Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Robtë e shpisë

Foto nga Anna Tarazevich.

Imagjinoni dy familje, me karakteristika demografike identike – i njëjti numër i fëmijëve, të moshës së njëjtë, të dy prindërit prezentë, që jetojnë në shtëpi/banesë të vetën (do të thotë jo me qira). Tash imagjinoni që të ardhurat vjetore të këtyre dy familjeve janë të njëjta. Nëse e shohim si statistikë të të ardhurave familjare, dhe të mirëqenies së anëtarëve të familjes, ekonomikisht këto dy familje kanë standard të njëjtë të jetesës. Çka statistikat lënë anash, dhe çka ekonomia deri vonë ka anashkaluar në analiza, janë specifikat e këtyre të dhënave, e janë po ato dallimet delikate nën statistika çka përcaktojnë, në fakt, nivelin e mirëqenies përtej një numri të thjeshtë.

Tash le ta shohim atë çka statistikat nuk e tregojnë. Në njërën nga këto familje punon vetëm njëri prind, të themi baba (për shkak të afërsisë më të madhe me realitetin), ndërsa në familjen tjetër punojnë të dy prindërit. Në familjen e parë, nëna, sigurisht i dedikon një pjesë të konsiderueshme të orëve të saj kujdesit ndaj fëmijëve, mirëmbajtjes së shtëpisë, duke përfshirë këtu pastrimin e përgatitjen e ushqimit. Në familjen e dytë, duke qenë që të dy prindërit punojnë, numri i orëve të dedikuara ndaj punëve të shtëpisë dhe kujdesit ndaj fëmijëve bie. Në një model kaq të thjeshtë, shpejt mund të konstatojmë që mirëqenia në tërësi e dy familjeve është e ndryshme, duke qenë familja e parë që ka mirëqenie më të lartë përkundër të ardhurave të njëjta. Sidoqoftë, një konstatim i tillë, sërish është i ngutshëm, duhet modelim më i detajuar për të kalkuluar diferencën në mirëqenie. Në familjen e dytë, kompensimi i kujdesit ndaj fëmijëve dhe shtëpisë, ose bëhet duke marrë ndihmë nga jashtë – gjë që i ul të ardhurat reale për konsum të kësaj familje duke e ulur kështu mirëqenien e tyre totale, –  ose, ajo çka ndodh zakonisht, nëna përveç punës në treg, dedikon edhe kohën e saj për përkujdesje ndaj shtëpisë, dhe fëmijëve, duke e minimizuar mirëqenien ekonomike të saj. Tendenca për të kuantifikuar mirëqenien vetëm sipas të ardhurave dhe standardit të jetesës është e mangët. Analiza e dy familjeve me karakteristika të njëjta për të ilustruar këtë problem, ndonjëherë më e thjeshtësuar ndonjëherë më e komplikuar është diskutuar nga ekonomistët feministë në dekadat e fundit, në përpjeke për të krijuar një metodë më gjithëpërfshirëse për matjen e mirëqenies, se ajo e ekonomisë kapitaliste e patriarkale të tregut.

Mënyra si i alokojmë orët që i kemi në dispozicion gjatë ditës ekonomistët e matin me utila (dobishmëri) – një matje e thjeshtë se njerëzit racionalë do të vendosin të alokojnë kohën e tyre drejt asaj që i sjell më së shumti dobi. Mënyra më e thjeshtë e matjes bëhet në mes të kohës së alokuar duke kryer punë produktive të tregut dhe kohës së lirë. Derisa dobia nga puna e tregut, për të cilën paguhemi, e tejkalon dobinë që do të na sjellë koha e lirë, do të punojmë. Sidoqoftë, secili person e ka një pikë, në të cilën dobia (e matur me rrogë për orë) nga puna e tregut barazohet me dobinë nga koha e lirë, dhe nga aty njeriu racional preferon të kalojë kohën duke iu dedikuar aktiviteteve të kohës së lirë. Këtë trajektore e përcjell njeriu ekonomik racional, i cili vepron në mënyrë për t’i maksimizuar utilat. Megjithatë, kjo teori i ka të metat aty ku përfundon racionalja ekonomike dhe fillon definimi i koncepteve në bazë të botëkuptimeve shoqërore. Koncepti i kohës se lirë dallon në baza gjinore dhe është në masë të madhe koncept mashkullor. Në model dy-dimensional janë burrat, ata të cilët e maksimizojnë dobinë e kohës së tyre duke kombinuar alokimin e orëve në mes të punës së tregut dhe kohës së lirë. Maksimizimi i dobisë së kohës së grave bëhet kryesisht në mes të ndarjes së kohës në punën e tregut dhe punën në shtëpi, si dy dimensionet dominante.

Për të kuptuar më mirë konceptin e kohës së lirë, le t’i kthehemi familjeve të sipërpërmendura. Në masë të madhe konstrukti shoqëror e kulturor dikton, sidomos tek ne, se gratë janë ato që janë përgjegjëse për punët e shtëpisë, dhe punët e kujdesit (ndaj fëmijëve, ndaj të moshuarve). Kjo, i lë gratë me një funksion të maksimizimit të dobisë me kohën e tyre, tërësisht të ndryshëm me atë të burrave. Përtej kësaj, ky konstrukt, i rrënjosur si e vërtetë, vështirë e lëkundshme, gjithashtu i lë gratë të detyruara në këto punë, përtej punës së tyre në treg të punës. Duke qenë se roli i tillë në një familje i takon gruas si një pritshmëri shoqërore, kjo dinamikë krijon disbalanc në ekonominë familjare, duke e forcuar rolin e burrit dhe duke e dobësuar rolin e gruas në
vendimmarrje. Pra, në cilëndo nga familjet e imagjinuara, gruaja do të jetë në pozitë më të dobët në cilëndo vendimmarrje familjare. Roli i primar i gruas, në shoqërinë tonë patriarkale, ende vazhdon të mbetet ai i nënës dhe i nuses, asaj që kujdeset për anëtarët e tjerë të familjes. Përderisa nuk ka asgjë për të mos u admiruar në këtë rol, fakti mbetet që ky rol i grave nuk vlerësohet dhe nuk u jep atyre aspak fuqi negociuese brenda ekonomisë familjare.

Statistikat në Kosovë e ilustrojnë bukur atë çfarë u tha deri me tash. Shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është rreh 20% për gratë, në krahasim me rreth 60% për burrat në Kosovë. Mospjesëmarrjen në fuqi punëtore, as edhe një për qind e burrave nuk e arsyetojnë me kujdesin për fëmijët apo të rriturit me aftësi të kufizuara, derisa (çuditërisht) mbi 2% e grave e japin këtë arsyetim. Sidoqoftë, rreth 40% e grave, e 2% e burrave nuk janë aktivë në treg të punës për arsye tjera personale ose familjare. Edhe pse në diskrecionin e të anketuarve, arsyet e sipërpërmendura ngjasojnë me përgjegjësitë familjare dhe shtëpiake të cilat janë pritje të shoqërisë ndaj grave.

T’i kthehemi edhe një herë familjeve hipotetike dhe mirëqenies së tyre. Dallimi në mirëqenie të këtyre dy familjeve, në modelin e parë të thjeshtësuar, bie i tëri tek alokimi i orëve të prindërve në kujdesin ndaj fëmijëve dhe shtëpisë. Më saktësisht, në rastin e parë, është nëna që duke dedikuar kohën e saj në shtëpi, e rrit mirëqenien e familjes, përtej të ardhurave monetare të cilat i sjell baba në ekonominë familjare. Si e tillë, nëna jep kontribut të dukshëm në mirëqenien e familjes, kontribut ky i cili duhet jo vetëm të pranohet por edhe të vlerësohet, në vend se të merret si i qenë. Në modelimin më të detajuar të të ardhurave dhe mirëqenies familjare, në rastin e familjes së dytë, çfarëdo pagese e nevojshme që i transferohet dikujt që punësohet për t’u kujdesur ndaj fëmijëve dhe ndaj shtëpisë, është shpenzim që ul të ardhurat e mbetura për konsum dhe kursim të familjes. Kjo është një metodë që të matet kontributi i grave në ekonominë familjare – duke i llogaritur të ardhurat që nuk do të shpenzohen në të punësuar të jashtëm si kontribut i gruas në ekonominë familjare. Metoda tjera të propozuara përfshijnë kalkulimin e përafërt të kontributit monetar për orë të kujdesit shtëpiak, për të pasur një vlerësim më të saktë të kontributit në mirëqenien familjare.

Megjithatë, metodat ekonomike të kalkulimit të kontributit në ekonomi familjare edhe e hapin rrugën, ato nuk e zgjidhin problemin e vlerësimit të kontributit të grave. Derisa bota ka evoluar nga sistemi ekonomi i bazuar në agrikulturë, në sistem të bazuar në industrializim dhe shërbime, roli i gruas në familje dhe treg të punës ka stagnuar. Puna jashtë tregut dhe transferet brenda familjes (qofshin ato në formë të ushqimit apo kujdesit) mbesin të pamatura dhe si rezultat edhe të pavlerësuara, dhe koincidentalisht janë edhe punë të kryera në masë dërmuese nga gratë. Si të tilla, gratë mbesin rob të shtëpisë dhe të familjes, duke luajtur rol tejet të rëndësishëm në mirëqenien e familjes, por rol të neglizhueshëm në vendimmarrje në familje. Në raste të divorcit, gratë nuk marrin pjesën reale të pasurisë që u takon, sepse kontributi i tyre në ekonominë familjare kurrë nuk vlerësohet drejtësisht. E ajo që është më e dhimbshmja është se në rastet e keqtrajtimit dhe dhunës ndaj tyre, për shkak të mungesës së pavarësisë ekonomike, gratë mbesin peng të lidhjeve e martesave abuzuese. Sepse, ende, gratë janë rob të shtëpisë, e jo pjesëmarrëse të barabarta.

E për të rregulluar këto padrejtësi që çojnë në pabarazi, duhet të punojmë për të tejkaluar pritjet shoqërore që punët e kujdesit, punët e shtëpisë, e obligimet familjare janë detyrim dhe rol vetëm i gruas. Por përtej kësaj, duhet të mësojmë të vlerësojmë kontributin ndaj obligimeve familjare, përtej një rroge të tregut të punës, si të tillë, për të vazhduar drejt një shoqërie të barabartë, ku kontributi i secilit vlerësohet, përtej vlerës specifike monetare që e ka. Punët e shtëpisë nuk janë ekskluzivisht të feminizuara, punët e tregut nuk janë ekskluzivisht mashkullore, dhe dinamika brenda familjes duhet të jetë e bazuar në barazi dhe vlerësim të ndërsjellët të kontributeve, sesa në sistem të nënvlerësimit dhe robërimit të njërit kundrejt tjetrit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.