Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Si të niset një epokë e re trans-atlantike

Ministri i jashtëm i Bashkimit Europian shpalos vizionin e tij për një partneritet të ri SHBA- Europë për katër vitet e ardhshme.

Marrë parasysh alternativat, çdokush mund të shohë: Nuk ka çift në skenën ndërkombëtare që mund të krahasohet me partneritetin e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara. As Europa as Amerika do të gjejnë partner madhor më të angazhuar e më të fuqishëm. Pas katër viteve të lëkundshme, është koha për një fillim të ri. Zgjedhja e Joe Biden-it president i SHBA-së na jep rastin që kjo të bëhet realitet.

Kjo nuk do të thotë se do të pajtohemi gjithmonë apo se do të kemi interesa identike. Nuk ka qenë ashtu as para presidentit Donald Trump, as do të jetë ashtu gjatë presidencës së Joe Biden-it. Ajo çfarë kemi është partneriteti i qendrueshem, i mbështetur në vlera të përbashkëta dhe dekada të përvojës së bashkëpunimit. Katër vitet e kaluara kanë qenë të vështirë. Ka disa arsye– demografike, ekonomike, dhe politike – pse trajektorja historike e Shteteve të Bashkuara dhe Europës mund të shkojë në drejtime të ndryshme.

Megjithatë, e çmojmë faktin se të paktën për katër vitet e ardhshme do të kemi një president të SHBA-së që beson në partneritetin me aleatët demokratikë. Jo vetëm se e vlerësojmë ndreqjen e këtyre marrëdhënieve, por edhe e kuptojmë domosdoshmërinë e tyre. Si përfaqësues i lartë i BE-së për punët e jashtme, porosia ime është e qartë: Europa është e vendosur që të shfrytëzojë sa më mirë këtë mundësi. Qëndrimi ynë nuk ka të bëjë vetëm me dëshirat dhe kërkesat, por me ofertat gjithashtu.

Ka shumëçka për të ndrequr, madje edhe më shumë për të ndërtuar së bashku. Edhe SHBA-ja, edhe BE-ja përballen me telashe të polarizimit dhe ndarjeve shoqërore në hapësirat e tyre. Jashtë vendeve, kemi parë se si autokratët dhe përçarësit politikë dëmtojnë sigurinë rajonale dhe rendin global. Kemi pandeminë që po bënë kërdinë, krizën klimatike, fqinjërinë europiane në flakë, dhe garën e ashpër mbi atë se kush do t’i shkruajë rregullat e epokës digjitale.

Ajo që vlen të theksohet është se kapaciteti ynë për të gjetur zgjidhje nuk e ka mbajtur hapin me shpejtësinë dhe shtrirjen e ndryshimit. Në politikë, koha është relative. Sikundër në fizikë, ajo varet nga shpejtësia juaj: nëse bota po ndryshon më shpejt se kapaciteti juaj për t’u adaptuar, atëherë në terma relativë po shkoni mbrapa. Këtë nuk e përballojmë dot.

Presidenti i zgjedhur Biden ka nënvizuar rolin kyç të partneritetit mes SHBA-së dhe BE-së. Europa ka idetë e veta për një agjendë trans-atlantike. Tash duhet të përkthejmë disponimin pozitiv në vepra konkrete. Për këtë qëllim, Komisioni Europian ka propozuar “Agjendën e re BE-SHBA për Ndryshim Global” me angazhim të përbashkët për t’u përqendruar te COVID-19, rimëkëmbja, ndryshimi klimatik, teknologjia, tregu dhe standardet, dhe përforcimi i demokracisë anëmbanë botës. Ministrat e jashtëm të BE-së kanë diskutuar të ardhmen e marrëdhënieve BE-SHBA në takimin e 7 dhjetorit dhe kanë theksuar bashkarisht dëshirën e tyre për agjendë të përbashkët që mbulon tërë spektrin e politikave.

Tash për tash, dua të përqendrohem në politikën e jashtme dhe të sigurisë, dhe të vë në dukje tri gjëra.

Së pari, roli i SHBA-së në sigurinë europiane është tejet i domosdoshëm. Njëkohësisht, ne europianët duhet të kujdesemi më shumë për sigurinë tonë. Prandaj, jemi plotësisht të angazhuar në përforcimin e kapaciteteve mbrojtëse europiane dhe përfshirjen operacionale. Sot kemi 17 operacione të menaxhimit të krizave dhe misione që prej Ballkanit Perëndimor, në Ukrainë, e deri në Sahel e më tej. Gjithashtu po investojmë përmes nismave të ndryshme mbrojtëse të BE-së në përftimin e kapaciteteve të nevojshme.

Debati në terma abstraktë se a duhet të jemi “europianë” apo “trans-atlantikë” është shpërqendrues, duke qenë se këto janë dy anë të se njejtës medalje. Kjo është poashtu arsyeja pse duhet të vazhdojmë punën drejt autonomisë strategjike: një Europë e fuqishme dhe e aftë nuk është rival i aleancës trans-atlantike por parakusht i saj. Na duhen hapa konkretë si për të zgjeruar kapacitetet tona për të vepruar ashtu edhe për t’u bërë më të qëndrueshëm në fushat strategjike.

Prandaj, le t’i lëmë anash debatet abstrakte dhe përqendrohemi tek substanca. Kur vjen puna te siguria europiane, duhet të veprojmë bashkarisht, që të integrojmë tërë Ballkanin Perëndimor në strukturat Euro-Atlantike; të mbështesim sovranitetin dhe reformën e  Ukrainës; të zhvillojmë qasje të paluhatshme dhe konsistente ndaj Rusisë; dhe të parandalojmë largimin e mëtejmë të Turqisë. Në të gjitha rastet, unë shoh nevojën që BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të punojnë këmba-këmbës, ngase mund t’ia dalim vetëm po punuam së bashku.

Përveç kësaj, në periferinë e saj Europa po ballafaqohet me një numër konfliktesh dhe tensionesh, si për shembull në Sahel, në Libi, dhe në Mesdheun Lindor. Në të trija rastet, Europa duhet të jetë e gatshme të udhëheqë, meqë këto probleme kanë të bëjnë më shumë me Europën se me Shtetet e Bashkuara.

Së dyti, e dimë se ngritja dhe rritja e vetësigurisë së Kinës dhe gara me Shtetet e Bashkuara do t’i japin formë tablosë globale. Disa prej sfidave që paraqet Kina duhet të diskutohen mes nesh edhe atëherë kur nuk pajtohemi, që prej asimetrive të vazhdueshme rreth qasjes në treg, deri te çështjet legjitime për sa i përket rrjetit 5G, e deri te orvatjet e Pekinit për të çuar përpara standarde rivale në organizatat shumëpalëshe dhe dobësimit të aksioneve të përbashkëta në raport me të drejtat e njeriut. Dialogu i ri për Kinën i BE-SHBA do të do ofrojë mekanizma kyç për përparimin e interesave dhe menaxhimin e dallimeve tona.

BE-ja është e gatshme të angazhohet dhe të punojë për një qasje të balancuar, duke kombinuar fushat e bashkëpunimit me Kinën, siç është ndryshimi klimatik ku roli i saj si emituesi më i madh në botë i dioksidit të karbonit është thelbësor, me zbythje aty ku paraqitet nevoja. Ne e shohim Kinën, varësisht prej politikave, si partner, garues, dhe rival sistemik. E kemi të qartë se me Shtetet e Bashkuara ndajmë sistemin politik demokratik, të bazuar në vlera thelbësore. Në të njejtën kohë, thellësia e lidhjeve tregtare dhe investimeve të Europës me Kinën është e tillë që ne të mos kemi interes të krijojmë strategji të çkyçjes.

E gjithë kjo duhet të kombinohet me qasje aktive të BE-së në rajonin e gjërë Indo-Paqësor duke punuar me partnerët demokratikë në Azi. Nje prej tipareve më të spikatur të politikëbërjes së BE-së në Azi ka qenë përforcimi i lidhjeve me Japoninë (përfshi Marrëveshjen për Partneritet Ekonomik të vitit të kaluar, që lidh dy prej ekonomive më të mëdha të botës); me Asociacionin e Kombeve të Azisë Juglindore (përfshi nisjen e partneritetit formal strategjik këtë muaj, që tejkalon ngërçin rreth vajit të palmës); dhe me Indinë, Korenë e Jugut, Australinë dhe Zelandën e Re. Ç’është e vërteta, shumë partnerë të afërt na thonë se duan më shumë përfshirje të BE-së. Si ne, edhe ata duan që rendi rajonal të jetë i hapur dhe i bazuar në rregulla, që të shmangen blloqet e mbyllura dhe zgjedhjet binare.

Së treti, duhet të gjejmë mënyrën që Shtetet e Bashkuara t’i ribashkohen marrëvëshjes për armët nukleare me Iranin dhe që Irani t’i bindet plotësisht marrëveshjes. Marrëveshja nukleare ende mbetet shembull i diplomacisë së suksesshme. Kemi punuar me mund që ta ruajmë, dhe kjo ka sjellë benefite të dukshme. Falë marrëveshjes, programi nuklear i Iranit është ende larg prej nivelit para marrëveshjes. Por marrëveshja nukleare i është nënshtruar një presioni të jashtëzakonshëm. Ikja e Shteteve të Bashkuara ka reduktuar dramatikisht benefitet ekonomike që priteshin për Iranin, dhe kjo është arsyeja pse marrëveshja nuk mund arrinte potencialin e saj të plotë. BE-ja dhe Shtetet duhet të prioritizojnë mënyrat për të siguruar që marrëveshja zbatohet nga të gjithë, dhe kështu të rivendosë besimin mes të gjithëve. Kur kjo të arrihet, duhet të jemi të gatshëm të ndërtojmë mbi këtë sukses dhe të gjejmë mënyra për të adresuar çështje të tjera të sigurisë rajonale. Jam i bindur se e vetmja zgjidhje afatgjate për jostabilitetin kronik është zgjidhja rajonale.

Sigurisht se ka shumë çështje e prioritete tjera të politikës së jashtme. Por le të përqendrohemi në këto trijat, që t’i përdorim për të ndezur maqinën e bashkëpunimit trans-atlantik. Sa më larg të arrijmë, aq më ambiciozë mund të bëhemi.

***

Artikulli në Foreign Policy.

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.