Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Reforma zgjedhore – të kthehet vendimmarrja te qytetarët

Sistemi zgjedhor në Kosovë nuk është i përsosur, por i tillë nuk është askund në botë. Ashtu siç nuk është i përsosur as sistemi demokratik. Në të dy rastet ekzistojnë mekanizma të përmirësimit që në vazhdimësi përdoren në kohëra periodike për të bërë përmirësimet e nevojshme që vijnë si nevojë e kohës dhe kërkesës si nga qytetarët, ashtu edhe nga klasa politike.

Reforma zgjedhore në Kosovë ka kohë që kërkohet nga të dyja palët e cekura më lart. Shoqëria civile ka kohë që e ka ndarë mendjen mbi këtë çështje, andaj në vazhdimësi ka kërkuar dhe ka shprehur propozime konkrete se çfarë duhet ndryshuar apo reformuar.

Të gjithë janë të një mendjeje sa i përket reformës zgjedhore, por edhe pse kjo kërkesë është në axhendë tash e disa vite, dhe sipas rezolutës pro-reformë të Kuvendit të Kosovës një e tillë mbështetet fort, reforma zgjedhore nuk po ndodh.

Shkaku kryesor i vonesës së reformës zgjedhore është politizimi i saj nga klasa politike dhe tendenca për ta përdorur reformën për përfitime partiake.

Por, pyetja që duhet bërë është pse na duhet reforma zgjedhore? A duhet elita politike të ketë frikë? A duhet qytetarët të presin se do të ndodhë mrekulli me reformën? Reforma zgjedhore nuk do ta ndryshojë klasën politike e as nuk do t’i demokratizojë partitë politike. Reforma zgjedhore nuk do të bëjë mrekulli për qytetarët e as nuk do t’u rregullojë gjendjen e tyre sociale.

Reforma zgjedhore na duhet për t’i eliminuar disa probleme që i kemi hasur në të kaluarën dhe për ta avancuar sistemin në atë mënyrë që vota e secilit qytetar të ketë peshën e vet. Reforma zgjedhore nevojitet për të bërë disa ndërhyrje tenike, por edhe disa ndërhyrje përmbajtjesore sidomos pas vendimeve të diskutueshme të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj Supreme. Qëllimi final i reformës zgjedhore duhet të mbetet zgjedhjet e lira ku secili qytetar që merr pjesë, vota e tij të numërohet ashtu siç ai/ajo e ka votuar dhe kjo të reflektohet në formimin e institucioneve që dalin nga vota e lirë.

Sistemi i tanishëm lejon që të ketë devijime nga vullneti i votës së lirë dhe përfaqësimi në Kuvend. Nuk them se me reformën zgjedhore do të kemi një Kuvend më të mirë, por do të kemi më pak deputetë që hynë në Kuvend kundër vullnetit të votuesve.

Shumica e atyre që votojnë pas një kohe nuk e mbajnë mend se cilët pesë kandidatë i kanë votuar sepse disa nga pesëshja e tyre i kanë votuar me porosi, një pjesë nuk i voton fare pesë kandidatët, por asgjë nuk i shpëton komisionerëve syçelë të cilët nuk lejojnë të humbet asnjë votë. Ata bëjnë “detyrën” e qytetarit. Këtu fillon deformimi i vullnetit të qytetarëve, vota e tyre tjetërsohet pasi që mundësia për manipulim të votës së tyre mbetet në ndërgjegjen e komisionerëve të cilët janë deleguar politikisht prej partive politike. Mundësia që të votohen më pak se pesë kandidatë për deputet do të rriste peshën e votës së qytetarit dhe do të ulte mundësinë e manipulimit të kësaj vote, siç e kemi parë në të kaluarën.

E kaluara ka treguar se pas rinumërimit dikush e ka fituar e dikush e ka humbur postin e të zgjedhurit të popullit, por mos të harrojmë se kjo ka ndodhur pasi që janë plotësuar pesëshet nga komisionerët dhe pas “gabimeve” në numërim. Rinumërimi me automatizëm i të gjitha kutive të votimit do të ndikonte në uljen e “gabimeve” në numërim që bëjnë komisionerët politikë.

Votimi me kusht si relikt i luftës së vitit 1999 duhet të hiqet. Kjo mundësi e votimit që në shumë raste të dëshmuara është keqpërdorur nuk duhet të ketë vend në sistemin zgjedhor të Kosovës së sotme. Një ditë në katër vite ne si qytetarë duhet të jemi në gjendje të zgjohemi dhe të shkojmë e të votojmë aty ku e kemi emrin. Zgjedhjet e 2017-tës dëshmuan sa e rëndësishme është edhe vetëm një votë, prandaj i tërë procesi e meriton një “sakrificë” qytetare që të votojmë në vendvotimin ku e kemi emrin e të heqim mundësinë e manipulimit përmes votës me kusht.

Ka edhe disa ndërhyrje teknike që do ta përmirësonin procesin zgjedhor, do ta bënin më të sigurt dhe më të besueshëm por vendimtare mbetet ndërhyrja substanciale në këtë sistem. Sot mbi të gjitha reforma zgjedhore na nevoitet për t’ia kthyer vendimmarrjen qytetarit, për t’ia kthyer vlerën dhe rëndësinë e votës pasi këtë e ka uzurpuar Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata Supreme me vendimet e saj.

Reforma zgjedhore na nevojitet për ta çliruar Republikën Parlamentare nga kthetrat e gjyqësorit dhe vendimet e tij, të ndikuara nga interesi momental i klasës politike. Shumica e 120 deputetëve të zgjedhur nga vota e lirë e qytetarit duhet të zgjedhin se kush do të jetë kryetar i Kuvendit pa asnjë ndërhyrje nga jashtë, nuk ka nevojë as për direktivë të Gjykatës Kushtetuese se kush mund të zgjidhet. Çdonjëri nga 120 deputetët e zgjedhur dhe që arrin të marrë 61 vota apo më shumë duhet të ketë të drejtë të zgjidhet si Kryetar  i Kuvendit, kështu funksionon demokracia parlamentare e jo me direktiva gjyqësore. Reforma zgjedhore duhet ta bëjë këtë të qartë në mënyrë që të zhvlerësohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Gjithashtu reforma na duhet së pari në ligj, e pastaj të implementohet në praktikë që t’ju pamundësohet atyre që kanë kryer vepër penale të mos mund të kandidohen. Atë që e kemi sot e ka zhvlerësuar vendimi i Gjykatës Supreme me arsyetimin e shkeljes së të drejtave të njeriut.

Ndryshimet e përmendura dhe ato që nuk janë përmendur në këtë shkrim janë në funksion të Republikës Parlamentare: atë që ne synojmë të kemi. Këto ndryshime janë për ta përmirësuar procesin zgjedhor dhe për t’i eliminuar disa probleme që ndikojnë në tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve. Ndryshimet substanciale kanë të bëjnë më kthimin e vendimmarrjes te qytetarët dhe largimin e ndikimit të politikës përmes gjyqësorit se kush duhet zgjedhur e në cilën pozitë.

Qytetarët i zgjedhin përfaqësuesit e tyre përmes votës së lirë, ata i zgjedhin institucionet përmes vullnetit të lirë dhe këtu në mes nuk duhet të ketë ndërhyrje nga askush dhe nga asnjë institucion tjetër, këtë duhet ta garantojë reforma zgjedhore.

—-

Ky shkrim mbështetet nga D4D, si pjesë e projektit ‘Avancimi i proceseve demokratike’ financuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.