Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Roli i Shtetit në Përfshirjen Financiare të OJQ-ve: Pse bankat komerciale po i largojnë OJQ-të nga lista e klientëve?

Gati gjysma e OJQ-ve aktive në Kosovë operojnë me zero të hyra vjetore (45%), derisa shpenzimet për mirëmbajtje të llogarisë bankare për një organizatë shkojnë deri në 200 EUR në vit. Edhe pse shumica dërrmuese e fondeve për OJQ vijnë nga donatorët e huaj, ku prijnë Bashkimi Europian me vendet anwtare dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe fondet publike, OJQ-të kosniderohen si entitete me rrezik për financim të terrorizmit.

Në kuadër të angazhimeve për luftim të terrorizmit në vitet 2014 dhe 2015 patën ndodhur disa zhvillime të rëndësishme dhe të pa precedent për sa i përket kufizimeve për punën e OJQ-ve në Kosovë dhe ndërhyrjes së drejtpërdrejt e të organeve shtetërore dhe bankave komerciale në punën e tyre.

Fillimisht, në vitin 2014 me kërksesë të organeve të sigurisë Departamenti për OJQ pati pezulluar punën e 14 organizatave të shoqërisë civile, nën arsyetimin se ekziston dyshim i bazuar që veprimtaria e OJQ-vë të pezulluara nuk përkon me rendin juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës. Ky vendim i Qeverisë ishte tejet i përgjithshëm në arsyetim, dhe në kundërshtim me kornizën bazë ligjore që rregullon funksionimin e OJQ-ve në Kosovë. Normalisht, veprimtaria e një OJQ-je mund të shuhet vetëm nëse e anëtarët e saj vendosin për një gjë të tillë, apo me vendim të plot-fuqishëm të gjykatës dhe në asnjë mënyrë nga një organ qeveritar. Megjithatë, për t’i paraprirë këtij vendimi, Qeveria u kujdes që përmes një akti nënligjor, të hartuar larg syve të publikut, të përfshijë mundësinë e pezullimit të punës së OJQ-ve edhe nga organet qeveritare. Gjithsesi, kjo dispozitë ishte në kundërshtim me ligjin bazë e cila më vonë edhe u largua.

Në shtator të vitit 2015 TEB Banka bllokoi llogaritë bankare të disa OJQ-ve. Ngjashëm me vendimin e Qeverisë të vitit 2014, bllokimi i llogarive bankare u shoqërua me një njoftim të përgjithshëm nëpërmjet të cilit OJQ-të u njoftuan për pezullim të përkohshëm të llogarive bankare dhe j’u kërkua dorëzimi i një numri të dokumenteve dhe informatave të organizatës. Shumica e dokumenteve ishin ose të pamundshme për t’u kompletuar ose absurde për qëllimin që kërkoheshin. Varësisht nga rezultati i shqyrtimit të dokumenteve të dorëzuara, Banka do të vendoste nëse do të vazhdojë t’iu ofrojë shërbime financiare OJQ-ve përkatëse apo do t’ua mbyllë përfundimisht llogaritë bankare. Tash më, edhe bankat kishin marrë rolin e prokurorit dhe gjykatësit në të njejtën kohë.

Të gjitha këto veprime, të cilat në masë të madhe ishin të pa bazë dhe të ndërtuara mbi paragjykime e stigmatizime të ndryshme kontribuan në krijimin e një klime problematike për OJQ ku tanimë në vlerësim të Bankave komerciale OJQ-të ishin klient i padëshiruar. Ato përveç që nuk ishin klient atraktiv në kuptimin komercial, tashmë paraqisnin rrezik të vazhdueshëm për prishje të raputacionit të bankës dhe rritje të shpenzimeve për menaxhim të klientëve të tillë. Të ballafaquar me kërkesa strikte për përcjellje dhe identifikim të rasteve të financimit të terrorizmit, Bankat filluan të zbatojnë politika tejet përjashtuese dhe aspak të favorshme për OJQ. Ato u konkretizuan kryesisht në dy forma, mbyllje të llogarive bankare të OJQ-ve, dhe rritje të kërkesave raportuese dhe kostove për menaxhim të llogarisë bankare – politika këto të njohura si politika të de-rrezikimit (bank de-risking).

Politikat e de-rrezikimit dhe ndikimin i tyre në punën e OJQ-ve

Për të zvogëluar rrezikun që u kanoset bankave nga puna me OJQ, qoftë në aspekt të reputacionit apo rritje të kostos menaxhim të klientëve me rrezik për financim të terrorizmit, bankat në Kosovë i zbatojnë kryesisht dy politika që si të tilla janë kufizuese për OJQ dhe në disa raste jo të zbatueshme.

Forma e parë është përmes rritjes së kosotos për mirëmbajtje të llogarisë bankare. Aktualisht, një OJQ në Kosovë paguan deri në 20 EUR në muaj për shpenzime administrative për mirëmbajtje të llogarisë bankare dhe përdorim të shërbimeve të ofruara nga banka, pa llogaritur kostot për ekzekutim të pagesave. Në anën tjetër, për shkak të standardeve dhe praktikave të mira të transparencës dhe llogaridhënies, shumica e OJQ-ve në Kosovë kanë më shumë se një llogari bankare. Një OJQ që gjatë vitit zbaton tre projekte të ndryshme, në emër të shërbimeve bankare paguan deri në 600 EUR në vit. Për një entitet juridik që e ka të ndaluar gjenerimin e fitimit, një kosto e tillë përveç që është tejet e lartë në raste të caktuar ajo bëhet e pa përballueshme.

Për institucionet përgjegjëse të sigurisë dhe bankat komerciale në Kosovë të gjitha OJQ-të konsiderohen si entitete/klient me rrezik për financim të terrorizmit – gjithsesi ky konstatim bazohet në vlerësim paushall dhe jo empirik. Për shkak të kategorizimit të tillë, OJQ-të i nënshtrohen procedurave strikte të kontrollit të vazhdueshëm që bankat bëjnë për klientët e tyre. Një ndër to është edhe përditësimi i të dhënave të organizatës, që në parim nuk do të duhej të ishte fare problematik, por megjithatë në formën që ajo zbatohet nga bankat jo rrallë del të jetë proces i komplikuar dhe me kërkesa të pa zbatueshme në praktikë.

Më konkretisht, për verifikim të strukturës kontrolluese të organizatës kërkohen të dhënat e themeluesve të organizatës, praktikë kjo e zbatueshme dhe me kuptim për biznese ku themeluesit janë pronarët/akcionarët dhe vendimmarrësit e kompanisë. Për dallim prej bizneseve, te OJQ-të, themeluesit si të tillë kanë vetëm rol ceremonial e historik dhe nuk zënë vend askund në strukturën vendimmarrëse apo kontrolluese të organizatës. Janë Kuvendi i Anëtarëve për shoqata, dhe Bordi për Fondacione dhe Institute që kanë rolin kryesor dhe përgjegjësinë më lartë në sturkturën organizative të OJQ-së. Një kërkesë e tillë, ku bankat insistojnë për të dhënat e themelusëve të organizatës përveç që nuk i shërben qëllimit kryesor të bankave dhe autoriteteve të sigurisë, shpeshherë është e pamundur të realizohet. Shembull, për arsye tërësisht normale dhe të natyrshme, themelues të OJQ-ve të ndryshme mund të kenë vdekur gjatë 20 viteve të fundit, dhe përditësimi i informatave të tyre personale në baza vjetore është absurditet dhe praktikisht i pamundur. Si rrjedhojë e këtyre kërkesave, shumë OJQ janë detyruar t’i mbyllin llogaritë e tyre bankare dhe shumë të tjera vazhdojnë të ballafaqohen me probleme të njejta

Roli i shtetit

Që nga viti 2019, Qeveria e Kosovës përmes Ligjit për OJQ ka obliguar të gjitha OJQ-të që transaksionet e tyre financiare t’i realizojnë vetëm përmes institucioneve bankare të licencuara nga BQK. Kjo kërkesë, përveç që i shërben shtetit të ketë informata në burimet e financimit që hyjnë në Kosovë, ajo poashtu kontribuon në rregullsi më të madhe financiare të OJQ-ve. Megjithatë, ky obligim për OJQ nëse nuk shoqërohet me politika përcjellëse dhe mbikëqyrje të vazhdueshme të shtetit ndaj institucioneve që ofrojnë shërbime bankare shndërrohet në një pengesë të madhe dhe serioze për ushtrimin e punës së OJQ-ve. Më konkrektisht, Qeveria e Kososvës duhet të zbatojë rekomandimet e dala nga Raporti i Vlerësimit të Përputhshmërisë së Kosovës me Standardet Ndërkombëtare në Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit duke përdorur qasje të targetuar për identifikim të rrezikut për financim të terrorizmit nga OJQ-të dhe të bëjë kategorizim të organizatave që paraqesin një rrezik të tillë. Kjo do t’i mundësonte shtetit të ndërmarrë masa që kontribuojnë drejtpërsëdrejti në sigurinë e përgjithshme të vendit, duke i mundësuar OJQ-ve të vazhdojnë punën e tyre në zhvillimin socio-ekonomik dhe avancimin e demokracisë në vend. Poashtu, shteti duhet të njoh rrezikun që vjen si rrjedhojë e politikave të de-rrezikut që bankat zbatojnë dhe të ndërmarrë masa afirmative të cilat i mundësojnë të gjitha OJQ-ve qasje të drejtë dhe të lehtë në shërbime bankare, duke u’a ndaluar bankave komerciale politikat diskriminuese ndaj OJQ-ve dhe duke promovuar qasje e masa të cilat do ta lehtësonin shfrytëzimin e shërbimeve bankare nga OJQ-të.

—–

Ky shkrim është i publikuar në kuadër të projektit: “Ri-formësimi i Shoqërisë Civile në Kosovë si pasojë pandemisë COVID-19” mbeshtetur nga  Fondacioni i Kosovës për Shoqërisë së Hapur implementuar nga Platforma CiviKos. Qëndrimet e autorit nuk përfaqësojnë qëndrimet e Platformës CiviKos. 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.