Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Turi i dëgjimit, apo logjika e re mashtruese e PDK-së

Foto nga Jan van der Wolf.

Në një sprovë të botuar në fund të shekullit që lamë mbas, një mendimtar bashkëkohor francez rrëfente një situatë bizarre që kishte ngjarë në zgjedhjet presidenciale franceze të vitit 1981 dhe 1988 – e cila, për mendimin tim, na ndihmon po ashtu për të kuptuar anën ironike të turit të dëgjimit të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Në zgjedhjet e vitit 1981, tregonte ai, kandidati socialist për president, François Mitterrand, kishte bërë hiç më pak se njëqind e dhjetë premtime. Jo njëqind, por njëqind e dhjetë – me shpresën se, në këtë mënyrë, do t’i bindë “pasardhësit” e Dekartit, filozofit të shquar të dyshimit metodik, për ta votuar atë për president.

Dhe kështu kishte ndodhur, në fakt: falë teprimit me premtimet e tij, francezët e kishin votuar për president.

Në zgjdhjet e vitit 1988, sidoqoftë, Mitterrand kishte vendosur të kandidojë sërish, por, ndryshe nga hera e kaluar që kishte bërë njëqind e dhjetë premtime, tani kishte vendosur të mos bëjë as edhe një premtim të vetëm! Domethënë, nga njëqind e dhjetë premtime sa kishte bërë gjithsej në zgjedhjet e vitit 1981, tani kishte vendosur ironikisht të mos bëjë as edhe një premtim të vetëm.

O tempora, o mores! – e kishte zakon të thoshte Ciceroni në kësi lloj rastesh.

Megjithatë, falë këtij potezi politik të tij, Mitterrand kishte arritur të rrëmbente edhe një mandat.

Madje, për habinë e shumëkujt, tregonte ky mendimtari bashkëkohor francez, shumë analistë dhe gazetarë të kohës e shihnin këtë gjest të Mitterrand-it me admirim, duke pohuar që, ja, më në fund, një politikan francez po tregohej i ndershëm në politikë. Sepse, e keqja origjinale, në këndvështrimin e tyre, nuk kishte qenë mospërmbushja e premtimeve nga ana e politikanëve, por vetë premtimi si i tillë: domethënë, nxitja drejt një qëllimi (telos) apo ideali të caktuar të shoqërisë.

Prandaj, me këtë gjest politik, sipas tyre, Mitterrand kishte inaguruar një mënyrë të re të të menduarit për politikën – larg asaj ku e kishin katandisur politikanët idealistë të shekujve të mëparshëm (kryesisht ata të majtë), të cilët, në vend se të pranonin realitetin ashtu siç është, angazhoheshin që politika të jetë pikërisht fusha e realizimit të ëndrrave për një jetë më të mirë, të komuniteteve të barabarta dhe të drejta, të ishujve utopikë dhe të lirë, e kështu me radhë.

***

Në një mënyrë të përngjashme, mendoj, është duke vepruar edhe Partia Demokratike e Kosovës.

Siç dihet, prej vitit 2008 e deri me tani, kjo parti ka bërë me qindra e qindra premtime (për “shëndetësi evropiane,” “edukim evropian,” “drejtësi evropiane,” “ekonomi evropiane,” “punësim evropian,” “rrugë evropiane,” “liberalizim të vizave,” e sa e sa premtime të tjera që thjesht e kam të pamundur t’i përmend të gjitha këtu). Ndonëse, siç e kemi parë të gjithë, asnjë nga këto premtime nuk e kanë realizuar. Për më tepër, jo vetëm që nuk i kanë realizuar ndonjërin prej këtyre premtimeve; por kanë punuar në kundërti të hapur me to, duke shkatërruar shëndetësinë, edukimin, drejtësinë, ekonominë, gjyqësorin, ndërmarrjet publike dhe shoqërore, agjencitë e pavarura, e kështu me radhë.

Në këto zgjedhje, sidoqoftë, zyrtarët e kësaj partie janë duke aplikuar një logjike të re mashtruese, të njohur gjerësisht si turi i dëgjimit; e cila, ndryshe nga ajo e zotit Thaçi, nuk konsiston në bërjen e premtimeve të mëdha, por në një parim të thjeshtë: “mbajtjen e takimeve të përbashkëta me qytetarë, ekspertë, dhe biznesmenë, ku lideri (zoti Veseli) thjesht dëgjon dhe mban shënime, ndërkaq qytetarët, ekspertët dhe biznesmenët flasin dhe diskutojnë.” Madje, në një emision televiziv që ndoqa para dy jave ashtu, një zyrtar i lartë i kësaj partie po thoshte që, arsyeja kryesore e realizimit të këtij turi të dëgjimit, është që qytetarët e vendit “janë lodhur tashmë nga premtimet boshe të politikanëve rrenacakë, dhe thjesht po kanë nevojë t’i dëgjojë dikush.” Prandaj, sipas tij, “këtë punë po bën zoti Veseli – larg asaj që jemi mësuar të shohim deri me tash nga politikanët e vjetër në vend.”

Madje, disa analistë, po si ata që përshkruante ky mendimtari francez, po i thurin lavde zotit Veseli, duke deklaruar që, kjo që po bën zoti Veseli (duke dëgjuar hallet, problemet, dhe sfidat e qytetarëve), është shenjë e qartë e ndershmërisë së tij politike. Sepse, për dallim nga politikanët e tjerë, ky megjithatë nuk po bën premtime të rreme.”

Po, a ka ironi më të madhe, të dashur lexues, që një parti politike, që për një dekadë të tërë, ka bërë me qindra e qindra premtime; dhe, më keq akoma, nuk ka lënë gjë pa bërë në pushtet, të na thotë tash që qytetarët e vendit “janë lodhur me premtime boshe, dhe kanë nevojë për një Fillim të Ri,” thua se është një lëvizje anti-sistem, dhe po garon për herë të parë në këto zgjedhje?

Disa, ma ha mendja, do të thonë se megjithatë ekziston një dallim: zoti Veseli, për dallim nga politikanët e tjerë, nuk ka qenë pjesë e “politikës” dhe, rrjedhimisht, ka të drejtë ta bëjë këtë gjë.

Sigurisht.

Ama, të gjithë e dimë që kjo nuk është e vërtetë. Zoti Veseli dihet botërisht se ka qenë vendimmarës në të gjitha proceset dhe zhvillimet politike në vend. Këtë gjë, madje, e pat konfirmuar edhe vetë Jakup Krasniqi, atëherë zyrtar i lartë PDK-së. Për më tepër, edhe sikur zoti Veseli të hynte për herë të parë në politikë, ai është duke udhëhequr një parti që mbart përgjegjësinë kryesore për mjerimin në vend, ndaj edhe po ta marrim si të mirëqenë konstatimin se ai nuk ka qenë i përfshirë në proceset politike në vend, vetë ardhja e tij në krye të kësaj partie do ta bënte atë përgjegjës për keqqeverisjet e mëparshme të kësaj partie. Së treti, ne nuk e kemi parë zotin Veseli të kritikojë keqqeverisjet e mëparshme të zotit Thaçi – ngjashëm siç bënin dikur, ta zëmë, udhëheqësit komunistë që denonconin krimet dhe terrorin e pararëndësve të tyre; ose, së paku, të largojë njerëzit e korruptuar të kësaj partie. Dhe, gjithashtu, nuk e ka sqaruar akoma aktivitetin e Shërbimit Informativ të Kosovës, organizatë kjo që ai ka drejtuar për një kohë të gjatë, mbi të cilën dhe rëndojnë akuza të rënda për shpëlarje të parasë, afera korruptive, krim të organizuar, dhe vrasje politike të pasluftës.

Kështu që, në këtë kuptim, ‘turi i dëgjimit’ është thjesht një logjikë e re mashtruese, për të zhvatur votat e qytetarëve. Për këtë arsye, them unë, qytetarët e Kosovës nuk duhet të bien pre e kësaj logjike të re mashtruese, nëse veç menjëmend e duan shpëtimin e vendit nga kjo humbëtirë ku e kanë futur konjukturat e korruptuara dhe kriminale të vendit.

P.S. Shkrimi është shkruar para zyrtarizimit të koalicionit me AAK-në dhe Nismën për Kosovën.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.