Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Treni i përbashkët Ballkan Perëndimor-Ukrainë

Samiti Ukrainë-Europë Juglindore, i cili u mbajt më 28 shkurt në Tiranë, i cili u pasua një ditë më vonë nga Samiti Ballkan Perëndimor-BE, mund të lexohet në dy mënyra.

Mënyra e parë e leximit të tij është ajo e zakonshmja e çarshive politike ballkanike, ku pesha e ngjarjeve të tilla ose zhvlerësohet si e parëndësishme, ose i vendos në qendër si dinamikë kryesore dallimet dhe inatet personale të liderëve të mëhallës sonë të vogël europiane, apo garat egocentrike për hegjemoni rajonale, e që zakonisht shoqërohen me akuza mbi tradhti kombëtare në diskursin publik.  

Në Kosovë, diskursi sundues sovranist i Qeverisë Kurti – ku marrëdhëniet ndërkombëtare dhe rrethanat politike në rajon shpesh shihen si një arenë e një komploti të vazhdueshëm kundër Kosovës dhe prijësit të saj të drejtë (kryeministrit) – në masë të madhe e trajton ngjarjen nga një prizëm i tillë miopik dhe folklorik.

Ironia e këtij këndvështrimi është se, ndërkohë që prezantohet si patriotik dhe si alarmues ndaj synimeve dashakeqe të Serbisë në rajon, njëkohësisht e mbivlerëson peshën e Serbisë dhe fuqinë e një autokrati në rënie si Vuçiq, duke e vënë atë përherë në qendër të vëmendjes si motor shtytës të zhvillimeve rajonale. Kësaj here, për shembull, nuk munguan as argumentet se Samiti kishte për synim që ta shpërlante imazhin e Vuçiqit në Perëndim.

Rrjedhimisht, ky prizëm i ngushtuar i analizës, nga mendje të cilat nuk po arrijnë dot të çlirohen nga Serbia, duke folur gjithmonë dhe vetëm për atë, prej vitesh vazhdon ta kontaminojë gjykimin e Qeverisë dhe një pjese të madhe të opinionit publik në Kosovë. Rezultati është një keqlexim i vazhdueshëm i rrethanave dhe tablosë më të gjerë gjeopolitike; një mosskuptim i kufijve manovrues të Kosovës, si dhe një degradim i vazhdueshëm i raporteve të Kosovës me partnerët strategjikë.

Ekziston një mënyrë e dytë dhe më frytdhënëse e analizës, e cila shpjegon se pse një ngjarje e tillë si Samiti i Tiranës ndodh pikërisht tani; pse Shqipëria e ka marrë rolin dhe peshën që e ka marrë në Ballkan; dhe cilat janë sfidat dhe pasojat që e presin Kosovën.

Së pari, lufta në Ukrainë – si ngjarja më domethënëse politike në Europë që nga fundi i Luftës së Ftohtë – është një luftë, rrjedha e së cilës do t’i përcaktojë më shumë se çfarëdo tjetër edhe fatet e shteteve të Ballkanit, perspektivën e Kosovës drejt OKB-së dhe rrugën tonë drejt NATO-s dhe BE-së. Kjo sepse lufta në Ukrainë e përcakton qasjen të cilën Perëndimi do ta ketë ndaj nesh kolektivisht si rajon edhe individualisht si shtete, pavarësisht se sa të rëndësishëm mendojmë se jemi me hallet dhe prioritetet tona të veçanta.

Në këtë kontekst, nga perspektiva e sigurisë, ne si Ballkan Perëndimor jemi pjesë e një tabele të përbashkët të shahut me Ukrainën. Zhvillimet në të dyja frontet e kanë një element të ndërvarësisë, prandaj edhe ne mes vete kemi nevojë për t’u koordinuar në forume të tilla si ky i Tiranës dhe për t’i shoshitur dhe definuar interesat tonë të përbashkët – nën ombrellën e Perëndimit.

Së dyti, kur flitet për këta interesa të përbashkët, ajo që është e rëndësishme në këtë moment, dhe që është shumë shqetësuese, është kahja jo shumë pozitive të cilën e ka marrë lufta. Rusia e ka stabilizuar frontin dhe në disa zona madje po përparon duke okupuar më shumë territor; ndërkohë që Ukraina po përballet me mungesë municionesh e mungesë financiare dhe me humbje të durimit dhe të unitetit brenda vendeve perëndimore. 

Kriza tjetër në Lindjen e Mesme, lufta mes Izraelit dhe palestinezëve në Gaza, e cila për disa muaj e eklispoi Ukrainën nga vëmendja perëndimore, tregoi se sa e brishtë mbetet rezistenca ukrainase nga zhvillimet në rajone të tjera dhe se sa të kufizuara janë mundësitë e Perëndimit (veçanërisht të ShBA-së) për të luftuar njëkohësisht në shumë fronte. Kjo sidomos duke e ditur se lufta e vërtetë dhe më e madhe për të cilën Perëndimi po përgatitet – dhe me përmasa shumëfish më të mëdha destablizuese botërore – është sulmi i shumëpritur i Kinës ndaj Tajvanit.

Në këtë kontekst, ndërkohë që ndihma më e madhe të cilën Ukraina mund t’ia japë Ballkanit Perëndimor është që ta vazhdojë rezistencën ndaj Rusisë dhe ta synojë fitoren – duke e zbehur kështu mundësinë e saj për ta zgjeruar lutën më tutje në Europë, kontributi kryesor të cilin Ballkani Perëndimor mund ta japë në këtë luftë është që të mos hapë vatra të reja shpërqendruese lufte që kërkojnë kapacitete perëndimore. 

Pra, nga Ballkani Perëndimor kërkohet që të kthehet nga konsumues, në kontribuues të sigurisë europiane. Mbi këtë kriter vlerësues, veçanërisht pas sulmit të Banjskës, Vuçiq është anatemuar politikisht nga Perëndimi muajve të fundit. Dhe, mbi këtë kriter vlerësues, Kosova dy vjetët e fundit e ka izoluar veten, për shkak të hapave të njëpasnjëshëm dhe të pamenduar që prodhuan kriza të sigurisë, të cilat në hesap të fundit duhet t’i zgjidhë NATO-ja. Dhe pikërisht mbi këtë kriter sot vlerësohet pozitivisht roli i Shqipërisë si shteti kyç i ruajtjes së stabilitetit në rajon.

Së treti, lufta në Ukrainë e ka rigjallëruar përkohësisht perspektivën e zgjerimit në BE. Meqë valët e zgjerimit zakonisht kanë shkuar në grupe, Ukraina si motor shtytës mund të marrë me vete në vagonin më të shpejtë edhe shtete të tjera si Moldavia dhe ndonjë vend tjetër të Ballkanit Perëndimor. Cilindo që mund të jetë më i gatshëm për pranim. 

Rrjedhimisht, Shqipëria, edhe pse është formalisht disa hapa prapa vendeve të tjera në fazat e negociatave, efektivisht është bërë “frontrunner” i Ballkanit Perëndimor. Kjo për shkak se, si anëtare e NATO-s, Shqipëria është bërë shtylla kryesore dhe aktive e politikës së sigurisë së Perëndimit në rajon; për shkak të fillimit të materializimit të reformës së vështirë në drejtësi dhe mungesës së problemeve dypalëshe të cilat ia pengojnë procesin integrues thuajse çdo vendi tjetër të Ballkanit Perëndimor.  

Gjithsesi, Shqipëria është larg së përmbushuri standardet dhe në shumë fusha të demokratizimit ka shënuar regres. Por, ajo shkëlqen në një kontekst rajonal shtetesh me probleme të patejkalueshme. Veçanërisht në raport me ish-favoritin, Serbinë pro-ruse të Vuçicit, e cila tashmë në përfundimet e raportit më të fundit të Këshillit të Europës – pra sipas mendimit konsensual të 27 vendeve anëtare të BE – shihet si vend me probleme të patejkalueshme gjeopolitike dhe të standardeve të demokracisë. 

Në këtë kontekst të dinamikave të reja të zgjerimit nevojiten edhe instrumente të reja – veçanërisht financiare si Plani i Rritjes, që synojnë që të na japin si rajon disa prej përfitimeve që u takojnë vendeve anëtare edhe gjatë procesit të anëtarësimit. Kjo me synimin për t’u dhënë shtysë reformave që na çojnë drejt BE-së, për t’i integruar më mirë tregjet dhe, kështu, për të mos e thelluar akoma më shumë hendekun ekonomik mes rajonit tonë dhe BE-së. 

Investimet në ekonomi shihen edhe nga prizmi i sigurisë – sa më shumë që rajoni rritet ekonomikisht dhe integrohet me tregun e BE-së, aq më shumë ai bëhet i ndikueshëm nga Perëndimi dhe NATO-ja për të shmangur përshkallëzime të luftërave. Kjo vlen veçanërisht për Serbinë, e cila përkundër retorikave pro-ruse dhe pro-kineze, tashmë eksporton 18 miliardë euro në vit në BE dhe vetëm 2 miliardë në Kinë dhe Rusi së bashku.   

Duke i marrë parasysh këto dinamika, ishte krejt e natyrshme që Shqipëria t’u prijë ngjarjeve dhe t’i organizojë samitet. Po aq sa ishte krejtësisht anakronike dhe joproduktive që Kosova të vazhdojë ta godasë murin me krye.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.