Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Qytetet dhe përgjigja ndaj ndryshimeve klimatike në Kosovë

Duke u përballur me shumë kriza në të njëjtën kohë, qytetet në ditët e sotme duhet të planifikojnë më mirë për reduktimin dhe reagimin ndaj fatkeqësive dhe të investojnë në sisteme të qëndrueshme.

Duket se ndërsa njerëzimi ka kohë që i ka formësuar mjediset e jetesës për t’iu përshtatur nevojave të tij, praktikat e pakontrolluara dhe lakmitare po japin rezultate të kundërta. Humbja e tokës së gjelbër dhe produktive bujqësore për shkak të ndërtimeve të reja dhe zhvillimeve infrastrukturore, ekstraktimit të tepruar dhe konsumit joefikas të burimeve për të mbështetur popullsinë në rritje dhe standardin e tyre të jetesës, ja t’i përmendim disa.

Qytetet emetojnë rreth 70% të emetimeve totale globale të gazeve serrë, prandaj janë kontribuesit kryesorë të ngrohjes globale. Megjithatë, edhe nëse përpjekjet globale rriten dhe arrijnë të kufizojnë ngrohjen globale në 1.5 oC deri në vitin 2030, efektet negative të ngrohjes aktuale do të vazhdojnë.

Planifikimi dhe zhvillimi i keq i qytetit = rritje e rreziqeve të ndryshimeve klimatike

Në mbarë botën, shumë qytete, si në vendet e zhvilluara ashtu edhe në ato në zhvillim, po përballen tashmë me ndikimet e ndryshimeve klimatike. Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë përjashtim pasi rajoni është një nga pikat e nxehta të ngrohjes globale. Kosova tashmë ka qenë dëshmitare e rritjes së temperaturave, ku dy dekadat e fundit janë më të ngrohtat e regjistruara. Kjo është shoqëruar me një rritje të frekuencës së valëve të të nxehtit, thatësirave, zjarreve në pyje dhe ngjarjeve të përmbytjeve.

Ndërsa dëmet nga përmbytjet kanë qenë kryesisht financiare (si dëmtimi i tokës ose kulturave bujqësore, shembja ose dëmtimi i infrastrukturës, ndërtesave dhe komprometimi i strukturës së trashëgimisë së ndërtuar) në shumicën e komunave deri më tani, gjatë përmbytjeve të janarit 2021 njerëzit duhej të evakuoheshin në Fushë Kosovë dhe Gjakovë, kurse në qershor të vitit 2023 nga përmbytjet në Pejë vdiq një pesëvjeçar dhe nëna e tij e re. Në përmbytjet e janarit të vitit 2023, vetëm një komunë, Skënderaj, pësoi pothuajse 12 milionë euro dëme në asetet fizike dhe infrastrukturën.

Planifikimi, zhvillimi dhe menaxhimi joefikas i qytetit kontribuojnë në rritjen e emetimeve dhe ndotjes nga gazrat serrë, por ato gjithashtu mund të rrisin ekspozimin dhe cenueshmërinë ndaj ndikimeve aktuale ose të pritshme të ndryshimeve klimatike. Gjatë periudhës ndërmjet viteve 2000 dhe 2018, sipërfaqja e përgjithshme urbane në Kosovë është rritur për 57%, duke u rritur nga 1% e territorit të përgjithshëm në 1.5%. Migrimi nga fshati në qytet, së bashku me mungesën e kapaciteteve institucionale, planifikimin dhe zbatimin e dobët të dokumenteve fillestare të planifikimit hapësinor, si dhe procedurat e zgjatura për lejet e ndërtimit ishin disa nga faktorët që kontribuan në ndërtimet e reja të paligjshme dhe joformale që ndodhin në të gjithë territorin e Kosovës – duke përfshirë zonat me prirje rreziku.

Strategjia e Kosovës për Ndryshimet Klimatike 2019-2028 identifikon urbanizimin e pakontrolluar, shfrytëzimin joadekuat të tokës dhe planifikimin komunal, ndërtimet ilegale në zona të rrezikshme dhe mosrespektimin e kodeve të ndërtimit si faktorë që kontribuojnë në rritjen e rreziqeve klimatike. Edhe pse zhvillimi i përgjithshëm ka qenë më i kontrolluar në vitet e fundit, ka ende zhvillim joefikas të përdorimit të tokës, të tilla si rrafshimi dhe humbja e hapësirave të hapura dhe të gjelbra urbane për ndërtimet e reja.

Sipas një studimi të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, rajoni i Ballkanit Perëndimor pritet të pësojë një ngrohje prej 1.7 – 4oC deri në fund të shekullit. Temperaturat në zonat malore do të jenë në rritje, duke shkaktuar kështu më pak mbulesë bore dhe rritje të përmbytjeve pranverore. Zonat urbane pritet të përjetojnë rritje të temperaturave, mungesë uji, por edhe përmbytje të rrëmbyeshme. Këto dukuri kanë efekte të dëmshme në shëndetin e njerëzve, infrastrukturën fizike, produktivitetin bujqësor, ekosistemet, biodiversitetin dhe ofrimin e shërbimeve. Ato çojnë në kosto më të larta ekonomike dhe përkeqësojnë pabarazitë sociale meqenëse jo të gjithë kanë në mënyrë të barabartë mjete për t’u zhvendosur ose përshtatur.

Burimi: pixabay.com

Sipas hulumtimit të vitit 2021 të kryer nga UN-Habitat Kosova në të gjitha 38 komunat, shumë komuna kanë filluar të ndërmarrin disa masa për t’iu përshtatur ndryshimeve klimatike. Për shembull, Lipjani, Gjilani, Peja, Klina, Shtërpca, Mitrovica e Jugut dhe Zubin Potoku kanë kufizuar zgjerimin e pakontrolluar të vendbanimeve dhe kanë kufizuar ndërtimin në zonat e rrezikuara përmes Planeve të tyre Zhvillimore Komunale, ndërsa Vushtrria dhe Suhareka kanë futur në hartë zonat e rrezikuara nga përmbytjet brenda hartave të tyre të hapësirave komunale për të reduktuar rreziqet dhe për të rritur mbrojtjen e komunitetit, infrastrukturës dhe tokës bujqësore.

Peja, Mitrovica e Jugut, Gjakova, Rahoveci dhe Ranillugu gjithashtu kanë restauruar shtretërit e lumenjve si masa mbrojtëse nga përmbytjet. Zubin Potoku, Shtërpca, Ranillugu dhe Vitia kanë ndërmarrë masa për ripërtrirjen e ekosistemeve të dëmtuara nga zjarret, ndërsa Mitrovica e Jugut, Zveçani dhe Theranda kanë investuar në rritjen e sipërfaqeve të gjelbra.

Megjithatë, ndërsa dëmet dhe humbjet nga ndikimet e përmendura vazhdojnë të rriten pothuajse në të gjitha komunat, nevojiten shumë më tepër përkushtim, planifikim më të mirë dhe investime më të zgjuara.

Duke u përballur me shumë kriza në të njëjtën kohë, qytetet në ditët e sotme duhet të planifikojnë më mirë për reduktimin dhe reagimin ndaj fatkeqësive dhe të investojnë në sisteme të qëndrueshme. Duke marrë parasysh karakterin rregullator dhe ndikimin në aspektin e shpërndarjes hapësinore të aktiviteteve dhe intensitetit të përdorimit të tokës, planifikimi hapësinor po fiton një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në menaxhimin e ndryshimeve klimatike.

Planifikuesit urbanë kanë aftësi dhe njohuri të veçanta (duke punuar në shkallë dhe nivele të ndryshme, duke përdorur softuer të ndryshëm dhe analiza të bazuara nga të dhënat, si dhe nga reagimet e komunitetit) dhe planifikimet i mendojnë në mënyrë afatgjatë, prandaj mund të kontribuojnë më mirë për të kuptuar fotografinë më të madhe dhe balancimin e nevojave të komunitetit sa i përket hapësirës.

Lëvizja drejt një të ardhmeje neto-zero

Përderisa shumë vende dhe qytete anembanë botës i kanë futur ndryshimet klimatike si një pjesë integrale të kornizës së tyre ligjore dhe strategjive zhvillimore, një studim i vitit 2022 tregon se Ligji aktual për Planifikimin dhe Planin Hapësinor të Kosovës nuk përfshin mjaftueshëm konsideratat e ndryshimeve klimatike. Marrja në konsideratë dhe integrimi i ndryshimeve klimatike në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë planifikimin hapësinor, është thelbësor për ndërtimin e qëndrueshmërisë dhe arritjen e një të ardhmeje neto-zero.

Megjithatë, me kapacitete të kufizuara njerëzore dhe financiare, përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike në komunat e Kosovës bëhet më e vështirë; duke rritur kështu cenueshmërinë e tyre. Përveç kësaj, konteksti ekzistues (siç është mospërputhja me planet hapësinore, ndërtesat ilegale dhe vendbanimet informale) rrit ekspozimin ndaj ndikimeve të ndërlidhura. Nga ana tjetër, të dhënat e pamjaftueshme në lidhje me mjedisin dhe klimën e bëjnë më të vështirë planifikimin për një të ardhme më rezistente ndaj ndryshimeve klimatike.

Si rezultat, ekziston nevoja për rritje të kërkimeve, ngritjes së kapaciteteve dhe rritjes së investimeve për përshtatjen klimatike dhe ndërtimin e rezistencës dhe qëndrueshmërisë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.