Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Shtëpia e Xhafer Devës mes të kaluarës dhe të ardhmes

Shtëpia e Xhafer Devës, një godinë me vlera të veçanta arkitekturale në qendër të qytetit Mitrovicës, e projektuar dhe e ndërtuar para gati një shekulli nga arkitektë e punëtorë austriakë, ka disa vjet që ndodhet pothuajse në prag të shkatërrimit, si pasojë e mungesës së përkujdesjes institucionale, por edhe e zjarrëvenies në pranverë të vitit 2015. Për fat të keq, shumë objekte të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Kosovë janë djegur qëllimisht gjatë këtyre dy dekadave, në mënyrë që në vend të tyre të mund të ndërtohen objekte afariste. Mirëpo, për fat të mirë, ka gati një dekadë që “Shtëpia e Xhafer Devës” figuron në listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje (në kategorinë ‘trashëgimi arkitekturore’ e në nënkategorinë ‘monument’), të përpiluar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Gjatë këtyre viteve ka pasë disa përpjekje nga institucione lokale e qendrore për ta renovuar këtë shtëpi dhe janë kryer disa faza të restaurimit, kryesisht në përforcimin e konstruksionit.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), në bashkëpunim me UNDP-në dhe Zyrën e BE-së në Kosovë, vendosi sivjet që ta renovojë këtë shtëpi. Mirëpo, menjëherë pas publikimit të vendimit për renovimin e saj, reaguan mediat në Sërbi, dhe më e rëndësishmja, më pas reagoi edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, i cili tha se është: “Shumë i shqetësuar për planet e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, një bashkëpunëtor/protagonist i njohur nazist i divizionit famëkeq SS Skanderbeg” Për të shtuar se “Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas. Mbrojini Faktet”. Kjo bëri që UNDP-ja në Kosovë dhe Zyra e BE-së në Kosovë të tërhiqen nga ky projekt (por, për fat të mirë, jo edhe MKRS-ja), si dhe të ndezet një debat i fortë për figurën e Xhafer Devës.

Cilat janë planet për restaurimin e “Shtëpisë së Xhafer Devës” që e shqetësuan aq shumë ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë? Nëse plani i Qeverisë së Kosovës parasheh që pas renovimit, një pjesë e kësaj shtëpie të shërbejë si hapësirë për Qendrën Regjionale të Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë, kurse pjesa tjetër si hapësirë për ngjarje kulturore e komunitare, atëherë përse ambasadori i Gjermanisë në Kosovë duhet të shqetësohet? Madje, edhe nëse plani i Qeverisë së Kosovës do të ishte që një pjesë e hapësirës së kësaj shtëpie të bëhej Muze për Xhafer Devën, përse do të duhej të shqetësohej ambasadori? Sepse Xhafer Deva ishte bashkëpunëtor a protagonist i njohur nazist i divizionit famëkeq SS Skanderbeg?

Është e vërtetë se Xhafer Deva kishte bashkëpunuar me trupat gjermane të stacionuara në hapësirat e banuara kryesisht me shqiptarë. Noel Malcolm në “Kosovo – a short history” (faqe 293-295) tregon se në prill të vitit 1941, bashkë me udhëheqësit lokalë në Mitrovicë Deva ishte takuar me komandantin e divizionit gjerman, gjeneralin Friedrich-Georg Eberhardt dhe kishte arritë një marrëveshje për katër fusha: arsim, administratë, polici dhe gjyqësi. Sipas kësaj marrëveshjeje, parashihej që shqiptarët të kishin të drejtë të organizonin arsimin sipas vullnetit te vet dhe për dy vjet vetëm në Mitrovicë qenë hapë 40 shkolla shqipe.

Në fushën e administratës, Xhafer Deva ishte emëruar Kryetar i Mitrovicës (pozitë kjo që më parë e mbante babai i tij Ibrahim Deva), me të drejtën që me dekret të emëronte nëpunësit, duke përfshirë edhe nëpunësit sërbë në bazë të përqindjes që sërbët kishin në regjionin e Mitrovicës. Ndërkaq, në fushën e gjyqësisë, gjermanët kishin lejuar themelimin e këshillave të pleqve ose të bajraktarëve, të cilët në përputhje me traditat shqiptare kishin vendosur rregulla të bazuara në sheriat dhe në kanun, për t’i zgjidhur problemet e gjakmarrjes – vetëm në verë të vitit 1944 u zgjidhën 652 ngatërresa. Një tjetër element i kësaj marrëveshjeje qe themelimi i një force policore shqiptare, e cila kishte 1000 pjesëtarë, nën komandën e Pajazit Boletinit, të birit të Isa Boletinit.

Temë tjetër diskutimi gjatë takimit Deva-Eberhardt ishte edhe dëbimi i kolonistëve sërbë e malazezë nga Kosova dhe konfiskimi i tokës që u ishte dhënë atyre në periudhën në mes të dy luftërave botërore, përmes të të ashtuquajturës ‘reformë agrare’, me ç’rast Eberhardt kishte premtuar se do të ndihmonte largimin e tyre, por kjo duhej bërë ‘në mënyrë paqësore e të arsyeshme’. Forcat gjermane jo vetëm që e kishin lejuar këtë, por edhe kishin urdhëruar kolonistët që të largoheshin nga Kosova brenda 24 orëve. Madje, kur Kryetari i Qeverisë së Sërbisë, Milan Nedić, dha dorëheqje në shkurt 1944, një prej arsyeve të dorëheqjes permendi dështimin e trupave gjermane për ta ndalë dëbimin e kolonistëve sërbë e malazezë nga Kosova.

Shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk kishin qenë lojal ndaj regjimit jugosllav gjatë periudhës mes dy luftërave botërore për shkak të shkeljes drastike deri edhe të të drejtave themelore të njeriut, prandaj ata e kishin parë pushtimin e Fuqive të Boshtit si çlirim. Siç thotë edhe Noel Malcolm në librin e tij “Kosovo – a short history”, kolaboracionizmi kishte ekzistuar në disa nivele, por motivi nuk kishte qenë simpatia ideologjike për fashizmin ose nazismin, as ndonjë interes për qëllimet e luftës së Fuqive të Boshtit, por dëshira për ta shfrytëzuar rastin e shpërbërjes së Jugosllavisë e për të marrë pushtetin në Kosovë dhe për t’i përmbysë politikat sllavizuese e kolonizuese të dy dekadave paraprake.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë e implikon Xhafer Devën në krimet kundër hebrenjve kur thotë se ai ‘ishte bashkëpunëtor përkatësisht protagonist i njohur nazist i divizionit famëkeq SS Skanderbeg’ dhe kërkon nga ne që ‘të mos e shtrembërojmë të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas’. Fillimisht duhet thënë se themelimin e Divizionit SS Skanderbeg e kishte shpallë Adolf Hitler në fillim të vitit 1944, kurse divizionin e kishte komanduar August Schmidhuber. Ky divizion që kishte operuar kryesisht në territorin e Kosovës së sotme, përbëhej edhe nga rekrutë prej popullatës civile, të burgosurve të luftës, si dhe ushtarëve shqiptarë që kishin shërbyer më parë në divizionin Handžar në Bosnjë. Lista e civilëve shqiptarë në këtë divizion ishte organizuar në bashkëpunim të ngushtë me institucionet kukull të shtetit shqiptar, kryesisht me Ministrinë e Mbrojtjes.

Ky divizion, ndonëse kishte veprim të kufizuar edhe për arsye se paria shqiptare e kishte penguar rekrutimin në të, siç e thotë në raportin e tij komandanti August Schmidhuber, ishte i zhytur në krime, përfshi ndaj hebrenjve. Noel Malcolm thotë se në mesin e majit 1944, disa prej trupave të SS Skanderbeg marrin pjesë në episodin më të turpshëm të historisë së kohës së luftës në Kosovë: në grumbullimin dhe dëbimin e 281 hebrenjve (faqe 310), megjithëse për këto krime ai nuk i akuzon askund shqiptarët e as Xhafer Devën, meqë këto akuza nuk mund të bëhen kaq të rënda pa pasë dëshmi, të forta madje.

Sido që të jetë, Xhafer Deva nuk kishte jetuar në shtëpinë që do të renovohet, e që qysh pas Luftës së Dytë Botërore është pronë shtetërore , dhe nuk ka asnjë dëshmi se në të janë kryer krime: por edhe sikur të kishte jetuar në të dhe edhe sikur të ishin kryer krime në të, kjo nuk do të thotë se shtëpia s’do të duhej të renovohet dhe se një pjesë e saj s’do të duhej të ishte muze kushtuar jetës e veprës së Xhafer Devës. Na duhen hulumtime nëpër arkivat shqiptare, sërbe, turke, gjermane, angleze, amerikane, e me radhë, si dhe publikime shkencore e muze për ta mësuar historinë e kësaj periudhe: A ishin pjesëtarët shqiptarë të Divizionit SS Skanderbeg të përfshirë në krime ndaj hebrenjve? A kishte ndonjë rol Xhafer Deva në këto krime dhe nëse po, çfarë ishte? Po ashtu, duhet ta dimë: a u dëbuan kolonët sërbë e malazezë nga Kosova në mënyrë paqësore? A u dëbuan edhe sërbët dhe malazezët që ishin autoktonë në Kosovë? Si u trajtuan përgjithësisht pakicat etnike, fetare e gjuhësore në Kosovë gjatë kësaj periudhe? Si u trajtuan kundërshtarët politikë: komunistët shqiptarë e sërbë, çetnikët sërbë, pjesëtarët e organizatave kombëtariste pro-angleze ‘Balli Kombëtar’ dhe ‘Legaliteti’, e kështu me radhë.

Për fund, siç e kishte thënë diku edhe Ambasadori Jörn Rohde, kultura e kujtesës dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore duhet të shfrytëzohen si mundësi për t’u marrë me të kaluarën në mënyrë të hapur dhe të vërtetë. Nëse Ambasada e Gjermanisë në Kosovë është e gatshme të mbështesë qasje të arsyeshme ndaj kulturës së kujtesës në Kosovë, atëherë ambasadori Rohde duhet të tregojë me shembullin e vet se është i interesuar për ta zbardhë historinë, për të mos e shtrembëruar të vërtetën dhe për t’i mbrojtë faktet.

Author

  • Shkëlzen Gashi

    Shkëlzen Gashi ka studiu Shkencat Politike në Universitetin e Prishtinës, kurse magjistraturën për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në programin e përbashkët studimor të Universiteteve të Bolonjës dhe të Sarajevës. Është autor i shumë botimeve (librave dhe artikujve). Në vitin 2010 ka botuar biografinë e paautorizuar të Adem Demaçit, i cili ka kaluar 28 vjet nëpër burgjet jugosllave. Kohët e fundit, ka botu shumë artikuj brenda e jashtë vendit rreth historisë së Kosovës në tekstet mësimore të historisë në Kosovë dhe në vendet përreth Kosovës – Shqipëri, Sërbi, Mal të Zi dhe Maqedoni. Po ashtu, tani është duke shkruar biografinë e Ibrahim Rugovës, udhëheqësit të shqiptarëve të Kosovës 1989-2006.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.