Është iluzion të mendohet se qeveria e Kosovës, apo cilado qeveri tjetër e botës, ka potencialin dhe kapacitetet, që pa përfshirjen e kapitalit privat, të ngrejë në këmbë një ndërmarrje kaq komplekse. Për të tërhequr kapitalin e brendshëm dhe të jashtëm privat, që me vete sjell dijen menaxheriale dhe teknologjinë, duhet të krijohet Bursa e Tregtimit të Bonove dhe Aksioneve, që në rastin ideal do të ishte një bursë e përbashkët me Shqipërinë e pse jo edhe me Maqedoninë e Malin e Zi.
Në janar të vitit të kaluar, qeveria e Kosovës dështoi në rregullimin e çështjes së Trepçës përmes ndryshimit të Ligjit për Ndërmarrjet Publike. Ndryshimet e propozuara nuk trajtonin detaje të rëndësishme ekonomike, financiare e juridike, por vetëm ndryshonin statusin e ndërmarrjes nga shoqërore në publike. Pas presioneve, që thuhej se vinin nga ambasadat e huaja, qeveria u tërhoq. Kryeministri serb Vucic, e cilësoi këtë tërheqje si suksesin e radhës së diplomacisë së tij.
Si arsyetim për tërheqje, qeveria tha se zgjidhja do të kërkohet më mirë përmes një ligji të veçantë për Trepçën dhe një strategjie të re, përfshirë edhe koston financiare. Në mars të këtij viti u krijua grupi për hartimin e draftligjit. Paralelisht duhej të fillonte edhe hartimi i strategjisë dhe definimi i kostos financiare përmes një studimi të fizibilitetit, të cilin duhej ta kryente AKP-ja me ekspertizë të jashtme. Por, kjo u zhagit në mungesë të bordit të kompletuar të AKP-së. Në fund gjithçka u bë me ngut, shpejt e shpejt, pa debat publik, pa konsultime me ekspertë të jashtëm e pa një konsesus të mirëfilltë vendor. Madje as nuk u prit përfundimi i studimit të fizibilitietit, të cilin ndërkohë AKP-ja e kishte kontraktuar në vlerën prej rreth 600 mijë eurove. Krejt kjo, siç thuhej, për të shpëtuar Trepçën nga falimentimi para afatit të përcaktuar nga Gjykata Supreme.
Rreth resurseve natyrore
Para se të trajtojmë më tutje Trepçën, të ndalemi pak tek resurset natyrore të Kosovës. Vendi ynë posedon një sasi të madhe sosh, të cilat krahas burimeve njerëzore dhe potencialeve të sektorit privat, përfaqësojnë njërën nga tri shtyllat zhvillimore për një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe me bazë të gjerë të vendit.
Një shfrytëzim i drejtë i këtyre resurseve mund të çojë deri në riaktivizimin e potencialeve të mëdha industriale, të të ashtuquajturës “ekonomi e vjetër”, si dhe në krijimin e industrive dhe zinxhirëve tërësisht të rinj të vlerës. Ringjallja e industrisë së minierave ka potencial që të nxisë zhvillimin e metalurgjisë, përpunimin e metaleve, dhe të një grupi tjetër të industrive, të cilat lindin pastaj në rangun e zinxhirit të vlerës.
Statusi i zgjidhur politik i Kosovës, ka qartësuar edhe de jure politikën që rrethon pronësinë, menaxhimin, dhe kontrollin e resurseve natyrore të vendit. Edhe sipas Planit te Ahtisaarit sikurse edhe sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës pasuritë dhe burimet natyrore konsiderohen pasuri kombëtare. Me përdorimin dhe transformimin e drejtë të këtyre resurseve, mund të krijohet një trung i kapitalit, i cili e shton pasurinë e gjeneratave të sotshme dhe të së ardhmes.
Që të jenë në shërbim të zhvillimit ekonomik dhe të qytetarëve të Kosovës, këto resurse duhet të përdoren sipas parimeve vijuese:
Parimi i eficiencës – përdorimi i tyre në një mënyrë të qëndrueshme, e cila do të zvogëlonte pasojat për ambientin;
Parimi i zhvillimit të qëndrueshëm – që do të thotë se nevojat e gjeneratave të tanishme nuk duhet ta rrezikojnë mundësinë e gjeneratave të ardhshme për t’i përmbushur nevojat e veta, dhe
Parimi i vlerës së shtuar – përmes krijimit të mekanizmave dhe industrive përpunuese të metaleve bazë dhe mineraleve në rangun e zinxhirit të vlerës, duke maksimalizuar përfitimet për ekonominë e Kosovës dhe popullin e saj.
Këto parime jo vetëm që duhet të integrohen në politikat dhe masat ligjore të Kosovës, por ato duhet të jenë pjesë e vendimeve politike dhe ekonomike si dhe të ndiqen nga shoqëria në përgjithësi, sa herë që bëhet fjalë për resurset natyrore.
Për të shfrytëzuar resurset natyrore sipas këtyre parimeve, Kosova nuk ka kapacitete të mjaftueshme financiare. Prandaj, duhet gjetur rrugë për tërheqjen e kapitalit përmes investimeve të sektorit privat në vend dhe jashtë, të cilat sjellin edhe dijen dhe përvojën e nevojshme për menaxhimin profesional e modern të këtyre resurseve si dhe qasjen më të lehtë në tregjet ndërkombëtare. Por, për këtë, pak më vonë.
Trepça
Kompleksi Metalurgjik dhe i Minierave Trepça, daton si ndërmarrje qysh nga vitet e 20-ta të shekullit të XX-të, kur ishte në pronësi të Selection Trust nga Britania e Madhe. Pas Luftës së Dytë Botërore edhe Trepça, sikurse edhe kompanitë tjera ekzistuese në Jugosllavinë e atëhershme, u nacionalizua dhe u shndërrua në Ndërmarrje Shoqërore. Në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar, Trepça u zhvillua dukshëm dhe punësonte deri në 22 mijë punëtorë. Trepça ishte ndërmarrja më e madhe e minierave në ish Jugosllavi dhe në vete përfshinte minierat, flotacionin, shkritoret dhe përpunimin e mëtejmë të lëndës së parë.
Përpos minierave në Ajvali, Kishnicë, Novo Bërdë e Stan Tërg, Trepça kishte në pronësi edhe fabrikën e llakut dhe ngjyrës dhe atë të galvanizimit, të dyja në Vushtrri, fabrikën e municionit sportiv dhe të gjuetisë në Skënderaj, fabrikën e baterive të industrisë në Pejë, Famipën në Prizren, fabrikën e baterive të Nikel-Kadmiumit në Gjilan etj.
Pasuria e Trepçës e krijuar jashtë Kosovës përfshinte edhe miniera dhe flotacione në Serbi dhe Mal të Zi, një hotel bregdetar në Mal të Zi dhe një në Kopaonik, një zyrë në Beograd, fabrika për akumulatorë dhe pajisje ftohëse, aksione në kompaninë Zastava dhe ferma në Vojvodinë. Një pjesë e këtyre pasurive ishin blerë pas futjes së masave të dhunshme.
Me heqjen e autonomisë së Kosovës më 1989 dhe futjen e masave të dhunshme në këtë ndërmarrje, filloi edhe shkatërrimi i saj sistematik. Largimi i punëtorëve shqiptarë nga puna ishte diskriminues, ashtu siç ishte edhe i gjithë regjimi administrativo-politik serb, që u etablua në Kosovë pas heqjes së autonomisë. Rrjedhimisht, çfarëdo vendimi i marrë në Trepçë dhe rreth saj në periudhën e masave të dhunshme, nga viti 1989 e deri në futjen e plotë të kësaj ndërmarrjeje nën kontroll të UNMIK-ut dhe më vonë të institucioneve të Republikës së Kosovës, është diskriminues dhe si i tillë jovalid.
Në periudhën 1980-1990 Trepça kishte mbijetuar jo falë rezultateve të veta afariste, por nga subvencionet e vazhdueshme të Fondit Zhvillimor Federativ dhe nga kreditë bankare. Në fund të vitit 1991, vlera e borxheve të Trepçës ndaj bankave kishte arritur në 115 milionë euro, ndërsa borxhet ndaj furnizuesve të pajisjeve arrinin në 11 milionë euro, borxhi i rrogave ishte 3.5 milionë euro dhe ai i rrymës 3.5 milionë euro.
Gjatë periudhës së administrimit të dhunshëm, Trepça ishte bërë pré e keqpërdorimeve të klikës së diktatorit Miloševic, e cila në këtë rast përbëhej nga Nikola Šainovic, atëbotë ministër i energjisë dhe i minierave, Novak Bijelic drejtor i Trepçës i emëruar më 1995, Mira Markovic (përmes kompanisë Geneks), Jugobanka, etj. Bijelic operonte edhe përmes një rrjeti të kompanive të tij private si INOS dhe FAGAR (më vonë të dyja nën emrin GAPOS), për të realizuar profite private në dëm të Trepçës.
Ndër partnerët ndërkombëtarë të kësaj klike, që gjatë periudhës së masave të dhunshme kishin investuar në Trepçë, ishin edhe Mytileneos SA nga Greqia dhe Societe Commercial des Metaux et Minerais (SCMM) nga Franca. Ndaj Mytileneos SA borxhi i Trepçës arrinte në 1998 në 45 milionë dhe në 2001 në 53.2 milionë dollarë amerikanë. SCMM ishte pronë e Jean-Pierre Rozan, e cila kishte kontratë për të blerë gjithë prodhimin e argjendit të Trepçës për vitin 1999. Sipas burimeve të pakonfirmuara vlera e borxhit të Trepçës ndaj SCMM, që më vonë u mor përsipër nga Jugobanka si garantuese e kontratës, arrinte në 3.8 milionë dollarë amerikanë.
Me përfundimin e luftës në Kosovë dhe marrjen e pjesshme të kontrollit në Trepçë nga autoritetet e Kosovës, u bë e qartë se Trepça si ndërmarrje sjell me vete më shumë borxhe sesa pasuri. Në fakt, edhe sipas ligjeve jugosllave, Trepça nuk kishte në pronësi pasuritë e nëntokës (pasuritë minerare), por vetëm ndërtesat, makineritë dhe teknologjinë, të cilat qysh në 1999 ishin në një gjendje të mjerueshme. As me ligjet e sotme në fuqi ndërmarrja Trepça nuk ka në pronësi pasuritë minerare të Kosovës. Ato janë pasuri kombëtare. Trepça ka licenca për shfrytëzimin e tyre, të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Përgjatë rripit mineral të Trepçës, përpos plumbit, zinkut, argjendit, arit, etj., ekzistojnë edhe depozita të mineraleve të rralla si indiumi, germaniumi, taliumi, dhe galiumi, që janë shumë të rëndësishme dhe të kërkuara në industritë moderne siç janë komponentët elektronike, gjysëmpërçuesit, LCD-të, materialet optike, etj. Zhvillimi i “ekonomisë së vjetër” përmes aktivizimit të kapaciteteve industriale të Trepçës, prandaj mund të kontribuojë edhe në zhvillimin e “ekonomisë së re.”
Rruga drejt zhvillimit
Trepça nuk është çështje politike, por sfidë ekonomike, sociale dhe ambientale, zgjidhja e së cilës i sjell dobi të gjithë banorëve të Kosovës, pa dallim. Bërja e Trepçës ndërmarrje publike e ka shndërruar atë në pasuri të drejtpërdrejtë të Republikës së Kosovës, që nënkupton se shteti si pronar ka të drejtë të vjelë fitimet e saj, por edhe është përgjegjës për humbjet (në rast falimentimi deri në vlerën e kapitalit themeltar). Ndërmarrja e krijuar publike sipas ligjit është një ndërmarrje e vetme, unike, duke përfshirë jugun dhe veriun.
Ligji i ri garanton përfshirjen e kapitalit privat vendor dhe të huaj në zhvillimin e mëtejmë të Trepçës, por procedurat, që duhen të jenë transparente dhe të planifikuara mirë, nuk janë të definuara. Po ashtu nuk ka ndonjë indikacion mbi obligimet që ndërmarrja e re duhet të marrë përsipër për të respektuar kushtet për eficiencë, ruajtje të ambientit dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Prandaj, është shumë me rëndësi të definohet se përfshirja e kapitalit privat duhet të jetë në përputhje me interesat e qytetarëve të Kosovës, në veçanti me tri kushtet e përshkruara më sipër. Dhënia e 20 për qind të aksioneve në pronësi të punëtorëve, që ështe bërë përmes ligjit, është në princip një ide e mirë, por ka dy të meta. E para, nuk ka ndonjë mekanizëm se ku dhe si do të mund të tregtohen këto aksione dhe e dyta nuk sjell kapital financiar shtesë për nevojat e ndërmarjes. Në vend të kësaj, punëtorëve do duhej më mirë t’u mundësohej një pjesëmarrje prej ta zëmë 20 % në profitin vjetor të ndërmarrjes, që njëherësh do të ishte edhe një faktor i fuqishëm motivues.
Është iluzion të mendohet se qeveria e Kosovës, apo cilado qeveri tjetër e botës, qoftë ajo edhe e SHBA-ve apo e Gjermanisë, ka potencialin dhe kapacitetet, që pa përfshirjen e kapitalit privat, ta ngrejë në këmbë një ndërmarrje kaq komplekse. Për të tërhequr kapitalin e brendshëm dhe të jashtëm privat, rekomandohet ngritja e një mekanizmi të ri të tregut ku investitorët privatë dhe individët e tjerë, krahas investitorëve që vijnë nga industria gjegjëse, mund të investojnë në Trepçë si aksionerë të mëdhenj apo minoritarë në pronësi të përhapur. Mekanizmi më i mirë dhe më i dëshmuar për këtë qëllim është krijimi i Bursës së Tregtimit të Bonove dhe të Aksioneve, që në rastin ideal do të ishte një bursë e përbashkët me Shqipërinë e pse jo edhe me Maqedoninë e Malin e Zi. Kjo do t’i jepte popullsisë mundësinë të përfitojë drejtpërdrejtë nga shfrytëzimi i resurseve natyrore dhe mund të mobilizojë edhe investime të mëdha të diasporës. Njëkohësisht, procesi i privatizimit të Trepçës do të gëzonte mbështetje më të madhe të masave.
Në asnjë rrethanë, institucionet e Kosovës nuk guxojnë të negociojnë çështjen e pronësisë dhe kontrollit të resurseve natyrore të vendit, përfshirë Trepçën. Kjo do të ishte kundërkushtetuese. Në vend të kësaj, Kosova duhet të kërkojë kthimin e pasurisë së Trepçës që ndodhet aktualisht në Serbi dhe në Mal të Zi dhe të kërkojë zhdëmtim për periudhën e keqmenaxhimit dhe shkatërrimit substancial e sistematik të pasurive të saj në Trepçë pas heqjes së autonomisë dhe veçanërisht gjatë periudhës së luftës 1998-99.
Si përmbyllje, mund të thuhet se vetëm kombinimi i dijes dhe i potencialeve të sektorit privat me tri principet e shfrytëzimit të resurseve natyrore mund ta shndërrojë Trepçën dhe të gjitha resurset tjera natyrore të Kosovës në bekim për qytetarët e saj. Duke zhvilluar industrinë dhe “ekonominë e vjetër” përmes zinxhirëve të vlerës së shtuar, ne kemi rastin unikal ta zhvillojmë edhe “ekonominë e re” e t’i japim shtytje inovacionit, zbulimeve dhe teknologjisë për t’u bërë pjesë e revolucionit digjital.
(Autori është konsulent dhe udhëheqës i ECIKS – www.eciks.com)
__________________
Ky shkrim është pjesë e bashkëpunimit Sbunker & Open 333, në mes të sbunkerit dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur.