Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Qytetari dhe katunari i Kosovës

E njoh edhe katunarin edhe qytetarin. Prindi-burrë asht le e rritë në katun kurse prindi-gru asht le e rritë në qytet. Prandaj, po e marr mundin me i thanë nja dy – tri fjalë.

Rrita jem nuk ka kalue me rrzuemje e lojna por me komplekse e vetmi. Nuk kam qenë fmi i lazdruem e i çoroditun e në çoroditje i ledhatuem. Kurrë nuk jam msue me sha. Unë kam qenë fmi i shpërfillun, i vuejtun, i heshtun e mbas krejt ksaj edhe vetmitar e vrojtues. Unë s’e kom dashtë vetminë… ajo m’u ka imponu hiç pa m’pvetë. Nuk dhemb qaq me u konsideru si njeri i dorës s’dytë sa dhemb me u konsideru si fmi i dorës s’dytë. Kjo dhimbtë çon në rezistencë dhe në nji luftë të heshtun me shoqninë. Unë kom mbetë sakat shoqnor, nji tip asocial pa ndjenja përkatsie. Kjo m’ka çu pavetdijshëm në nji konceptim tjetër për identitetin që asht postulue prej Butler dhe do teoricienve tjerë të ngjashëm (shih queer theory): identiteti asht i qarkullueshëm, i lirë, i zbrazun prej çdo elementi natyror. S’mundet me pasë debat nëse operojmë me terme të stërlashta e qesharake para-parasokratike si “identitete nga natyra” ose “katunar a qytetar natyror” ose me do pohime idiote si “ky ka le qytetar”, “ky ka le katunar” ose edhe “ky ka le shqiptar”.

Dajtë e mi të rritun në Prishtinë, shpesh si me hajgare ma kanë bo: katunar. Sidomos kur iu kom dalë jashtë botës që ata e kanë ndërtu për mu. Nihilizmi jem u ka ndjellë çudë. Kur s’besojsha as në komb, as në fe, as në familje, as në gjini e as në kurrgjo hiç, gjyshi jem (i ashtuquejtun agë) ma bojke: ti je budallë, s’din sen’ hiç. I papranuem kom qenë edhe në katun. Jom pa si i ndryshëm vazhdimisht. Unë jom rritë në njifarë toke asnjanëse. Jom rritë në autobus bashkë me pasagjerë tjerë që thjesht heshtnin të paluem nëpër karriga.

Por sot, shoqnia jonë po e vlon krenarinë e vet për përkatsitë e veta inferiore. Me nji entuziazëm të madh po çirren: “Jam krenar që jam shqiptar” megjithëse turpnohen në heshtje që janë pasardhës analfabetësh e katunarësh. Me nji entizuazëm pak ma të zbehtë, ish-kryeministri Thaçi si plot e përplot tjerë tha: “Jam krenar që jam katunar”. Ndërkohë krenia e atij që jeton në qytet për qytetninë e vet asht edhe ma e madhe dhe zakonisht shprehet përmes sjelljeve, veshjeve e veprimeve distancuese me kulturën e maparshme.

Ama duhet me u thanë që ekziston katuni dhe qyteti. Në kuptimin gjeografik ekziston katunari dhe qytetari. Dhe bile, nji dallim i vogël përmbajtjesor në kulturën e tyne ekziston. Por, në themel edhe i pari, edhe i dyti janë paragjykues. I pari e paragjykon nji katun tjetër, ose nji katun ma të thellë, ose nji katun thjesht ma të prapambetun. Ndërkohë që qytetari natyrisht, e paragjykon çdo katunar, e madje edhe çdo qytetar të ndonji krahine tjetër. Pra, provincializmi dhe paragjykimet vijnë në frymën e krenarisë me të cilën u shpreh ish-kryeministri Thaçi. Kur je krenar me fshatin, qytetin ose qytezën ku ke le atëherë je edhe paragjykues për të tjerët që nuk janë si ti. E paragjykon atë që asht le në Brojë, Junik, Gjilan, Lipjan a Prishtinë.

Ekziston provincialisti ose mendjemshelti në një anë dhe mendjeçelti e toleranti në tjetrën anë. Por kjo nuk i korrespondon dallimit ndërmjet qytetarit dhe katunarit në shoqninë tonë. Dallimi asht në vetvete provincialist sepse e ngritë tendencën e mospranimit dhe paragjykimit të tjetrit veç në dukjen a shfaqjen e tij. E ngritë në vetvete tendencën për t’u krenu me vendin ku ke le, ku je rritë e ku po jeton sikur këto me pasë qenë elementet e vetme që e përcaktojnë identitetin. Në nji mënyrë të habitshme binë në njifarë konformizmi qesharak dhe i respektojnë zakonet e mahallës a katunit të vet. Ky zell me u konformizu, me u ba pjesë e kopesë qëndron në zemër të provincializmit të nji qytetnimi thjesht bimor që kqyrë veç qysh me u dokë sa ma bukur lulet e veta.

Në nji frymë të ktillë agresive mospranimi e paragjykimi ai që erdh në qytet e kishte të zorshme fillimisht me u bo qytetar. S’dihej saktë se çka donte me thanë kjo fjalë. Bile kanjiherë mendohej se qytetari asht qytetar për nga natyra, me do esencialitete të mshefta. Por, ylberi kapërcehet kur ai merr vesh se dallimi qëndron veç në mënyrën e paraqitjes, në të folmen, në të porositunit e kafesë, në të ecunit e sidomos në veshje. Në kalimin nga nji kope te tjetra. Ish-katunari veshet, msohet me pi e çka me pi, me hangër e çka me hangër, me keshë e qysh me keshë dhe rikonformizohet, rikopeizohet, “qytetnohet”. Procesi “qytetnues” pra, asht investim i thjeshtë në dukje. Mendjet mbesin të paprekuna, se shqipet janë të mençme për nga natyra. Zakonet banale mbesin po ato. Shijet muzikore, po ato. E njëjta mënyrë e të menduemit. I njëjti pasivitet qytetar. Po qajo hajni. Po qajo familje kanunore. Po qaj Zot. Ksisoj, ne marrim vesh se kemi qytetarë veç në dukje të cilët jetojnë në qytet, veshen mirë, ecin mirë por kanë mendje gërrditëse.

Në ajrin e Prishtinës pluskon nji çlirim i madh gjithëshoqnor. Njerëzit qytetnohen lehtë. Në Prishtinë përnjime’ vjen era mut, vjen era e kontenjerëve, vjen era tambël i djegun. Vjen era shtirje. Veç njerëzit kanë tesha të mira, kerre të mira… dukje të mirë. Nji shok amerikan që jeton e punon në Prishtinë çuditej sesa mirë që visheshin njerëzit dhe sesi askush nuk e përshëndeste në rrugë. Paramendojeni, nji amerikan (vendi i zombieve) na kritikon për shpirtna të vdekun. Në fakt, shpirti i shoqnisë tonë asht i mshefun e jo i vdekun. Asht i mshefun se ai asht shpirt provincialist që e kqyrë veç dokën, veç gunën e jo punën. Ky pra asht qytetarizmi ynë gjithëshoqnor që në thelb e ka përçmimin për atë që s’veshet a thjesht s’duket simbas modelit të tyne të qytetarit.

Nji njeri që jeton në katun duhet me tejkalu botën që ia mbarojnë pambarim bashkëvendasit e tij. Po qat tejkalim duhet me e krye edhe dikush që jeton në qytet. Edhe qato zakone, tesha, qajo gjuhë pa theks katunaresk që ky beson se e qytetnon në fakt janë boshe, të zbrazta. Qyteti – thotë edhe Ortega y Gasset – asht nji hapsinë në lëvizje ku gjithçka debatizohet bile edhe ndërmjet vet njerzve të thjeshtë dhe ku përpunohen në baza të përditshme vlerat. Pra, qytetari asht mendjeçeltë i gatshëm me pranue ndryshimin e shpirtit të tij, e jo nji qenie meskine që e mshef shpirtin dhe e ndreqë thjesht pamjen e tij të jashtme.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.