Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Sachs, kurthet dhe politika industriale

Në diagnostikimin se pse vendet e varfra kanë stagnuar në rritjen ekonomike dhe vazhdojnë të jenë të varfra, ekonomisti i Universitetit te Columbias Jeffrey Sachs mendon se arsyeja kryesore qëndron tek kurthi i varfërisë. Shkurtimisht, kurthi i varfërisë funksion kësisoj: për t’u zhvilluar ekonomikisht duhet investim. Për të financuar investimet, vendet duhet të kursejnë. Mirëpo vendet e varfra janë shumë të varfra për të kursyer mjaftueshëm, pasi që të ardhurat e tyre mezi mjaftojnë të mbulojnë nevojat e tyre bazike. Meqë kursimet janë të ulëta, atëherë edhe investimet janë të ulëta. Në mungesë të investimeve, ka mungesë të rritjes ekonomike. Kur nuk ka rritje ekonomike, nuk rriten as të ardhurat. Ndërsa kur nuk rriten të ardhurat, nuk mund të rriten as kursimet që të financojnë investimet. Kështu, vendet e varfra janë të mbërthyera në një cikël vicioz të varfërisë. Për të tejkaluar këtë rreth vicioz, në librin ‘The End of Poverty’ ai sugjeron që vendet e pasura duhet të ndajnë një pjesë të të ardhurave të tyre dhe këto të ardhura t’ia japin në formë të ndihmës vendeve të varfra. Me pak ndihmë, sipas Sachs, të ardhurat e vendeve të varfra mund të rriten aq shumë saqë ata të jenë vetë në gjendje të rrisin kursimet në mënyrë që të vetëfinancojnë investimet e tyre. Momentin kur fillojnë investimet, fillon edhe rritja ekonomike dhe kështu vendet fillojnë ciklin e zhvillimit.

Ideja e kurthit të varfërisë është diskutuar mjaft në çarqet akademike. Jo shumë prej ekonomistëve pajtohen me këtë diagnozë të varfërisë që është ende prezente në shumë vende të botës – në rastin më të mirë, shumë prej tyre mendojnë që kjo ide është e mbivlerësuar. Tek e fundit edhe vendet europiane ishin të varfra në kohë të mesjetës, dhe sipas kësaj teorie këto vende do të duhej të ishin të mbërthyera në kurthin e varfërisë dhe do të duhej të ishin ende në varfëri. Sigurisht, konteksti i mesjetës është i ndryshëm prej kontekstit modern dhe një argument i tillë mund të konsiderohet i ngutshëm.

Sido që të jetë, në një punim akademik, Sachs dhe një grup tjetër ekspertësh nga UN Millenium Project shpjegojnë në detaje edhe një lloj tjetër të kurthit: kurthi i kufirit minimal të stokut të kapitalit. Një gjë që supozohet shumë shpesh në ekonomi dhe pothuajse është një ndër ligjet më të famshme të ekonomisë është pakësimi i kthimeve margjinale (diminishing marginal returns). Në rastin e kapitalit, kur shton një njësi të kapitalit ajo njësi do të ketë kthime më të vogla sesa njësia paraprake. Kësisoj, ashtu siç kishte argumentuar edhe ekonomisti japonez Ken-Ichi Inada, sa më afër zeros që është stoku i kapitalit, kthimi margjinal i kapitalit shkon drejt infinitit; ndërsa sa më afër infinitit të jetë stoku i kapitalit, kthimi margjinal i kapitalit shkon drejt zeros. Por është pikërisht ky supozim që Sachs dhe të tjerët e relaksojnë kur argumentojnë që për kurthin e kufirit minimal të stokut të kapitalit. Sipas tyre, duhet të ekzistojë një stok minimum i kapitalit në mënyrë që ky supozim të jetë korrekt. Me fjalë tjera, nëse në një vend nuk ka energji elektrike, badihava investon në blerje të kompjuterëve kur ata kompjuterë nuk mundesh me i dhezë. Në fjalë të vet Sachs dhe të tjerët pohuan se: “Prodhimi në fabrikë, për shembull, kërkon një infrastrukturë themelore të energjisë elektrike, rrugëve, dhe një port funksional, si dhe një fuqi punëtore të shkolluar. Kur këto kushte themelore nuk janë të pranishme, shtimet inkrementale të kapitalit mund të kenë pak efekt.”

Është pikërisht në këtë argument – të cilin nuk e kam hasur pothuajse asnjëherë pas këtij punimi akademik, bile as te vetë Sachs – që dua të fokusohem dhe të ri-interpretoj këtë argument në atë mënyrë që vetë Sachs, duke u bazuar në qëndrimet e tij, me siguri qe do ta kundërshtonte. Nëse e pranojmë këtë argument të Sachs për kufirit minimal të stokut të kapitalit, atëherë e pranojmë që tregu i lirë dështon kur vjen puna tek zhvillimi ekonomik i vendeve të varfra. Tregu i lirë dështon gjithashtu në rastin e kurthit të varfërisë, por tek kurthi i varfërisë supozimi është që nuk ka kapital të mjaftueshëm, gjë e cila mund të zgjidhet përmes ndihmës ndërkombëtare, përmes liberalizimit të tregut të kapitalit apo ndonjë mënyre tjetër heterodokse. Por në rastin e kurthit të stokut minimal të kapitalit, zgjidhja kërkon veprim kolektiv apo me fjalë tjera intervenim shtetëror.

Për të ilustruar se si dështon tregu i lirë në këtë rast, le ta marrim shembull Kosovën. Le të supozojmë që një investitor dëshiron të investojë në një fabrikë për prodhimin e motorëve të autoveturave. Kosova sigurisht nuk ka eksperiencë të tillë, rrjedhimisht mungon fuqia punëtore specifike për këtë sektor. Kemi disa inxhinierë dhe njerëz me përvojë në fusha të ngjashme (kryesisht metal përpunuese) por për aktivizimin e tyre në prodhim, duhet edhe shumë trajnim. Mbi të gjitha, ka mungesë të eksperiencës në aspektin menaxherial. Për hir të thjeshtësisë së argumentit po supozojmë që kemi energji stabile elektrike, treg të mirë financiar, ambient të sigurt i të bërit biznes, etj. Në këtë situatë, investitori (vendor apo i huaj) e ka mundësinë të investojë, por kthimet në investim do të jenë ose negative ose do të duhet të presë shumë gjatë për të filluar të ketë kthime. Kjo për shkak se për të filluar procesin e prodhimit, duhet fillimisht të trajnohen personeli, gjë e cila merr kohë dhe resurse dhe duhet përvojë e punës. Për investitorin, më e leverdishme do të ishte të investonte në një vend ku ekziston vetëm fuqia e kualifikuar punëtore, ku për fillimin e procesit të prodhimit duhet ose aspak investim në personel ose shumë pak në krahasim me Kosovën.

Këtu hyn në lojë intervenimi shtetëror. Shteti do të duhej të investonte në një fuqi punëtore të kualifikuar, pra do të duhej të investonte më shumë në shkollim. Por shkollimi nuk është e tëra. Shteti do të duhej që përmes politikave të veta industriale të bënte kthimin e investimit të investitorit më afatshkurtër dhe më të madh, me kushtin që investitori të investojë në fabrikë dhe të hapë vende të reja pune apo edhe të bartë resurset nga fushat me produktivitet të ulët në atë më të lartë. E këtu vijmë domosdo tek dilema se në mes të shumë sektorëve, cilët do të duhej që shteti t’i ndihmonte? Përgjigjja nuk është e lehtë. Por si rregull e përgjithshme, shteti do të duhej të investonte në sektorë të cilët punësojnë relativisht shumë njerëz dhe këto punësime të jenë asi soji ku punëtorët fitojnë eksperiencë. Në bazë të kësaj rregulle të përgjithshme, sektorët që menjëherë bien nga konsiderata janë sektori i agrikulturës, minierave, dhe sektorë tjerë ku njerëzit punojnë në linja prodhuese si të ishin robotë. Të jemi të qartë, punët robotike janë prapë më të mira se mungesa e punës, apo puna në agrikulturë ekzistenciale.

Cila është arsyeja që qëndron prapa kësaj rregulle të përgjithshme? Personalisht, ndaj mendimin e kampit të ekonomistëve që mendojnë se zhvillimi ekonomik nuk është proces që mund të zgjasë përgjithmonë vetëm përmes investimeve, por që është e domosdoshme të ketë inovacion dhe që duhet të ketë tronditje pozitive teknologjike. Por e vërteta është që inovacionet nuk mund të jenë krejtësisht randome dhe jashtë modelit ekonomik (exogjene), siç janë tek modeli i Solows. Një ekonomi që është kryesisht e bazuar në agrikulturë, nuk mund të pret që papritmas të ndërtojë një industri të mikroçipave të silikonit. Apo siç e thotë shkurt e shqip populli i ynë “dardha pikë nën dardhë”. Por për të ardhur deri tek mundësia që të zhvillojmë një industri shumë të specializuar dhe të zhvilluar, duhet që të ekzistojnë industri të tjera, të cilat punësojnë njerëz me aftësi dhe eksperiencë të ngjashme, që momentin kur dikush dëshiron të investojë në një industri të re të ketë nga ku t’i marrë punëtorët të cilët nuk ka nevojë të investojë shumë që t’i aftësojë për punë. Pra industritë të cilat akumulojnë eksperiencë njerëzore kanë eksternalitete pozitive, dhe në këtë mënyrë nuk i kontribuojnë një vendi vetëm përmes vlerës së shtuar por edhe përmes aftësimit të fuqisë punëtore për industri tjera të ngjashme të cilat mund të shtojnë edhe më shumë vlerë në ekonomi.

E çfarë janë këto politika industriale? Për këtë nuk e kam një përgjigje që mund ta nxjerr nga xhepi i prapmë. Këtu hyn në konsideratë konteksti lokal i një vendi dhe kreativiteti politikbërës. Vende të ndryshme kanë aplikuar metoda të ndryshme. Vendet e Azisë lindore përgjithësisht kanë përdorur metoda për promovimin e eksporteve, të cilat kanë rezultuar shumë të suksesshme. Në anën tjetër vendet e Amerikës Jugore kanë aplikuar tarifa të larta në importe, në mënyrë që të mbrojnë prodhuesit vendorë nga konkurrenca e jashtme – metodë kjo e cila nuk ka funksionuar shumë mirë, e në vende të vogla si Kosova do të ishte një tmerr i vërtetë. Disa vende të tjera kanë zhvlerësuar monedhën e tyre, gjë e cila i ka bërë eksportet më të lira – gjë e cila nuk do të mund të bëhet në Kosovë në mungesë të monedhës së saj. Por ajo çfarë i tmerron shumë ekonomistët, edhe me të drejtë, janë dështimet e politikave industriale, ku këto politika jo vetëm që nuk ndihmojnë por e bëjnë situatën edhe më të rëndë. Megjithatë, kjo nuk i bën më pak të nevojshme politikat industriale. Çfarë duhet është që këto politika të jenë të bazuara në karakteristikat e një vendi – ashtu siç është vendi që bëhet kuvendi.

Për fund, disa prej jush mund të thoni se a është me të vërtetë Kosova aq e varfër sa të jetë e mbërthyer në kurthin e kufirit minimal të stokut të kapitalit. Nëse Kosova nuk është e mbërthyer në këtë kurth, atëherë i gjithë ky diskutim është jorelevant. Kosova definitivisht nuk është e mbërthyer në kurthin e varfërisë, pasi që jemi aq të pasur sa të kemi relativisht mjaftueshëm kursime për investime, edhe pse këto kursime sigurisht do të mund të ishin shumë më të larta. Por, besoj fuqishëm që Kosova secilën herë e më shumë po futet në kurthin e kufirit minimal të stokut të kapitalit, për faktin se prej pasluftës struktura ekonomike e Kosovës është duke u deindustrializuar (në kuptimin e regresit, e jo deindustrializimit në kuptimin e transformimit të ekonomisë nga industria në shërbime) deri në pikën e pothuajse shuarjes së industrisë.  Ajo pak industri është e dobët dhe jokompetitive, ndërsa rritja ekonomike e Kosovës prej pasluftës ka ardhur pothuajse plotësisht nga sektori publik, ndihma ndërkombëtare, investimet në sektorin e ndërtimtarisë, dhe nga remitencat. Asnjeri nga këto sektorë nuk janë të qëndrueshëm dhe aq më pak nuk prodhojnë eksternalitete pozitive për të cilat u fol më lart. E në këtë kontekst, sa më shumë që kalon koha, aq më e madhe po bëhet nevoja për politika më të mëdha industriale në Kosovë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.