Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Shteti i kapur që mbahet gjallë me aparat

Të premten e kaluar (më 29 maj 2020), Delegacioni i Komisionit Evropian në Bosnjë dhe Hercegovinë organizoi debat publik për përvjetorin e Opinionit mbi Aplikimin për Anëtarësim në BE të Bosnjës e Hercegovinës. Debati ishte i qasshëm përmes Zoom-it dhe pjesëmarrësit diskutuan për zhvillimet e nevojshme karshi 14 fushave me prioritet kyç që lidhen me demokracinë, sundimin e ligjit, administrimin publik dhe të drejtat themelore.

Gjatë asaj kohe, vetëm disa kilometra më tej, Fadil Novaliq, kryeministri i entitetit boshnjak të njohur si Federata e Bosnjës e Bosnjës e Hercegovinës, Fahrudin Sollak, drejtori i Departamentit Federativ të Mbrojtjes Civile dhe Fikret Hoxhiq, një ndërmarrës i ri, mbaheshin në hapësirat e Agjencisë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA) ku merreshin në pyetje për prokurimin e dyshimtë të 100 respiratorëve kinezë për 10,5 milionë KM (rreth 5,25 milionë euro). Ka pasur arsye të besohet se kanë përdorur paratë e Qeverisë për Departamentin Federativ për të prokuruar (gjë që nuk është në autoritet të kësaj agjencie) përmes kompanisë së Hoxhiqit 100 respiratorë të shënuar me Beijing Aerospace Changfeng ACM812A, të cilët nuk janë të përshtatshëm për shfrytëzim në Repartet Emergjente të spitaleve, kështu duke i bërë plotësisht të papërdorshëm për trajtimin e gjendjeve të rënda që shkaktohen nga Covid-19. Kompania e Hoxhiqit nuk ka licensë për të prokuruar pajisje dhe furnizime mjekësore dhe puna kryesore që bën është në prodhimin dhe përpunimin e pemëve.

Kjo është vetëm njëra nga aferat e lidhura me vjedhjen e parasë publike gjatë pandemisë. Veç kësaj, ndër to më interesantja është prokurimi i spitalit mobil për gati 2,5 milionë euro nga Republika Serbe, entiteti tjetër në Bosnjë e Hercegovinë, që përshkruhej prej një lideri të opozitës si çadër dasme. Nëse shtojmë prokurimin e dyshimtë të testeve për Covid-19 nga një kompani e regjistruar për tregti orendish, prokurimin e maskave mbrojtëse dhe mburojave të fytyrës për çmime që janë dukshëm më të mëdha sesa vlera e tyre, prokurimin e veshjeve mbrojtëse prej najloni për çmimin e rrobave që janë po aq të shtrenjta sa ato që vishen për mbrëmje të maturës dhe prokurimin e termometrave të dorës që kushtojnë sa një televizor secili… duket se nuk ka qenë vetëm një prokurim publik që nuk është përdorur si mundësi për shpërdorim të pushtetit dhe të parasë publike në kohë pandemie.

Por, si lidhet kjo me përvjetorin e Opinionit mbi Aplikimin për Anëtarësim në BE të Bosnjës e Hercegovinës? Si duket nuk lidhet fare, nuk ka kurrfarë lidhjeje, përveç asaj që seanca dëgjimore e hetimit të Kryeministrit është mbajtur në përvjetorin e publikimit të dokumentit që deklaronte se prokurimi publik është një ndër fushat kyçe ku Bosnja dhe Hercegovina duhet të fokusohet në adresimin e luftës ndaj korrupsionit.

Thuhet qartazi në pjesën e Opinionit që merret me korrupsionin: “të gjitha nivelet e qeverisë japin shenja të kapjes politike që ndikon drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve, sidomos në shëndetësi, në arsim, në punësim dhe në prokurim publik”. Nëse shikojmë cilat fusha njihen dhe theksohen si pika kyçe neuralgjike për luftimin e korrupsionit në BeH, zyrtarët e Brukselit që kanë punuar në këtë dokument, pas kësaj që kemi parë gjatë pademisë, kanë të drejtën e plotë të ndihen si vizionarë.

Prej katër fushave të korrupsionit në BeH, të cilat theksohen nga Komisioni Evropian, se paku tri nga to u kanë ofruar qytetarëve përvojën tipike të korrupsionit dhe të munesës së plotë të kuptimit të qeverisë dhe nevojave të qytetarve. Krahas aferave të prokurimit publik, KE-ja kishte të drejtë kur tha se ka probleme në sektorin e shëndetësisë dhe sidomos në atë të punësimit, kryesisht në emërimin e personave që priren të merren me korrupsion dhe që nuk kanë ekspertizë në pozitat përmes së cilave mund t’i rrezikojnë jetët e qytetarëve.

Përveç përcaktimit tmerrësisht të saktë të fushave që u konfirmuan si të prirura për korrupsion gjatë pandemisë, po aq interesante është edhe pjesa e citimit prej Opinionit ku thotë se të gjitha nivelet e qeverisë shfaqin shenja të kontrollit politik (në boshnjakisht). In the latest origjinalin e Opinionit në anglishte thotë: “të gjitha nivelet e qeverisë shfaqin shenja të kapjes politike”, domethënë shprehja “kapje politike” është përkthyer si “kontroll politik”, duke e humbur kuptimin e vërtetë të mesazhit gjatë përkthimit.

Kapja politike është shumë më shumë sesa kontrolli politik dhe në kuptimin e saj të plotë, kjo shprehje lidhet tërësiht me shtetin e kapur. Ka shumë përkufizime për këtë term dhe ato zakonisht përshkruajnë se shkalla e korrupsionit në qeveri rrezikon procesin e vendimmarrjes, i cili është plotësisht nën kontroll të interesave të caktuara të individëve ose grupeve. Shteti i kapur është prioritizimi i interesave private mbi interesat e komunitetit me çdo çmim, dhe përveç nëse ia del t’i zgjidh interesat kaq të korruptuara, ai humb aftësinë për t’i adresuar nevojat themelore të qytetarëve dhe transformohet në diçka që njihet si shtet i dështuar.

Meqë ishim të vetëdijshëm se çfarë do të shpërfaqte pandemia Covid-19 para një viti, kur vizionarët e Komisionit Evropian shpallën Opinionin e tyre, duhet të pyesim përse janë njerëzit kaq të habitur me shkallën e krimit që është kryer prapa maskës së merakut për gjendjen e shëndetit publik dhe me pashpirtësinë me të cilën e vënë atë në pazar. Me prezumimun e pafajësisë është e pamundshme të mos ngrihet pyetja – a u ka shkuar ndonjëherë mendja të përfshirëve në aferën e respiratorëve kinezë se çfarë do të kishte ndodhur nëse infeksioni Covid-19 do të shpërndahej në një shkallë aq të lartë sa mbijetesa e njerëzve do të varej prej respiratorëve të papërdorshëm?

Mbase vetëm humbja e jetëve njerëzore do t’i shtynte elitat e korruptuara politike të Bosnjës e Hercegovinës t’i pranonin rekomandimet e Brukselit e jo t’i shpërfillnin, siç bëjnë zakonisht, si dhe të kuptonin se si zbatimi i tyre është i domosdoshëm për vendin dhe qytetarët e tij. Ende na duhet të presim për ta parë epilogun gjyqësor të kësaj afere dhe nëse ndonjëra prej 14 parakushteve për hapjen e negociatave me BE-në do të përmbushen në muajt dhe vitet në vijim. Sidomos ato që lidhen me krimin e organizuar.

Deri atëherë, shteti do të duhet të mbijetojë, i kapur apo jo – Bosnja dhe Hercegovina do t’i marrë 300 milionë euro prej 3,3 miliardë sosh nga BE-ja si pjesë e pakos së mbështetjes për shtetet rajonale për adresimin e pasojave të pandemisë. Ndryshe nga kërkesat dhe rekomandimet, grantet dhe kreditë gjithmonë janë mirëpritur nga elita politike e BeH-ut, sepse iu duhen ashtu siç i duhet respiratori një të sëmuri me Covid-19. Është detyra e qytetari të këtij vendi të imagjinojë nëse Bosnja dikur do të rimëkëmbet mjaft për ta hequr nga aparti dhe për ta lejuar të marrë frymë.

—-

Në muajt në vijim, bashkëpunimi në mes të platformave online Remarker dhe Sbunker do të sjellë një seri analizash që kanë për qëllim nxitjen e debatit të hapur e kritik mbi situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pas qëndrimeve të fundit nga Franca, një ndër shtetet anëtare me më së shumti ndikim në BE, rajoni po përballet me një ndër sfidat më të vështira të tri dekadave të fundit, prej kur shtetet e Ballkanit Perëndimor filluan rrugën e tyre të vështirë, fillimisht duke kaluar nëpër konflikte dhe pastaj në procesin e demokratizimit dhe integrimit evropian.

Qëllimi i Remarker dhe Sbunker është të krijojë njohje më të mirë të çështjeve aktuale në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe rritjen e vetëdijes mbi proceset e integrimit evropian, atë të demokratizimit dhe sundimit të ligjit, si kushtet kryesore për arritjen e paqes afatgjatë dhe stabilitetit në rajon. 

—–

Shkrimin në gjuhën serbe mund ta gjeni këtu, ndërsa në gjuhën angleze këtu.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.