Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Sinjalizuesi i dyfishtë Thaçi

Rasti Abdullah Thaçi duhet të merret edhe si sinjalizim për vetë sinjalizimin.

 

Abdullah Thaçi është sinjalizues i dyfishtë. Përtej përmbajtjes së lëndës së sinjalizimit të tij, rasti (P. nr. 440/13, 4 gusht, 2015) – në të cilin gjykata e ka gjetur në mënyrë të kontestueshme fajtor – është edhe fillim i debatit publik rreth vetë sinjalizimit.

Këshilli i Europës e definon sinjalizimin si raportim ose zbulim të informacionit në lidhje me një kërcënim ose dëmtim të interesit publik në kontekst të marrëdhënies së punës, qoftë ajo në sektorin publik, a privat. Ndërsa sinjalizues janë personat që e bëjnë zbulimin e informacionit.

Pjesa “në kontekst” e fjalisë është me rëndësi, sepse ajo e vendos të drejtën e sinjalizimit edhe përtej sinjalizimit vetëm për vendin e punës. Kjo pjesë e fjalisë e njeh për shembull Abdullah Thaçin, i cili e kishte raportuar një klient të punëdhënësit të tij, e jo drejt punëdhënësin (ProCredit), si sinjalizues.

Në përgjithësi, vetëm gjatë vitit 2015, publikisht janë paraqitur tri raste të sinjalizimit në Kosovë (shih rastet më poshtë).

Për shkak se punëdhënësit nuk preferojnë që publiku të informohet për anët e tyre jo të lavdërueshme, ata shpesherë kryejnë veprime hakmarrëse dhe viktimizuese që rezultojnë me pasoja psikike, ligjore dhe financiare për sinjalizuesit. Kjo bëhet edhe për të shpërqendruar vëmendjen e publikut nga informata te sinjalizuesi, edhe për të frikësuar sinjalizuesit tjerë potencialë. Për këto arsye, kjo kategori është e mbrojtur me ligj.

Qëllimi i këtij blogu është vlerësimi i bazës ligjore në Kosovë që mbron sinjalizuesit dhe prezantimi i standardeve të vendosura nga Këshilli i Europës dhe Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Shkrimi shpërfaq që baza ligjore në Kosovë nuk mbron mjaftueshëm sinjalizuesit dhe që mekanizmat që zbatojnë ligjin nuk janë treguar të gatshëm deri më tash t’i trajtojnë rastet e tilla në përputhje me standardet ekzistuese europiane.

Ligj i veçantë për sinjalizues

Të paktën gjashtë ligje kosovare e parashohin mbrojtjen e sinjalizuesve që raportojnë dyshimet për shkelje ligjore ose parregullsi, duke filluar me ligjin kryesor që është ai për Mbrojtjen e Informatorit. Ligjet tjera që pjesërisht i referohen ose ndërlidhen me sinjalizimin janë Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi (neni 4), Ligji Kundër Korrupsionit (neni 16), Ligji për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (neni 18.5), Ligji për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë (neni 50)  dhe Kodi Penal (neni 433).

Aspektet kryesore që rregullohen ligjërisht janë definimi i sinjalizimit, sinjalizuesve dhe llojit të informatave që mund të zbulohen, mënyrat e raportimit të informatës, masat mbrojtëse dhe e drejta e ankesës dhe padisë. Ekzistimi per se i Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve në Kosovë është i mirëseardhur duke marrë parasysh faktin që në shumicën e shteteve europiane sinjalizimi nuk rregullohet me ligj të veçantë. Për shembull, Gjermania ende nuk e ka një ligj të tillë.

Por, baza ligjore është e dobishme vetëm nëse ofron mbrojtje të mjaftueshme dhe nëse ajo gjen zbatim në praktikë.

Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve emërton gabimisht sinjalizuesit si informatorë, term ky që në përgjithësi ka konotacion negativ, sepse lidhet me njerëzit që paguhen të spiunojnë, e në rastin e Kosovës informatorë janë quajtuar shqiptarët që kanë bashkëpunuar me regjimin serb. Pastaj, ligji nuk definon fare sinjalizimin si proces dhe definon ngushtë sinjalizuesit, duke ua njohur këtë status vetëm punëtorëve që raportojnë brenda institucionit publik ose privat dhe jo edhe atyre që i zbulojnë informatat në media, ose ndonjë institucion tjetër si prokuroria apo policia. Tutje, ligji nuk obligon institucionet të ofrojnë kanale të raportimit, pasi që parasheh që institucioni “mund” të autorizojë një zyrtar për mbikëqyrje të parregullsive. Kanal i raportimit është procedura dhe zyrtari i brendshem që cakton institucioni privat ose publik për të pranuar informata rreth dyshimeve për shkelje ligjore nga punëtorët. Mosekzistimi i kanalit të raportimit ia pamundëson punëtorit të bëjë sinjalizim të brendshëm. Një shembull i mirë i vendosjes së kanaleve të raportimit është në Mbretërinë e Bashkuar ku ekziston lista e institucioneve me adresa konkrete të cilave mund t’u drejtohen sinjalizuesit.

Një aspekt pozitiv i ligjit të Kosovës është se parasheh që ndaj sinjalizuesit nuk mund të ndërmerren masa të dënimit, apo masa disiplinore. Në të kundërtën, ligji parasheh të drejtën e sinjalizuesit që t’i drejtohet gjykatës kompetente për t’u kthyer në punë dhe për të kërkuar dëmshpërblim. Në këtë aspekt, ligji nuk saktëson cila gjykatë është kompetente për raste të sinjalizimit.

Ligjet tjera përmbajnë nga një ose disa nene për mundësi raportimi, por asnjëra nga to nuk rregullon në tërësi sinjalizimin. Për shembull, neni 16 i Ligjit Kundër Korrupsionit, parasheh që rastet e raportuara do të dërgohen në prokurori dhe se personi që zbulon informacionin nuk do të ketë pasoja. Së pari, sinjalizuesi mund t’i dërgojë informatat vetë në prokurori dhe së dyti Agjencia Kundër Korrupsion gabohet kur pretendon – përmes ligjit – që mund të mbrojë të gjithë sinjalizuesit nga pasojat. Asnjë instititucion nuk mund të kontrollojë veprimet hakmarrëse të individëve ndaj sinjalizuesve, prandaj ligji duhet të parashohë të drejtën për t’iu drejtuar gjykatës.

Ligji Kundër Diskriminimit ia mundëson sinjalizuesit që brenda pesë vjetësh të padisë institucionin publik ose privat për diskriminim ose viktimizim dhe të kërkojë kompensim dëmi. Ligji për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë parasheh të drejtën e agjentëve të saj të sinjalizojnë parregullsi, por nuk definon procedurën e raportimit dhe njeh vetëm sinjalizimin brenda institucionit, përkatësisht në Inspektoratin Disiplinor. Sanksione shumë të rënda për sinjalizues parasheh Ligji për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë, sipas së cilit publikimi i informacioneve top secret mund të dënohet deri më 12 vjet burg. Kodi Penal po ashtu dënon zbulimin e fshehtësisë zyrtare deri me pesë vjet burg, por ky ligj përmban një përjashtim që mund të përdoret në favor të sinjalizuesve. Sipas nenit 433, informatat dhe dokumentet të cilat kanë për qëllim fshehjen e kryesit të veprës penale të dënueshme me së paku pesë vjet burgim nuk konsiderohen fshehtësi zyrtare. Abdullah Thaçi është dënuar bazuar në këtë nen, por gjykata gabimisht nuk e ka përdorur këtë përjashtim ligjor në favor të Thaçit.

Përveç bazës ligjore të mangët, edhe mekanizmat zbatues të ligjit, siç janë Inspektorati i Punës dhe Gjykata Themelore në Prizren, gjatë vendosjes në dy raste të sinjalizimit kanë dëshmuar që nuk janë të përgatitura të trajtojnë sinjalizimin sipas standardeve ndërkombëtare. Në vendimin e Inspektoratit të Punës ndaj sinjalizuesve të RTK-së nuk përmendet fare e drejta e lirisë së shprehjes së punëtorëve në vendin e punës, siç ndodh vazhdimisht me vendimet e Tribunaleve të Punës në Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjykatat e Punës në Belgjikë. Po ashtu aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, në rastin e Thaçit përpos që është i shkruar me gabime dhe ka arsyetim të dobët ligjor, fare nuk e përmend lirinë e shprehjes si e drejtë e punëtorit në vendin e punës. Ligjet e dobëta nuk mund të përdoren si argument nga këta mekanizma, sepse ata mund të zbatojnë drejtpërsëdrejti vendimet e GjEDNj-së në rastet e sinjalizuesve.

Gjashtë faktorët e GjEDNj-së në Vlerësimin e Rasteve të Sinjalizimit

Një ndër zhvillimet më të rëndësishme të Gjykatës së Strasburgut është mbrojtja e sinjalizuesve përmes nenit 10 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut që garanton lirinë e shprehjes. Pra, sipas gjykatës, punëtorët mund të shfrytëzojnë të drejtën e lirisë së shprehjes për të informuar publikun për shkelje ligjore që ndodhin në ambientin e punës.

Aktgjykimi i parë në lidhje me sinjalizimin është marrë nga kjo gjykatë më 2008 në rastin Guja kundër Moldavisë. Në këtë rast, drejtori i Zyrës për Komunikim me Media të Prokurorisë së Përgjithshme të Moldavisë kishte rrjedhur në media dy letra që tregonin ndikimin e parlamentit dhe të politikës në prokurori. Pas publikimit të shkrimeve që citonin letrat, ai ishte përjashtuar nga puna për shkelje të rregullores së brendshme, nën arsyetimin se kishte dështuar të merrte aprovim nga mbikëqyrësi i tij për të publikuar letrat. Të gjitha gjykatat në Moldavi kishin vendosur kundër tij, duke mos e kthyer në punë.

Ai e kishte dërguar rastin në GjEDNj duke paditur shtetin moldav për shkelje të lirisë së shprehjes në vendin e punës. Gjykata në Strasburg vendosi në favor të tij dhe me këtë rast themeloi testin prej gjashtë faktorësh të cilin e përdor për të vlerësuar nëse një sinjalizues duhet të mbrohet.

Sipas gjykatës, sinjalizuesi gëzon mbrojtje nëse institucioni nuk ka procedurë për sinjalizim, ose nëse kanalet e raportimet brenda institucionet nuk janë të përshtatshme (në këtë rast pranohet edhe sinjalizimi në media), nëse ka interes publik në zbulimin e informacionit, nëse informatat apo dokumentet e zbuluara janë të vërteteta dhe autentike, nëse punëtori ka vepruar në mirëbesim (veprimet e nxitura nga hakmarrja apo armiqësia ndaj punëdhënësit nuk gëzojnë mbrojtje), nëse dënimi ndaj sinjalizuesit mund të rrezikojë karrierën e tij dhe nëse interesi publik është më i lartë se ruajtja e imazhit të institucionit.

Që nga viti 2008, këtë test Gjykata e ka përdorur edhe në pesë raste të tjera të sinjalizimit, respektivisht në Marchenko v. Ukrainës (2009), Kudeshkina v. Rusisë (2009), Heinisch v. Gjermanisë (2011), Bucur dhe Toma v. Rumanisë (2013) dhe Matúz v. Hungarisë (2014).

Në këto raste, gjykata ka mbrojtur një mësues që kishte akuzuar drejtoreshën e shkollës për keqpërdorim të pozitës së saj, një gjykatëse që kishte folur në media se si kryetarja e së njëjtës gjykatë ndikohej nga politika, një infermiere që kishte paditur punëdhënësin e saj për keqmenaxhim të institucionit shëndetësor, një zyrtar të agjencisë së inteligjencës që kishte treguar para mediave për përgjimet e paligjshme dhe një gazetar që kishte botuar libër ku dëshmonte censurën brenda televizionit publik.

Kur sinjalizuesit zbulojnë informacione përmes mediave, ata shpesh akuzohen për prishje të imazhit të institucionit, pavarësisht faktit që për ta shpesherë është e pamundur që të ngrisin rastet e tyre brenda institucionit.

Në shumicën e rasteve të lartpërmendura, sinjalizuesit kanë gëzuar mbrojtje nga GjEDNj-ja edhe pse kishin publikuar informatat përmes mediave dhe në institucione të tjera, por fillimisht gjykata kërkon nga sinjalizuesit që të adresojnë dyshimet e tyre brenda institucionit dhe vetëm kur nuk është e mundur ose e përshtatshme, atëherë pranohet sinjalizimi i jashtëm.

Edhe Këshilli i Europës parasheh të drejtën e sinjalizuesit që të zbulohen informata drejtpërsëdrejti në media. Më konkretisht, dokumenti kryesor për mbrojtjen e sinjalizuesve i Këshillit të Europës është Rekomandimi i Këshillit të Ministrave numër CM/RC(2014)7 për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, sipas të cilit sinjalizimi përfshin edhe raportimet në media kur një gjë e tillë nuk është e mundur brenda punëdhënësit.

Përveç KE-së dhe GjEDNj-së, edhe Mbretëria e Bashkuar e cila e ka ligjin më të mirë në Europë për mbrojtjen e sinjalizuesve, të quajtuar Ligji për Zbulimin e Interesit Publik (Public Interest Disclosure Act, PIDA), njeh zbulimin e informatave në media.

Ligjet e mira dhe praktikat gjyqësore promovojnë sinjalizimin në kontekstin e punës që bëhet përmes procedurave të raportimit ose mediave, për raste që përfshijnë interesin publik dhe nga punëtorë që veprojnë në mirëbesim.

Rastet e sinjalizimit: ProCredit, RTK, Njësia Financiare e Inteligjencës

Abdullah Thaçi derisa punonte si arkatar në bankën ProCredit në Prizren kishte vërejtur që drejtori i arsimit të Komunës së Prizrenit Nexhat Çoçaj kishte transferuar të holla nga buxheti i Kosovës në llogarinë e tij. Drejtori i kishte marrë mjetet në emër të organizimit të një manifestimi, por dyshohet që i kishte shfrytëzuar për të paguar qira dhe këste të kredisë. Thaçi kishte printuar gjendjen e llogarisë dhe ia kishte dorëzuar një anëtari të Lëvizjes „Vetëvendosje,“ e kjo parti pastaj kishte paraqitur kallëzim penal. Duke nxjerrë jashtë bankës gjendjen e llogarisë së klientit, Thaçi ka shkelur kontratën e punës dhe Kodin Penal që e obligon të ruajë fshehtësitë e punës. Për këtë arsye, ai është dënuar me gjashtë muaj burg, masë kjo që është shndërruar në gjobë prej pesë mijë eurosh pas pranimit të “fajësisë.” Në këtë rast gjykata fare nuk e ka trajtuar të drejtën e lirisë së shprehjes në vendin e punës, e cila sipas GjEDNj-së, kur ka interes publik arsyeton shkeljen e parimit të konfidencialitetit.

Në një rast tjetër, sipas raportimeve në media të datës 9 prill, Njësia e Inteligjencës Financiare ka filluar hetimet ndaj sinjalizuesit që e rrodhi në media gjendjen e llogarisë bankare të kryeprokurorit Aleksandër Lumezit, e që përmbante transaksione të shumave të larta të parave gjatë kohës sa po kandidonte për të drejtuar institucionin e ndjekjes. Rrjedhja e këtyre informatave potencialisht ka mundur të ndikojë jo vetëm në dëmtimin e reputacionit të Lumezit, por edhe në kandidimin të tij. Në anën tjetër, duke marrë parasysh të hyrat mujore të punëtorëve të sistemit gjyqësor, publiku ka të drejtë të informohet për prejardhjen e atyre parave, nëse të dhënat e bankës kanë qenë të vërteta. Identiteti i sinjalizuesi që ka rrjedhur informatat fatmirësisht ende nuk është zbuluar publikisht.

Anëtarët e Sindikatës së Radio-Televizionit Publik Fadil Hoxha dhe Arsim Halili  qenë larguar përkohësisht nga puna më 26 mars 2015, për shkak se publikisht kishin informuar publikun për censurë dhe dyshime për keqpërdorime të buxhetit të transmetuesit publik. Inspektorati i Punës ka vendosur në favor të tyre, por jo për shkak të së drejtës së tyre në lirinë e shprehjes. IPK-ja ka vendosur kështu për shkak të gabimeve procedurale të RTK-së gjatë largimit të tyre nga puna.

Prandaj rasti Thaçi duhet të merret edhe si sinjalizim për vetë sinjalizimin. Duke e përmirësuar dhe saktësuar legjislacionin. Dhe sidomos duke konsideruar para së gjithash të drejtën e lirisë së shprehjes dhe interesit publik nga ana e atyre që e ndajnë drejtësinë.

 

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.