Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Rreth mësimit për religjionet në shkolla

 

Ditëve të fundit është aktualizuar një temë e ndieshme që e bën të domosdoshëm debatin rreth trajtimit të religjionit në shkollat tona publike. Derisa bashkësitë dhe klerikët kontraverz fetar fërkojnë duart nga oportunizmi e të tjerët refuzojnë me ngulm këtë ide pa sqaruar se çfarë në fakt po refuzojnë, çështja kryesore që po ngatërrohet është një dallim esencial mes dy koncepteve: mësimit fetar, të definuar si predikim nga klerikët fetarë mbi Zotin, jetën e përtejme dhe të ngjajshme, dhe mësimit për fenë, që hynë në domenin e filozofisë, historisë, sociologjisë dhe shkencave politike.

Për konceptin e parë, nuk ka përse të diskutohet. Me koncensus të qytetarëve të saj Kosova është shtet sekular, shkollat publike janë ambiente neutrale sa i përket përkatësisë fetare dhe laiciteti i vendosur në qendër të Kushtetutës tonë është i pacenueshëm e i mbrojtur nga institucionet demokratike të Republikës së Kosovës. Në këtë pikë nuk ka kompromis.

Ajo për çfarë mund të diskutohet është koncepti i dytë, mësimi për fenë si fenomen shoqëror e historik dhe trajtimi i saj mbi premisa akademike për zgjerimin e njohurive për t’i kuptuar më mirë një mori çështjesh përreth nesh. Nga ky koncept klerikët kontraverz fetarë – veprimtaria e të cilëve në Kosovën e pasluftës ka qenë shpesh problematike e shpesh edhe e dëmshme – kanë më së paku dobi, sepse një emancipim i përgjithshëm ka gjasë ta bëjë Kosovën më rezistente ndaj fenomeneve të cilat sot janë të pranishme në Kosovë me bekimin e disa prej tyre, siç është rasti me ekstremizmin e dhunshëm.

Deri te ky konkludim se kemi nevojë për një diskutim të matur mbi këtë çështje në vend se ta flakim tutje pa e menduar mirë, vij nga një përvojë personale e formësuar në vitin 2010, derisa po ndiqja gjatë studimeve klasën e ligjeruar nga ish-kryeministri Blair mbi Fenë dhe Globalizimin, si përpjekje e tij pasi kishte dorëzuar pozitën e tij politike në Britani për të nxitur një debat rreth pranisë së fesë në sferën publike dhe implikimeve që ky zhvillim kishte për botën. Më duhet ta pranoj që si kosovare e rritur pranë një familje plotësisht sekulare arsyeja pse kisha vendosur ta zgjedhja këtë lëndë nuk kishte të bënte me kurreshtjen time për religjionet. Feja nuk më kishte formësuar si individ dhe, përpos në periudhën e luftës dhe mënjëherë pas luftës kur si gazetare dokumentoja shkatërrimin e monumenteve islamike dhe ortodokse serbe në Kosovë si rrjedhojë e armiqësive etnike, religjioni nuk ishte pjesë e preokupimit tim. Shtytës i madh për mua të jem pjesë e klasës së z. Blair ishte dëshira që ta përmbyllja një cikli personal që kishte qenë jashtëzakonisht i vështirë për mua. Herën e fundit që e kisha parë kryeministrin Blair në vitin 1999 isha refugjate e luftës së Kosovës e zhvendosur me dhunë në Maqedoni. Një dekadë më vonë do të ulesha përballë tij si student në Yale University. Doja ta kuptoja esencën e vendimmarrjes së tij për të intervenuar në Kosovë për ta ndalur gjenocidin e Serbisë dhe për t’i dhënë të ardhme gjeneratës time. Mbi cilat vlera dhe parime ishte udhëhequr z. Blair kur e mori atë vendim? Nga prizmi i shkencave politike, si pjesë e interesimit tim të përgjithshëm akademik, nxitesha nga kërkimi i përgjigjes për njërën nga sfidat më të mëdha të modernizmit: nevojën e një pjese të njerëzimit që përmes fesë të gjejë solidaritet komunitar dhe përkatësi, me bashkësinë kosmopolite të krijuar sikurse përmes globalizimit ashtu edhe përmes përhapjes së konceptit të të drejtave të njeriut. Sado që rrethanat ishin të rastësishme dhe motivet për të ndjekur një klasë të tillë ishin krejtësisht personale, ajo lëndë ma nxiti kurreshtjen e deri diku m’i dha edhe mjetet për të qenë pjesë e një debati që sapo kishte filluar.

Përgjigje definitive nuk gjeta në asnjërën nga këto tema. Por, ajo që arrita të bëj është të identifikoj çështjet që tashmë ishin bërë pjesë e diskutimeve në demokracitë tona të brishta.

Këtë klasë, me ndihmën e Universitetit Amerikan të Kosovës dhe Fondacionit t ëish Kryeministrit Blair, arrita ta përsërisja në Kosovë nga viti 2013. Lënda ishte e bazuar në një planprogram të hartuar me kujdes nga një ekip i tërë hulumtuesish dhe ekspertësh dhe të përshtatur nga ligjeruesit që kanë autonominë akademike për ta modifikuar planprogramin për t’i korresponduar rrethanave në vendet ku ligjerohej. Lënda zgjedhore ofrohej njëkohësisht në disa nga universitetet më të mëdha botërore, duke filluar në universitetin amerikan Yale, në universitetin kanadez McGill, universiteti britanik Durham e deri në institucione të ngjajshme në Meksikë, Indi, Australi e Kore Jugore.

Planprogrami i lëndës ndahej në kapituj që në qendër të studimit kishin interaksionin e besimeve dhe bindjeve të ndryshme, e në veçanti religjionet abrahamike që kanë numrin më të madh të besimtarëve nëpër botë, me forcën e globalizmit apo pasojat e tij. Planprogrami përfshinte tema si ndikimi i religjionit në zhvillimin ekonomik dhe promovimin e të drejtave të njeriut e deri te instrumentalizimi i tij për qëllime të mobilizimeve politike e ndasive etnike, si dhe ndikimi i religjionit në realizimin e të drejtave të gruas e të komunitetit LGBT.

Kundërthëniet mes të drejtës së njeriut për ta ushtruar religjionin, të drejtës për t’u karakterizuar si jobesimtar dhe kufizimeve të vëna nga shtete të ndryshme evropiane, përfshirë Kosovën, për ta ruajtur laicitetin, zgjonin shumë debat e kërshëri. Shpeshherë ndanin klasën në dysh. Rastet e veçanta të cilat i studionim në kuadër të lëndës, pavarësisht se a besonim në Zot apo jo – sepse kjo asnjëherë nuk ishte temë e diskutimeve – na jepnin mundësi të krijojmë mendime të informuara për zhvillimet e dhunshme që thirreshin në fe, dëshmitarë të të cilëve ishim.

U pyetëm se a po kthehej feja, apo besimi në Zot, në sferën tonë publike? Nëse konkludimi ynë ishte se feja ishte rikthyer me shumë zell në mesin tonë, atëherë provonim të gjejmë përgjigje se cilët ishin faktorët shtytës; pse po ndodhte kjo? A ishim pjesë e një trendi më të gjerë botëror apo kishim të bënim me diçka shumë specifike për Kosovën? Argumentuam nëse demokracia është inkurajuesi kryesor i përhapjes së fesë. I lexuam me vëmendje anketat për të vërtetuar nëse “Zoti kishte vdekur” ose “Zoti është ringjallë.” Me gjeneratën e fundit në AUK, e shikuam bashkarisht dokumentarin e BBC-së për rënien e Shahut të Iranit dhe vendosjen e teokracisë e cila e shndërroi një vend të modernizuar në një shtet botërisht të damkosur brenda natës. Pra, ishte një kërkim shkencor për përgjigje, i tillë çfarë po ndodhte në shumë vende tjera. Shpesh përgjigjet nuk i gjenim, por ato po i kërkonim bashkarisht, sepse kjo ishte esenca e kërkimit të dijes.

Ishte lëndë e vështirë për ta ligjeruar pikërisht sepse kontestonte qëndrimet tona të ngurta të krijuara nga të vërtetat absolute të atyre që ndiqnin predikimet fetare dhe të tjerëve që e kishin ndarë mendjen që kutia e Pandorës nuk duhej hapur. Ishte klasë që i nxiste studentët ta analizonin rrethin e tyre, të mendonin për domethënien e harmonisë fetare në Kosovë, për bashkëjetesën e gjatë mes feve të ndryshme, si ishte arritur një gjë e tillë, a kishim ne si Kosovë diçka për t’i ofruar botës? Për rolin e Kishës Ortodokse serbe në luftën e fundit, për shenjat e para të rrymave të tjera fetare që tashmë kishin depërtuar në Kosovë dhe si e rrezikonin ato një traditë fetare që kishte bashkëjetuar me religjionet e tjera dhe me shtetin sekular. I inkurajonte të mendojnë për karakterin e shtetit gjithpërfshirës, ruajtje e monumenteve fetare, për sfidën për të argumentuar racionalisht mbi të vërtetat absolute, të vetmet që i ofron feja.

Në fund, pasi që kishim lexuar e komentuar, studentët merrnin rolin e rekomanduesve të politikave publike, për të nxitur zgjidhje konceptuale për temat që sot janë pjesë e diskutimeve. A duhet të lejohet shamia në institucione publike? A duhet të mësohej feja në shkolla? Si kishte vepruar Franca? {farë po bënte Suedia? Qëllimi ishte krijimi i opinionit të informuar, ku do të merrej parasysh brishtësia e institucioneve të Kosovës, Kushtetuta e Kosovës, prania agresive dhe jotransparente e asociacioneve fetare karshi lirive fetare dhe të drejtave të njeriut, e asesi indoktrinimi i studentëve. Mbi të gjitha ishte një udhëtim intelektual i një gjenerate e cila po e gjente guximin të kërkojë përgjigje dhe që do të dinte t’i refuzonte ose të paktën t’i trajtonte racionalisht këto koncepte. Gjeneratë e cila për dallim nga ne, paraardhësit e tyre, do të jetë e vetëdijshme dhe e zëshme për rreziqet nga korruptimi i vlerave morale, mungesa e emancipimit e varfëria e një shoqëri të shkapërderdhur, ndonjëherë të hutuar, me nevoja të shumta. Një gjeneratë që nuk do t’i ikë debatit me dogmatët fetarë, por që me guxim do ta konfrontojë oportunizmin e tyre, gjuhën e dyfishtë, që do të shoh përmes tyre. Një gjenerate e cila mbase nuk do të lejojë që Kosova të ngjitet në majat e listave të shteteve që prodhojnë ekstremistë e terroristë për t’iu bashkangjitur kuazave të rrejshme. Fundja, ne, si Kosovë, nuk ekzistojmë të vetëm, të izoluar apo të strehuar nga pasojat e globalizimit. Kosova është pjesë e një bote të komplikuar dhe duhet të bëjmë hapa që vendin tonë dhe veten ta shohim si copëz të kësaj bote.

Po përballemi me të njejtën sfidë – mbase të shekullit – si gjithandej nëpër botë se cili është roli i fesë në sferën publike dhe si duhet akomoduar atë në demokracitë tona pluraliste, pa nënçmuar në asnjë moment kontributin shkencor që mund të japin për observimet që i bëjmë çdo ditë në ambientin përreth nesh. A nuk do të donim të gjithë sot të kemi përgjigje të hulumtuar e të testuar, përtej spekulimeve të vetmjaftueshme, se pse sot shohim më shumë njerëz në xhami se para luftës?
E kam parasysh që argumenti më i zëshëm këto ditë do të jetë që Kosova dhe Shqipëria i kanë 1 milion probleme, 2 milion prioritete dhe se dy vendet tona duhet të investojnë në shkencë për të dalur nga varfëria që i ka katandisur. Pajtohem, probleme kemi shumë. Pajtohem që duhet të investojmë në shkencë dhe teknologji. Por, mbase ka vend për një diskutim më të sinqertë. Mësimi për religjionet në shkollë dhe mësimi shkencor në ambientet tona sekulare dhe neutrale nuk e përjashtojnë njëra tjetrën sepse dyjat synojnë diturinë. Në fakt, edukimi me një planprogram të forcuar në arte liberale, ku pjesë të rëndësishme kanë civilizimet shpesh të bazuara në librat fetarë, mund të jetë shpëtimi ynë i vetëm.

Jemi angazhuar për jetësimin e shtetit sekular të ndërtuar mbi parimet liberale dhe kjo është premisë që na detyron që të mos tkurremi nga diskutimi i të gjitha çështjeve me rëndësi në gjetje të koncensusit që na mundëson përparimin. Një progres i tillë shoqëror do të lëshojë rrënjë në ambientin tonë atëherë kur të arrijmë që këto çështje t’i diskutojmë pa pengesë, t’i trajtojmë me ftohtësinë empirike që nënkupton respektin e ndërsjellë edhe atëhere kur kemi bindje të ndryshme dhe vijmë deri te përfundimet e ndryshme.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.