Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Skenarët e ndryshëm të ballafaqimit me dhunën

Foto nga Freepik

Një shoqëri që e  promovon dhunën,  i vuan pasojat e vazhdimit të këtij rrethi te pafundshëm, duke e dëmtuar shendetin fizik dhe mendor të qytetarëve të saj.

Për të kuptuar funksionin e sjelljeve të dhunshme duhet të shikojmë zhvillimin e tyre, i cili nis qysh herët në fëmijëri. Shumë herët, si fëmijë shohim si dhuna përdoret si mjet për të kontrolluar dhe bartur mesazhe që nuk përçohen lehtë. Por, një pikë është e qartë: dhuna prodhon dhunë. Kur ti e godet dikë; përveç lëndimit fizik dhe mendor që krijon tek individi, gjithashtu e fuqizon instiktin e tjetrit për t’iu përgjigjur sulmit në dhunë fizike si vetëmbrojte.

Në këtë formë, duke ushtruar dhunë fuqizojmë një rreth të pafund që krijon dhunë të pandërprerë, duke e parë forcën fizike  si opsionin më të fuqishëm për të ballafaquar tensionet. Një shembull praktik, kur kushtëzojmë një fëmijë duke i thënë “bëje ose të rrahi”, mesazhi që e dergojmë e thekson se kjo është mënyra më e fuqishme për të tejkaluar situatat. Përveç shfaqjes së fuqisë, shpesh herë prindërit veshin një qasje që ofron mesazhe të përziera. Për shembull, nëse duke ushtruar dhunë e  adresoni fëmijën tuaj  që të mos e lëndojë motrën apo vëllain, nuk është e rëndësishme ajo që e thua, por  ajo që e shfaq. Kështu e riforcojmë idenë se dhuna është ajo që i shtyn mesazhet dhe sjell rregull. Duke harruar se është dhuna ajo që i shtyn problemet mentale dhe fizike me pasoja afatgjate tek individi, duke krijuar një rreth të pandalshëm e të dhunshëm në shoqëri.

Është për t’u theksuar në shoqërine tonë raste se si gratë dhe vajzat janë grupi që i vuan më së rëndi pasojat. Në këtë pikë, shpesh herë ndërthuret një dallim gjinor – ku vajzat dhe gratë nuk kanë të drejtë të vetëmbrohen, apo kushtëzohen të mos raportojnë rastet e tilla. Mes tjerash, shpeshherë njerezit e afektuar nga dhuna kanë tendenca të ambientohen në këto rrethana për shkak të efektit që frika dhe dhimbjet kanë në trurin e njeriut. Njëkohësisht ato mësohen me këtë realitet dhe nuk janë të vetëdijshme se mund të jetojnë pa presionin dhe dhunën që shtrohet mbi to. Si pasojë e këtyre ndryshimeve krijohet përceptimi se ato nuk mund të largohen nga situata të tilla. Andaj, shpesh herë këto gra duhet të konsultohen gjatë që ta kuptojnë realitetin të cilin e përjetojnë dhe t’i trajtojnë efektet e dhunës. Një skenar i tillë që ndodhë në një numër të konsiderueshëm edhe tek familjet kosovare është dhuna e ushtruar e cila mbetet e heshtur dhe e pa raportuar. Madje, janë të shpeshta tryezat e policisë dhe organizatave duke raportuar zbritje të numrit të dhunës në familje. Këto rezultate të këyre statistikave të policisë jo gjithmonë reflektojnë realitetin, e sidomos, në shumë zona rurale ku informimi ndaj raportimit të dhunës është i mangshëm.

Kur jemi tek raportimi i dhunës një faktor i rëndësishëm është besimi në institutione. Një shembull personal nga jeta ime në Athinë të Greqisë, afër shtëpisë ku jetoj, dhuna nga anarkistët drejtuar policisë është e përditshme. Madje, vetë jam kërcënuar fiziksht perderisa po bëja hulumtim. Edhe pse policët ndodheshin afër, nuk kisha besim ta raportoj këtë rast pasi që policët nuk kanë dëshmuar fuqi ndaj këtyre abuzuesve. E njëjta vlen për strukturat e drejtësisë në Kosovë, të cilët duhet të dëshmojnë se rastet e tilla trajtohen në mënyrë efikase dhe jo duke lëshuar deklarata se rrahja e një vajze të mitur nuk është një vepër aq shumë e rëndë. Kur institucionet e drejtësisë dëshmojnë efektivitet, kjo do të thotë se qytetarët do të jenë të zëshëm për të raportuar këto raste. Duke raportuar, qytetarët kontribuojnë në parandalim të dhunës duke mbikëqyrur sjelljet jo adekuate të njëri-tjetrit. Është dashur shumë kohë deri në vitet e 90-ta, që shkencëtarët ta kuptojnë që ushtruarit dhunë ndikon negativisht në shëndetin mendor dhe fizik të njeriut.

Në një hulumtim që ka të bëjë me vëzhgimin e përvojave negative në fëmijëri nga Kaiser Permanente dhe Qendra për Kontroll të Sëmundjeve është dëshmuar se si përvojat e dhunëshme në fëmijëri ndikojnë negativisht gjatë gjithë jetës. Ky hulumtim përfshinte mbi 17.000 qytetarë të mbikëqyrur për një periudhë të gjatë kohore dhe doli me përfundime se ata persona ndaj të cilëve është ushtruar dhunë fizike duke filluar herët në fëmijëri, kanë probabilitet shumë të madh që t’u shfaqen pasoja në zhvillim kognitiv, emocional e shoqëror gjatë jetës si të rritur. Ndër të tjera, rezultatet theksojnë se fëmijët që kanë përjetuar dhunë, kanë probabilitet më të madh të adaptojnë sjellje të rrezikshme, por, dhe të kenë më shumë sëmundje dhe probleme sociale si të rritur. Këto rezultate janë dëshmuar radhazi përgjatë viteve në vende të ndryshme të botës dhe pikërisht, për shkak të këtyre rezultateve, në shumë vende të botës u ndryshuan legjislacionet dhe normat shoqërore rreth qasjes ndaj dhunës.

Për të shmangur këtë qasje të dëmshme për individin, shoqëria duhet të ndërmarrë masa proaktive duke reaguar jo vetëm pas ngjarjeve të dhunës, por duke krijuar rrethana parandaluese. Masat parandaluese reflektohen në mënyren se si i qasemi fëmijeve, si e bëjmë zgjidhjen e konflikteve në shkollë dhe nga raportimi dhe trajtimi i rasteve në organe të drejtësisë. Gjithmonë duke e informuar në mënyrë aktive komunitetin me mesazhin se forca fizike e ushtruar e dëmton jo vetëm viktimën, por shoqërinë në përgjithësi. Duke kujtuar se në shumë institucione  shkollore në Kosovë  dhuna ende përdoret dhe arsyetohet si mjet për të mbajtur rregull. Shoqëria jonë duhet të avokojë vazhdimisht që të zbatohet ligji i cili dënon dhunën e ushtruar ndaj fëmijëve nga prindërit, mësuesit apo kujdestarët e tjerë. Në këto raste, aktivitetet vetëdijësuese nga organizatat jo-qeveritare janë të nevojshme që të infomojnë nxënësit dhe prindërit se si dhe ku të raportohen raste të tilla.

Një praktikë e mirë e iniciuar në Kosovë është programi Kundër Dhunës së Familjes që përbëhet nga një numër i madh organizatash jo-qeveritare dhe institucioneve shtetërore. Megjithëse, programi i veprimit është i detajuar, ai duhet të gjejë zbatim në të gjitha vendbanimet e Kosovës. Është shumë e rëndësishme që gjatë planifikimit të aktiviteteve të përfshihen të gjitha vendbanimet në mënyrë sistematike. Gjithashtu, të ofrohet mundësi për gratë e prekura nga dhuna të marrin pjesë — duke i bërë sesionet informuese praktike, qoftë edhe nëse ato përfshijnë inicim të debatit mes grave të një lagjeje.

Në anën tjetër, nëse ekziston dyshimi i arsyeshëm se është kryer vepra që ka të bëjë me dhunën në familje, Policia e Kosovës e ndalon te dyshuarin për 48 orë në pajtim me ligjin.  Si pasojë, shpesh herë personi që ka raportuar dhunën i krijohet një situatë që e bën të ndihet i kërcënuar dhe pa mbrojtje ligjore pas raportimit, kështu duke dekurajuar raportimin në rast të dhunës së përsëritur. Mangësi të tilla duhen të adresohen në strategji  parandaluese dhe të gjenden opsione alternative për mbrojtje të viktimave.

Përvojat nga shumë shtete tregojnë se investimi në programe edukative në shkolla ndikon pozitivisht në zvogëlimin e dhunës brenda institucioneve shkollore por edhe në shoqëri. Në shumë shtete evropiane ekzistojnë plan-programe për mësimdhënësit të cilat  informojnë nxënsit që herët me njohuri dhe shkathtësi që t’i zëvendësojnë sjelljet agresive me sjellje edukative e shoqërore. Për shembull, nëse shohim agresivitet brenda nxënësve të një klase, prioritet duhet t’i ipet informimit rreth zgjidhjes së atij konflikti para se të vazhdohet me plan-programin mësimor, gjë që nuk ndodhë në vendin tonë. Andaj, investimi në masa parandaluese ndaj dhunës në shkolla është një hap esencial për të parandaluar dhunën në të  ardhmen.

Ka mënyra të shëndetshme dhe jo të shëndetshme për të zgjidhur konfliktet. Na mbetet neve në dorë që të vendosim. Kur fillojmë të besojmë se qasja e dhunshme duhet të zëvendësohet me një qasje paqësore, atëherë mund të shpresojmë për një shoqëri të sigurtë dhe të shëndoshë për të jetuar. Gjithsesi, qëllimi nuk është vetëm të mësojmë të mos jemi të dhunshëm, por të mos e riforcojmë mendimin se dhuna është përgjigjja, sepse nuk kemi lindur të dhunshëm, por është një metodë që e kemi fuqizuar si shoqëri, dëmet e të cilës janë afatëgjate dhe e pengojnë zhvillimin tonë .

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.