Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Si e njoha shëndetësinë përmes fatkeqësisë familjare?

Pasditen e 16 qershorit 2015, mora një telefonatë nga anëtarët e familjes të cilët më thoshin urgjentisht të shkoja në Qendrën Emergjente të Spitalit Regjional në Gjilan. Aty ishte shtuar babai im, pas një sulmi në tru. Për herë të parë po përballeshim me një rast aq të rëndë shëndetësor. Po ashtu, për herë të parë, familja ime po përballej me sistemin shëndetësor në këtë shkallë emergjente.

Problemet filluan që në çastet e para të pranimit në Emergjencë. Listës së barnave që duhej blerë, farmacisti i ishte përgjigjur me një listë krejt tjetër të barnave. Pasi mjeku kujdestar pa barnat dhe kërkoi që t’i kthehen, “çuditërisht” farmacisti posedonte edhe barnat e përshkruara nga mjeku, por të cilat nuk e kishte parë të arsyeshme t’i shiste herën e parë. Për të, më me rëndësi ishte profiti që do e merrte nga kompania së cilës i promovonte barnat.

Në mungesë të një autoambulance, transferimi i prindit nga Emergjenca në repartin e Neurologjisë u shty për orë të tëra. Insistimit tim se kur do të mbërrijë autoambulanca, njëri nga stafi mjekësor u përgjigj se “autoambulanca vjen q’atëherë kur të vinë.” Më vonë kuptova se Spitali i Gjilanit kishte tri autoambulanca, dy prej të cilave ishin në shërbim, e njëra kishte probleme teknike.

Zhgënjimi ynë për vonesën e autoambulancës, u zëvendësua me dëshpërimin kur pamë ambientet dhe shtretërit në repartin e Neurologjisë. Dhomat me nga tre shtretër ishin të mbushur me pacientë. Tre apo katër anëtar të familjes së pacientit qëndronin pranë çdo shtrati. Dritarja tek koka e pacientit nuk mbyllej si pasojë e bravës së prishur, e kundërmimi i tualeteve ndihej kudo. Pacientët që kanë pësuar sulm në tru kanë nevojë për qetësi. E aty vetëm qetësi nuk kishte.

Nata ishte pjesa më e vështirë e qëndrimit në spital, si për pacientin ashtu edhe për anëtarët e familjes. Natën nuk kishte mjek kujdestar. Stafi tjetër mjekësor, të cilëve u kishte rënë hise që të kujdestaronin natën, mbylleshin në njërën nga dhomat e repartit, për të fjetur deri në mëngjes. Aty kah mesi i natës, edhe roja fillonte të kotej.  Të vetmit që nuk flinin ishin  familjarët e pacientëve, të cilët me ndërrime kujdestaronin pranë pacientëve dhe kujdeseshin për nevojat e tyre.

Mëngjesi fillonte duke u ndërruar stafi i repartit. Roja zëvendësonte rojën. Infermierët zëvendësonin infermierët. Anëtarët e familjes ndërroheshin  me anëtar të tjerë. Vetëm mjeku ishte ai që nuk zëvendësonte askënd, ngase nuk kishte asnjë mjek që kishte marr mundin të qëndronte natën në repart.

Për stafin mjekësor, dita e re fillonte në kuzhinë. Era e specave të pjekur shpërndahej në korridoret e dhomat e repartit. Tek pas mëngjesit, mjeku bënte kontrollin e pacientëve. Vetëm pas 16 orësh nga shtrimi në spital, babait tim iu bë për herë të parë incizimi i kokës për të vlerësuar pasojat, që kishte sjellë sulmi i një dite më parë.

Bartja e pacientëve nga dhomat e spitalit deri tek Radiologjia ishte sfidë në vete. Përkundër asaj se objekti i Neurologjisë ishte një objekt i ri, projektuesit e objektit nuk kishin arritur ta dizajnonin repartin në atë mënyrë që pacientët – të cilët duhej të kryenin CT-në – të mos kishin nevojë të lëshonin hapësirat e spitalit. Në vend të kësaj, pacientët duhej të dilnin jashtë objektit dhe të silleshin nëpër oborr të spitalit për të arritur tek Radiologjia, e cila në fakt ishte vetëm një kat më poshtë të së njëjtës ndërtesë.

Për gjendjen e pacientëve mjekët nuk merrnin mundin të informonin familjarët. Në mungesë të komunikimit, familjarët e pacientëve krijonin tollovi dhe kërkonin informata për shëndetin e anëtarëve të tyre të familjes. Mungesa e informimit në fakt ishte gjëja më frustuese.

Pas shumë kohësh, arrita ta takoja mjekun që po trajtonte babanë tim. Atij ia shpreha zhgënjimin me menaxhimin e spitalit, sjelljen e stafit mjekësor dhe kaosin në atë repart. Unë jam përgjegjës vetëm për trajtimin profesional të pacientëve dhe dhënien e diagnozës, ishte përgjigja e tij. Menaxhimi i qendrës dhe sjellja e motrave nuk ishte në interes të tij. Madje, ai m’u kthye me akuza edhe mua. “Nuk po bëni mjaft presion atje ‘nalt’ për të mos lejuar që gjëra të tilla të ndodhin, atje ku politika punëson njerëz që nuk i japin përgjegjësi askujt.” Nga zyra e mjekut dola me faj më shumë unë se ai.

Për shkak të gjendjes së rëndë të babait, bartja e tij në një qendër tjetër shëndetësore ishte e vështirë. Duhej të bartej me autoambulancë dhe nën mbikëqyrje të personelit shëndetësor. Por edhe nuk ekzistonin alternativa më të mira brenda Kosovës ku mund të merrte trajtim më dinjitoz e më profesional. QKUK është në të njëjtën gjendje, kurse për një spital tjetër privat që ofronte shërbimet e neurologjisë, askush nuk na garantonte se do ofronin trajtim më profesional.

Pas insistimeve, Qendra Spitalore pranoi që të bartte prindin tim deri në Shkup me autoambulancë, por së pari duhej të prisja deri sa të servisohej teknikisht autoambulanca e vetme, e cila posedonte sigurim për të lëvizur në Maqedoni. Spitali nuk mund të siguronte dikë nga personeli mjekësor që ta shoqëronte pacientin. Bartjen pa mbikëqyrje duhej ta merrnim përsipër vetë. Çfarë edhe bëmë.

Në Shkup, babai im qëndroi vetëm një javë dhe pastaj u lirua për t’u trajtuar në shtëpi. Terapia profesionale që mori në Shkup nuk dallonte nga ajo që na dha mjeku në Gjilan. Por trajtimi ishte dinjitoz.

Ajo nga çfarë lëngon sistemi shëndetësor në Kosovë nuk është profesionalizmi i mjekëve, e as mungesa e buxhetit. Madje, buxheti për shëndetësinë është rritur me 124 % në shtatë vitet e fundit. Pagat e mjekëve janë rritur mbi 100% dhe kujdestaria e natës paguhet më mirë e më me rregull. Problemi qëndron te keqmenaxhimi, korrupsioni, mungesa e etikës profesionale e nepotizmi.

Qendrat spitalore e repartet në Kosovë duken si institucione pa zot shtëpie. Në to mbizotëron kaosi. Tenderët dhe korrupsioni bëjnë që objektet spitalore të mos plotësojnë kushtet minimale për punë. Nepotizmi e ndikimi partiak bën që si personel shëndetësor të punësohen persona të paaftë, të cilët nuk i japin llogari askujt. E ndikimi i bizneseve farmaceutike bën që farmacitë të shesin barnat e tyre, madje edhe kur nuk përshkruhen nga mjeku.

Për reformim thelbësor të sistemit shëndetësor nuk mjafton vetëm rritja e buxhetit. Sistemi shëndetësor ka nevojë për menaxhim më të mirë. Qendrat spitalore janë shumë të rëndësishme për t’u lënë në dorë të “Dajës Curr” e njerëzve që duhet t’i rehatojë politika. Shëndetësisë në Kosovës nuk i duhen investime kapitale për t’i blerë xhip drejtorit  në vlerë prej 70 mijë eurove.

Për të qenë konkurrues me spitalet në rajon dhe spitalet private në Kosovë, sistemi publik shëndetësor duhet të aplikojë edhe pagesa shtesë për shërbimet që ofrojnë spitalet publike. Po ashtu, për të motivuar mjekët dhe personelin shëndetësor në përgjithësi, nevojitet që të aplikohen pagesat në bazë të punës dhe të meritave. Tani, me një pagesë të njëjtë për punë jo të njëjtë, sistemi shëndetësor dekurajon profesionistët dhe ata të cilët janë më të angazhuar.

E ata që duhet të kujdesen për një sistem më të mirë shëndetësor nuk janë pacientë të këtij sistemi. Politikanët dhe familjarët e tyre trajtohen jashtë vendit, madje me para të shtetit. Kështu bëri ish kryetari i Komunës së Ferizajt. Pas aksidentit që ai shkaktoi, viktima e tij u la të trajtohej në spitalet vendore, kurse Bajrush Xhemajli u bart për shërim jashtë vendit dhe për këtë Qeveria ndau buxhet.

Menjëherë pas rënies së komunizmit, regjisori më i famshëm polak Krzysztof Kieslowski, përkundër mundësive financiare që të kurohej jashtë vendit, preferoi që të operohej në spitalet polake, duke arsyetuar se nuk do ishte e drejtë që ai të ketë trajtim, për të cilin nuk mund ta marrin pjesa më e madhe e polakëve. Operimi në spitalet polake i kushtoi me jetë. Por, shembulli i tij bëri që shëndetësisë në Poloni t’i kushtohej më shumë kujdes.

Në Kosovë, jo vetëm qeveritarët, por as vetë menaxherët e shëndetësisë nuk i besojnë shëndetësisë që ata e menaxhojnë. Ish drejtori i Qendrës Klinike Universitare në Kosovë kishte zgjedhur një spital privat që të kryente operimin në zemër. Para disa javësh, vetë Ministri i Shëndetësisë intervenoi që një basketbollist i Kosovës të trajtohej në Shkup e jo në Prishtinë.

Përkundër avancimeve të fushën e shëndetësisë, sëmundja e vdekja nuk mund të shmangen. Por mjekët dhe sistemi shëndetësor në përgjithësi duhet të sigurojnë që çdo pacient të trajtohet me dinjitet. Trajtimi dhe vdekja dinjitoze duhet të jenë fokus i punës së mjekëve dhe qendrave spitalore,” shkruan Atul Gawande në librin e tij Being Mortal.  

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.