Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Qyteti dhe katundi në historinë e Kosovës

Historikisht, Kosova nuk ka pasë qytete. Të paktën jo në formën që ato kanë ekzistuar në Evropë prej të paktën shek. X deri rreth shek. XIX. Sociologu i madh Max Weber i kushton një diskutim të gjerë rolit të qytetit në historinë evropiane. Veçoria e qytetit në historinë evropiane është ekzistenca e tij si njësi e dallueshme shoqëroro-politike. Ekonomikisht, qyteti është dalluar nga aktivitetet ekonomike; në të kanë dominuar tregtia dhe aktivitetet komerciale. Qytetet qëndrore evropiane, si ato të brigjeve italiane, janë veçuar edhe nga kontrolli i tregtisë së largët, përmes shkëmbimeve me Lindjen e Mesme dhe në veçanti me Azinë. Gjatë shekujve XIV e XV, ky lloj komerci i distancave të gjata, i cili hynte në Evropë përmes porteve të mesdheut dhe nga aty shpërndahej në rrjetet tregtare nga Milano e në Hamburg e deri në Seville të Spanjës, i pat shndërruar qytetet mesdhetare si Firenca, Gjenoa e Venediku në supërfuqi detare e financiare të Mesjetës.

Këto aktivitete ekonomike e kanë veçuar qytetin nga pjesa tjetër e kontinentit, i cili mbizotërohej nga ekonomia agrare. Kjo ekonomi ka qenë e organizuar në sistem manorial, domethënë kanë mbizotëruar marrëdhëniet feudale dhe bujkrobëria (po flasim gjithmonë nga shek. X deri në shthurjen e feudalizmit midis shek. XVII-XIX). Me këtë rast, edhe struktura shoqërore e qytetit ka qenë e dallueshme nga fshati. Përderisa në zonat agrare ka mbizotëruar hierarkia midis bujarisë feudale dhe masës së punëtorisë bujkrobe fshatare e cila, bashkë me tokën e punuar, është trajtuar si “pronë” feudale, në qytet janë zhvilluar marrëdhënie komerciale që ngjasojnë me ato të kapitalizmit modern. Për këtë arsye, klasa qytetare (ang. burgher, gjerm. Bürger) ka qenë e veçuar si për pavarësinë e saj ekonomike nga marrëdhëniet agrare feudale, ashtu dhe për profesionet e dallueshme të banorëve të qytetit.

Kjo pavarësi ekonomike është mbështetur edhe në pavarësinë politike që kanë gëzuar qyetet. Përgjatë shekullit XVII dhe XVIII, marrëdhëniet feudale gradualisht i nënshtrohen sundimit princëror, në një kohë kur nis dobësimi i influencës së Kishës së Romës mbi sundimtarët evropianë dhe dobësimi relativ i bujarisë feudale kundrejt përqëndrimit të pushtetit politik e ekonomik në oborret mbretërore. Këto procese kulmojnë në Paqen e Vestfalias (Peace of Westphalia) e vitit 1648, që i vënë themelet e sovranizimit të pushteteve territoriale në Evropë dhe lindjen e absolutizmit. Mirëpo, ky transformim i marrëdhënieve feudale në Evropë, të paktën në periudhat e hershme, nuk i cënon qytetet. Brenda kontinentit, centralizimi i pushteteve në Francë nën kardinalin Richelieu, me themelimin e zyrës së intendant dhe lindjen nën regjimin e vjetër të Francës të noblesse de robe (bujarisë administrative) përmes së cilës Parisi vendosi kontrollin politik e financiar përmbi gjithë territorin e Francës është ndër rastet e shquara të rrënimit të pushteteve lokale, përfshirë ato të qyteteve dikur të pavarura si Marseille, Lyon e Avignon, përmes penetrimit të pushtetit nacional me të drejtë vendosje taksash dhe të ligjit. Mirëpo, në pjesë të tjera të kontinentit, si në Spanjë, Gjermani e gadishullin italian, qytetet ruajnë autonominë politike të tyre edhe përkundër rritjes dhe përqëndrimit të fuqisë së pushteteve mbretërore, me lindjen e shtetit territorial. Në Angli, përkundër rëndësisë së Londrës si qendër politike, që nga Lufta Civile dhe sidomos pas Revolucionit të Lavdishëm (Glorious Revolution) të 1688-ës, pushteti mbretëror ishte në varësi të plotë ndaj bujarisë provinciale që, në Angli, kishte bazë rurale.

Qyteti dallonte edhe me institucionet e veçanta politike. Ato mbështeteshin në kushtetuta dhe karta të tjera të të drejtave që kufizojnë pushtetet e qytetit, çfarë nuk ekzistojnë në oborret mbretërore. Në Gjermani, p.sh., është bërë dallimi i prerë midis ligjit të qytetit (Stadtrecht) dhe ligjit të fshatit (Landrecht). Në qytete kanë ekzistuar edhe institucione të veçanta juridike e vetëqeverisëse, si gjykata të ndara nga ato të mbretit dhe këshille qeverisëse që kanë zhvilluar ligjet dhe vendosur buxhetin e qytetit në mënyrë të pavarur (duke pasë parasysh se qyteti ka pasë gjithashtu të drejtën e veçantë të tatimit të banorëve të saj). Qytetet janë dalluar edhe fizikisht nga zonat agrare përmes mureve ose fortifikimit, mbetjet e të cilave i gjen edhe sot në qytetet e mëdha evropiane. Muret kanë shërbyer për qëllim mbrojtjeje, por edhe kanë mundësuar autoritetet e qytetit që t’i ndalojnë ose kufizojnë hyrjen dhe qëndrimin në qytet të joqytetarëve. Njëkohësisht, përmes pushtetit qytetar bujaria qytetare ka zhvilluar edhe veçim statusor midis qytetarëve dhe joqytetarëve, që Weber i quan grupe statusi (Stände). Me një fjalë, klasa e burgher/Bürger është veçuar si shoqërisht, si grup statusor me privilegje të veçanta, si ekonomikisht, duke vepruar jashtë strukturave të ekonomisë agrare, ashtu dhe politikisht, duke jetuar nën një regjim të veçantë politik e juridik nga pjesa tjetër e vendit. Hendeku midis shoqërisë agrare dhe qytetit ka qenë relativisht i thellë, gjë që në disa pjesë të Evropës ka vazhduar gjer në shek. XIX. Dallimet ekonomike e kulturore midis qytetit dhe shoqërisë agrare në Evropë i paraprin proceseve të urbanizimit (në kuptimin modern të fjalës), që është proces që fillon kryesisht në shekullin XIX, me lindjen e kapitalizmit industrial, rast me  të cilin nis zhdukja përfundimtare e ekonomisë agrare dhe marrëdhënieve shoqërore të saj.

Nga kjo pasqyrë historike kuptoj se Kosova (dhe zonat e Ballkanit jugor në përgjithësi) nuk janë veçuar nga zhvillimi historik i qyteteve. Është e vërtetë se në Kosovë, si në pjesët tjera të Ballkanit jugor, ka pasë qytete, në kuptimin e vendbanimeve të mëdha. Mirëpo madhësia nuk e bën një vend qytet, siç e thekson edhe Weber-i. Aq më tepër që, edhe ato vendbanime historikisht të mëdha pas shek. XVII ose XVIII, si ta zëmë Prizreni ose Shkupi, nuk kanë qenë vendbanime të veçuara nga jeta agrare e viseve përreth. Këto qytete kanë shërbyer si qyete tregu, por të tregtisë lokale, ku shitësit kryesorë kanë qenë fshatarët e rrethit. Edhe aktiviteti ekonomik i banorëve të qytetit nuk është shquar dukshëm nga ai i fshatit. Bujqësia e vogël ka ekzistuar në qytet (në disa qytete të Kosovës vazhdon edhe sot) dhe një pjesë e mirë e qytetarisë ka jetuar nga bujqësia. Pjesa e madhe e popullsisë së qytetit është formuar me dyndje nga fshati. Për t’u dyndur nga fshati në qytet, pengesë më e madhe kanë qenë kufizimet ekonomike se sa ato juridike. Varshmëria ekonomike nga toka ka vështirësuar mbijetesën në qytet. Përndryshe, Perandoria osmane nuk ka bërë dallime juridike midis fshatit dhe qytetit dhe i ka parë ato gjithmonë si zona të integruara.

Aq më tepër që, historikisht, në kohën kur qytetet evropiane gëzonin pavarësi politike e autonomi administrative, qytetet e mëdha të Ballkanit jugor kanë qenë qendra administrative të pushtetit perandorak osman. Me një fjalë, ato jo që nuk kanë gëzuar autonomi politike, por kanë shërbyer si baza nga e cila perandoria ka ushtruar pushtetin e saj mbi zonat agrare, p.sh. përmes mbledhjes së tatimeve nga popullata fshatare. Edhe bujaria “feudale” osmane (termi “feudal” nuk është term i drejtë për marrëdhëniet agrare osmane, megjithëse është i përdorur tradicionalisht nga historiografia shqiptare) ka qenë “qytetare”, në kuptimin që në qytete kanë jetuar edhe bejlerët që kanë zotëruar toka agrare. Me një fjalë, qyteti ballkanik, pra edhe ai kosovar, si ekonomikisht, si politikisht e si demografikisht, nuk është dalluar dukshëm nga fshati, por ka ekzistuar si një zgjatje e shoqërisë dhe e ekonomisë agrare të fshatit, nën kupolën politike të Perandorisë osmane. Aq më tepër që qyteti osman në Ballkanin jugor ishte kryesisht vendbanim shumetnik dhe shumëgjuhësor. Gjuha dominante e qytetit është ajo e elitës sunduese perandorake, turqishtja. Këto tipare kulturore, produkt kryesisht i pranisë së strukturave administrative osmane, ishin të vetmet veçori që dallonin “qytetin” (si vendbanim i madh) nga fshati në Ballkanin osman.

Për arsye të ndryshme historike, Ballkani jugor pati një zhvillim tjetër shoqëror nga ai i Evropës veriperëndimore dhe qëndrore. Në këtë rajon jo vetëm që nuk zhvillohen qytetet (përjashto, për një periudhë të caktuar, qytetet bregdetare si Shkodra e Durrësi nën ndikimin venedikas), por pushtimi osman, që fillon në shek. XIV, çon në shkatërrimin edhe të strukturave lokale feudale.

Në rastin e shqiptarëve, me shkatërrimin e bujarisë feudale arbërore pas pushtimit osman, shkatërrohen edhe bazat e organizimit feudal arbëror. Historia politike shqiptare prandaj nuk niset nga feudalizmi, e aq më pak nga qyteti, por nga mbetjet katundare të shqiptarëve. Katundi mbijeton sepse është organizim i pavarur në niveli fshati, i mundur në rastin e shqiptarëve, sikur të popujve të tjerë periferikë, për shkak të izolimit relativ të popullatës nga pushtetet sunduese, si kisha, perandoritë dhe bujaritë feudale, që kishin nënshtruar fshatarësitë në pjesët tjera të Evropës. Organizimi katundar është organizim i veçantë fshatar në të cilin fshatarësia ruan pavarësinë e saj relative nga autoritete të jashtme. Kjo dallon thelbësisht nga organizimi agrar në Evropë, i cili në disa raste (si në Gjermani) deri në shekullin XIX shquhej nga bujkrobëria. Me një fjalë, katundaria shqiptare i takon kategorisë së fshatarësisë së lirë, në kuptimin e organizimit të pavarur politik dhe të paaftësisë së pushteteve të jashtme për t’i obliguar ato me tatime të përhershme ose me përvetësim të pronësisë mbi tokën.

Katundi historik është veçuar jo vetëm nga patriarkalizmi, marrëdhëniet fisnore dhe ekonomisë bujqësore e blegtorale, por edhe nga vetorganizimi politik e ekonomik dhe vetëqeverisja në formë të kuvendeve e pleqësive dhe zbatimi i ligjeve lokale (kanuneve) jashtë sistemit perandorak të drejtësisë, i cili kishte bazë në qytete. Katundet nuk mbijetonin si vendbanime të izoluara por të organizuara në konfederata katundare si bajraqet, qoftë me baza fisnore, qoftë të tarafeve, nën udhëheqjen e krerëve e parive lokale. Katundi si njësi politike i mbijeton edhe shekujve XVII dhe XVIII, kur një pjesë e fshatarësisë shqiptare i nënshtrohet sistemit çifligar osman. Në këtë kohë fillon një diferencim i ri shoqëror, ai midis klasës së ajanëve (bejlerëve e pashallarëve) dhe masës fshatare të nënshtruar ndaj çifligut. Me marrëdhëniet çifligare fshatarësia ballkanike, përfshirë ajo shqiptare, përjeton një bujkrobërizim të vonshëm, për shkak se fshatarësia i nënshtrohet obligimeve ekonomike ndaj beut (dhe shfrytëzimit të tyre nga ky i fundit përmes tatimeve dhe marrjes së të drejtës mbi tokën). Mirëpo edhe shtrirja e sistemit çifligar, siç vë në dukje studiuesi i historisë agrare shqiptare Ligor Mile, asnjëherë nuk arrin ta mposhtë plotësisht katundin, i cili mbijeton, sidomos në zonat malore, të cilat për Portën e Lartë bëhen simbol i një popullate rezistente ndaj nënshtrimit ndaj autoriteve të perandorisë. Fakt tjetër është se ky diferencim shoqëror tek shqiptarët nuk është edhe gjithaq i fuqishëm, duke marrë parasysh se islamizimi i shqiptarëve i linte mundësi për ngritje në hierarkitë perandorake. Në dallim prej shumë pjesëve krishtere të Ballkanit, ku ajanët dalloheshin nga fshatarësia sepse ishin turqi, në viset shqiptare shumë nga ajanët ishin vetë me origjinë nga paritë katundare. Prandaj edhe dallimi i elitës me masën fshatare nuk ishte asnjëherë i thellë. Për këtë arsye, ndonëse në shumë pjesë të tjera të Ballkanit nën osmanët, ku dallimet klasore ishin gjithashtu edhe dallime fetare e etnike, kjo nuk vlente për shqiptarët (gjë që, mund të thuhet, është shkas për lindjen e vonë të nacionalizmit ndër shqiptarët). Megjithatë, siç u theksua edhe më lartë, elita shoqërore shqiptare ishite e lidhur thellë me katundin; jo vetëm për shkak të origjinave, por edhe për shkak se vetë sundimi i  këtyre elitave varej nga vullneti i popullatës katundare, që asnjëherë nuk i ishte nënshtruar plotësisht sundimit të ajanëve. Më shumë se sundimtarë lokalë, ajanët shqiptarë më tepër shërbenin si ndërmjetës midis popullsisë katundare dhe pushtetit perandorak, duke përfituar nga kjo ca privilegje më shumë se shumica.

Qëndrueshmëria e strukturave agrare osmane dhe e formës së veçantë të pushtetit pernadorak bën që katundi t’i mbijetojë edhe shpërbërjes së Perandorisë osmane. Shthurja e katundit fillon vetëm në shek. XX, me vendosjen e pushteteve shtetërore kombëtare në Shqipëri pas 1912-ës. Në Shqipëri, ky është proces i dhunshëm. Shkatërrimi i plotë i katundit në Shqipëri ndodh gjatë regjimit stalinist në Shqipëri, i cili depërton thellë përmes pushteteve të saj në strukturat e shoqërisë katundare. Në Kosovë ndërkaq, katundi i mbijeton edhe kësaj periudhe. Madje, si pasojë e marrëdhënieve antagoniste midis pushtetit serb dhe katundarisë shqiptare, katundi përforcon rolin si vatër e rezistencës. Harrohet shpesh se sundimi i Serbisë dhe i Jugosllavisë së vjetër në Kosovë ndiqej përmes një politike të veçantë klasore; përderisa Serbia shtypte katundarinë, Serbia përpiqej të kultivonte marrëdhëniet me bejlerët, që arriten të ruajnë pjesën më të madhe të pronave të veta. Një kohë, Serbia toleroi edhe organizimin politik të bejlerëve shqiptarë të Kosovës, siç ishte rasti i organizimit të partisë “Xhemjeti”, por veçimi i bejlerëve nga masa nuk mund të realizohej asnjëherë, sepse si në kohën osmane, bejlerët shqiptarë ishin të lidhur me strukturat katundare dhe të varur nga ato. Serbia, ndërkaq, shtypte katundarinë e lirë shqiptare, përmes terrorit, masave kolonizuese dhe përpjekjeve për konfiskim të tokave.

Pas viteve 1960, pushteti i Jugosllavisë socialiste arrin të minojë strukturat katundare, jo medoemos duke i penetruar ato (sikur stalinizmi shqiptar), por duke i dobësuar ato përmes zgjerimit të institucioneve konkurrente si arsimit, ekonomisë industriale, por edhe proceseve të urbanizimit (si projekte shtetërore) që nisin e shthurin si bazën ekonomike, ashtu dhe atë kulturore e politike të katundit. Këto procese i vendosin lojalitetet ndaj elitave kombëtare, që tashmë kontrollojnë institucionet e pushtetit ekonomik, politik e, me përhapjen e sistemit arsimor, edhe atij kulturor, përmbi besnikërisë ndaj traditave dhe parive lokale katundare. Nacionalizmi, si një dukuri urbane e intelektuale, bëhet forcë e rëndësishme në katund, ku trashëgimitë dhe gojëdhënat lokale të rezistencës kombinohen dhe ndërthuren me narrativat intelektuale e institucionale mbi origjinat, luftërat dhe përpjekjet e kombit, që përhapen përmes arsimit e që në zona lokale artikulohen si pjesë e një tregimi të njëjtë. Si demografikisht, ashtu dhe ekonomikisht e kulturalisht, pjesa e dytë e shek. XX përbën periudhën e mposhtjes përfundimtare të katundit shqiptar. Katundi në këtë kontekst ruralizohet në kuptimin që ruralizimi dhe ubanizimi kanë një marrëdhënie dialektike – urbanizimi nënkupton ruralizimin, ndërkohë që ruralizimi nënkupton periferizimin dhe margjinalizimin e popullatës së ruralizuar kundrejt strukturave shoqërore urbane dhe rendit të saj të centralizuar politik, ekonomik e kulturor. Këto të fundit janë përbërëse të shtetit modern burokratik dhe formës së veçantë të elitave të saj (profesionale, burokratike, ekonomike e kulturore) dhe faktit që shteti socialist jugosllav, veçanërisht në Kosovë, shkatërroi themelet e ekonomisë agrare. Ajo jo vetëm minoi bazat ekonomike e politike të katundit, por përmes reformës agrare zhduku klasën bejlere, bashkë me këtë edhe beneficionet klasore nga pronësia mbi tokën dhe fshatarësinë.

Rezistenca historike katundare shqiptare ironikisht përfundoi me krijimin e kushteve për shkatërrimin e vetë katundit. Moderniteti ndryshoi jo vetëm karakterin politik të katundit, por edhe natyrën e marrëdhënieve shoqërore brenda tij. Në këtë ka ndikuar edhe masivizimi i arsimit dhe, në disa zona, edhe depërtimi i punës industriale. Ndonëse nga kjo e fundit ka pasë edhe zbrapsje (sidomos pas viteve 1990), që nga të paktën vitet 1950, në mos edhe më herët, sistemi arsimor ka ndikuar thellësisht në nacionalizimin (dhe me këtë, urbanizimin) e katundit, duke qenë një konstante institucionale përkundër të gjitha ndryshimeve të tjera të mëdha shoqërore që vendi ka përjetuar që nga fundvitet 1980. Kjo është edhe arsyeja pse UÇK-ja, një lëvizje moderne çlirimtare (në kuptimin historik të fjalës), ishte, nga kjo pikëpamje, përkundër bazës shoqërore rurale, një lëvizje me botëkupime thellësisht urbane. Misioni i saj ishte çlirimi nacional dhe, politikisht, zotërimi i pushteteve të qendrës, në dallim prej rezistencës historike katundare, që ka qenë gjithmonë e fragmentuar, lokale dhe e nxitur nga interesi i ruajtjes së rendit lokal shoqëror, jo nga vizionet e projektet për transformimin e shoqërisë në tërësi.

Stigmatizimi i sotëm kulturor i origjinave rurale të individit nuk ka të bëjë me katundarinë historike, as me, siç e pamë më sipër, zhvillimin e veçantë të qytetit, i cili historikisht në Kosovë ishte i lidhur ngushtë, si demografikisht, ashtu dhe ekonomikisht e politikisht, me shoqërinë agrare. Megjithatë, korniza dhe terreni i veprimit të pretendimeve për kufij kulturorë dhe identitarë (“katundar” dhe “qytetetar”) nuk ka të bëjë fare me zhvillimin historik të qytetit dhe katundit në historinë shqiptare, siç e pamë, por ka një origjinë të përbashkët në tenativën moderne për shkëputje të dhunshme dhe decidive nga historia e vonë agrare të gjithë strukturës shoqërore; kjo e fundit dëshmi e periferizimit të përgjithshëm shoqëror, ekonomik e kulturor të Kosovës kundrejt pjesës tjetër të kontinentit. Me fjalë të tjera, veçimi nga ruralja nuk është, dhe nuk ka qenë asnjëherë, shenjë e dallimeve kategorike shoqërore që lindin nga ndonjë histori e gjatë e zhvillimit të qytetit, por strategji e dallimit dhe legjitimimit kulturor e politik të elitave provinciale që vetë janë të dalura nga gjiri i shoqërisë agrare.

 

_____________

Shënim: për shkak të natyrës së mediumit, lexuesi është kursyer nga referencat dhe bibliografia. Por, autori është i gatshëm t’i ndajë ato me cilindo që i kërkon.

Foto: qiv / Flickr Creative Commons [CC by 2.0]

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.