Në një botë politike gjithnjë e më multipolare, Lindja e Mesme, që nga ‘Pranvera Arabe’, është ngujuar në një rreth vicioz jostabiliteti. Në thelb të politikës ndërkombëtare aty qëndron konkurrenca e rivaliteti mes fuqish rajonale, superfuqish dhe joshtetesh për dominim. Disa shtete rrezikojnë shpërbërjen, për shkak të konflikteve e luftërave civile ku ndërluftojnë edhe shtete e joshtete të tjerë. Brenda shoqërive të fragmentuara, të katapultuara arbitrarisht në shtete të përbashkëta, ka komb-shtete në formësim e sipër, simbolikisht e strukturalisht.
Shikuar sociopolitikisht, në këto shoqëri ideohen e marrin jetë ideologji utopike e pragmatike nga më të ndryshmet; ka etni të dallueshme në kërkim të afirmimit politik, dhe sisteme politike më rrëshqitje vërdallë demokracisë (populiste, larg liberales) politike e të qeverisjes. Shumica janë ekonomi dinamike në zhvillim, me bazë në resurse natyrore, por që qeverisen sipas modeleve nga më të ndryshmet të balancit mes tregut e shtetit.
Marrëdhëniet Turqi-BE u ndërlikuan edhe më pasi Bundestagu miratoi rezolutën që njeh vrasjet sistematike të armenëve nga Perandoria Osmane, më 1916-1917, si gjenocid. Përkundër insistimit të palës gjermane se miratimi i saj nuk e bën qeverinë aktuale turke përgjegjëse për vrasjet, udhëheqja turke reagoi ashpër. Presidenti Erdogan i quajti këto ‘akuza të papranueshme’, ‘shantazh’ dhe ‘hipokrizi’ të BE-së, ndërsa mospajtime shtesë çuan edhe në dorëheqjen e kryediplomatit evropian në Ankara. Kjo vjen pas rezistencës së tij të hapur ndaj reformave të kërkuara nga BE për heqjen e vizave Schengen (duke keqperceptuar këtë më tepër si karotë politike të lidhur me krizën humanitare në Siri sesa reforma shtetndërtimi demokratik), dhe përçarjeve të udhëheqjes politike që çuan në dorëheqjen e Kryeministrit (më proevropian se ai) Davutoglu. Turqia gjithashtu po përballet me kërcënime në rritje të sigurisë: sulme terroriste në zona urbane, të kryera nga ‘Shteti Islamik’ (ISIS) dhe grupe kurde që kërkojnë krijimin e një shteti tyrin, kanë marrë rreth treqind jetë brenda një viti.
Në Siri lufta civile ka hyrë në vitin e pestë, ndërsa fushata sistematike ushtarake kundër ISIS-it në të dytin, pa arritur të eliminojë këtë grup terrorist që kontrollon goxha territor dhe kërcënon ekzistencën e këtyre shteteve. Përveç fuqive globale (ShBA-së e aleatëve të saj Perëndimorë, dhe Rusisë, shpesh në anë të kundërta, përmes luftës ajrore dhe aleatëve në terren) dhe forcave qeveritare siriane e irakiane, aty ndërluftojnë shumë fraksione ushtarake e paramilitare. Në Siri ka katër palë kryesore ndërluftuese: Federata e Sirisë Veriore (përfshirë peshmergët kurdë e shiitët), forcat opozitare, forcat qeveritare të Assadit, dhe ISIS. Në Irak janë tri: qeveria (mbështetur nga ShBA dhe aleatët e tjerë Perëndimorë), ba’athistët e xhihadistët, dhe shiitët. Siria 17-milionëshe ka pësuar katastrofalisht: rreth gjysmë milioni të vrarë dhe të paktën 11.5 milionë të zhvendosur (7,5 milionë brenda vendit dhe 4 milionë refugjatë jashtë tij). Zhvillimet gjetkë në rajon (në Egjipt, Libi, Jemen, Izrael, territoret palestineze) shkojnë nga kufizimi i mëtejshëm i lirisë së shprehjes e shkelja e të drejtave të tjera njerëzore, e deri te fragmentimet deri në kolaps të qeverisjes dhe konflikte të armatosura e sulme terroriste.
Në kontekstin e islamizimit politik të Turqisë nën Erdoganin, retorika shpesh e përflakur e të cilit mbart mesazh të vagullt ndaj ekstremizmit islamik, dhe krizat politike e të sigurisë përbrenda dhe në rajon, këto fërkime diplomatike shtojnë paparashikueshmërinë e drejtimit të zhvillimeve politike e të sigurisë dhe të marrëdhënieve të saj politike, ekonomike e të sigurisë me BE-në dhe ShBA-në (sidomos për shkak të mospajtimeve rreth konfliktit izraelito-palestinez dhe Gülenit, i cili gjendet në ekzil në ShBA). Më tej, marr parasysh pretendimin e Turqisë si fuqi ‘multirajonale’ për ndikim gjithnjë e më të madh politik në veçanti në Lindjen e Mesme, Azinë Qendrore, Kaukaz dhe Ballkan, dhe interesat ekonomike gjithandej, kjo do të ketë reperkusione. Shikuar nga një perspektivë analitike ‘turkocentrike’, kjo dinamikë e re ngre pyetjen nëse politika e jashtme turke e ‘zero problemeve’ me fqinjët, me bazë në doktrinën ‘neoosmane’ të ideuar nga Davutoglu, po bëhet gjithnjë e më pak kredibile. Pyetja është nëse ‘neoosmanizmi’ – si ‘perandori simbolike’, e perceptuar si ideologji me vlera, parime e stimuj koherentë politikë, ekonomikë dhe kulturorë, por e ekzekutuar me një dozë të theksuar autoritarizmi – ka nisur së venituri. Pra, a gjendet ‘modeli turk’ – shoqëri myslimane relativisht e hapur dhe e demokratizueshme dhe me influencë kulturore përreth, ekonomi në zhvillim të shpejtë, qeverisje laike formalisht demokratik (ndonëse me një elitë autoritare-populiste në pushtet që vazhdimisht e konteston dhe e gërryen atë nga brenda), dhe shtet i fuqishëm në skenën ndërkombëtare – si simbol ndikimi para një rreziku serioz shkërmoqjeje?
Brenda Turqisë vazhdon rrënimi i kapitalit politik të elitës udhëheqëse, për shkak të rezistencës qytetare ndaj synimit të Erdoganit për të mbajtur pushtetin me çdo kusht, autoritarizmit të tij politikisht islamizues, dhe presionit të tyre për demokratizim. Së dyti, largimin e Davotuglut, qasjen ‘zero probleme me fqinjët’ (një lloj kuazi-internacionalizmi liberal, ekonomik) shpejt po e zëvendëson qasja (Realiste, ekskluzivisht politike) konkurruese e rivalizuese, edhe me fuqitë globale aleate, për dominim politik, si ‘fuqi e fortë’, në Lindjen e Mesme. Së treti, vetëperceptimi edhe si ‘fuqi e butë’ në rajonet përreth tregon tendencën e saj për tejshtrirje, edhe në shoqëri e shtete me vlera jokompatibile – kulturalisht, politikisht, ekonomikisht e në aspektin e qeverisjes – me të sajat.
Sidoqoftë, politika e fuqisë mbetet përcaktuese e dinamikës së shtetndërtimit dhe politikës ndërkombëtare në Lindjen e Mesme. Marrëdhëniet Turqi-ShBA karakterizohen nga mospajtime rreth riaranzhimit të balancës së fuqisë në Lindjen e Mesme, ato Turqi-Rusi me konkurrencë të tensionuar për ndikim në Siri, Azinë Qendrore e Kaukaz. Në rajon, marrëdhëniet Turqi-Izrael karakterizohen nga mosbesimi, ndërsa ato Turqi-Iran dhe Turqi-Arabi Saudite nga konkurrenca për dominim në rajon. Përkundër marrëveshjes për programin bërthamor, marrëdhëniet Iran-ShBA akoma janë mosbesuese, e ato Iran-Rusi të mira. Në rajon, marrëdhëniet Iran-Izrael mbeten të ngrira, ndërsa ato Iran-Arabi Saudite dhe Iran-Turqi të tensionuara (në Siri Irani zhvillon ‘luftë pionësh’ kundër të dyjave). Aleanca amerikano-saudite duket se po rikonceptohet (në kontekstin e frikës saudite nga fuqizimi i Iranit dhe armatosjes së saj si politikë kundërbalancimi, vahabizmit si burim i radikalizmit islamik, dhe rëndësisë në rënie të naftës saudite për ekonominë amerikane), ndërsa rivaliteti i tensionuar saudito-iranian dhe saudito-turk mund të rriten. Roli i Arabisë Saudite në rajon do të varet shumë nga realizimi i ‘Vizionit 2030’ për diversifikimin e ekonomisë, në ç’drejtim do të ketë vështirësi për shkak të dobësive në qeverisje dhe tregun e punës. Në fund të fundit, marrëdhëniet ndërkombëtare politike për, në dhe rreth Lindjes së Mesme po bëhen gjithnjë e më multipolare.
Një implikim i kësaj është se politika ndërkombëtare nuk është më me në qendër Perëndimin dhe e bazuar vetëm në premisa Perëndimore, gjë që shtron nevojën e rikonceptimit të saj duke marrë për bazë shumë më tepër dinamika e paradigma. Implikimi i dytë është se shuarja e dallimit mes politikës së brendshme dhe asaj ndërkombëtare ndodh edhe në mjedise regjimesh jodemokratike, jo vetëm në ato me demokraci liberale. Por, dallimi qëndron te ‘finaliteti’: zhvillimet në Lindjen e Mesme janë të paparashikueshme dhe pakontrollueshme, me implikime të rrezikshme për shtetndërtimin dhe demokratizimin e shoqërive të saj.