Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Qeveris dhe shto në kontestimin e shtetësisë

Politikat selektive sociale të qeverisë shtojnë në kontestimin e shtetësisë së Kosovës.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, z. Dardan Sejdiu, më 6 tetor 2016, paralajmëroi në një konferencë shtypi se qeveria e Kosovës ka dhënë ide ligjore “të cilat e heqin në tërësi shtyllën e parë, pra pensionin bazë”. Deri më tash, Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale nuk ka publikuar në uebsajtin e saj ndonjë reagim ndaj këtij informacioni ose korrektim të tij.

Në këtë bllog argumentohet se heqja e këtij programi do t’i vinte kulmin një politike selektive në zhvillimin e shtetit të mirëqenies në Kosovë që prej periudhës së parapavarësisë e deri më sot e që shton në kontestimin e shtetësisë së vendit.

Mbrojtja sociale e periudhës së pasluftës, përfshirë pensionin bazë për të gjithë të moshuarit mbi 65 vjet, lindi faktikisht nga një projekt i Bankës Botërore i vitit 2000. Sado që skemat e dala prej sugjerimeve të atij projekti ishin dorëngushta, të dizajnuara që të mos ngarkonin buxhetin e vendit përgjatë kohës, ato kishin anën e mirë në synimin eksplicit që të përfshinin gjithë territorin dhe gjithë banorët e Kosovës. Madje edhe ligji i parë nën UNMIK-un për kategoritë e luftës, ndonëse nxirrej për të adresuar shformësimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përmbante një frymë më universale prej nga lindën edhe të drejtat në beneficione të viktimave civile të luftës.

Me afrimin e pavarësisë dhe pas saj, roli i autoriteteve të Kosovës u rrit dhe bashkë me të edhe sektori i mbrojtjes sociale. Në përgjithësi, tani Kosova ka 27 skema të veçanta që përfshihen në kategori më të mëdha si pensionet, ndihmat sociale dhe familjare, kategoritë e luftës dhe ish të përndjekurit politikë. Shumica prej tyre erdhën si rezultat i presonit të grupeve shoqërore, interesit të subjekteve politike për vota në zgjedhje, shembujve në rajon etj.

Logjika e të gjitha këtyre skemave është targetuese: ato fokusohen në grupe të caktuara. Pavarësisht arsyeve që i kanë sjellë, këto skema kanë forcuar kryesisht statusin dhe pozitën financiare të shqiptarëve dhe meshkujve. Tabela më poshtë tregon ndikimin e skemave kryesore targetuese (përfshirë ndihmën sociale që ka qenë e ngritur që më 2001). Po të hiqej ndihma sociale, femrat do të përfaqësoheshin vetëm me 12% ndërsa banorët joshqiptarë me vetëm rreth 2%.

Burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovës, 2015

Shteti i mirëqenies shihet edhe si një ndër fazat e kompletimit të shtetndërtimit. Në këtë rast, pensionet bazë për të gjithë të moshuarit dhe asistenca sociale janë politika të rralla të Kosovës që mbërrijnë në gjithë territorin e vendit dhe prekin edhe banorët serbë dhe gjendjen e tyre ekonomike. Shteti i Kosovës kontestohet nga jashtë dhe nga brenda; heqja e pensioneve bazë do të ishte shtim në kontestimin e shtetësisë direkt edhe nga Parlamenti.

Kjo skemë ka ndihmuar edhe në zvogëlimin e varfërisë dhe forcimin e pozitës së gruas dhe minoriteteve tjera. Është e veçantë në rajon dhe për këtë ka reputacion të mirë. Ndërsa minoritetet tjera kanë pushtet të vogël politik dhe pak gjasë që ta mbrojnë këtë pension, do të ishte cinike që edhe gruaja të bëhet viktimë e trashëgimisë politike të Kosovës që historikisht e ka mbajtur atë në shtëpi dhe të diskriminuar shekullin e kaluar.  

Targetimi, që është preferuar nga politika sociale e Kosovës, ka problemet e veta edhe më të gjëra që ndërlidhen me atë se si qeveria e sheh mbrojtjen sociale dhe cilësinë e jetës së qytetarëve të vendit. Kjo është temë tjetër. Tash për tash, është me rëndësi që Vetëvendosja doli në mbrojtje të pensioneve bazë. Partitë e majta perëndimore gjenden shumë më shpesh në mbrojtje të institucioneve universale që shihen në mënyrë të drejtpërdrejtë të ndërlidhura me obligimet e nënshtetësisë dhe luftën kundër kapjes e korrupsionit.  

 

___________

Bllogu mbështetet nga Friedrich-Ebert-Stiftung, zyra në Kosovë.

Mendimet e shprehura në këtë bllog nuk paraqesin medoemos besimet e Friedrich-Ebert-Stifftung. 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.