Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Unë, ti dhe Zoti

“Jam gej dhe jam biri yt. Dhe asnjëra nga këto dyja nuk do të ndryshoj”, janë fjalët e Jared Eamons, djalit të Marshall Eamons, pastorit baptist dhe pothuajse me këto dy fjali përfundon edhe filmi Boy Erased, por jo edhe lufta për pranimin e njeriut që nga shoqëria konsiderohet si devijim. Kjo është një luftë që për armiq ka me bollëk. Të thuash jam gej, do të përballësh me të krishterë, myslimanë, nacionalistë, patriotë, tradhtarë, fallxhorë, kumarxhinj, gjykatës, mësues të etikës, historianë e vrasës serik, sepse që të gjithë këta kanë një të përbashkët, të metat e tyre i përkasin normales, por një homoseksual konsiderohet vetë e meta. Prandaj, nuk është e lehtë që një individ, një i ri, ose një e re, të dalë publikisht të flasë për orientimin e vet seksual. Nuk mund t’i shprehë as në familje, madje, aty është vendi ku mbruhet ndrydhja. E si mundet një teenager ta gjejë kurajën të dalë para familjes së tij dhe të deklarohet se çfarë orientimi seksual ka, kur ai/ajo janë rritur me idenë se ata duhen martuar e të kenë fëmijë. Se si ai duhet të bëhet burrë, kurse ajo e dëgjueshme. Ku ta marrë guximin e të shprehet kur ka parë se si në familje fshihet sëmundja, e i sëmuri (sepse i sëmurë je, nëse ashtu thonë të tjerët). Ne si shoqëri kolektivisht nga njëri-tjetri i fshehim kancerin dhe sëmundje të tjera (madje edhe COVID-in). I fshehim të ‘sëmurët’, i mbyllim nëpër bodrume që mos të na i shohë shoqëria, sepse ende si shoqëri për kurë e kemi hoxhën e priftin. Pastaj, kur nëpër media dëgjon politikanë që përmes skemave nacionaliste ndërtojnë narracionin e një shoqërie të përsosur, ku “të devijuarit” e tillë nuk kanë vend. Sipas këtij kuti, familje e përsosur dhe shoqëri e përsosur janë ato që e fshehin, e kamuflojnë, e shtypin, e nxjerrin jashtë deri edhe e vrasin dikë që për moralin e tyre është i papërsosur.

“Le t’i ngrehin duart lart të gjithë ata që nuk janë të përsosur. Dhe tani le t’i ngrehin duart ata që janë të përsosur.” Me këto dy fjali të pastorit baptist hapet filmi Boy Erased, i regjisorit Joel Edgerton, e që është i bazuar në memoaret e Garrard Conley. Në fakt, këto dy fjali kanë premisa religjioze, rrjedhimisht edhe ngarkesa morale. Konsiderohet se papërsosmëria na karakterizon ne të gjithëve kur jemi përballë hyjnores, e cila karakterizohet nga e përsosura. Mirëpo, kur jemi në raport me njëri-tjetrin këto dy kategori nuk kanë miratimin tonë sikur në rastin e parë, sepse tani hyjnorja nuk është më qëllimi ynë, por mjeti për ta luftuar tjetrin. Nga kjo përplasje kishte lindur dikur edhe morali. Disa janë më të papërsosur se disa të tjerë, sepse kanë ikur nga rruga e Zotit. Ky devijim si rezultat ka të pamoralshmen, ligësinë. Prandaj, në background të këtyre dy fjalive të lartcekura është gjyqi moral, jo i përcaktuar nga Zoti, por nga njeriu në emër të Zotit (sic!). “Zoti nuk do të të dojë kështu siç je tani”, i thotë udhëheqësi i një qendre kinse rehabilituese, një të riu, i cili nuk është sa duhet burrë. Pasi ‘pacienti’ i ri nuk pranon se është mëkatar, i organizohet një gjyq moral, ku për t’ia hequr demonin nga brenda, njerëzit mblidhen dhe e godasin me Bibël, me këtë libër të shenjtë që ‘vret’ shpirtrat e ligë që kemi brenda nesh. E kushedi se çfarë shijesh parapëlqen Zoti apo se ç’orientime seksuale parapëlqen ai për njerëzit?! Kujt ja shpalosi ditarin sekret të tij, apo ne e konstruktuam atë ditar sekret dhe i dhamë pronësi (autorësi) hyjnore?

Edhe këto programet që paraqiten si një mundësi që përmes terapive të mundësohet konvertimi kinse nga orientimi seksual i gabuar, në një orientim seksual normal, kanë si qëllim që moralisht ta kthejnë shoqërinë për së mbari. Prandaj, Jared Eamons, djali i pastorit baptist vihet nën presion për të ndjekur një program të tillë terapie konvertimi, në një kamp të krishterë antihomoseksual për adoleshentë në Arkansas. Kamp që ka si synim ta kthej njeriun e krijuar nga Zoti në rrugën e Zotit. Të tillët Zoti nuk i do dhe prandaj ne normalët, ne të moralshmit e marrim të drejtën nga hyjnorja që këtë amoralitet ta pastrojmë dhe kështu Zoti të ndihet i kënaqur, kurse ne të shpërblyer. Në fakt, ky nuk është hall i Zotit, por i yni. Përmes portretizimit të tjetrit ne sikur mundohemi t’i japim kuptim vetes sonë edhe nëse tjetrin e lëndojmë. Mbase, sa më shumë lëndim, aq më shumë kënaqësi. Nietzsche thoshte se ne kur i japim lëmoshë lypësit, nuk i japim që ta nxjerrim nga gjendja ku është katandisur ai, por për ta bindur vetën që nuk jemi në pozitën e tij dhe ky është kulmi i kënaqësisë. Morali konservativ shoqëror na do të përsosur, sepse përmes kësaj kërkese shoqëria mundohet t’i mbulojë pisllëqet e saj. Shoqëritë me të tilla kërkesa janë me tipare totalitare. E tillë në masë të madhe është edhe shoqëria kosovare. Morali i kësaj shoqërie është i pamoralshëm, sepse projekton tek individi (tjetri) njeriun e përsosur, çfarë ajo vetë nuk është dhe për ketë nuk duhet t’i vijë keq. E përsosura dhe e papërsosura janë dy anët e së njëjtës peshore, por nuk janë vetë peshorja, për faktin e thjeshtë se shoqëria nuk mund t’i protokolloj cenet apo avantazhet, e aq më pak ndjenjat e individëve.

Prandaj, një gjë e tillë nuk duhet të lihet në dorë të shoqërisë, por duhet të jetë përpjekje, përveç e mekanizmave të ndryshëm të organizimit qytetar, që përmes institucioneve shtetërore të ndërmerren edhe hapa konkret, duke filluar në ligje, pastaj në arsim, që në libra shkollorë të mësohet dhe diskutohet pa ngarkesa morale. Nëse duam që të kemi një familje normale, një shoqëri normale dhe një shtet normal, atëherë njerëzit që kanë orientime të ndryshme seksuale nga ne, nuk duhet detyruar t’i ndryshojmë, por janë familja, shoqëria dhe shteti ato që duhet filluar të ndryshojnë, sepse këto tri shtylla janë barriera, mohuesit e lirisë së shprehjes, e lirisë së të deklaruarit atë çka mendon dhe çfarë je. Pse qenka kaq e vështirë, nëse jo ta duam, së paku ta pranojmë tjetrin ashtu siç është, pa pretenduar në ndryshimin e asaj si duket, apo si sillet? Nëse dëshirojmë ta ndryshojmë tjetrin edhe botën, atëherë e kemi shansin, ta nisim nga vetja jonë.

Author

  • Dritan Dragusha

    Dritan Dragusha është i diplomuar në filozofi, në Universitetin e Prishtinës. Dritani është i fokusuar në teori të kulturës dhe gjithashtu në letërsi, kinema dhe muzikë. Po ashtu, merret edhe me gazetari. Është kolumnist i rregullt në platformën online "sbunker.net". Ka qenë edhe mësimdhënës i filozofisë dhe etikës në "The British School Kosova". Bashkautor në projektin kulturor televiziv "Filozofema", në Radio Televizionin e Kosovës. Aktualisht Dritani është autor dhe moderator i emisionit "Prizma", në televizionin T7.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.