Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

T’i anonimizosh kriminelët

Një pjesë e madhe e aktgjykimeve të gjykatave kudo vendosin për përgjegjësinë për krime të kryera. Shoqëria ka të drejtë të dijë kush janë përgjegjësit ose kriminelët. Por, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka vendosur të anonimizojë të dhënat e palëve dhe të avokatëve në të gjitha aktgjykimet finale në vend – lëvizje që do të mund të konkurronte për shakanë e vitit, po të mos ishte ndërmarrje kaq e vetëdijshme e dredharake.

Duke filluar nga ky muaj në çdo aktgjykim final të shpallur nga gjykatat e rregullta do të anonimizohen, inter alia, emrat e palëve, të avokatëve, data e vendi i lindjes. Bile, do të anonimizohen edhe faqet e internetit, profilet në Facebook dhe hashtags të Twitterit. Për shembull, nëse në aktgjykim figuron www.google.com, pjesa google.com do të anonimizohet, ndërsa hashtag do të figurojë vetëm si Twitter. Kështu është vendosur me Udhëzimin Administrativ të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për Anonimizimin dhe Publikimin e Aktgjykimeve Publike që mban datën 2 shkurt 2016.

Ky veprim vjen pak kohë pas tentimit pa sukses që të largohen deklaratat online të pasurisë së zyrtarëve publikë, nismës që censuruesi i dëshmuar – Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale – të shndërrohet në Komisionarin për Informim, mohimit të vazhdueshëm dhe në masë të madhe të kërkesave të gazetarëve për qasje në dokumente publike dhe së fundi largimit pa arsyetim të gazetarëve nga salla e gjykimit në rastin Eulex kundër Sami Lushtakut dhe të tjerëve.

Sipas udhëzimit administrativ në fjalë, anonimizimi i të dhënave duhet të bëhet nga bashkëpunëtori profesional i cili ka 60 ditë kohë për ta kryer këtë punë. Për ironi, publikimi online i aktgjykimeve brenda dy muajsh do të ishte i vetmi lajm i mirë i këtij vendimi, nëse ai zbatohet, marrë parasysh që një obligim i tillë rrjedh edhe nga Ligji për Gjykatat që nga qershori i 2015-ës.

Problemet me këtë nismë të KGjK-së mund të shihen nga disa aspekte.

Së pari, aktgjykimet e plotfuqishme janë dokumente publike dhe sipas Ligjit për Gjykata ato duhet të publikohen duke siguruar mbrojtjen e të dhënave personale. Udhëzimin për anonimizim KGjK-ja e bazon në disa ligje, përfshirë përjashtimet për qasje në dokumente të rregulluara me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike (neni 12) dhe mbrojtjen e të dhënave të ndjeshme sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (neni 1.17). Të dy këto ligje janë keqinterpetuar qëllimshëm në dëm të transparencës.

Neni 12 i Ligjit për Qasje në Dokumente Publike parasheh 11 arsye (përjashtimet) që lejojnë një institucion të refuzojë qasjen në dokumente publike. Këto mundësi ligjore nuk mund të përdoren të gjitha në tërësi, por duhet të përcaktohet qartë se cila prej tyre ka shtyrë KGjK-në që të marrë këtë vendim. Pastaj, neni 1.17 i Ligjit për Mbrojten e të Dhënave Personale parasheh si të dhënë të ndjeshme të dhënat “që zbulojnë origjinën etnike ose racore, pikëpamjet politike ose filozofike, përkatësitë fetare, anëtarësimin në sindikatë, ose çdo të dhënë për gjendjen shëndetësore ose jetën seksuale, çfarëdo përfshirje në ose heqje nga evidencat penale ose të kundërvajtjeve.” Emri dhe mbiemri i palëve dhe avokatëve në aktgjykim qartësisht nuk figuron, e as nuk hyn në këtë kategori ligjore.

Mbrojtja e të dhënave personale duhet të matet në krahasim me interesin publik për të zbuluar të dhëna personale. Ky mësim u bë edhe më i qartë në rastin BIRN kundër Zyrës së Kryeministrit kur kjo e fundit humbi rastin për mospublikim të faturave të Kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave për shkak të të dhënave personale. Publikimi i të dhënave që identifikojnë të dënuarit për vepra penale, kompanitë në telashe me ligjin, politikanët e figurat publike që dënohen për shpërdorim të detyrës zyrtare, është në interes publik. Shoqëria ka të drejtë kudo të dijë se kush janë personat përgjegjës në një aktgjykim dënues.

Së dyti, është gabim që vendimi për anoninimizim të vlejë për të gjitha aktgjykimet sepse ky vendim duhet të merret rast për rast, ashtu siç ndodh në vende të zhvilluara. Vendet që i kanë publike aktgjykimet janë të shumta, por fillimisht ia vlen të përmendet shembulli i Kushtetueses kosovare, e cila publikon aktgjykimet me emër e mbiemër të palëve. E njëjta praktikë ndiqet në Irlandë e Britani të Madhe. Përjashtimisht, aktgjykimet që përfshijnë raste nga e drejta e familjes, dyshime për terrorizëm dhe çështje të sigurisë kombëtare mund të anonimizohen (ndonëse këto dy të fundit ka rrezik që të përdoren si arsyetim për të mbajtur mediat larg gjykatave).

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, GjEDNj, paraqet edhe një shembull në këtë drejtim. Vendimet mbajnë emrin, mbiemrin, vitin e lindjes, qytetin, regjionin, shtetin e paditësit, mbiemrin e avokatit dhe emrin e plotë të kompanisë. Emrat anonimizohen vetëm me kërkesë të palëve, të cilët duhet të ofrojnë arsye bindëse dhe rastet vendosen individualisht. Për më tepër, ajo njofton qytetarët paraprakisht për datën e publikimit të aktgjykimeve dhe pastaj i informon përsëri ditën e shpalljes së aktgjykimit, shërbim ky që ende nuk ofrohet nga Kushtetuesja e Kosovës. Njoftimet bëhen përmes e-mailit ku secili person ka të drejtë të regjistrohet për të pranuar njoftime nga gjykata, përmes faqes zyrtare dhe përmes mediave sociale Facebook dhe Twitter.

KGjK-ja asnjëherë nuk është shquar për menaxhim tejet efikas të sistemit gjyqësor: që disa vjet rreth 400 mijë lëndë të pazgjidhura e përcjellin këtë institucion si hije e frikshme që nuk duket se do t’i largohet së shpejti, kualiteti i dobët i shkrimit dhe arsyetimit të vendimeve shpeshherë është bërë arsye e përqeshjes publike të sistemit gjyqësor, krijiimi i bazës së të dhënave të lëndëve ende nuk është arritur përkundër investimeve të majme, për të mos u lëshuar në këtë blog rreth ‘perceptimeve’ për korrupsion. Është deri diku e pranueshme që mosefiksiteti i tij është shkaktuar pjesërisht për shkak të mungesës së vullnetit politik për të pasur një sistem të fortë gjyqësor, por ky rast specifik që çon në kufizimin e qasjes në informacion, në rastin më të mirë është mungesë njohurie lidhur me standardet ndërkombëtare të transparencës.

Kjo ndërmarrje e KGjK-së, e paanalizuar mirë nga aspekti i zbatueshmërisë së saj dhe pasojave për publikun, dëshmon që ligjet të cilat deri vonë lavdëroheshin si më të mirat në rajon janë duke u keqinterpretuar e përdorur në dëm të transparencës. Me të gjitha kritikat dhe mosbesimin e publikut dhe të institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë progresin në aspektin e integrimit europian, është në interes të vet gjykatave të jenë transparente për të dëshmuar që janë duke e administruar sistemin e drejtësisë në mënyrë të drejtë.

Kryetari i ri i Këshillit i zgjedhur këtë muaj Nehat Idrizi ka mundësinë që të fillojë punën e tij me shfuqizimin e këtij udhëzimi, ndonëse mund ta ketë të vështirë të bindë të njëjtët anëtarë të KGjK-së që e aprovuan këtë udhëzim. Kështu ai do të tregonte përkushtimin e tij për një sistem gjyqësor transparent dhe do të lejonte stafin të fokusohet në punë më profesionale.

Së fundi, meqë kjo nismë vërtet i ngjan një shakaje, duhet thënë me humor se urdhëresa është vështirë e zbatueshme edhe për shkak të mungesës së kapaciteteve njerëzore. Në vitin 2013 ishte raportuar që në Kosovë ka rreth 90 bashkëpunëtorë profesionalë apo një bashkëpunëtor për katër gjyqtarë. Me këtë vendim, ky bashkëpunëtor do të duhet të anonimizojë secilin aktgjykim, veçmas obligimit për të mbështetur njëkohësisht katër gjykatës gjatë zgjidhjes së lëndës.

Udhëzimi për anonimizim është arsye gëzimi për të gjithë keqbërësit ndaj të cilëve gjyqësori ynë, nëse jo mëshirplotë, ka qenë dhe mbetet tejet gjeneroz.

 

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.