Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Shqyrtimi i rrugës së mëndafshtë digjitale të Kinës në Ballkanin Perëndimor

Nëse ecni rrugëve të Beogradit, fytyra juaj pothuajse me siguri do të incizohet nga një prej 1000 kamerave të sigurisë të Huaweit, që janë të instaluara në qytet. Postimet e instagramit, ‘tweet’-at, telefonatat, apo video-thirrjet do të mundësohen nga pajisjet e Huaweit në rrjetin e internetit në vend. Më 2016, drejtori i përgjithshëm i Telekom Srbija njoftoi se kompania ka nënshkruar kontratë prej 150 milionë dollarësh me Huawein për zhvillimin e rrjeteve optike dhe internetit të shpejtë. Me projektet si “Qyteti i sigurt” dhe “Qyteti i mençur,” si dhe me ndërtimin e qendrave të të dhënave dhe qendrës rajonale të inovacionit të Huaweit, vlera totale e bashkëpunimit të Serbisë me Kinën mund të jetë shumë më e madhe.

Nuk është fjala vetëm për Serbinë. Teknologji të ngjashme të ofruara nga kompanitë kineze janë të pranishme në zemër të infrastrukturës së telekomunikacionit në tërë Ballkanin Perëndimor, që përfshin Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Kosovën.

Ballkani Perëndimor është bërë ndalesë gjithnjë e më e rëndësishme në Rrugën e Mëndafshtë Digjitale të Kinës, element kyç ky i Nismës Rrip dhe Rrugë [Belt and Road Initiative]. Ky projekt paraqet përpjekjen e Pekinit që të përmirësojë lidhshmërinë digjitale me vendet pjesëmarrëse – me Kinën si udhëheqëse kryesore të projektit – dhe një komponent kyç të shtytjes së vendit për ta rritur ndikimin gjeopolitik. Për Bashkimin Evropian, rajoni përfaqëson si fqinjësinë e afërt, ashtu edhe një grup vendesh që janë të parat në radhë për të ardhmen e anëtarësimit në BE. Prandaj, ndikimi digjital i Kinës në Ballkanin Perëndimor mund të transferohet potencialisht në Bashkimin Evropian po ashtu, nëse dhe atëherë kur këto vende të bëhen pjesë e komunitetit evropian.

Përveç aspiratave për anëtarësim në BE, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë gjithashtu anëtarë të NATO-s, dhe së bashku me Kosovën kanë ndërtuar marrëdhënie të ngushta me Uashingtonin, veçanërisht kur është fjala te çështjet e mbrojtjes dhe të sigurisë. Nëse Kina fiton terren në zhvillimin e tashëm dhe ardhshëm të infrastrukturës digjitale në rajon, ajo mund të paraqesë një sfidë për sigurinë jo vetëm për rajonin, por edhe për Shtetet e Bashkuara.

Kina ka pasur sukses në Ballkanin Perëndimor në promovimin e Rrugës së Mëndafshtë Digjitale. Serbia është partneri kryesor i Kinës, por, përveç Kosovës, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bashkëpunuar me Pekinin deri në një pikë të caktuar në fushën e teknologjisë digjitale. Çfarë është me rëndësi, përpjekjet e Kinës në rajon po kundërshtohen nga lojtarët e tjerë gjeopolitikë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë duke bërë presion mbi vendet e Ballkanit Perëndimor që ta kufizojnë praninë e Kinës në infrastrukturën e tyre digjitale. Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria kanë vendosur që ta kufizojnë ose ta ndalojnë në tërësi teknologjinë kineze.

Çështja kryesore në të ardhmen e afërt është se a do të vazhdojë të rritet ndikimi i Kinës në zhvillimin teknologjik të rajonit, apo Perëndimi do të jetë në gjendje të ofrojë një alternativë të besueshme digjitale. Perëndimi duhet të përqendrohet në ofrimin e alternativave realiste ndaj teknologjive kineze në rajon për t’i mbrojtur interesat e tij në Ballkanin Perëndimor. Nuk mjafton vetëm kritika ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor për përparimin e bashkëpunimit me Pekinin – duhet të ofrohet një zgjidhje e qëndrueshme po ashtu.

Rruga e Mëndafshtë Digjitale

Rruga e Mëndafshtë Digjitale është element i rëndësishëm i Nismës Rrugë dhe Rrip të Kinës. Në fillim, ajo u paraqit si nismë për “të përparuar ndërtimin e kabllove optike ndërkufitare dhe rrjeteve të tjera të rëndësishme të komunikacionit, për të përmirësuar lidhshmërinë ndërkombëtare të telekomunikacionit dhe për të krijuar Rrugën e Mëndafshtë të Informacionit.” Kina është përqendruar në ndërtimin më të shpejtë të rrjeteve dypalëshe ndërkufitare të kabllove optike, planifikimin e projekteve ndërkontinentale nënujore të kabllove optike, si dhe përmirësimin e korridoreve satelitore të informacionit për t’i zgjeruar shkëmbimet dhe bashkëpunimin në fushën e informacionit.

Rruga e Mëndafshtë Digjitale është krijuar nën kornizën e nismës më të gjerë Rrip dhe Rrugë dhe përfshin ekspansionin global të teknologjive kineze në tregjet e adresueshme që më parë janë dominuar nga firmat lokale ose perëndimore, apo në vendet në zhvillim që janë në fazën fillestare të zhvillimit teknologjik. Projekti përfshin rrjetet e telekomunikacionit dhe qytetet e mençura, e deri te tregtia elektronike dhe sistemi satelitor kinez. Nisma shihet shpesh si ndërmarrje e përbashkët e qeverisë kineze dhe gjigantëve digjitalë kinezë, megjithëse jo të gjitha projektet e Rrugës së Mëndafshtë Digjitale pranojnë përkrahje të gjerë nga shteti.

Përpjekjet e Kinës për t’u pozicionuar si lider global digjital përballen me rezistencë të konsiderueshme. Administrata e Trumpit u përpoq ta kufizonte shtrirjen e Kinës përmes “Nismës për Rrjet të Pastër,” të cilën Departamenti i Shtetit e përkufizoi si “qasje gjithëpërfshirëse për t’i mbrojtur asetet e Amerikës, përfshirë privatësinë e qytetarëve dhe informatat më të ndjeshme të kompanive nga ndërhyrjet agresive të akterëve të dëmshëm, siç është Partia Komuniste e Kinës.” Presidenti Joe Biden – i cili ndërkohë ka shprehur gatishmëri për t’u ballafaquar me konkurrencën kineze – nuk i ka anuluar urdhrat ekzekutivë në sferat e rrjedhjes së të dhënave dhe furnizimeve teknologjike, të cilat u nënshkruan nga paraardhësi i tij.

Disa vende të Ballkanit Perëndimor janë bërë pjesë e Rrjetit të Pastër të Amerikës, përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Vendet të cilat nuk i janë bashkuar nismës janë përballur me presionin për të kufizuar praninë digjitale të Kinës në rajon. Nën administratën e Bidenit, Shtetet e Bashkuara po përpiqen ta rindërtojnë koalicionin me Bashkimin Evropian për t’i bërë ballë rritjes së ndikimit global të Kinës.

Vendet e Ballkanit Perëndimor do të ballafaqohen me presion të drejtpërdrejtë nga Uashingtoni në njërën anë, e në anën tjetër nga nevoja për t’i bashkërenditur politikat e tyre me ato të BE-së. Vetë Komisioni Evropian ka ndërmarrë masa parandaluese dhe ka udhëzuar shtetet anëtare që të miratojnë politika që do ta kufizojnë praninë e “furnizuesve të rrezikut të lartë.” Thënë troç, nëse vendet e Ballkanit Perëndimor janë serioze për integrimin në Bashkimin Evropian, ato duhet t’i ndjekin rregullat e BE-së mbi teknologjinë digjitale.

Mikja më e ngushtë e Kinës në Ballkanin Perëndimor

Serbia është partneri më i afërt i Kinës në Ballkanin Perëndimor dhe kjo pasqyrohet në qasjen e vendit ndaj teknologjisë kineze. Përderisa Serbia dhe NATO janë pajtuar për një plan veprimi të partneritetit individual, Serbia nuk e ka mendjen që së shpejti të bëhet anëtare. Në anën tjetër, Serbia kërkon aktivisht anëtarësimin në Bashkim Evropian. Ajo është kandidate që prej vitit 2012, ndonëse procesi i hyrjes është ngadalësuar mjaft vitet e fundit. Entuziazmi i Bashkimit Evropian për pranimin e anëtarëve të rinj ka rënë dukshëm dhe prapakthimi demokratik i Serbisë e bën kandidaturën e tyre edhe më pak joshëse. Ndonëse Serbia ende pretendon se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është objektivi i saj parësor në politikën e jashtme, paqartësia e procesit të hyrjes në BE ka hapur dyert e ndikimit nga fuqitë tjera – sidomos nga Kina.

Përgjatë dhjetëvjeçarit të fundit, Kina ka bërë përparime të rëndësishme mes elitave politike e biznesore në Serbi. Më 2016, Serbia dhe Kina nënshkruan një marrëveshje gjithëpërfshirëse të partneritetit strategjik. Politikanët kryesorë serbë dhe mediat proqeveritare kanë promovuar narrativin e “miqësisë së hekurt” mes dy vendeve. Të dhënat nga viti 2020 tregojnë se shuma e kontratave të nënshkruara me bankat kineze me qëllim të avancimit të infrastrukturës serbe kanë tejkaluar shifrën prej 7 miliardë dollarësh.

Lidhjet strategjike dhe ekonomike me Beogradit dhe Kinës kanë bërë të mundur rritjen e bashkëpunimit në sferat digjitale dhe të telekomunikacionit. Huawei ka ndërtuar selinë rajonale në Beograd dhe është partner i kahershëm i ndërmarrjes shtetërore të telekomunikacionit Telekom Srbija. Gjiganti digjital kinez është parë gjithashtu si kandidati kryesor për lansimin e 5G-së në Serbi, para se qeveria serbe të shtynte nisjen e procesit pas presionit nga Shtetet e Bashkuara.

Presioni erdhi pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiq nënshkroi “Marrëveshjen e Uashingtonit” në shtator të vitit 2020, e cila përfshinte një nen për ndalimin e përfshirjes së ardhshme dhe largimin e pranisë së tashme të “tregtarëve të pandershëm” nga rrjeti 5G. Serbia e arsyetoi vonesën me “arsyet ekonomike të shkaktuara nga pandemia COVID-19.” Sidoqoftë, arsyeja kryesore për këtë vendim ishte shqetësimi i qeverisë për pasojat e mundshme nga Perëndimi në qoftë se Serbia nuk do ta kufizonte pjesëmarrjen e mundshme të firmave kineze në shpalosjen e 5G-së në vend.

Përkundër kësaj pengese, firmat e afërta me Pekinin mbesin faktorë të rëndësishëm në infrastrukturën digjitale të Serbisë. Më 2019, Beogradi shpalosi projektin Qyteti i Mençur, të zbatuar në bashkëpunim me Huawein. Ai përfshin instalimin e 1000 kamerave të sigurisë të pajisura me programe të inteligjencës artificiale për njohjen e fytyrave. Ashtu si Bosnjë-Hercegovina, Serbia ka treguar interes për projektin Qyteti i Mençur.

Përderisa Qyteti i Mençur është një vegë për autoritetet lokale që të ofrojnë shërbime publike më të mira për qytetarët e tyre në nivelin global, qëllimi i programit Qyteti i Mençur është të rrisë sigurinë e qytetarëve dhe komuniteteve lokale. Të dy projektet kanë ngritur shumë shqetësime lidhur privatësinë digjitale, mundësinë e keqpërdorimit të teknologjisë dhe ndikimin mbi të drejtat e njeriut. Çështja kryesore për publikun ka të bëjë më shumë me atë se si do të shfrytëzohet teknologjia nga qeveria e Serbisë – e cila është bërë edhe më autoritare – sesa me identitetin e ofruesit të teknologjisë.

Përveç këtyre projekteve, Huawei ka hapur një qendër të inovacionit në Beograd më 2020 dhe është bërë përdorues komercial i Qendrës Kombëtare të të Dhënave në Kragujevac. Kompania ka nënshkruar gjithashtu një marrëveshje dhe i ka ofruar Serbisë një grant për zhvillimin e platformës së inteligjencës artificiale dhe infrastrukturës ‘cloud’ për Qendrën Kombëtare të të Dhënave. Prania kineze në zhvillimin digjital të Serbisë shtrihet përtej bashkëpunimit me Huawein. Teknologjitë e Hikvision dhe Dahua janë paraqitur gjithashtu, duke ofruar zgjidhje të mbikëqyrjes me video, si për përdorim komercial, ashtu edhe për siguri publike.

Kina dhe pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor

Marrë parasysh lidhjet e ngushta me Serbinë, Kina do ta ketë të vështirë të krijojë avantazhe në Kosovë – rivalin e Serbisë. Pekini nuk ka vendosur marrëdhënie diplomatike formale me Kosovën dhe nuk ka gjasa ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. Gjendja mes qeverive në Prishtinë dhe Pekin do të thotë gjithashtu se nuk do të ketë zhvillim të bashkëpunimit përbrenda Rrugës së Mëndafshtë Digjitale. Kosova është rreshtuar me entuziazëm krah nismës Rrjet i Pastër të Amerikës.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë kufizuar mundësinë e ndikimit kinez në infrastrukturën digjitale, përfshirë rrjetet 5G. Më 2020, të dy vendet iu bashkuan Nismës Rrjet i Pastër, që pasqyron edhe lidhjet e tyre të ngushta me Shtetet e Bashkuara.

Kina ka profil më të lartë në Mal të Zi. Më 2014, ky vend nënshkroi një marrëveshje të huas me bankën kineze Exim për ndërtimin e një pjese të autostradës që do të lidhte bregdetin malazez me kufirin serb. Që atëherë, huaja ka ndikuar në rritjen e jashtëzakonshme të borxhit publik të vendit. Mali i Zi ua mundësoi firmave kineze të marrin pjesë në shpalosjen e 5G-së në vend, por njoftoi se do të përpiqet t’i diversifikojë furnizuesit e saj për ta minimizuar rrezikun për sigurinë.

Bosnjë-Hercegovina nuk e ka kufizuar ndikimin digjital të Kinës. Kryeqyteti i saj, Sarajeva, nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me Huawein për Qytetin e Mençur. Ndonëse marrëveshja do ta përmirësojë aftësitë digjitale të vendit, ajo gjithashtu hap rrugën për mundësinë e keqpërdorimit të të dhënave personale, ndërhyrjen në privatësinë e qytetarëve dhe në raste të veçanta kontrollin e përgjithshëm të jetëve të tyre ashtu si në sistemin e kreditit social që ka hyrë në funksion në Kinë. Huawei ka prani të fuqishme në sistemin e telekomunikacionit në vend, si dhe ka qenë i përfshirë në sistemin arsimor përmes bashkëpunimit me Universitetin e Mostarit dhe  programit “Farat për të ardhmen”, që u dedikohet studentëve të teknologjisë informative në vend.

Si duket e ardhmja

Serbia mbetet vatër e Rrugës së Mëndafshtë Digjitale kineze në rajon. Përkundër presionit nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, Serbia ka vazhduar të nxisë zhvillimin digjital në bashkëpunim me firmat kineze. Ky partneritet përbrenda kornizës së Rrugës së Mëndafshtë Digjitale mundësohet nga lidhjet e ngushta mes dy vendeve.

Perëndimi është duke korrur me shumë sukses në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor sa i përket kufizimit të ndikimit digjital në rajon. Shtysat që vijnë nga Perëndimi (sikurse Rrjeti i Pastër) janë duke pasur ndikim dhe kanë luajtur rol në faktin se disa vende nuk janë përfshirë me Kinën në fushën e 5G-së. Vendet që mbështeten më shumë në Shtetet e Bashkuara për sigurinë e tyre dhe që janë më të përkushtuara për t’iu bashkuar BE-së janë më të gatshme që ta kufizojnë ndikimin kinez. Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë shprehur hapur gatishmërinë e tyre për ta larguar Kinën nga infrastruktura ekzistuese digjitale dhe ndalojnë pjesëmarrjen e firmave kineze në zhvillimin e mëtejshëm. Në anën tjetër, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina kanë qenë më mikpritëse ndaj Rrugës së Mëndafshtë Digjitale.

Kina nuk e ka mendjen të largohet nga Ballkani Perëndimor. Përpjekjet e Perëndimit për ta kufizuar ndikimin kinez dhe për të ofruar alternativa të qëndrueshme duhet të vazhdojnë, posaçërisht në vendet si Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina, të cilat mund të jenë të cenueshme ndaj presionit të jashtëm. Një ditë, Kina do të mund të nxjerrë ndikim gjeopolitik prej përfshirjes në infrastrukturën digjitale të rajonit. Perëndimi ka interes ta parandalojë këtë gjë.

***

Ky artikull është marrë nga raporti i shkruar për China Observers në rrjetin e Evropës Qendrore dhe Lindore.

Artikulli origjinal në War on the rocks, më 3 gusht 2021.

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.