Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Rusia dhe ekonomia pas naftës

Të vësh në dukje më tepër se që duhet rëndësinë e industrisë së naftës në ekonominë ruse. Në shkallë globale, Rusia është konkurruese në produktet e mbrojtjes, ato të lansimit në hapësirë, energjinë bërthamore, burimet minerale, dhe teknologjinë e informacionit. Por asnjëra nga këto industri nuk krahasohet me eksportin e naftës dhe gazit. Për rusët e zakonshëm, ekonomia e vendit duket të jetë strukturuar rreth shkëmbimit të fuçive të naftës me makina dhe telefona të zgjuar. Problemi, natyrisht, është se pasi që çmimet e naftës kanë rënë pingul, këto fuçi blejnë gjithnjë e më pak importe.

Të ardhurat nga nafta, sikur të ardhurat nga shumica e mallrave, janë ciklike, dhe rëniet e papritura nuk janë të pazakonta. Por, do të ishte gabim për vende si Rusia që të supozojnë se çmimet do të rriten përsëri. Rënia e fundit e çmimeve është tregues i një ndryshim të paparë strukturor në sektorin e energjisë – ndryshim ky që do të ketë implikime të rëndësishme politike për vendet prodhuese të naftës.

Gjatë shekullit të njëzetë nafta ishte burim i kufizuar; çmimi i saj, dukej, vetëm mund të shkonte përpjetë. Ndërsa nafta lehtë e qasshme është shtjerrë, nxjerrja e saj nga burime të reja, gjithnjë e më margjinale, është bërë gjithnjë e më e shtrenjtë. Ndërsa çmimet janë ngritur, pronarët me fat të fushave të gazit e naftës me kosto të ulët – sidomos Rusia dhe prodhuesit në Lindjen e Mesme – kanë arritur të kapin margjina gjithnjë e më të mëdha.

Por, siç ndodh shpesh, çmimet e larta dhe kreativiteti njerëzor janë bërë bashkë për të ofruar alternativa për një mall të kufizuar. Në industrinë e energjisë kemi parë përparime teknologjike që kanë buruar si nga brenda industrisë (revolucioni i naftës nga shisti i argjilës në Shtetet e Bashkuara), ashtu edhe jashtë saj (energjia e lirë e ripërtërishme).

Në ditët e sotme, në lokacionet më të përshtatshme, energjia e erës dhe energjia diellore mund të kushtojnë aq lirë sa 0,03 dollarë për kilovat-orë. Dhe mallrat ‘e gjelbra’ të konsumit po bëhen gjithnjë e më konkurruese. Për shembull, në mars 2016 u lansua zyrtarisht në treg makina krejtësisht elektrike Tesla Model 3, dhe atë me çmim relativisht të arsyeshëm prej 35,000 dollarësh. Brenda një muaji, numri i porosivetejkaloi shumën prej 14 miliardë dollarëve, duke e bërë atë lansimin më të suksesshëm të një produkti në histori.

Ndërsa burime të reja të energjisë gjithashtu po bëhen gjithnjë e më konkurruese, dinamika e çmimeve të industrisë së naftës ka marrë udhë kah një ndryshim fundamental. Prodhimi i energjisë më nuk do të jetë i lidhur për burime të pamjaftueshme e gjithnjë e më të shtrenjta; në të kundërtën, ashtu sikur në industritë e tjera të teknologjisë, çmimet ka të ngjarë të vazhdojnë të ulen.

Ky revolucion teknologjik do të ketë implikime serioze politike. Në pjesën më të madhe të shekullit të njëzetë, vendet në zhvillim kanë ndjekur dy rrugë të suksesit ekonomik. Njëra është përvetësimi i parimeve të kapitalizmit Perëndimor, lejimi i rrjedhjes së kapitalit të huaj brenda tregut, dhe shfrytëzimi i përparësisë krahasuese të burimeve të lira të punës brenda vendit për të gjetur vend në ekonominë e globalizuar në zhvillim. Rruga tjetër ishte zbulimi dhe zhvillimi i burimeve të bollshme të naftës, të gjendeshe në kapërcyell të rritjes ekonomike globale në lulëzim e sipër, si dhe nxjerrja e rentës në dispozicion.

Karakteristikat ekonomike të industrisë së naftës kanë formësuar peizazhin politik në vendet prodhuese të naftës. Qeveritë në rajone të bekuara me naftë të lirë nganjëherë i kanë konsideruar të ardhurat që rrjedhin nga ajo si shenjë bekimi hyjnor dhe kanë shpenzuar të holla sikur ajo kurrë nuk do të shpenzohej.

Disa, si Ahmed Zaki Yamani, ish-ministër saudit i naftës, kanë tërhequr vërejtjen se kjo qasje nuk është e qëndrueshme. “Tridhjetë vjet më pas do të ketë një sasi të madhe të naftës – dhe asnjë blerës”, ka thënë ai në vitin 2000. “Kohës së Gurit i ka ardhur fundi jo për shkak të mungesës së gurit, dhe Kohës së Naftës do t’i vijë fundi shumë kohë para se të na shpenzohet nafta.” Por, deri kohëve të fundit paralajmërime të tilla janë injoruar pothuajse pa dallim.

Vetëm me shfaqjen e fundit të lulëzimit ka filluar të pranohet gjerësisht rëndësia e nevojës për ndryshime. Në Arabinë Saudite, detyra për tërealizuar ‘ëndrrat e ndryshme’ të këtij brezi për një të ardhme pas karbonit i ka rënë mbi supe Zëvendësit të Princit të Kurorës, Mohammed bin Salman. Në Rusi, Presidenti Vladimir Putin kohët e fundit emëroi ish-Zëvendëskryeministrin Aleksei Kudrin për të hartuar një program të ri, liberal, ekonomik për vendin.

Në dizajnimin e reformave të tyre, qeveritë e të dyja vendeve do të tregoheshin të zgjuara nëse do të kishin parasysh se industria e energjisë është vetëm një prej shumë shembujve se si teknologjia po i bën burimet e rralluara – qoftë kapitalin, punën ose një mall të caktuar – gjithnjë e më jorelevante. Ekonomia e shekullit të njëzetenjëtë po përcaktohet nga trajektorja eksponenciale që karakterizon rritjen e njohurive dhe zhvillimin e teknologjisë.

Rruga që kanë marrë vende si Kina drejt rritjes ekonomike dalëngadalë po mbyllet ndërsa puna e lirë po bëhet më pak përparësi në një ekonomi globale të dijes. Rritja e re ekonomike e formës së barazimit me vende më të zhvilluara do të bazohet në replikimin e kornizës institucionale të Amerikës dhe investime në arsim e qendra teknologjike të stilit të Luginës së Silikonit.

Nëse ekonomia e një vendi do që të lulëzojë, ajo do të duhet të krijojë dije dhe mjedisin më të favorshëm për shndërrimin e asaj dijeje në rritje ekonomike. Në aspektin e politikave, kjo nënkupton vënien e theksit në arsim dhe zbatimin e reformave institucionale. Prioritetet më të rëndësishme duhet të përfshijnë vendosjen e shtetit të së drejtës, në veçanti krijimin e një sistemi të fortë e të pavarur gjyqësor që mund të mbrojë të drejtat e pronës në mënyrë të duhur.

Fatkeqësisht, të dish rrugën përpara nuk është e njëjta gjë si të marrësh rrugën e duhur. Gjatë viteve nga fundi i industrializimit të Rusisë në vitet 1960 e deri në lansimin e Perestrojkës, dy dekada më vonë, vendi kishte përjetuar një periudhë të gjatë amullie. Ngurrimi i gjerë për të kryer reformat e nevojshme për një botë pas naftës mund të çojë në një rraskapitje të ngjashme në vitet në vijim.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.