Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Tirana: një qytet i plagosur nga pastrimi i parave

Marshimi i fadromave, vinçave dhe mikserëve të çimentos vazhdon ndërsa shqiptarët e gjejnë veten të dëbuar nga qyteti. Ata që kanë mbetur janë dëshmitarë të shkatërrimit të monumenteve historike, këndeve të lojërave dhe hapësirave të hapura dhe janë të pafuqishëm për ta parandaluar atë

 Në tre dekadat e fundit, kryeqyteti shqiptar i Tiranës ka qenë vazhdimisht në gjendje fluksi. Nëse këto ndryshime janë të gjitha të mira, varet me kë flisni. Shumë aktivistë dhe banorë të vjetër të qytetit do t’ju thonë se qytetit i është hequr shpirti, hapësirat e çmuara të gjelbërta dhe identiteti i tij. Në anën tjetër, Bashkia do t’ju tregojë se është një qendër miqësore me mjedisin, qendër e politikave rinore dhe të orientuara drejt qytetarëve.

Shëtitja nëpër rrugët e saj tregon realitetin. Ndërtimi po lulëzon dhe mes blloqeve të epokës komuniste, apartamenteve me ngjyra të ndezura dhe disa ndërtesave historike që kanë mbetur, ka një prani të vazhdueshme dhe gjithnjë në rritje të betonit. Në të gjithë qendrën janë ngritur kulla të mëdha, kurse peizazhi dominohet nga kantierë të panumërt ndërtimi.

Pamjet me dron nga muajt qershor-korrik 2021 tregojnë të paktën 414 kantiere aktive ndërtimi në qytet. Ndërkohë, në vitin 2020 janë dhënë gjithsej 201 leje ndërtimi, respektivisht një leje në çdo 48 orë. Në tremujorin e parë të vitit 2021, janë dhënë leje ndërtimi me vlerë rreth 127 milionë euro, pothuajse dyfishi i të njëjtës periudhë në vitit 2020.

Natyrisht, progresi është i nevojshëm. Edhe investimet në infrastrukturë, banesa dhe objekte të tilla si zyra afariste dhe zona të shitjes me pakicë janë të mirëseardhura. Por me çfarë çmimi?

Çmimet shumë të larta

Çmimet e qirave në kryeqytet janë rritur ndjeshëm, duke bërë që shumë banorë vendas të mos e përballojnë këtë ndryshim në treg. Ndërsa katër vite më parë, një apartament me dy dhoma gjumi në një zonë relativisht qendrore kishte një qira rreth 300 euro në muaj, sot kushton mbi 500 euro. I njëjti problem është i pranishëm edhe kur bëhet fjalë për blerjen e pronës.

Për një ndërtesë të re në qendër të qytetit, çmimet janë rreth 4000 euro për metër katror, duke rënë në 800 euro për ndërtesat në periferinë e largët të kryeqytetit. Mesatarja prej 1102 euro është jashtëzakonisht e lartë nëse merret parasysh paga mesatare mujore prej rreth 500 euro në kryeqytet. Tirana është tashmë një nga vendet më të shtrenjta në Evropë për të blerë prona të paluajtshme, kurse kostot e qirasë kanë filluar t’i ngjajnë Brukselit dhe Romës.

Banka e Shqipërisë njoftoi se çmimi i banesave/apartamenteve në kryeqytet është rritur me 43% që nga viti 2014 dhe çmimet vazhdojnë të rriten, ndërkohë që pagat mbeten në stanjacion, kurse investimet e huaja në nivele të moderuara.

Ekspertët thonë se Shqipëria është në rrezik të kolapsit ekonomik pasi të shpërthejë flluska e ndërtimit dhe çmimet e banesave mund të bien me 50% në vitet e ardhshme.

Dyshime për pastrim parash

Vlerësohet se çdo vit në Shqipëri hyjnë deri në 700 milionë euro fonde të paligjshme. Këto fonde kanalizohen në vend nëpërmjet aktivitetit kryesisht kriminal, korrupsionit dhe mashtrimit tatimor. Gjatë tre viteve të fundit, vlerësohet se rreth 1.6 miliardë euro janë pastruar në sektorin e ndërtimit në Shqipëri.

Në vitin 2020, Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GITOC) zbuloi se ndërtimet e reja rezidenciale ose tregtare në Shqipëri ishin një mënyrë e njohur për të pastruar paratë.

“Fillon me financimin e ndërtimeve të reja rezidenciale apo komerciale, vazhdon me financimin e kontratave të ndërtimit dhe nënvlerësimin e vlerës së punës në ndërtim dhe sërish me shitjen e ndërtesave të përfunduara”.

Poashtu theksojnë se Bashkitë shpesh lëshojnë leje ndërtimi, por nuk monitorojnë se çfarë ndodh më pas. Në Shqipëri, sektori i ndërtimit që nga rënia e komunizmit është stimuluar nga njerëz nga diaspora shqiptare që investojnë fondet në vend, fonde që është e pamundur t’u përcaktohet burimi i legjitimitetit.

Tirana Grad so luzni od korupcijata so perenje pari

Burim: freepik.com

Më pas, në vitin 2012, ndërtimi shqiptar u ngadalësua në “nivele të papërfillshme” për shkak të recesionit global. Por në vitin 2016, sektori i ndërtimit filloi të rritet ndjeshëm, kurse ekspertët këtë rritje ia atribuojnë “investimit kriminal të gjeneruar nga krimi”.

Raporti zbuloi se nga 141 kompani që kanë marrë leje ndërtimi për shumëkatëshe ndërmjet viteve 2017 dhe 2019, prej tyre 59% nuk kishin kapacitetet financiare për t’i përfunduar ato. Bilanci i kompanive në fjalë tregonte se ato kishin të ardhura minimale dhe nuk kishin asete apo kredi që mund të përdoreshin për financimin e projekteve.

GITOC vlerësoi se 60% e vlerës së projekteve rrjedh nga paratë e paligjshme. Raporti gjithashtu pohon se edhe kur merret parasysh vlera e hipotekave, ka një mospërputhje prej rreth 600 milionë euro vetëm në vitin 2019. Gjetjet nga raporti dhe një ekspert i paidentifikuar shqiptar në fushën e pastrimit të parave zbulojnë se midis vitit 2016 dhe 2019, përmes sektorit të pasurive të paluajtshme në Shqipëri ishin pastruar deri në 1.6 miliardë euro “para të pista”.

Gjithashtu theksohet se si kriminelët dhe ata që kërkojnë të pastrojnë paratë krijojnë lidhje me politikanët dhe zyrtarët për të siguruar lejet për ndërtimet e tyre. Ryshfeti, ndikimi, ndërmjetësimi, shantazhi dhe shpërdorimi i pushtetit dhe pozitës zyrtare përdoren të gjitha për të marrë leje dhe përfitime të tjera.

Më pas, në janar të vitit 2021, arrestimi i dhjetëra anëtarëve të mafias Ndrangheta në Itali zbuloi lidhjet e tyre me sektorin e ndërtimit në Shqipëri.

Forcat italiane të antimafias arrestuan 50 persona, mes të cilëve shtatë shqiptarë.

Përgjimet e siguruara si pjesë e hetimit zbuluan se të përfshirët pretendonin se mund të përdornin një biznesmen shqiptar, i cili gjoja ka akses te Kryeministri dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës për të investuar në ndërtim. Gjithashtu kanë diskutuar edhe për ndërtimet në qendër të Tiranës dhe çmimet e larta të pasurive të paluajtshme. Madje, njëri prej të dyshuarve kishte thënë: “Në rrokaqiejt e rinj, çmimet shkojnë rreth 3800-4000€ për metër katror. A e dini sa është kostoja e vërtetë? 510€.”

Mungesë përgjegjësie

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj hodhi poshtë çdo lidhje, duke thënë se i gjithë hetimi shumëvjeçar është krijuar nga partitë opozitare në përpjekje për të manipuluar publikun përpara zgjedhjeve të përgjithshme të prillit 2021. Ai pretendoi se asnjë leje ndërtimi nuk është e ndikuar nga kriminelët apo aktivitetet e tyre të paligjshme.

Prokuroria e specializuar për korrupsion nisi një hetim paraprak në shkurt të vitit 2021, por që atëherë nuk është dëgjuar asgjë.

Disa muaj më vonë, Njësia Italiane e Inteligjencës Financiare raportoi se Shqipëria ishte destinacioni kryesor për “transaksionet e dyshimta” nga vendi gjatë gjysmës së parë të vitit 2020. Shqipëria ishte para Marokut, Rumanisë dhe Senegalit në vendin e parë, me pothuajse gjysmën e 70,157 raportimeve të dyshuara të bëra gjatë kësaj periudhe kohore. Shumica e transaksioneve kanë ardhur nga vendet e njohura të mafias si Lombardia, Lazio, Siçilia dhe Emilia Romagna.

MONEYVAL i Këshillit të Evropës zbuloi se autoritetet nuk kanë marrë masa të mjaftueshme për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit. Ata zbuluan se ishin ndërmarrë disa hapa pozitivë, por kishte ende një numër të konsiderueshëm kufizimesh, përfshi mungesën e ndjekjeve penale, dënimeve dhe parandalimit.

“Janë ndërmarrë hapa të kufizuar për të përmirësuar legjislacionin me Rekomandimet e tjera, por mangësitë mbeten. Shqipëria inkurajohet të vazhdojë përpjekjet e saj për të adresuar mangësitë e mbetura”.

Departamenti Amerikan i Shtetit kishte konkluzione të ngjashme në raportin e tij të Strategjisë ndërkombëtare të kontrollit të narkotikëve të botuar këtë vit, ku thuhej se Shqipëria ishte një “destinacion kryesor i pastrimit të parave” në vitin 2020. Departamenti i Shtetit tha se qeveria shqiptare nuk ka bërë “asnjë përparim të rëndësishëm drejt pengimit të pastrimit të parave dhe krimeve financiare në vitin 2020”.

E megjithatë, marshimi i fadromave, vinçave dhe mikserëve të çimentos vazhdon ndërsa shqiptarët e gjejnë veten të dëbuar nga qyteti. Ata që kanë mbetur janë dëshmitarë të shkatërrimit të monumenteve historike, këndeve të lojërave dhe hapësirave të hapura dhe janë të pafuqishëm për ta parandaluar atë.

Vitet e fundit, shoqëria civile është përpjekur të luftojë, por kur përballen me fuqinë e shtetit dhe paratë që e ushqejnë atë, përpjekjet e tyre deri më tani kanë qenë të kota. Një protestë dyvjeçare për shembjen e Teatrit Kombëtar, rezultoi në tërheqjen zvarrë të aktivistëve nga godina në orën 3 të mëngjesit nga forcat speciale të armatosura, ndërsa prishja filloi ndërsa ata ishin ende brenda objektit. Ata nuk patën as mundësinë t’i shpëtojnë gjërat e tyre nga rrënojat.

Fate të ngjashme kanë pasur edhe ata që protestojnë kundër prishjes së shtëpive të tyre për t’i hapur rrugë projekteve private. Policia hyri gjatë orëve të para duke përdorur gaz lotsjellës dhe shkopinj, duke lënë qytetarët të pastrehë me gjërat e tyre pranë, ndërsa filluan të krijohen shtresa pluhuri.

Kundërshtimi i shoqërisë civile ndaj ndryshimeve që po pëson Tirana është i fuqishëm, por i dëmtuar nga zhgënjimi me institucione si gjykatat. Me numrin e madh të çështjeve që arrijnë në dhjetëra mijëra, me shumë gjasë është tepër vonë për të parandaluar lëvizjen e makinerive të rënda.

Rezultati është një qytet simpatik dhe me të meta, por që dalëngadalë po e humb trashëgiminë e tij arkitekturore. Ndërsa shtëpitë osmane dhe vilat e viteve 1930 janë rrafshuar me tokë, shqiptarët kundërshtojnë të identifikohen me monolitet e betonit që i zëvendësojnë ato.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.