Hartimin e pjesëve të Statutit të ri të Universitetit të Prishtinës që vendosin kriteret e zgjedhjes dhe avancimit të mësimdhënësve e ka orientuar prirja e përbotshme e kërkesës së mësimdhënësve universitarë për të botuar në revista shkencore nën tiraninë e “publish or perisht” ose “boto ja mbaro” që i jep rëndësi sasisë së botimeve shkencore dhe jo cilësisë së tyre. Statuti i ri nuk merret me çështjen e cilësisë së botimeve të mësimdhënësve, por vetëm me sasinë e botimeve.
Statuti i ri i Universitetit të Prishtinës që përfundimisht u miratua nga Kuvendi i Kosovës, nga qeveria u cilësua si një “reformë” që do të “rrisë cilësinë e studimeve, do të përmirësojë produktivitetin shkencor dhe do të rrisë cilësinë e publikimeve shkencore”, ndërsa nga vetë udhëheqësit e UP-së u cilësua si hap drejt “përparimit të universitetit në qeverisje, mësimdhënie, kërkim shkencor dhe inovacion”.
Ka qenë e dukshme se UP-ja ka pasur nevojë reale për një statut të ri dhe se ky që u miratua, në një numër aspektesh, është i mirëseardhur dhe pasqyron praktikat e viteve të fundit të UP-së dhe aspiratat e saj drejt përparimit dhe ngritjes së cilësisë. Sidoqoftë, kjo dhe toni ngazëllues i udhëheqësve të shtetit dhe të UP-së në lidhje me Statutin e ri, në asnjë mënyrë nuk do të thotë se një lexim i kujdesshëm i përmbajtjes së tij dhe një analizë e procedurës së hartimit dhe miratimit të tij e kursejnë atë nga vërejtjet serioze.
Duke anashkaluar analizën e procesit të hartimit të Statutit (që deri më sot, nuk gjendet asku në internet), edhe ashtu jotransparent siç e kërkon dhe e meriton dokumenti më i lartë i universitetit, që e vë në dyshim vetë legjitimitetin procedural të hartimit të tij, në këtë shkrim analizoj një aspekt përmbajtjesor të statutit të ri që ka të bëjë me kërkesat për zgjedhje dhe avancime akademike të personelit, domethënë të mësimdhënësve universitarë, me qëllim për të ofruar një analizë kritike të kritereve të zgjedhjes dhe avancimit të mësimdhënësve. Aspektin në fjalë e rregullojnë nenet 154 deri 157 të Statutit të ri. Udhëheqësit e universitetit dhe ministrja e MASHTI-t e trumbetuan këtë aspekt si “ngritje të dukshme të kërkesave për avancimet akademike të personelit” dhe si kritere që “promovojnë integritet moral e kredibilitet profesional për të zgjedhurit dhe të emëruarit”.
Mirëpo, a mjafton “ngritja e dukshme” e kërkesave për avancime akademike për të promovuar “integritet moral e kredibilitet profesional”, është pyetje të cilën, siç duket, as hartuesit (deri më sot, nuk ka informacion publik se kush janë), as mbështetësit (udhëheqja e UP-së dhe Qeveria), as miratuesit (57 deputetë të Kuvendit) të cilët nëse hamendësojmë se e kanë lexuar, nuk e kanë menduar mirë, në mos fare.
E vërteta është që një ndryshim i dukshëm në këtë Statut është shtimi i kërkesave për botime të stafit mësimdhënës si kusht për t’u avancuar në tituj akademikë, nga 1 në 2 për profesor asistent, nga 2 në 3 për profesor të asocuar dhe nga 2 në 4 për profesor të rregullt, përveç kërkesave të tjera. Këto dhe kërkesat e tjera që specifikohen në nenet 155 deri 157 janë joreale dhe të paplotësueshme në kontekst të gjendjes së UP-së, si për shembull, avancimi në profesor të rregullt kushtëzohet me mentorim ose bashkëmentorim të një doktorate, në mënyrë absurde, në një universitet në të cilin shumë nga njësitë akademike (fakultetet) dhe shumica e departamenteve të tij nuk kanë programe doktorate.
Si duket, shkrimin e pjesëve të statutit të ri që vendosin kriteret e zgjedhjes dhe avancimit të mësimdhënësve e ka orientuar kërkesa e përbotshme që mësimdhënësit universitarë të botojnë në revista shkencore nën trysninë, ose siç shprehet Camile Paglia “tiraninë”, e “publish or perish-it”. Kjo trysni, që nën diktatin “boto ja mbaro” orienton kriterin për avancim në tituj akademikë, i jep rëndësi sasisë së botimeve shkencore dhe jo cilësisë së tyre. Një trysni e tillë në kontekstin tonë është përkthyer në trajtë të një diagnoze të thjeshtëzuar dhe të gabuar të problemeve nga të cilat lëngon arsimi i lartë në Kosovë, që i redukton problemet në numrin e vogël të botimeve shkencore të profesorëve universitarë, në vend se të bëjë një analizë gjithëpërfshirëse dhe konstatim të gjithanshëm të gjendjes dhe nevojave të universitetit.
Kërkesës për botim nuk kishim me i gjetë behane sikur ajo të ishte brenda suazave reale dhe të vinte natyrshëm si rezultat i kërkimeve shkencore të personelit akademik të universitetit, dhe jo si rezultat i një zori për të botuar, si kusht për të ruajtur titullin ose për t’u zgjedhur a avancuar në tituj akademikë. Numri minimal i botimeve do të duhej të vendoset sipas parametrave realë vetëm pasi të jenë ofruar kushtet optimale që mundësojnë e lehtësojnë kërkimin shkencor nga të cilat do të rezultonin botimet shkencore, dhe jo nga kërkesa arbitrare e joreale për të botuar kaq e kaq, brenda kaq e kaq periudhe kohore.
“Përparimi i universitetit në kërkim shkencor” dhe “rritja e cilësisë së produktivitetit shkencor dhe të publikimeve shkencore”, me u shprehë me fjalët e udhëheqjes së UP-së dhe të qeverisë së Kosovës, nuk është punë me zor. Në të vërtetë, zori në të cilin futet personeli universitar për të botuar, nuk ka garantuar cilësinë e kërkimeve shkencore e madje ka ulur cilësinë e botimeve shkencore të profesorëve të UP-së.
Ky zor ka prodhuar edhe botime që nuk kanë kurrfarë vlere shkencore a kulturore, që janë të dyshimtë në aspektin metodologjik e shkencor dhe nuk mund të krahasohen me shkrimin më mesatar dhe të zakonshëm në çfarëdo mediumi tjetër. Dhe, të gjitha këto në revista të indeksuara në platformat Web of Science dhe Scopus, si të vetmet që, sipas nenit 152, garantojnë cilësinë e artikujve të botuar. Mirëpo, këto platforma nuk mund të merren si filtër ose si garanci përfundimtare e seriozitetit dhe rigorozitetit të revistave të indeksuara në to dhe rrjedhimisht as të artikujve që ato botojnë.
Ky është problem i konstatuar shpesh, por të cilin e kanë injoruar hartuesit e Statutit. Në vend se të trajtohet problemi duke krijuar mekanizma të garantimit të cilësisë, Statuti e shpërfill skajshmërish dhe, për çudi, vetëm e thellon këtë problem duke kërkuar më shumë botime në këto dy platforma! Pra, “Statuti i cilësisë” kërkon një numër më të madh të artikujve të indeksuar në platformat Web of Science dhe Scopus, pavarësisht cilësisë së tyre. Në këtë kuptim, duke qenë se nxitë më shumë botime të këqija, ai është më i keq se i vjetri! Nuk mund të presësh cilësi të prodhimit shkencor ose të botimeve shkencore nëse lyp më shumë prodhim shkencor ose botime shkencore pa fuqizuar a krijuar mekanizma të garantimit të cilësisë.
Në të vërtetë, UP-ja ka një mekanizëm për vlerësimin e meritës së kandidatëve për titujt akademikë, që quhen “komisione vlerësuese”. Detyra e këtyre komisioneve është të vlerësojnë aplikimet për zgjedhje dhe avancim të mësimdhënësve me tituj akademikë. Mirëpo, statuti nuk i jep kurrfarë peshe vlerësimit të këtyre komisioneve për cilësinë, saktësinë metodologjike a shkencore të artikujve. Kështu, roli i tyre reduktohet në punë teknike të konstatimit nëse një mësimdhënës ka të botuar artikuj në revista të indeksuara në ato dy platforma, ndonëse kjo nuk përbën kurrfarë garancie për nivelin më minimal të cilësisë së artikujve.
Me një fjalë, Statuti i ri nuk bën asnjë hap përpara drejt rigorozitetit shkencor në vlerësimin e shkallës më minimale të cilësisë së botimeve shkencore të mësimdhënësve të tij, duke minuar vetë rolin e komisioneve vlerësuese, që tekembrama, janë mekanizma të universitetit që kanë për detyrë të gjykojnë vlerën e kandidatëve për mësimdhënës. Pra, me statutin e ri nuk ndryshon gjë në cilësi, por vetëm në sasi dhe, kështu, ai nxit një numër më të madh botimesh të dosidoshme, sa për të kryer punën e avancimit në titullin akademik profesor.
Kështu, Statuti e përcakton një standard jo vetëm të korruptuar për zgjedhje dhe avancim të mësimdhënësve, por një standard që është shumë më i ulët sesa standardi që UP-ja e kërkon nga studentët e tij. Përderisa një mësimdhënës është i autorizuar ta vlerësojë cilësinë e një punimi të studentit (një punim seminari, një temë diplome, a një tezë masteri a doktorate) dhe nuk mjaftohet nëse studenti e ka botuar atë punim në një revistë të indeksuar, e njëjta nuk vlen edhe për punimet e mësimdhënësve ose të kandidatëve për një titull akademik në UP, pasi ato fitojnë certifikatën e cilësisë dhe pranueshmërisë vetvetiu me t’u botuar në ndonjë revistë të indeksuar në Web of Science ose Scopus.
Me një fjalë, kur dihet globalisht dhe nga përvoja jonë lokale se këto dy indekse janë të kufizuara, në një numër rastesh, të komprometuara dhe botojnë artikuj jo vetëm të pavlerë të cilësisë së ulët, por edhe të pasaktë nga ana shkencore, nuk është e qartë se si shtimi i sasisë së kërkesave për mësimdhënësit e universitetit do t’i kontribuojë rritjes së cilësisë, siç pretendojnë mbështetësit e statutit. Statuti i ri nuk parasheh ndonjë mekanizëm a sistem të garantimit të cilësisë, andaj nuk e di sesi mund të vlerësohet se ky statut përbën hap drejt përmirësimit të cilësisë së kërkimit shkencor në UP!
Veç kësaj, shtimi i kërkesave të tilla – i kombinuar me mungesën ose pamjaftueshmërinë e përkrahjes financiare, logjistike dhe administrative të mësimdhënësve për realizimin e këtyre kërkesave, si dhe me pagat e tyre të pamjaftueshme për një jetesë të dinjitetshme bazike, sidomos pas uljes së tyre në vitin 2023 dhe mospagesave kundrejt mentorimit të studentëve – rrezikon t’i shtyjë mësimdhënësit universitarë të kërkojnë punë shtesë për t’ua shtuar të ardhurave të tyre të pamjaftueshme në universitet. Kështu, duke qenë se për mësimdhënësit puna në UP nuk do të jetë puna e tyre e vetme, vëmendja dhe energjia e tyre do të shpërqendrohet, dhe vështirë se do të mund të flasë dikush për “përparim në mësimdhënie dhe kërkim shkencor”.
Këto rëndesa të shtuara, mospërkrahja dhe pamjaftueshmëria e kompensimit, do t’i kushtojnë UP-së edhe me vështirësi për rekrutimin e stafit të ri mësimdhënës, pasi më të zgjuarit e rinisë tonë nuk do të aspirojnë një karrierë që kërkon shumë, por mbështet pak dhe paguan pamjaftueshëm . Ndryshe nga pretendimet e udhëheqësve të UP-së dhe qeverisë, kjo nuk mund të rezultojë me diçka tjetër përveçse me uljen e cilësisë së studimeve dhe kërkimeve në arsimin e lartë në vend.
Duke qenë se, siç është bërë zakon, në mënyrë joformale UP-ja i përcakton edhe standardet e institucioneve të tjera të arsimit të lartë publik në vendin tonë, universiteti kosovar nuk do të mund të konkurrojë në tregun e punës, nuk do të jetë joshës për një të ri që shqyrton ose planifikon karrierën e tij/saj. Karrierës universitare do t’i konkurrojë një post politik, si, ta zëmë, këshilltar politik a deputet, që gëzon pagë më të lartë kundrejt punëve më të pakta dhe kualifikimeve më të ulëta që kërkojnë këto “profesione”, pa përmendur teknikët e IT-së, shefat e kuzhinës ose të tjera, që paguhen më mirë ose njëjtë për punë që kërkojnë kualifikime shumë më të thjeshta sesa profesioni i profesorit universitar.
Shtimi i numrit të kërkesave për botim do të ketë kuptim vetëm nëse universiteti fuqizon dhe krijon mekanizma të garantimit të cilësisë dhe nëse qeveria dhe universiteti mbështesin funksionalizimin dhe aktivitetin e instituteve të universitetit që kishin me qenë themele të forta për botime serioze. Vetëm atëherë do të mund t’i prisnim frytet e këtyre instituteve dhe do të arsyetohej shtimi i kërkesës për botime për mësimdhënësit e universitetit. Meqenëse këtë nuk mund ta gjykojmë apriori, na duhet të presim e të shohim se si do të sillet qeveria ndaj universitetit. Për fat të keq, deri më tani, universiteti nuk ka marrë sinjale shpresëdhënëse nga qeveria për interesimin a vullnetin e saj për ta mbështetur universitetin. Kjo, natyrisht, mund të ndryshojë nëse qeveria bëhet mike e universitetit duke u kujtuar për punonjësit e universitetit jo vetëm kur ka kërkesa, kritere e kufizime për ta, por edhe kur u duhet shtrirë dorën e përkrahjes.