Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Retorika populiste si antitezë

Në debatin e fundit në Sbunker ku kemi polemizuar unë dhe Armend Mazreku [1], [2] dhe të tjerët dhe kemi folur mjaft për shumë gjëra, kështu do të mirrem me disa duke i shmangur ato “ad hominem” qëllimisht.

Gabimi i parë në këtë debat është se unë kam folur nga aspekti analitik dhe faktik ndërsa kundërshtuesi i këtyre ideve nga aspekti shkencoro-filozofiko-ideologjik që në debatin e fundit edhe u pa si pozitë aspiruese politike. Asgjë të keqe këtu po të mos përdorte argumente të paqena dhe gjuhë populiste si antitezë të gjendjes faktike në Kosovë. Me këtë shkrim, besoj se do të përfundoj kontributin tim modest për këtë temë.

Duhet patur parasysh se edhe ne që e kemi faktin si gjenezë të shkrimit, se Kosova është gjendje faktike dhe legale e shteti i Kosovës është shtet sipas të gjitha definicioneve sociologjike, politike, filozofike e të gjitha tjerave. Gjendja faktike reflekton në arenën ndërkombëtare dhe si e tillë edhe referohet në rastet e sportit (për çka edhe ky debat filloj) të futbollit, pra si ekip kombëtar. Argumenti im se ekipi i Kosovës duhet quajtur kombëtare u mor si “halë në sy” sepse konventa e Montevideos nuk paska të bëjë me kombin por me shtetin por nëse është ashtu dhe ekskluzivisht vetëm ashtu, pse pra marrëdhëniet mes shteteve janë marrëdhënie ndërkombëtare e jo marrëdhënie “ndër-shtetërore”? Dhe pse bën të kemi Teatër Kombëtar ndërsa nuk bën të kemi ekip kombëtar apo kombëtare? Lista e institucioneve me fjalën kombëtare vazhdon gjatë.

Argumenti tjetër i retorikës populiste në antitezat për “kombëtaren” janë gjithnjë politike. Pra, deklarimi i popullatës së Kosovës dhe Shqipërisë për Bashkim Kombëtar. Kjo nuk ka ndodhur dhe rrjedhimisht argumenti se “populli don bashkim” është fallso dhe populist që përdoret vetëm për të rekrutuar masë dhe mobilizuar e gjeneruar përkrahje politike. Askush nuk ka monopolin e interpretimit të dëshirave të popullit për këtë punë, madje as të zgjedhurit. Për këto deklarime duhet pyetur sovrani i vërtetë dhe pastaj flasim. Nëse ka argumenta të mjaftueshëm ta bëjmë referendumin dhe vendosim për këtë deklarim. Deri atëherë, argumenti se “populli do bashkim” është lugë e thatë për gojën e po këtij populli që shërben thjeshtë kauzës politike ditore dhe jo vetëm aq por shërben për ta tërhequr vëmendjen nga çështjet jetike për qytetarin e Kosovës që është mbijetesa ekonomike, shërbimet bazike, shëndeti, siguria dhe të tjera çështje praktike.

Shpeshherë, plot polemizues sjellin armën më të mirë të debatit. Teorinë! Gjithsesi duke ju referuar Hegelit apo Gellnerit, Smith apo Weber-it për referenca argumentative për të kundërshtuar gjendjen faktike. Gjendja faktike të hedhë poshtë teoritë kulturore, sociologjike dhe kognitive pa mëshirë. Debati hegelian apo veberian nuk mirret parasysh shumë në rastin e Kosovës. Përsëri duhet të shohim gjendjen faktike, pra shtetin e Kosovës dhe identitetin. Për këtë, nuk dua të argumentoj shumë pasi është debat i stërshtjerrur dhe nuk është që do të japë rezultate të çmueshme. Pikë së pari sepse Kosova njëmend është rast i veçantë i krijimit të shtetit si aspiratë e pikë së pari shqiptarëve të Kosovës dhe si rezultat i marrëveshjeve apo ndikimeve ndërkombëtare. Për të aplikuar teori të krijimit të kombit nga shteti në kontekstin e duhur, duhet të kemi referencë më kredibile se sa “kombi amerikan” apo “kombi gjerman”. Jo se këto nuk janë referenca kredibile në vetvete, por se konteksti i marrëdhënieve ndërkombëtare, identitetit dhe faktorët gjeo-politik e strategjik ndryshojnë.

Argumenti tjetër në këtë debat ishte edhe përplot simbolikë dhe përdorimi i tyre për qëllimet e ngurtësimit të argumentave apo duhet thënë për qëllimin politik të kauzës kombëtare. Duke përdorur emrat e dëshmorëve të luftës së fundit në Kosovë dhe duke aluduar se “për shkak të gjakut të derdhur” apo “amaneti i dëshmorëve” si retorikë simbolike tentohet të emocionalizohet dhe de-racionalizohet debati. Askush nuk ka të drejtë apo të paktën nuk është mirë të ketë guximin të flasë në emër të të vdekurit. Së pari është jo-logjike dhe së dyti është keqpërdoruese prandaj nuk do të jap kundërargumente duke (keq)përdorur të njëjtit. Megjithatë disa simbolika tjera janë pjesë e debatit. Një ndër simbolikat jo edhe aq e pamenduar sikur argumentimet tjera është edhe “kosovaristët” si profesion e jo si identitet, pra në parim një ide që vendosë palën kundër-argumentuese në pozitë inferiore.

Në vazhdën e keqpërdorimeve të tilla simbolike janë edhe flamuri i Shqipërisë që është shumë i dashur dhe i çmuar për shumë dhe flamuri i Kosovës që është më pak i dashur. Rregullat ndërkombëtare paracaktojnë se secili shtet duhet të ketë flamur të vet dhe Kosova ka pranuar flamurin e vet. Debati mbaron këtu sepse të mbash flamur sot nuk është patriotizëm por të mos respektosh flamurin e Kosovës gjithashtu nuk është patriotizëm. Aspirimi i Kosovës është anëtarësimi në mekanizmat ndërkombëtar dhe për këtë duhet të ketë flamurin.

Pjesa tjetër e debatit është edhe etnocentrizmi i debatit. Gjoja se Kosova nuk mund të mbijetojë ekonomikisht, gjoja se bashkimi bën fuqinë si dhe dhjetëra argumente anekdotike për të cilat duhet analizë e gjatë. Një shembull është se ekipi nga Kosova nuk mund të jetë kombëtare sepse nesër mund të ketë etni tjera që dëshirojnë të luajnë në këtë ekip. Duhet ta vërejmë vorbullin e etno-centrizmit dhe popullizmit pa shkuar më tutje. Po amerikanët, boshnjakët dhe etnitë tjera që luajnë në ekipe tjera të Kosovës si në basketboll apo tjera sporte? Po Shaqiri e Xhaka që luajnë për kombëtaren e Zvicrës? Apo kur duhet argumenti për populizëm e arsyetojmë edhe etno-centrizmin bajat. Vetëm e vetëm të na shërbejë si argument. Etno-centrizmi i çështjes së bashkimit të shqiptarëve është popullizëm i thjeshtë dhe pseudo-argument për dështimet e sistemit, dështimet për të bindur elektorat me ide dhe zgjidhje problemesh. Pra, të mos tentohet të mvishet korrupsioni, papunësia, varfëria me petkat e nacionalizmit sepse prodhon dhunë, e Kosova ka më së paku nevojë për dhunë.

 

Lexoni më shumë nga ky debat:

Krenar Gashi: “Republika dhe tifozëria diskursive” 

Armend Mazreku “Libri i parehatisë time me kosovaristët” dhe “Ana qesharake e inkonsistencës së kosovaristëve”

Dritan Dragusha – “Poshtë” fitoret e popullit

Jusuf Thaçi – “Kosovarizmi jo-shqiptar vs. Kosovarizmi brendashqiptar”

Krenar Gashi – “Jam shqiptar e kosovar”

Abit Hoxha – “Kombëtarja apo përfaqësuesja”

Agon Maliqi – “Ndeshjet e ideve që i japin kuptim republikës”

 

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.