeveria e re gjermane ka mundësinë e veçantë për të punuar aktivisht me vendet dhe qytetarët e rajonit, si edhe me shtetet anëtare të BE-së, për ta sjellë rajonin më afër BE-së.

Rezultati i zgjedhjeve federale të shatatorit është premtues në këtë drejtim – të paktën, koalicioni trepartiak në ardhje nuk do të lihet në hije nga Partia e Popullit Evropiane [EPP], ashtu si i ngjau kristian demokratëve dhe Merkel-it. EPP-ja i bëri ata më ngurrues për t’u bërë ballë demokracive joliberale përbrenda Evropës sikurse Hungaria, partia në pushtet e së cilës ka qenë anëtare e EPP-së së bashku me partinë e presidentit serb Aleksandar Vucic dhe partinë VMRO-DPMNE të Maqedonisë së Veriut.

Ç’është e vërteta, ndonëse politika evropiane nuk ka qenë ndonjë temë e rëndësishme gjatë fushatës zgjedhore në Gjermani, kandidati për kancelar nga SPD-ja Olaf Scholz tha gjatë një debati televiziv se vizita e tij e parë jashtë vendit do të ishte në Paris. Një prej dështimeve të Merkel-it ka qenë paaftësia e saj që të sigurojë përkrahjen e presidentit Macron për zgjerimin në rajon, kurse në vitet e fundit Macron-i përkundrazi doli të jetë pengesa kryesore për integrimin e mëtejshëm të Ballkanit në BE. Scholz e di rëndësinë e bashkëpunimit të afërt me Francën sa i përket përforcimit të kohezionit të brendshëm të BE-së. Edhe kandidatja për kancelare nga Partia Gjelbër Annalena Baerbock u përgjigj ngjashëm dhe kur u pyet se cilin kryeqytet do ta vizitonte të parin, ajo tha Brukselin.

Qeveria e re gjermane duhet të punojë aktivisht që të ndërtojë konsensusin politik me shtetet tjera anëtare për të gjetur mënyrën për integrimin e rajonit dhe për të zbutur influencat e huaja të Kinës dhe Rusisë. Edhe pse shumëpalësh për nga natyra, Procesi i Berlinit është një format për përkrahjen e të cilit Gjermania mund të bëjë shumë dhe ajo duhet të zgjerojë aktivitetet e saj përtej projekteve infrastrukturore. Koalicioni i ri i Gjermanisë mund të nisë punën gjithashtu duke lobuar në nivelin e shteteve anëtare dhe Komisionit Evropian që të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor të trajtohen barabar.

Berlini duhet të marrë seriozisht raportimet e fundit se komisioneri për zgjerim Oliver Varhelyi favorizon hyrjen e Serbisë në BE më shumë se të të tjerëve dhe se po minimizon problemet demokratike. Ajo duhet të bëjë presion që komisioni ta hetojë këtë rast dhe të kërkojë përgjegjësi më të gjërë si organ kolektiv. Procesi i zgjerimit i BE-së është tejet i rëndësishëm për rajonin për t’u lënë në duart e të emëruarve të Orban-it, i cili orvatet ta dëmtojë BE-në nga brenda.

Për vendet e Ballkanit Perëndimor është shumë e rëndësishme që të tre partitë e qeverisë në ardhje të paraqiten si përkrahëse të integrimit të BE-së. Partitë vlerësojnë lart praktikat e të drejtave të njeriut dhe demokracisë dhe janë pro NATO-s dhe pro bashkëpunimit transatlantik. Që të trija janë më të rrepta në qasjen ndaj rritjes së influcencës së Kinës, dhe të paktën dy prej tyre nuk e shohin me simpati Rusinë, e cila shpesh ka luajtur rolin e aktorit të huaj destruktiv në pengimin e integrimit të Ballkanit në BE dhe NATO.

Posaçërisht të Gjelbrit janë relativisht armiqësor ndaj Moskës dhe kategorikisht kundër Nord Stream 2, duke thënë se ndërtimi i gazsjellësit do të përforconte regjimin autoritar rus. Është jetike që koalicioni i ri të kutpojë rreziqet që ekzistojnë përgjatë kufijve të BE-së dhe t’i përmbahet pohimeve të angazhimit të vazhdueshëm gjerman, për të cilin foli Merkel pak para zgjedhjeve.

***

Ky artikull u botua në Këshillin Evropian për Marrëdhënie të Jashtme – ECFR – më 13 tetor 2021.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.