Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Si t’i lexojmë zgjedhjet në Turqi?

Më 24 qershor Turqia mbajti për një ditë zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare. Kandidatët kryesorë ishin Rexhep Tajip Erdoani me partinë e tij AKP (Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit, konservatore me afiliim fetar), Muharrem Inxhe nga CHP-ja (Partia Republikane Popullore, partia e Ataturkut, qendër e majtë, sekulariste), Selahetin Demirtashi që garoi nga burgu për HDP-në (Partia Popullore Demokratike, parti e majtë dhe prokurde) dhe kandidatja e vetme grua, Meral Aksheneri nga “?yi Parti” (“Partia e Mirë”, nacionaliste e moderuar, e dalë nga çarja në MHP). Partia tjetër me peshë politike, MHP-ja (Partia e Lëvizjes Nacionaliste, nacionaliste dhe neofashiste, por që viteve të fundit shkon kah moderimi) vendosi të mos garonte për president dhe ta mbështeste kandidaturën e Erdoanit.

Turqit dëshmuan nivel të lartë përgjegjësie qytetare dhe interesimi për zhvillimet politike duke marrë pjesë 87% e tyre në procesin zgjedhor (pjesëmarrja më e madhe në tri dekadat e fundit). Pas shpalljes së rezultateve, në garën për president, Erdoani fitoi me 52.6% të votave, i pasuar nga Inxhe me 30.6%, Demirtashi me 8.4% dhe Aksheneri me 7.3%, kurse në garën parlamentare AKP-ja mori 42.5%, CHP-ja 22.64%, HDP-ja 11.7%, MHP-ja 11.4% dhe “Partia e Mirë” 10%.

Gjersa në zgjedhjet tjera, qoftë në garën për president, qoftë për kryeministër, Erdoani kryesisht ishte përballur me kandidatë të majtë – pavarësisht se sa të majtë – kësaj radhe përballë tij ishin edhe kandidatë të djathtë (sipas kontekstit turk) si Aksheneri ose edhe si Inxhe, i cili, ndonëse vjen prej një partie të qendrës së majtë, ka një profil neokonservator dhe është deklaruar si besimtar.

Me ekonominë turke dhe monedhën e saj, lirën, që po zdirgjet përposh, për shumë analistë Erdoani vendosi të mbante tani zgjedhje të parakohshme (të cilat ishin parashikuar të mbaheshin në nëntor 2019) nga frika se mos vjeshta 2019 do ta zinte në krizë më të thellë financiare dhe rrjedhimisht me pëlqyeshmëri më të ulët publike.

Fushata parazgjedhore kryesisht vajti e qetë, por me shumë shqetësime rreth rrahjes së aktivistëve opozitarë (87 raste) dhe incidenteve të ndërsyera kundër opozitës (132 raste). Në aspektin mediatik, sipas raportimeve, nga 14 maji gjer më 22 qershor, televizioni publik turk në tri kanalet e tij – në TRT 1, TRT Lajmet dhe TRT kurdisht – ka mbuluar në mënyrë disproporcinale Erdoanin ndaj kandidatëve opozitarë. Gjatë kësaj periudhe pesëjavore, Erdoani ka pasur mbi 181 orë mbulim në këto tri kanale shtetërore, Inxhe ka pasur mbi 15 orë, Aksheneri rreth 3 orë e gjysmë, kurse Demirtashi vetëm 32 minuta. Ose një tregues tjetër: në konferencën e parë për shtyp të CHP-së në natën e zgjedhjeve, asnjë televizion, përpos “Fox”-it, nuk e përcolli atë drejtpërdrejt. Edhe gjatë procesit të numërimit, tek që uebfaqja e Këshillit Suprem Zgjedhor kishte rënë nga funksioni, pati raportime të kundërta rreth rezultatit. P.sh. gjersa agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu” jepte shifrat 55.5% për Erdoanin dhe 29.1% për Inxhen, platforma “Adil Seçim” jepte Erdoanin me 43.5% dhe Inxhen me 33.9%, gjë që shtyu shumë analistë t’i akuzojnë që të dyja për anim politik.

Presidenti Erdoan, i cili ka dominuar skenën politike turke në 16 vjetët e fundit dhe akoma është politikani më popullor në Turqi, e shfrytëzon një psikozë të pafundme frike dhe, siç e shpjegon edhe Xheni Uajt, antropologe dhe eksperte e politikës turke, kësisoj qytetarët vendosin të votojnë për një burrë të fuqishëm, i cili paraqitet si një babaxhan mbrojtës. Erdoani erdhi në pushtet në vitin 2002 me kartën e shtrirjes së dorës për shtresat në nevojë. Falë politikave të tij qeveritare, shumë qytetarë të shtresës së varfër dhe shtresës së mesme të ulët sot jetojnë më mirë, kurse Turqia, nga një vend ku besimtarët dhe grupimet fetare diskriminoheshin, është shndërruar gjatë kësaj ndërkohe në një vend ku këto grupe po marrin tipare të elitës shoqërore, si në aspektin politik, ashtu edhe atë ekonomik e kulturor. Nëse kësaj ia shtojmë edhe zhvillimin e hovshëm ekonomik që ka përjetuar vendi që nga viti 2003, si dhe rritjen e një ndjenjeje krenarie kombëtare, atëherë pak a shumë mund ta shpjegojnë sociologjikisht bazën elektorale të Erdoanit.

Gjatë “fjalimit të ballkonit” pas fitores, Erdoani potencoi se shumë puçistë ia kanë mbathur në Amerikë dhe se tani shumë vota nga Amerika kanë ardhur për opozitën. Në fakt, 70% e votave nga Amerika kanë qenë për Inxhen dhe vetëm 17% për Erdoanin. Por, kjo deklaratë ka pezmatuar shumë turko-amerikanë të cilët në rrjete sociale kanë reaguar duke ia përkujtuar Presidentit se ata nuk e kanë përkrahur Fetullah Gylenin as atëherë kur ai ka qenë shok për koke i Erdoanit dhe nuk do ta përkrahnin as sot. Në fund të fundit, nuk kemi të bëjmë me një dallim të madh me masën e votuesve pro-Erdoan nga turko-amerikanët para grusht-shtetit të dështuar të 15 korrikut 2016. Evren Çelik, profesoreshë turke në Universitetin e Dakotës Jugore në ShBA, e pezmatuar me këtë deklaratë, të cilën ajo e mori për ofendim ndaj mërgatës turke, ia ka përkujtuar Presidentit faktin se gjersa 76% e turqve 25-34 vjeç në ShBA, 55% e tyre në Kanada, 43% e tyre në Britani dhe 22% e tyre në Suedi janë me shkollim të lartë, vetëm 19% e turqve të kësaj moshe në Turqi kanë shkollim të lartë.

Zhgënjyes ishte veprimi i Muharrem Inxhes (por edhe Akshenerit) që nuk denjoi të fliste në natën e zgjedhjeve, por zgjodhi rrugën e komunikimit me publikun përmes një sms-i të shkurtër në “WhatsApp”. Shumë aktivistë turq të shoqërisë civile kanë lënë të hapur mundësinë që kjo të ketë ndodhur nga hezitimi i Inxhes për të pranuar rezultatin ose jo, nga hezitimi nëse do të duhej të deklaronte se zgjedhjet kanë qenë të manipuluara ose jo dhe se krejt kjo ka rrjedhur nga hezitimi nëse do të ishte gati të përballonte pasojat që do t’i sillte Turqisë një qasje e atillë, e cila do të mund të rrezikonte edhe provokimin e një lufte të mundshme civile në vend. Por, natyrisht, këto ngelin vetëm hamendësime të këtyre zërave opozitarë nga Turqia që hera herës të japin përshtypjen se janë duke garuar me Erdoanin në thurrjen e teorive konspirative.

Kemal Këlëçdarollu, kreu i CHP-së opozitare, dy ditë pas zgjedhjeve kur foli për medie, jo që nuk shprehu asnjë trohë pendimi që e ka shpënë partinë e tij drejt humbjeve të njëpasnjëshme, jo që nuk foli për dorëheqje të mundshme dhe as e komentoi sabotimin e tij të heshtur karshi kandidatit të tij për president, Inxhes, por, për më tepër, duke tentuar ta denigrojë këtë të fundit dhe kësodore duke shpërfaqur panikun nga rritja e popullaritetit të tij brenda partisë, deklaroi se rezultati i Inxhes është nën pritshmëritë e tij. Në fakt fenomen i këtyre zgjedhjeve ka qenë pa dyshim vetë Inxhe, kandidati i CHP-së, i cili ia doli të dilte përtej votës tradicionale të partisë, ia doli të mirrte 4 milionë vota më shumë se vetë partia dhe të përthithte edhe votë të fetarëve edhe votë të kurdëve, një risi e paparë për CHP-në. Krejt kjo e bën Inxhen një pretendent kryesor për ta zëvendësuar Këlëçdarollun apatik dhe për t’i prirë partisë në të ardhmen.

Kësodore, Turqia nuk përballet vetëm me demokraci të brishtë mespartiake, por problematikë vazhdon të jetë edhe demokracia e pakënaqshme brendapartiake, ku partitë turke më parë mund të çahen më dysh se sa të zgjidhin mospajtimet e brendshme në mënyrë konsensuale. Shembulli më i freskët është ai i MHP-së ku, pasi një grup nuk ia doli ta largonte nga pozita e kryetarit Devlet Bahçeliun – i cili i prin kësaj partie që nga 1997-a – vendosi që në tetor 2017 ta krijonte një parti të re, “Partinë e Mirë”. E, në këto zgjedhje të fundit, më së shumti u ngrit pluhur për listat për deputetë brenda CHP-së, ku pati shumë pakënaqësi rreth mënyrës së përzgjedhjes së kandidatëve, sidomos rreth lënies jashtë liste të emrave kyç të partisë, siç janë Eren Erdemi, Jëlldëz Tur Biçeri, Barësh Jarkadashi apo Ilhan Xhihaneri.

Ky proces zgjedhor nuk është se nuk iu mbuz greminës në disa raste. Gazetari turk, Ibrahim Haskolollu, raportoi se si simpatizantë të AKP-së në pushtet festonin natën e zgjedhjeve me armë zjarri në Stamboll. Tri ditë pas zgjedhjeve, gazeta konservatore turke, “Jeni Shafak”, lajmëroi se një vëzhgues nga radhët e AKP-së ishte vrarë në provincën lindore të Arësë. Por befasia erdhi kur ministri turk i Punëve të Brendshme, Sylejman Sojluja, u ngut ta gjente fajtorin duke e akuzuar bashkëkryetaren e HDP-së opozitare, Pervin Bulldanin. MHP-ja nacionaliste, në mesazhin e botuar në shtyp dy ditë pas zgjedhjeve, futi në formë shantazhi emrat e të gjithë analistëve dhe intelektualëve që kishin parashikuar një disfatë të saj.

Por, zgjedhjet tjera në Turqi janë mu tek dera. Në mars 2019 Turqia do të përballet me zgjedhjet lokale në një kohë kur Erdoani nuk e ka fshehur dëshirën e tij për t’i suprimuar zgjedhjet lokale dhe ka nxjerrë idenë që në vend të zgjedhjes së kryebashkiakëve (që jo rrallë herë dalin nga opozita, me të cilët pastaj ai ka kokëçarje, sidomos ata të zgjedhur nga HDP-ja) të kalohet në emërimin e “kayyim”-ëve, njëfarë lloj prefektësh, sikundërqë po e konsideron një plan për të centralizuar administratat lokale.

Në fakt, kjo nuk do të ishte hera e parë që Erdoani nuk e fsheh armiqësinë ndaj kryebashkiakëve opozitarë. Në janar, me vendim të Ministrisë së Brendshme, u shkarkua kryebashkiaku i distriktit të Beshiktashit në Stamboll, Murat Hazinedari nga CHP-ja, duke u bërë kryebashkiaku i dytë nga kjo parti opozitare që largohej nga vendi i tij i punës. Më herët, qeveria ka shkarkuar njashtu 80 prej 103 kryebashkiakëve të HDP-së opozitare, të akuzuar se e kanë ndihur PKK-në kurde. Për hir të së vërtetës, kësaj vale spastrimi nuk i kanë shpëtuar as vetë kryebashkiakët e AKP-së së Erdoanit, me 6 syresh që janë shtrënguar të japin dorëheqje në orvatje për ta “forcuar kohezionin brendapartiak”.

Karakteristikë sociologjike e këtyre zgjedhjeve është se votuesi në Turqi lëviz, ama lëviz kryesisht brenda kampit, dmth votuesit pro-Erdoan nuk votojnë kundër tij, por eventualisht votojnë mes AKP-së dhe MHP-së, sikurse që vlen edhe për votuesin anti-Erdoan që lëviz mes CHP-së dhe HDP-së. Pakashumë, skema e electoral swing-ut në zgjdhjet e 24 qershorit ka qenë kjo – votuesi i CHP-së taktikisht ka votuar HDP-në dhe kësisoj CHP-ja ka rënie votash (loja ishte që të futej me çdo kusht HDP-ja në Parlament, ashtu që t’ia pamundësonin Erdoanit shumicën parlamentare, por plani i tyre shkoi huq sepse në mënyrë të paparashikueshme MHP-ja, përkundër ndarjes, e kaloi pragun, duke ia mundësuar kështu Erdoanit shumicën parlamentare me koalicionin AKP-MHP), në Turqinë perëndimore “Partia e Mirë” ka përthithur trupën elektorale të MHP-së (deri diku edhe të CHP-së) e në pjesët e tjera të vendit MHP-ja ka marrë votat e AKP-së. HDP-ja përçudnon parashikimet duke humbur një pjesë të votave kurde ndaj AKP-së, por befasisht duke rritur votat në disa qytete të mëdha turke, me gjasë në mesin e grupeve majtiste, ambientaliste dhe progresiste.

Në anën tjetër, nëse e sheh votën e AKP-së dhe MHP-së si koalicion, qartazi e lexon se vota e kësaj të fundit ka qenë vendimtare në fitoren presidenciale të Erdoanit, por problemi i vërtetë do të lind pas fitores: 3.5 milionë emigrantët sirianë në Turqi janë “thembra e Akilit” e Erdoanit; nacionalistët e MHP-së nuk i honepsin dot emigrantët dhe kanë bërë gurgulë rreth 35 viktimave të vitit 2017 që janë shkaktuar nga problemet me emigrantë dhe pika e (mos)kthimit të tyre në Siri do të jetë dukshëm një pikë përçarëse mes MHP-së dhe Erdoanit. E, për herë të parë që prej vitit 2002, Turqisë po i rikthehen qeveritë e koalicioneve, të cilat kanë qenë jo pak telash për skenën politike turke, sidomos në fundvitet ’90.

Një ndryshim tjetër në këto zgjedhje ka qenë edhe fakti se për herë të parë nga hyrja në fuqi e pragut zgjedhor prej 10% më 1983, Turqia fiton një parlament më të diversifikuar dhe më reprezentativ, në kuptimin që 99% e votave janë përkthyer me ulëse në parlament. Kurse, në aspektin gjinor, Turqia tani do t’i ketë 103 deputete gra ose 17%, krahasuar me 14.7% sa i kishte nga zgjedhjet e kaluara.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.