Projektligji për mbrojtjen e sinjalizuesve, i aprovuar javën e kaluar në qeveri, është ndër më të avancuarit në Europë. Duke pasur parasysh shkallën e lartë të korrupsionit, është logjike dhe e nevojshme që Kosova të bëhet shembull në fushën e sinjalizimit.
Sinjalizuesi Abdullah Thaçi – i cili kishte ngritur dyshime shqetësuese për keqpërdorim të buxhetit komunal në Prizren derisa punonte si arkëtar në bankën ProCredit – do të mund t’i shpëtonte dënimit sikur Projektligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, i miratuar nga qeveria më 12 qershor 2018, të ishte në fuqi tri vite më herët. Thaçi, përkundrazi, kishte humbur punën dhe ishte dënuar me gjobë, ndër të tjera, për zbulim të fshehtësisë zyrtare.
Sinjalizimi është e drejta e një personi që të raportojë ose shpalosë informacione për një kërcënim ose cenim të interesit publik në kontekst të marrëdhëniës së punës, qoftë në sektorin publik qoftë në atë privat. Për më tepër, është e drejtë e punëtorit (dhe jo vetëm) të shprehet lirshëm në vendin e punës pa pasur frikë nga hakmarrja. Sinjalizuesit gëzojnë mbrojtje të veçantë, sepse ata shpesh janë personat e vetëm që kanë informacione për ndonjë cenim të interesit publik.
Me nismën për përmirësimin e bazës ligjore që mbron sinjalizuesit, Kosova i është bashkuar vendeve si Irlanda, Malta, Serbia etj. në rregullimin e sinjalizimit. Më 23 prill 2018, edhe Komisioni Europian (KE) në Bruksel propozoi Direktivë për Mbrojtjen e Personave që Raportojnë Shkelje të ligjit europian. Nëse propozim-direktiva aprovohet nga Këshilli Europian dhe Parlamenti Europian, të gjitha shtetet anëtare (dhe rrjedhimisht edhe shtetet kandidate) të BE-së do të detyrohen të nxjerrin legjislacion vendor për mbrojtjen e sinjalizuesve.
Aktualisht sinjalizimi në Kosovë rregullohet dobët me Ligjin për Mbrojtjen e Informatorëve i cili është në kundërshtim me standardet e Këshillit të Europës (KE) dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj). Ligji është i emërtuar gabimisht, nuk e njeh sinjalizimin e jashtëm, nuk rregullon procedurën e sinjalizimit, nuk ofron mbrojtje të duhur për sinjalizues dhe nuk përcakton sanksione. Të gjitha këto aspekte janë adresuar me projektligjin e ri.
Projektligji i draftuar nga Ministria e Drejtësisë – me mbështetjen e KE-së, zyrës së BE-së në Kosovë dhe pjesëmarrjen e disa institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile – është ndër më të avancuarit në Europë. Mirëpo, projektligji është vetëm hapi i parë në përmirësimin e mbrojtjes ligjore të sinjalizuesve.
Cilat janë risitë e projektligjit?
Nëse projektligji miratohet në Kuvend, personat që raportojnë informata apo dyshime për shkelje do të quhen sinjalizues dhe jo informatorë. Ky term është i duhur ngase është më i përafërti me fjalën “signaling” siç është definuar sinjalizimi nga GjEDNj-ja në rastin Guja k. Moldovës dhe nuk asocion në spiunazh apo kallëzim penal.
Projektligji parasheh tri nivele të sinjalizimit: sinjalizimin e brendshëm që lejon sinjalizuesin të raportojë informata brenda institucionit ku punon, sinjalizimin e jashtëm tek autoriteti kompetent (Agjencioni Kundër Korrupsion për sektorin publik dhe rregullatorët tjerë për sektorin privat) dhe sinjalizimin publik që lejon shpalosjen e informacioneve në media, tek organizatat joqeveritare, në internet etj. Me ligjin aktual, sinjalizuesit humbin çdo të drejtë në mbrojtje nëse shpalosin informata publikisht.
Projektligji nuk mbron vetëm punëtorin, por ofron përkufizim të gjerë të personit në kontekst të punës duke përfshirë kështu personin që është në marrëdhënie pune, bashkëpunëtorin e jashtëm, vullnetarin, kandidatin për punësim dhe personin e kontraktuar për të ofruar shërbime. Mbrojtje parashihet edhe për personin i cili ndihmon sinjalizuesin.
Institucionet që kanë më shumë se 30 punëtorë dhe kompanitë private me më shumë se 50 punëtorë do të obligohen që të caktojnë zyrtarin përgjegjës për pranimin dhe trajtimin e sinjalizimeve. Punëdhënësi do të detyrohet të informojë sinjalizuesin brenda 15 ditësh nëse sinjalizimi është pranuar apo refuzuar ndërsa hetimi administrativ i sinjalizimit duhet të duhej të përfundonte (në parim) brenda 45 ditësh. Sanksioni për moscaktimin e zyrtarit përgjegjës do të jetë deri në 20,000 euro.
Sinjalizuesi për herë të parë do të ketë mundësinë që t’ia ndalojë punëdhënësit largimin e tij nga puna për shkak të sinjalizimit përmes të masës së përkohshme gjyqësore. Për më tepër, asnjë procedurë penale, civile apo disiplinore nuk do të mund të inicohet kundër sinjalizuesit në lidhje me sinjalizimin e bërë. Për të kompletuar mbrojtjen e sinjalizuesve, deputetët do të duhej të shtonin një nen në kodin penal, i cili është duke u amendamentuar, me të cilin do të penalizoheshin personat që ndërmarrin veprime hakmarrëse ndaj sinjalizuesve.
Një ndër arritjet e rëndësishme të këtij projektligji është vënia e obligimit për organet kompetente që të caktojnë procedurë të veçantë për pranimin dhe trajtimin e sinjalizimeve në fushën e sigurisë kombëtare, mbrojtjes, inteligjencës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Praktikisht kjo do të thotë që institucionet si Agjencia e Kosovës për Inteligjencë apo Njësia e Inteligjencës Financiare do të jenë të obliguara të rregullojnë procedurën e sinjalizimit për spiunët dhe punëtorët tjerë.
Sfidat dhe obligimet e institucioneve
Suksesi i kësaj nisme ligjore do të varet nga faktorë të ndryshëm, por mbi të gjitha nga vullneti politik. Deputetët, pavarësisht përkatësisë partiake, do të duhej ta miratonin projektligjin në Kuvend pa e dobësuar atë gjatë shqyrtimit nëpër komisione. Ligji aktual është i pazbatueshëm për shkak se fjala “duhet”, që obligonte caktimin e personit zyrtar për pranimin e informatave, ishte ndryshuar në “mund” nga deputetët e periudhës së katërt legjislative 2011-2014.
Ministria e Drejtësisë do të duhej, pa vonesë, të aprovonte aktet nënligjore që do të mundësonin zbatimin e ligjit. Pas hyrjes së ligjit në fuqi, qeveria do të duhej të ndante buxhet shtesë për resurse njerëzore për Agjencionin Kundër Korrupsionit (AKK) meqë do ta ketë barrën më të madhe të zbatimit të këtij ligji. AKK është paraparë si autoritet kompetent për sinjalizim të jashtëm për sektorin publik dhe për hartimin e raportit vjetor për sinjalizimet në sektorin publik dhe privat.
Sektori privat po ashtu duhet të ketë rol më aktiv në jetësimin e këtij ligji. Gjatë hartimit të projektligjit, odat ekonomike nuk kanë shprehur interesim për pjesëmarrje ndonëse ligji parasheh obligime konkrete për kompanitë private. Moszbatimi i detyrimeve të parashikuara me këtë ligj do të mund t’i kushtojë kompanive private deri në 20,000 mijë euro.
Policët, prokurorët dhe gjykatësit do të jenë zyrtarët kryesorë që do të vendosin interpretimin e ligjit të ri. Policët dhe prokurorët, të cilët e kanë të vështirë të shikojnë përtej Kodit të Procedurës Penale dhe atij Penal, do të duhej të tregojnë kujdes të shtuar në rastet e sinjalizimit. Gjykatësit po ashtu do të duhej të trajtojnë me urgjencë propozimet për masa të përkohshme dhe të gjykojnë rastet e sinjalizimit bazuar në nenin 10 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Mbetet shqetësues fakti që Ministria e Drejtësisë nuk ka ofruar kohë të mjaftueshme për konsultim publik ashtu siç kërkohet ligjërisht. Mirëpo, gazetarët dhe palët tjera të interesit ende kanë kohë të kontribuojnë me komente duke iu drejtuar Kuvendit të Kosovës.
Projektligji është hartuar në momentin kur institucionet janë duke përgatitur një pako ligjesh në fushën e masave kundër korrupsionit në përpjekje për të bindur institucionet europiane të lejojnë kosovarët të lëvizin lirshëm në shtetet e BE-së. Duke pasur parasysh shkallën e lartë të korrupsionit, është logjike dhe e nevojshme që Kosova të bëhet shembull në fushën e sinjalizimit. Projektligji i ri për mbrojtjen e sinjalizuesve mund të kontribuojë në përmirësimin e kualitetit të qeverisjes sidomos në sektorin publik.
Autorja ka qenë e angazhuar nga Këshilli i Europës për të ofruar sugjerime në draftligjin për mbrojtjen e sinjalizuesve të shkruar nga Ministria e Drejtësisë. Blogu paraqet qëndrime personale.