Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Qytetari si numër

Në demokracitë liberale, ideja bazike e konkurrueshmërisë politike nuk janë vetëm numrat. Para së gjithash janë idetë.  Vetëm atëherë kur ka ide, ka mospajtime. Logjika që i organizon këto ide në fushën e politikbërjes është ideologjia. Meqenëse partitë politike në Kosovë nuk janë të profilizuara ideologjikisht, konflikti mes tyre nuk është konflikt programor, por konflikt numrash. Pra, konflikti bazik është se kush e ka shumicën që të vendosë për formimin e qeverisë dhe, nga andej, të implementojë politika  krejtësisht pragmatike, pa kurrfarë baze ideologjike. Meqenëse shumica e partive politike në Kosovë janë të ngjashme si për nga mungesa e demokracisë brendapartiake, ashtu edhe për nga shtrirja e rrjeteve të tyre patriomoniale në bazën institucionale, dallimet mes tyre mbesin të vogla. Ajo që i bashkon partitë politike nuk janë në fakt interesat e qytetarëve, por një dehje gati epshore për pushtet për vetvete dhe klientelen e tyre. Të tjerët, pra qytetarët, që nuk janë pjesë e këtyre rrjeteve patrimoniale dhe klienteliste, janë vetëm numra.

Zanafilla e problemit pozitë-opozitë në Kosovë duhet kërkuar në garën politike të zgjedhjeve të 2014-s, ku partitë politike opozitare kishin zhvilluar një fushatë negative anti-PDK, duke vënë vija të kuqe për një koalicion paszgjedhor me këtë të fundit. PDK kishte dalë parti fituese në nivel vendi, kurse LDK, VV, AAK dhe NISMA kishin nënshkruar një marrëveshje për të marrë drejtimin e qeverisë, duke refuzuar një koalicion me PDK-në. Ky koalicion i partive opozitare kishte provuar që të ndërtojë vetë institucione, duke e zgjedhur Isa Mustafën Kryetar të Kuvendit. Ky ishte hap paraprak drejt zgjedhjes së Ramush Haradinajt në pozitën e Kryeministrit të vendit, sipas marrëveshjes së këtyre partive. E gjithë kjo përpjekje u rrëzua përtokë, kur deputetët e PDK-së kontestuan vendimin e Kuvendit të Kosovës në Gjykatën Kushtetuese, dhe kur kjo e fundit gjeti se zgjedhja e Isa Musfatës si Kryetar i Kuvendit ishte bërë në mënyrë jokushtetuese.

Në nëntor 2014, LDK-ja kishte dalë nga koalicioni VLAN, dhe kishte ndërtuar një koalicion me PDK-në për të formuar institucionet e Kosovës, marrëveshje sipas së cilës, LDK-ja do të drejtonte qeverinë me pozitën e Kryeministrit, kurse PDK-ja do të drejtonte Kuvendin, dhe do të bëhej gati të merrte pozitën e Kryetarit të Kosovës, pas përfundimit të mandatit të Atifete Jahjagës. Koalicioni i Madh PDK-LDK, që nga fillimi, ishte preferencë e partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës, për dallim nga koalicioni LDK-AAK-VV-NISMA. Dy ishin arsyet: së pari, ky koalicion kishte një shumicë stabile të votave në Kuvend, që edhe pa përkrahjen e Listës Srbska, do të mund të kalonte vendime të rëndësishme për vendin (siç do të ishte miratimi i ligjit për Gjykatën Speciale) dhe, së dyti, të dyja këto parti nuk e vinin në pikëpyetje vazhdimin e dialogut me Serbinë. Të dy këto aspekte merreshin me dyshime nga partitë opozitare, sidomos nga VV.

Ndonëse ky ishte një koalicion pragmatik dhe aspak i bazuar në parime apo programe partiake, koalicioni kishte shumicën e votave në Kuvend, dhe mund të kalonte pa problem vendime që, në përputhje me agjendën e partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës, ishin të vështira dhe që po priteshin të kalonin në Kuvendin e Kosovës. Më 2015, do të kalonte Ligji për Dhoma të Specializuara, përmes së cilit do të gjykoheshin rastet e krimeve të luftës.  Vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe procedimi me vendosjen e vijës kufitare me Malin e Zi ishin dy projekte politike tjera që duhej të ndërmerreshin nga qeveria e re. Të gjitha këto vendime do t’i kundërshtonte tanimë ‘blloku opozitar’ VV, AAK dhe NISMA, bllok në të cilin, sikurse në bllokun qeveritar, ishin bashkuar parti që nuk ‘i bashkon’ as programi, as statuti, dhe as elektorati. Opozita kishte përdorur edhe mjetet parlamentare edhe ato jashtëparlamentare për t’i kundërshtuar këto, madje duke organizuar protesta masive. Opozita argumenton se i ka numrat në rrugë, pozita argumenton se i ka numrat në institucione. Si pozita ashtu edhe opozita e shohin qytetarin si numër.  Qeveria i frikësohet numrave të mëdhenj (masave në rrugë), kurse opozita i frikësohet numrave të vegjël (shumicës parlamentare në Kuvend).

Në një studim të Komisionit të Venedikut, me titull, ‘Roli i Opozitës në një Parlament Demokratik’, të aprovuar në tetor 2010, theksohet se parimi i qeverisjes të shumicës është prej kërkesave formale dhe legale të demokracisë. Raporti i Komisionit të Vendikut thekson se opozita ka një obligim dhe përgjegjësi fundamentale që veprimet e saj të zhvillohen brenda kornizës ligjore, kushtetutës, kodeve civile dhe penale, dhe është e obliguar që t’i respektojë këto, për aq kohë sa ato janë në fuqi. Në anën tjetër, pozita duhet të jetë e vetëdijshme se pa opozitën nuk mund të ushtrohet demokracia parlamentare. Termi ‘opozitë’ këtu kuptohet edhe si funksion por edhe si subjekt. Si funksion, opozita ofron të gjitha argumentet që kundërshtojnë politikat e shumicës dhe qeverisë, kurse si subjekt, opozita ka të bëjë me një ose disa parti që nuk e udhëheqin qeverinë.  Edhe pse zakonisht në sistemet parlamentare partitë apo koalicionet që e formojnë qeverinë e kanë shumicën në parlament, duke siguruar mbështetje nga kjo shumicë, ka edhe raste të tjera në Evropë ku kanë udhëhequr ‘qeveritë e pakicave’, që nuk e kanë pasur shumicën në parlament, dhe kanë qenë të detyruar që të bashkëpunojnë me njërën prej partive opozitare, në mënyrë që të sigurojnë një shumicë stabile për vendimmarrje në parlament.

Studimi i Komisionit të Venedikut liston tetë funksione vitale që një opozitë mund t’i ushtrojë në një demokraci parlamentare. Nëse opozitës i pamundësohet që t’i ushtrojë këto funksione, atëherë një sistem i tillë nuk mund të konsiderohet demokraci. Këto funksione janë:

 

Të ofrojë alternativa politike

Të artikulojë dhe të promovojë interesat e votuesve të tyre

Të ofrojë alternativa për vendimet e propozuara nga qeveria dhe përfaqësuesit e shumicës

Të përmirësojë procedurat e vendimmarrjes parlamentare duke siguruar debat, refleksion dhe kundërshtim

Të monitorojë legjislativin dhe propozimet buxhetore të qeverisë

Të mbikëqyrë qeverinë dhe administratën

Të rrisë stabilitetin, legjitimitetin, llogaridhënien dhe transparencën në proceset politike

Partitë opozitare në Kosovë mund ta ushtrojnë shumicën e këtyre funksioneve të opozitarizmit. Duke qenë se opozita VV-AAK-NISMA nuk mund ta bllokojnë asnjë vendim që mund të merret në Kuvendin e Kosovës, për faktin se koalicioni qeverisës ka shumicën stabile të votave për vendimmarrje në Kuvendin e Kosovës, opozita kishte shfrytëzuar edhe formën e opozitarizimit brendaparlamentar edhe atë jashtëparlamentar. Opozita kishte hedhë gaz lotsjellës në Kuvend në disa seanca radhazi, kurse në aktivitetet jashtëparlamentare të opozitës ishte përdorur dhunë, dhe ishte dëmtuar prona publike dhe private. Të gjitha këto veprime ndonëse janë në kundërshtim me kodet civile dhe penale në Kosovë, opozita kishte arsyetuar se veprimet e saj janë politike. Opozita i arsyetonte veprimet e saj me argumentin e ‘dëmit më të vogël’. Sipas tyre, me marrëveshjet e nënshkruara, dëmi që po i bëhej Kosovës ishte shumëfish më i madh. Duke i konsideruar veprimet e saj politike, opozita sikur dëshironte të thoshte se nuk mban përgjegjësi për këto veprime. Një numër i deputëve të opozitës ishte arrestuar, mbajtur dhe më pas liruar, kurse një pjesë e aktivistëve të opozitës kishin vazhduar të mbaheshin në burg. Debati ishte bërë jorelevant.

Hapësira institucionale për t’i shteruar argumentet me debat dhe vullneti për të bërë kompromise ishte pamundësuar. Të dyja palët kanë kushtëzuar dialogun politik me kërkesa maksimaliste.  Meqenëse zgjedhjet e qershorit 2014 janë vlerësuar si zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike, partitë që e kanë formuar koalicionin qeverisës e konsiderojnë vetvetven si koalcion legjitim për të qeverisur me Kosovën, kurse partitë opozitare duan zgjedhje të jashtëzakonshme, për shkak se, sipas tyre, qeveria ka shkelur Kushtetutën e Kosovës me dy marrëveshje – atë për demarkacion dhe asociacion. E vërteta për këto marrëveshje nuk qëndron as tek ajo që prezanton qeveria dhe as tek ajo që prezanton opozita. Nëse shprehemi në termat e Aristotelit për të vërtetën si virtyt, të vërtetën për këto marrëveshje nuk mund ta gjejmë as tek qëndrimet ekzagjeruese të qeverisë, dhe as tek qëndrimet nënvlerësuese të opozitës. Duket se e vërteta gjendet diku në mes.  Ndonëse politikisht kontestimet që bën opozita janë legjitime, për shkak se çdo herë opozita synon të kundërshtojë politikat e qeverisë, mungesa e alternativave të opozitës ngre dilema rreth kauzave të opozitës.  Sidomos, nëse këto kauza kanë peshë domethënëse në riorientimin e tendecës së trupit elektoral në Kosovë.

 

Ndonëse PDK-ja ishte hisedare kryesore për nënshkrimin e Marrëveshjes së 19 prillit 2013 për normalizmin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, një vit më vonë kur do të mbaheshinn zgjedhjet e qershorit 2014, votuesit kosovarë nuk do ta ndëshkonin PDK-në për këtë qasje të politikës së jashtme. Përmes kësaj marrëveshje, në fakt, parashihej që të themelohej një Asociacion i komunave me shumicë serbe. Madje partitë opozitare, me përjashtim të VV, e kishin mbështetur këtë marrëveshje përmes votave të tyre në Kuvend. Afërmendsh, edhe pse nuk është shfaqur një korrelacion mes dialogut të Kosovës me Serbinë dhe orientimit të trupit votues për partitë politike në Kosovë, temat si Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe demarkacioni me Malin e Zi nuk janë dhe nuk mund të jenë tema populiste, që parapëlqehen nga qytetarët e Kosovës.

Ndonëse përceptimi publik në mesin e kosovarëve për rezultatet e dialogut është negativ, perceptimi i qytetarëve sidomos për BE-në dhe SHBA-në, si partner strategjikë të Kosovës, është i lartë. Sipas matjes së opinionit publik të realizuar nga KCSS, vetëm 12.7 përqind e qytetarëve të Kosovës mendojnë se Kosova po fiton më shumë se Serbia në dialog, kurse 45.3 përqind e respodentëve kishin deklaruar se Serbia po fiton më shumë se Kosova në dialog. Përkundër këtij perceptimi negativ, kur vjen fjala për partnerët strategjikë të Kosovës, 92.6 përqind e qytetarëve kishin deklaruar se Kosova duhet të forcojë tutje partneritetin me SHBA-të, kurse 94.4 përqind e kosovarëve kishin deklaruar se Kosova duhet të bëhet anëtare e BE-së. Pra, studimi shpërfaq një tension mes parapëlqimit të qytetarëve për kauza opozitare dhe parapëlqimit të qytetarëve për partnerët ndërkomëbtar ekzistues, SHBA-në dhe BE-në. Si partnerë strategjikë të Kosovës, vetë BE-ja edhe SHBA-ja kanë sponsorizuar dialogun teknik dhe politik me Serbinë që nga 2010 deri më tani. Natyrisht, partneriteti mes SHBA-së, BE-së dhe Kosovës nuk është partneritet mes partnerëve të barabartë, dhe kushtet e këtij partneriteti, sipas çdo këndvështrimi realpolitik, nuk munden të vendosen nga Kosova. Të dy këta partnerë e shohin dialogun si mundësi për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe si një instrument të paqes dhe stabilitetit rajonal.

Përtej këtij debati – jo më pak e rëndësishme – mbetet mungesa e perspektivës ekonomike e shoqërisë kosovare, për të cilën duket se as koalicioni qeverisës dhe as partitë opozitare nuk kanë alternativat e duhura. Shkalla e lartë e papunësisë, spitalet me aparatura të vjetëruara, mungesa e sigurimit shëndetësor, drejtësia sociale për grupe të margjinalizuara, mungesa e sundimit të ligjit, korrupsioni dhe shkalla e lartë e informalitetit, janë fenomene që prekin të gjithë qytetarët e Kosovës. Këtë kauza të ‘vogla’  – ndonëse mund të jenë të padenja për partitë e mëdha politike – janë ato që e përcaktojnë zhvillimin demokratik dhe mirëqenien e përgjithëshme të shoqërisë kosovare. Tani për tani, këto mikrokauza nuk janë pjesë qendrore as e koalicionit qeverisës dhe as e partive opozitare. Kauzat e Vogla të Qytetarëve janë periferike. Kauzat qendrore të partive politike mbesin të tjera. Kauzat e Mëdha Partiake, pra.

Kriza e fundit, sido që ta emërtojmë – krizë reale apo artificiale – është para së gjithash një krizë e partive politike. E atyre që kërkojnë me çdo kusht të mbajnë pushtet, dhe atyre që kërkojnë me çdo mjet pushtet. Mungesa e alternativave qeverisëse, marrja peng e partive nga liderët partiakë, mungesa e qarkullimit të ideve dhe e lidershipit brendapartiak, ka prodhuar dhe po prodhon barrakadim institucional. Duke qenë se Kosova ka ndërtuar një sistem të tillë politik e klientelist, ku partitë me çdo kusht dëshirojnë që të futen në institucione dhe të shpërblejnë klientët e tyre për përkrahje aktuale dhe potenciale, qëndrimi i partive të vogla në opozitë vetëm se do të rezultonte me humbjen e një pjese të konsiderueshme të elektorateve të tyre.  Përtej këtij inercioni aktual të partive politike, ku mungojnë idetë, liderët e rinj dhe procedurat demokratike vendimmarrëse brendapartiake, partitë politike si ato në koalicionin qeverisës si ato në koalicionin opozitar duhet ta marrin seriozisht si reformimin e sistemit zgjedhor ashtu edhe demokratizimin e brendshëm partiak.  Pa reformimin e sistemit zgjedhor dhe pa demokratizëm brendapartiak të partive ekzistuse, vetëm zgjedhjet – qofshin ato të jashtëzakonshme apo të parakohshme – nuk zgjidhin asnjë problem të qytetarëve të Kosovës. Në të kundërtën, ato do t’i shfrytëzojnë qytetarët si numra – qoftë në zgjedhje, qoftë në rrugë. Si zero mbas njëshit, pra si masë. Si një trup irracional pa kokë.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.