Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Si të mos bësh aleatë dhe të ndikosh gjeopolitikën (I)

Qeverisja vetëshkatërruese ekonomike e Kinës.

Shpesh thuhet se Kina e ka përsosur artin e qeverisjes ekonomike. Vëzhguesit brengosen vazhdimisht se duke u bërë arrogante me fuqinë e saj ekonomike gjithjnë në rritje e sipër, vendi po ia arrin të blejë vullnetin e mirë dhe ndikimin. Gjatë pandemisë COVID-19, Pekini ka eksploatuar dominancën e tij në zinxhirin e furnizimit të tekstilit për të fituar favore duke dhuruar maska dhe vaksina për vendet e huaja. Gjithashtu, ka kohë që shfrytëzon subvencionet e padrejta shtetërore për të ndikuar që fusha e lojës të jetë në dobi të firmave kineze.

Pekini gjithashtu ka armatosur marrëdhëniet e zgjeruara tregtare. Më 2013, Kina tejkaloi Shtetet e Bashkuara si tregtarja më e madhe globale dhe tash është burimi kryesori i importit për 35 vende dhe destinacioni kryesor i eksportit për rreth 25 vende. Qeveria kineze nuk ka ngurruar të ofrojë qasje në tregun e saj të konsumatorëve në mënyrë që të bëjë presion te qeveritë dhe firmat e huaja që t’i binden dëshirave të saj.

Për shembull më 2019, ajo anuloi vizitën e një delegacioni tregtar në Suedi pasi që shoqata letrare e Suedisë e nderoi me çmin një librashitës të burgosur kinez. Vitin e kaluar, Kina u hakmor ndaj thirrjeve të Australisë për hetim të pavarur në zanafillën e pandemisë COVID-19 duke vendosur tarifa mbi një varg produktesh australiane. Ka shumë që frikësohen se lëvizje të tilla janë vetëm shenjë se çfarë do të ngjajë përderisa Kina mundohet shumë që të shfrytëzojë ndikimin e saj ekonomik për të nëpërkëmbur vendet tjera.

Pjesa më e madhe e tmerrit përqendrohet te Nisma Rrugë dhe Rrip [BRI], një koleksion masiv i projekteve infrastrukturore të financuara nga kinezët, që nga hekurudhuat te portet, të cilën kritikët e portretizojnë si sipërmarrje imperialiste e kohëve moderne. Duke iu referuar BRI-së, zyrtarët amerikanë kanë akuzuar Kinën për përfshirje në “diplomaci të borxhit” [“debt-trap diplomacy”], ku gjoja ngarkon vendet me hua shumë të mëdha dhe pastaj nxjerr koncesione strategjike kur ato nuk janë në gjendje të paguajnë. Shumë prej këtyre zyrtarëve brengosën se në të njëjtën kohë që Kina po mprehë veglat e saj ekonomike, veglat e Shteteve të Bashkuara kanë filluar të topiten, duke harruar se si të shfrytëzojë fuqinë ekonomike për të përfitime strategjike.

Një analizë më e thellë zbulon se performanca e Kinës është shumë më pak mbresëlënëse se sa mendohet shpesh. Pikë së pari, përpjekjet e saj për qeverisje ekonomike kanë hasur shpesh në rezistencë. Në shumë prej 60 vendeve që kanë pranuar investime nga BRI-ja, madje edhe ato vende që kanë pasur më së shumti nevojë për investime kineze, zyrtarët janë ankuar për ndërtime të dobëta, kosto të fryra dhe degradim të ambientit. Pekini është detyruar të mbrohet, me presidentin kinez Xi Jinping që me u përpoq me shumë mund të vëjë theksin te projektet e “cilësisë së lartë” dhe “me çmime të arsyeshme”. Shumë vende kanë kërkuar qasje reciproke në tregun kinez; të tjerat kanë vendosur të tërhiqen plotësisht prej nismave kineze dhe po kërkojnë financim tjetërkund.

Kina ka arritur të zgjerojë masivisht praninë e saj ekonomike përtej kufijve të saj, por deri më tash ka dështuar që ta kthejë këtë prani në ndikim strategjik afatgjatë. Ekonomia kineze ka tërheqje të fortë gravitacionale, por siç është duke kuptuar Pekini, kjo nuk do të thotë doemos se vendet tjera po ndryshojnë orbitën e tyre politike.

Çfarë do Kina

Përgjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, ndikimi global ekonomik i Kinës është rritur pa masë. Më 1995, Kina përbënte vetëm tre përqind të tregut global, por falë rritjes së jashtëzakonshme ekonomike, më 2018 përbënte 12 përqind – më së shumti prej të gjitha vendeve. Më 2020, pjesërisht për shkak të pandemisë, Kina u bë partneri më i madh tregtar i BE-së, duke i zënë vendin Shteteve të Bashkuara.

Investimet e huaja kineze janë rritur shpejtë në një botë në zhvillim, ku firmat dhe bankat kineze kanë derdhur para në Azinë Juglindore, Afrikë dhe Amerikë Latine. Pekini ka ndërmarrë gjithashtu rol udhëheqës aktiv në qeverisja globale ekonomike, ku vetëbesimi u rrit nga ballafaqimi i suksesshëm me krizën globale financiare më 2008. Më 2014, Kina përuroi Bankën e Investimeve në Infrastrukturën Aziatike, një bankë zhvillimore shumëpalëshe me kapitalizimin fillestar prej $100 miliardësh, dhe që prej atëherë është rritur me përfshirjen e më shumë se 100 vendeve. Shumë prej tyre janë partnere tradicionale dhe aleate të SHBA-së që u bashkuan përkundër kundërshtimeve të Uashingtonit.

Çfarë dëshiron të bëjë Kina me këtë fuqi të re ekonomike? Patejdukshmëria e sistemit politik të Kinës e shtyn shumëkë që t’ia atribuojë sjelljen e saj një procesi vendimmarrjeje të centralizuar që ndjekë një strategji koherente, por politikat kineze janë në fakt shpesh produkt i garës dhe kompromisit mes një sërë aktorësh – qeveritë lokale, burokracitë e nivelit të lartë, ndërmarrjet shtetërore, firmat private, etj. Merrni për shembull BRI-në. Çfarë filloi si plan i turbullt dhe i shkapërderdhur, tash ka marrë një formë krejt tjetër, ndonjëherë i rrëmbyer nga qeveritarë oportunistë dhe firma që orvaten të mbushin xhepat e tyre. Shumë prej projekteve përbërëse motivohen më pak prej ndonjë plan të madh strategjik, e më shumë prej tekave të aktorëve individual.

Një tjetër gabim është supozimi se veprimet e Kinës nxiten nga një dëshirë për të eksportuar sistemin politik autokratik dhe sistemin ekonomik etatist. Vërtet që Xi është bërë më shtypës brenda dhe më i vendosur jashtë vendit, por Kina ende shqetësohet më shumë për mbrojtjen e interesave të saj se sa për që të transformojë vendet tjera sipas imazhit të vet. Ndonëse Kina kërkon të transformojë sistemin ndërkombëtar ashtu që të pasqyrojë prioritetet e saj, kjo është shumë larg përpjekjes për të përmbysur rendin në përgjithësi.

Ajo çfarë e shtyn vërtetqeverisjen ekonomike kineze nuk janë planet e mëdha strategjike apo impulse autokratike, por diçka shumë më praktike dhe e menjëhershme: stabiliteti dhe mbijetesa. Qëllimi kryesor i Partisë Komuniste të Kinës është që të prezervojë legjitimitetin e sundimit të saj. Prandaj, qeverisja ekonomike e Kinës shpesh përdoret për të shuar zjarret dhe për të mbrojtur imazhin vendor dhe ndërkombëtar të PPK-së. Kina dëshiron të shkelë me këmbë kritikën dhe të shpërblejë ata që përkrahin politikat e saj. Kjo është posaçërisht e vërtetë kur është puna te çështjet që kanë të bëjnë me sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial (sikurse Tajvani, Tibeti, dhe Detërat e Kinës Jugore dhe Kinës Lindore) dhe punët e brendshme (siç është trajtimi i ujgurëve në Xinjiang dhe menaxhimi i pandemisë COVID-19).

Pekini i qaset në disa mënyra të ndryshme përpjekjeve për të konvertuar aftësitë ekonomike në ndikim gjeopolitik. Kina ka përdorur shpesh madhësinë e tregut të saj vendor për të imponuar kufizimet tregtare mbi vendet që dëshiron t’i ndëshkojë, por këtë e bën me cak dhe në mënyrë simbolike për të minimizuar dëmin në ekonominë e saj. Qeveria kineze vendosi sanksione mbi eksportet e salmonit norvegjez pas pranimit të çmimit Nobel për Paqe që mori disidenti Liu Xiaobo, si dhe bllokoi eksportet e bananës filipinase pas ngritjes së tensioneve në Detin e Kinës Jugore, që të dyja rastet gjoja për shkak të sigurisë së ushqimit.

Ajo gjithashtu ka shfytëzuar madhësinë e saj për të inkurajuar bojkote – duke nxitur konsumatorët kinezë, për shembull, që të mos patronizojë një zinxhir supermarketesh jugkoreane në një përpjekje për të zhbindur Seulin që të pozicionojë sistemin raketor mbrojtës të udhëhequr nga SHBA-ja. Duke shfrytëzuar pozicionin e Kinës si investori dhe prodhuesi i teknologjisë më i madh i huaj, qeveria dhe firmat kineze kanë luajtur rol aktiv në trupat ndërkombëtare që vendosin standardet dhe kanë promovuar eksportin e pajisjesve kineze, posaçërisht të teknologjive të reja – ku disa prej tyre kanë implikime në sigurinë kombëtare, sikurse 5G-ja dhe inteligjenca artificiale.

Mbase vetia më e spikatur e qeverisjes ekonomike të Kinës është përdorimi i shtysave pozitive. Këto shtysa vijnë në dy forma: nën tavolinë, ku Pekini blen liderët politikë përmes marrëveshjeve të jashtëligjshme dhe përmes rrugëve të ligjshme, ku fuqizon grupet e interesit për të lobuar te qeveritë e tyre për marrëdhënie më të afërta me Kinën.

Metoda Subversive

Kina shpesh ofron shtysa ekonomike në mënyra të turbullta dhe të jashtëligjshme që shmangin proceset dhe institucionet politike. Përderisa firmat kineze investojnë gjithnjë e më shumë jashtë vendit, ndërmarrjet shtetërore dhe firmat private, ndonjëherë me miratimin e heshtur të zyrtarëve kinezë, kanë ofruar ryshfet elitave në vendet që pranojnë investimet ose projektet e ndihmës në mënyrë që të lyrësojnë rrotat e burokracisë. Herave tjera, firmat kineze kanë anashkaluar procesin e ofertës garuese dhe miratimit rregullativ për të siguruar kontratë, shpesh me kosto të fryra, duke gjeneruar profit shtesë si për aktorët kinezë ashtu edhe për elitat lokale.

Këto shtysa i quaj “karrota subversive”. Në shumë mënyra, përdorimi i tyre pasqyron ekonominë politike vendore të Kinës, ku bizneset varen nga lidhjet zyrtare, ku korrupsioni është i gjithanshëm dhe ku ka shumë pak rregulla që qeverisin investimet dhe ndihmat e huaja. Hulumtimi im tregon se kjo metodë funksionon më së miri në vendet të cilat kanë pak llogaridhënie publike – ku rrjedhja e informacionit është e kufizuar, dhe ku liderët politikë nuk kanë nevojë të brengosen për opinionin publik apo sundimin e ligjit.

Kamboxha është rast i tillë. Kryeministri i kahershëm Hun Sen dhe familja e tij kontrollojnë ushtrinë, policinë dhe pjesën më të madhe të ekonomisë. Mediat janë mirënhjohëse ndaj qeverisë dhe gazetarët, aktivistët e politikanët e opozitës censurohen vazhdimisht përmes kërcënimit dhe dhunës. Për pasojë, detajet e ndihmës kineze dhe projekteve të investimit në Kamboxha janë të turbullta, por ato pak informata që kanë rrjedhur lënë të kuptojnë se qeveria është e korruptuar prej ndikimit kinez.

Projektet e financuara nga Kina priren të pasurojnë elitat ndërkohë që dëbojnë të varfërit dhe shkatërrojnë ambientin. Në provincën juglindore të Koh Kong, një grup kinez investimesh po ndërton një kompleks masiv zhvillimi që do të përfshijë një resort, një port, një aeroport, termocentrale, zona prodhimtarie dhe rrugë e autostrada – ku të gjitha kapin vlerën prej $3.8 miliardë. Përderisa elitat kamboxhiane kanë shfrytëzuar projektin për të mbushur xhepat e tyre, ndërtimi ka shkatërruar zonat e ndjeshme ekologjike dhe ka detyruar banorët të largohen nga shtëpitë e tyre. Pekini mund të përfitojë nga kjo: resorti duket tepër i madh për numrin e turistëve që mund të tërheqë kjo zonë, por aeroporti dhe porti duken të dizajnuara mirë për t’u shfrytëzuar ushtarakisht nga Kina.

Bujaria e tillë i ka bërë të mundur Kinës që të blejë avokimin e Kamboxhës në emër të tyre – në veçanti, për sa i përket pretendtimeve agresive ujore në Detin e Kinës Jugore. Në një samit të 2012 të Asociacionit të Kombeve të Azisë Juglindore, Kamboxha përdori pozitën e saj si kryesuese e diskutimeve për mosmarrëveshjet rreth Detit të Kinës Jugore dhe për herë të parë në historinë e ASEAN-it, organizata nuk qe në gjendje të lëshojë një deklaratë të përbashkët. Në një moment, ministri i jashtëm i Kamboxhas ndërpreu delegatët që u përpoqën të ngrinin çështjen, ndërsa në një tjetër, ai u largua me vrull nga dhoma kur ata propozuan një deklaratë shumë të butë.

Zyrtarët qeveritarë të cilët i kam intervistuar në rajon e kanë përshkruar sjelljen e Kamboxhas në samit si pasojë e një  “ujdie të pastër monetare” në të cilën Pekini ka blerë qeverinë kamboxhase në këmbim të përkrahjes së saj. Në muajt para takimit, udhëheqësit e lartë kinezë vizituan Pnom Penin, duke ofruar grante dhe hua shtesë për infrastrukturë dhe projekte zhvillimore që kapin vlerën prej qindra miliona dollarësh. Investimi është shpaguar mjaft mirë: që prej 2012, ASEAN është bërë më e përçarë dhe jokoherente, duke lejuar Pekinin që të konsolidojë pozicionin në Detin e Kinës Jugrore, si retorikisht edhe ushtarakisht.

Një dinamikë e ngjashme po zhvillohet në Europën lindore. Qeveritë gjithnjë e më joliberale në Hungari dhe Serbi kanë pranuar me qejf para në këmbim të promovimit të pozicioneve të politikës së jashtme kineze. Një hekurudhë e shpejtë që kalon përmes të dy vendeve, për shembull, mbetet e zhytur në paqartësi, madje edhe përderisa kostot janë fryrë dhe dyshimet janë ngritur për qëndrueshmërinë e saj ekonomike. Një pjesë e projektit po ndërtohet nga ndërmarrja shtetërore kineze që më parë ka qenë në listë të zezë nga Banka Botërore për shkak të parregullsive, ndërkaq pjesa tjetër prej një aleati të korruptuar të kryeministrit hungarez. Si këmbim, Hungaria dhe Serbia janë sjellë me padurim ndaj Kinës.

Hungaria ka nxjerrë deklarata zyrtare që përsërisin pozicionin e Pekinin në Detin e Kinës Jugore, ndërsa presidenti i Serbisë, përveç puthjes së flamurit kinez si falënderim për pranimin e furnizmeve mjekësore në fillim të pandemisë COVID-19, ka shprehur mbështetjen për ligjin shtypës të sigurisë kombëtare të Kinës në Hong Kong. Në Europë, Kina ka shfrytëzuar rastet e tilla si deklaratat publike dhe vetot përbrenda BE-së dhe asnjë vend në rajon nuk ka ndryshuar radikalisht orientimin e politikës së tyre të jashtme. Prapëseprapë, Pekini ka arritur të presë hovin e kritikës ndërkombëtare dhe të nxisë përçarje turpëruese publike për çështjet rreth të cilave vendet europiane dikur ishin të bashkuar.

Subversioni kinez nuk ka bërë punë aq mirë në vendet me transparencë dhe mbikëqyrje më të madhe. Për shembull, Filipinet nën qeverisjen e presidentes Gloria Arroyo, e cila shërbeu prej 2001 deri më 2010 – periudhë kur vendi pati një sektor të gjallë të medias dhe sistem garues politik, përkundër nivelit të lartë të korrupsionit. Nën Arroyo-n, Kina u pajtua të financojë dhe ndërtojë një projekt me vlerë prej $1.6 miliardësh të infrastrukturës hekurudhore dhe të telekomunikacionit.

Shumë prej projekteve u dhanë përmes kontratave pa tenderë me çmim shumë të lartë. Një hekurudhë udhëtarësh e quajtur Northrail, për shembull, dukej se po bëhej hekurudha më shtrenjtë në botë për milje. Kostot për rrjetin kombëtar telefonik, që do të ndërtohej prej ndërmarrjes shtetërore kineze ZTE, u rrit prej $130 milionë në $329 milionë për shkak të rezistencës së lojtarëve kryesorë politikë, përfshirë kryetarin e komisionit zgjedhor të Filipineve dhe bashkëshortit të presidentes. Thua se për të goditur në shenjë, më 2005 firma shtetëore e naftës e Filipineve, nënshkroi një marrëveshje për eksplorimin e resurseve që legjitimoi pretendimet ujore të Kinës.

Megjithatë, të gjitha keqpërdorimet u ekspozuan në media dhe publiku reagoi. Përgjatë viteve 2007 dhe 2008, Senati i Filipineve mbajti 13 dëgjime publike, që kulminuan me një raport të gjatë që bëri përgjegjës politikanët filipinas dhe firmat kineze për korrupsion. Politikanë, aktivistë, dhe grupe të shoqërisë civile organizuan protesta kundër qeverisë në Manila dhe qytete të tjera. Si kundërpërgjigje, qeveria suspendoi dhe rishikoi një varg projektesh të financuara nga Kina dhe disa prej elitave të implikuara u akuzuan dhe u sollën para gjyqit.

Do të ishte e vështirë që fushata e Kinës në Fillipine të konsiderohej si sukses. Më 2010, Benigno Aquino III u zgjodh president përmes një platforme kundër korrupsionit dhe u dëshmua të ishte më dyshues ndaj Pekinit se sa paraardhësja e tij. Ndonëse presidenti i tashëm Rodrigo Duterte ka qenë më i gatshëm për investimet kineze, ai ende është pjesërisht i kufizuar nga ligjvënësit të cilët kanë kërkuar më shumë transparencë dhe nga agjencitë qeveritare që kanë miratuar procedura më të rrepta të mbikëqyrjes. Në fund të fundit, politika e vendit ndaj Detit të Kinës Jugore, për të cilën Kina interesohet më së shumti ka mbetur e pandryshuar: Filipinet kanë këmbëngulur në pretendimet e veta territoriale.

Një prishje e tillë marrëdhëniesh është e zakonshme. Në Australi, Pekini ka përdorur biznesmenët kinezë për të bërë donacione në fushata dhe për të financuar institute akademike në përpjekje për të bindur politikanët dhe zërat e tjerë që të mbështesin pozicionet e Kinës në Detin e Kinës Jugore dhe të drejtat e njeriut. Kundërpërgjigjja qe e shpejtë: më 2017, një politikan i spikatur i cili u akuzua se pranoi fonde kineze dhe i cili u pa si zëdhënës i qëndrimit kinez, u detyrua të dorëhiqej, ndërkaq vitin tjetër, Parlamenti i Australisë forcoi ligjet e vendit ndaj ndërhyrjes së huaj politike. Më 2015, presidenti i Shri Lankës u rrëzua pas dhënies së lejes për projekte të paqendrueshme dhe të korruptuara infrastrukturore kineze me vlerë prej miliarda dollarësh dhe pas tre vitesh, fatin e njëjtë e pati edhe presidenti i Maldiveve.

Diçka e ngjashme ngjau në Malajzi më 2018. Kryeministri i atëhershëm Najib Razak, u zhyt në skandale korruptive rreth keqmenaxhimit të fondit shtetëror të investimeve, disa prej të cilave implikonin investimet e financuara nga Kina në të cilat kostot e kontratave u frynë për të fshehur borxhet e fondit. Votuesit i dhanë partisë së tij një disfatë të madhe në zgjedhjet e atij viti, duke e detyruar që të largohej nga pozita dhe duke shënuar fitoren e parë opozitare në Malajzi, 61 vite pas pavarësisë së vendit. Pasardhësi i tij Mahathir Mohamad shumë shpejt suspendoi një varg projektesh, duke rinegociuar planet për një hekurudhë madhore dhe foli zëshëm kundër veprimeve të Pekinit në Detin e Kinës Jugore – ndryshe prej Najib-it, i cili u dënua më 12 vjetë burgim. Përsëri e përsëri, qeverisja subversive e Kinës ka rënë përtokë në cekëtinat e sistemeve politike llogaridhënëse.

***

Artikulli origjinal në Foreign Affairs, edicioni maj/qershor 2021.

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.