Gjysma e të ardhurave në Kosovë i shkojnë 20%-shit më të pasur të shoqërisë. Nëse synohet zvogëlimi i pabarazisë së përshkallëzuar, atëherë kërkohet reformë në mbrojtjen dhe promovimin e punës.
In the latest bllogun e kaluar të Destrata-s është trajtuar reforma e mundshme e politikave sociale, që financohen nga buxheti kombëtar, në funksion të uljes së pabarazisë në Kosovë; është folur për dobitë e uljes së pabarazisë; dhe është nënvizuar se pabarazia në vend është më e larta në Europë dhe ka qenë më e larta në ish-Jugosllavi.
Destrata d.m.th. deshtresëzim; barazi sociale kundër dallimeve të thelluara klasore. Siç shihet në figurën më poshtë, nga pabarazia në Kosovë fiton shtresa ose klasa më e pasur. 20-përqindëshi më i pasur merr pothuajse 50% të të gjitha të ardhurave. Për dallim, 20-përqindëshi më i varfër merr vetëm 4.7% të të ardhurave. Ky trend është afërsisht i ngjashëm çdo vit.
Nëse shoqëria ndahet në dhjetë pjesë të barabarta, atëherë 10-përqindëshi më i lartë del se merr pothuajse 40% të të gjitha të ardhurave.
Po të bëhej analizë e pasurisë, pra jo vetëm e të ardhurave familjare, ka gjasa të shumta që ajo të shfaqë koncentrim edhe më të madh tek shtresa më e lartë.
Shpërndarja e të ardhurave familjare të disponueshme në Kosovë nëse shoqëria ndahet në pesë grupe nga 20% të popullatës. Kalkulime vetanake bazuar në të dhëna burimore të ASK-së, 2014.
Kjo gjendje e pabarazisë është e rrezikshme përkah aspekti i sigurisë (sidomos duke e ditur kontekstin prej nga vijmë), që tregon për atë se si elita vendimarrëse e sheh shoqërinë, dhe e pengon zhvillimin demokratik.
Në këtë bllog argumentohet se politikat sociale të financuara nga buxheti kombëtar dhe të reformuara duhet të kombinohen me politikat e mbrojtjes dhe promovimit të punës, si dhe me politikat tatimore për ta ulur pabarazinë.
Gjatë javëve të kaluara, në sbunker.net, duke marrë si shkas ligjin për tokën, është argumentuar (nga Bardhyl Salihu (I, II), Krenar Gashi dhe Shkumbin Asllani) për rritje të progresivitetit të tatimeve dhe taksave duke përfshirë edhe aplikimin e tij në TVSH. Progresiviteti tatimor është me rëndësi vendimtare për uljen dhe trajtimin e pabarazisë. Përveç listës së tatimeve të përmendura prej autorëve në fjalë, qasja progresive duhet të përfshijë edhe tatimin në pronë dhe kontributet në skemat publike të sigurimit në punë. Duhet gjithashtu të ceket se deri në vitin 2008, Kosova nën UNMIK-un ka aplikuar edhe shkallën prej 20% të tatimit në të ardhurat individuale që u hoq brenda një jave (sa patën marrë dy leximet në Parlament) në dhjetor të atij viti – disa muaj pas shpalljes së pavarësisë dhe miratimit të Kushtetutës.
Qeveria atëkohë e arsyetonte ndryshimin si hap kundër informalitetit. Pra, ajo thoshte se nëse tatimet do zbriteshin për të pasurit, ata do të deklaronin më shumë të punësuar dhe do të paguanin tatimet. Gjatë viteve të kaluara e kemi parë sa ka qenë qeveria e interesuar që ta luftojë informalitetin dhe në përgjithësi joligjshmërinë. Në fakt, qeverisja dhe politikat sociale të saj janë faktorë të rëndësishëm që kanë shkaktuar këtë shkallë të pabarazisë. Informaliteti nuk ka zbritur. Shkalla e punësimit formal në Kosovë më 2014 ka qenë 22.35% nëse merren për bazë llogaritjeje të dhënat e kursimeve të obligueshme nga Trusti.
Përveç kthimit të shkallës prej 20% në tatimin mbi të ardhurat individuale të atyre që marrin rroga të mëdha, reforma që synon uljen e pabarazisë duhet në thelb ta promovojë punësimin dhe ta bëjë informalitetin racionalisht të kushtueshëm.
Për shembull, vitin e ardhshëm kthehen sigurimet shëndetësore pas një çerek shekulli. Miratimi i ligjit me votën e të gjitha grupeve parlamentare është sinjal i mirë. Është skema e parë që përmban shprehjen “sigurim” nga të gjitha skemat sociale të pasluftës. Qeveria duhet të bëjë ç’mos për ta jetësuar në mënyrë sa më cilësore këtë program publik që lidhet direkt me shëndetin e kosovarëve, sepse fati i sigurimeve do ta ndikojë evoluimin e politikës sociale.
Megjithatë, ligji ka disa mangësi. Mangësia kryesore është se nuk mbron në mënyrë eksplicite të papunët. Kështu, lë pa mbrojtje një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë. Mangësia tjetër është se ka kopjuar praktikën e kursimeve pensionale duke aplikuar shkallën e njëtrajtshme – prej 3.5% (7%) të kontributeve – për të gjithë. Për t’i kontribuuar barazisë, duhet të ketë shkallë zero për pjesën e të punësuarve me të ardhura minimale dhe shkallë tjera progresive. Progresiviteti i kontribuon edhe promovimit të punësimit.
Sigurimet shëndetësore do të mund t’i kontribuonin promovimit të punësimit sikur të ofronin edhe kompensim cash (me para) për të punësuarit në rast sëmundjesh. Kjo është mangësia tjetër e sigurimeve shëndetësore. Ky kompensim do t’i përkrahte edhe punëdhënësit (pasi ata do të bartnin më pak rrezik) edhe të punësuarit për të cilët vlera e vendit të punës do të rritej. Kosova e ka pasur këtë institucion në kohën e autonomisë dhe të gjitha vendet në Ballkan e kanë edhe sot.
E njëjta gjë duhet të ndodhë me pensionet. Kosova duhet të krijojë skemë të re sigurimesh pensionale krahas kursimeve private në Trust. Përveçse kursimet e sotme janë bast tejet i madh në tregun ndërkombëtar, ato do ta bartin pabarazinë në pension me shtimin e peshës së tyre (moshimin e gjeneratës së sotme të punës). Kjo gjeneratë është e vetmja në tërë Ballkanin që ka vënë bast të plotë në treg. Sigurimi pensional, përveç se do të rriste sigurinë e pensioneve dhe do ta plotësonte këtë sektor (treg plus sigurime si kudo në Ballkan), duhet të krijojë solidaritet me punëtorët e gjeneratave të mëhershme duke ua paguar pensionet sipas kontributit të tyre.
Nëse këtyre skemave u shtohen programet për mbrojtje të papunësisë dhe transfereve për fëmijët, që duhet të ngriten, atëherë punësimi do të promovohej, do t’ia vlejë më shumë që njeriu të punojë, dhe informaliteti do të bëhej më i kushtueshëm (pra shteti duhet ta bëjë punën formale tërheqëse). Gjithashtu, shoqëria do të ofronte drejtësi për gjeneratat e mashtruara meritat e të cilave u shfrytëzohen sot (shkollat, rrugët, kontributi shkencor etj).
Kosovanuk duhet t’i frikësohet shpërndarjes së të ardhurave, por koncentrimit të tyre. Kjo reformë nuk është ideale, por minimale. Gjendja siç është sot e përkrahë papunësinë dhe pasurimin e mëtejmë të 10-përqindshit më të pasur. Basti i vetëm shumë i sigurtë këtu është se një pjesë e mirë e kësaj shtrese të pasur mund të njihet edhe me emër tjetër – atë të mafias.
Sektori i forcuar i punësimit, qoftë edhe përmes programeve qeveritare, është forcim i demokracisë. Ministritë e financave dhe të punës kanë njoftuar në muajt e kaluar se kanë zvogëluar harxhime të tepërta në mëditje të sektorit publik dhe në transfere jo-adekuate të skemave pensionale. Sado që kjo është e mirëseardhur, pa këtë reformë gjithpërfshirëse kundër pabarasizë, interesimi për politikën e sotme bëhet vetëm çështje e argëtimit (normalisht kur në televizion nuk jepet ndeshje futbolli!). Deri kur një ditë të bëhet çështje e ndërrimit radikal të saj.
Pra, pyetja mbetet: Politika, do të nisë, apo kur do të bëhet të niset?
_________
Bllogu mbështetet nga Friedrich-Ebert-Stifftung, zyra në Kosovë.
Mendimet e shprehura në këtë bllog nuk paraqesin medoemos besimet e Friedrich-Ebert-Stifftung