Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Universiteti i Prishtinës nën llupë

Botimi “Universiteti i Prishtinës nën llupë” përmbledh problemet kryesore që organizatat joqeveritare kanë identifikuar në arsimin e lartë në Kosovë, sidomos në Universitetin e Prishtinës (UP), si i pari dhe më i madhi universitet publik. Ky botim përfshin përmbledhjet e raporteve të organizatave joqeveritare ORCAADMOVEREÇOHUCPCKEC dhe D4D, të botuara në periudhën 2017-2021 në kuadër të Koalicionit për Integritet dhe Transparencë në Universitet (KITU), me mbështetje të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Në këtë artikull do t’i rendisim disa prej problemeve më të spikatura me të cilat ballafaqohet arsimi i lartë në Kosovë, e me theks të veçantë, UP-ja.

Përzgjedhja e stafit akademik të UP-së, pas luftës së viteve 1998-1999, është bërë kryesisht në baza partiake, klanore, nepotiste e korruptive. Politizimi i UP-së ishte njëra prej të metave që i përsërisnin Raportet e Progresit të BE-së për Kosovën. Gjatë kësaj periudhe, një numër i konsiderueshëm i politikanëve (deputetë, ministra, zëvendës-ministra, këshilltarë politikë, drejtorë departamentesh, etj.) ose i familjarëve të tyre janë bërë staf akademik në UP. Politikanët ndikuan jo vetëm në rekrutimin e stafit akademik, por edhe në zgjedhjen e organeve udhëheqëse të UP-së. Madje, sipas një hulumtimi të realizuar nga KEC-i, edhe vetë përfaqësuesit studentorë, shpesh eksponentë të politikës, e kanë pranuar se gjatë kësaj periudhe UP-ja ishte e politizuar. Kjo ka ndikuar në marrjen e vendimeve të natyrës akademike, e edhe në mungesat në proces mësimor të profesorëve të angazhuar politikisht.

Faktor kontribues për këto mungesa të një pjese të stafit akademik ishin angazhimet e tyre në institucione të tjera të arsimit të lartë, si publike edhe private. Në një raport të publikuar në fund të vitit 2018, ADMOVERE konstatonte se 1/3 e pjesëtarëve të stafit akademik të UP-së ishin të angazhuar të paktën edhe në një institucion tjetër të arsimit të lartë, publik ose privat. Ndonëse kishte mjaft profesorë që në procesin mësimor mungonin për shkak të angazhimeve të tjera, nuk shënohet as edhe një rast që ndonjëri të jetë ndëshkuar në pajtim me Rregulloren për Masat Disiplinore ndaj Personelit Akademik të UP-së. Siç dëshmojnë raportet e auditimit, këta profesorë madje janë paguar për ligjëratat që nuk i kanë mbajtur fare. Vendimi i KD të UP-së numër 2/901 obligon stafin akademik të UP-së të jetë brenda hapësirave universitare çdo ditë pune, prej 8:00 deri në 16:00, por sipas një monitorimi të realizuar nga ORCA, kjo rregull nuk respektohet në masë të gjerë. Për më tej, organizata ÇOHU konstatonte në një publikim se të gjitha universitetet publike, përfshirë UP-në, e kanë gjysmën e stafit të angazhuar, çka e vështirëson punën, pasi stafi i angazhuar nuk është gjithë kohën në dispozicion të studentëve.

Sa i takon zgjedhjes dhe avancimit të personelit akademik, Statuti i UP-së, si dhe Rregullorja për Zgjedhjen dhe Avancimin e Personelit Akademik parashohin kushte mjaft të lehta lidhur me kriterin më të rëndësishëm akademik: punime në revista shkencore relevante ndërkombëtare ose rajonale, si autor i parë ose korrespodent. Këto kushte përcaktojnë që profesori asistent duhet të ketë të paktën një publikim të tillë, profesori i asocuar të paktën tri, ndërsa profesori i rregullt pesë. Mirëpo, në fillim të vitit 2017, ORCA zbuloi se gati gjysma e stafit drejtues të UP-së (anëtarët e Këshillit Drejtues, rektori dhe prorektorët, anëtarët e Senatit, dekanët dhe prodekanët) nuk i justifikonin titujt akademikë, ngaqë kishin të paktën nga një punim nëpër revista të listuara si të dyshimta, ose në publikime që nuk i përmbushnin kriteret e revistave të mirëfillta shkencore. Më pas, hulumtimi që ORCA u bëri CV-ve të profesorëve të UP-së nxori rezultate edhe më të këqija sesa ato të drejtuesve: plot 72% e profesorëve nuk i justifikonin titujt akademikë sipas kriterit të punimeve shkencore në revistat me koeficient. Gjatë vitit 2018, përqindja e profesorëve që nuk i justifikonin titujt akademikë ra në 59%, më 2019 në 55%, më 2020 në 45%, e më 2021 në 31%. Kjo është njëra prej arritjeve më të mëdha të KITU-s gjatë këtyre viteve. Vlen të theksohet edhe se, sipas ORCA-s, 1/3 e të gjithë profesorëve të UP-së kanë publikuar të paktën 1 herë nëpër revista të dyshimta.

Tjetër çështje shqetësuese, hulumtuar nga ORCA, është se 177 pjesëtarë të stafit akademik në UP kanë ligjëruar 544 lëndë, duke ushtruar kompetenca profesoriale, pa kaluar nëpër procedurat e parapara statutare për titull profesorial. Prej këtyre, 103 pjesëtarë me titullin akademik asistent ligjërojnë 328 lëndë, ndonëse sipas Statutit të UP-së asistentët nuk lejohen t’i mbajnë ligjëratat, por vetëm pjesën e ushtrimeve dhe të asistojnë në kryerjen sa më të efektshme të planifikimeve për lëndë të caktuara. Çështje mjaft problematike është edhe volumi shumë i madh i mentorimit të temave të diplomës në nivelin BA dhe MA nga profesorë të caktuar. Ta zëmë, ka pasur raste kur një profesor i vetëm i UP-së, vetëm për periudhën 2015-2017, ka mentoruar 148 tema të diplomave (136 në nivelin BA dhe 12 në nivelin MA).

Për fat të keq, UP-ja i ka shpërfillur vërejtjet e raporteve të Zyrës Kombëtare të Auditorit (ZKA) lidhur me shkeljet sistematike të natyrave të ndryshme në shpenzimet për paga dhe mëditjet, si: pagesa për personelin pa dëshmi të mbajtjes së orëve bazë, tejkalim i orëve mbi normë, marrje e orëve mbi normë nga stafi me angazhim të dyfishtë në UP, pagesa për orë mbi normë pa dëshmi të mbajtjes së orëve. Vërejtje kishte edhe për emrat që figuronin në listë të pagave pa qenë fare në marrëdhënie pune, për pagesa që realizoheshin në shpërputhje me periudhën e kontraktuar, për kontrata të dyfishta, lidhje kontratash mbi vepër pa afat të caktuar, rekrutime të stafit pa kualifikim adekuat, pagesa të pabaza për komisione të ndryshme dhe punë të tjera. Lidhur me mbinormat dhe angazhimet në UP, ORCA ka gjetur  se gjatë vitit akademik 2017-2018, UP-ja ka harxhuar rreth 2.3 milionë euro për të paguar stafin akademik ekzistues për orë shtesë, të cilat do të mund të mbaheshin nga të punësuarit e rregullt, si dhe 1 milion euro për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm, të cilëve u ka dhënë edhe kompetenca profesoriale, pa i kaluar nëpër filtrat statutarë. Pra, për pagesa të mbinormave të stafit akademik dhe të bashkëpunëtorëve të jashtëm, në vitin 2017-2018, UP-ja harxhoi rreth €3.3 milionë ose rreth 12% të buxhetit total.

Një tjetër çështje e rëndë është plagjiatura në punimet e temave MA dhe PhD prej stafit akdemik dhe prej të diplomuarve të UP-së. Çështja është trajtuar sipërfaqësisht dhe për të nuk ka ndonjë hulumtim serioz gjithëpërfshirës, por indikacionet janë që plagjiatura është dukshëm e përhapur mes stafit akademik e të diplomuarve prej UP-së. Shumë shpesh, punimet e diplomave janë plagjiatura punimesh të mëparshme, e ka edhe raste kur hartohen kundrejt një pagese të caktuar nga individë që këso shërbimesh ofrojnë përmes rrjeteve sociale dhe shpalljeve të afishuara madje edhe brenda hapësirave të UP-së. Në vitin 2018 ADMOVERE përmblodhi një raport me rastet e pjesëtarëve të stafit akademik të UP-së, të cilëve u janë ekspozuar plagjiaturat nëpër media përgjatë viteve, që nga vetë themelimi i UP-së. Prej gjithsej 16 rasteve të gjetura nga ky raport, vetëm tre pjesëtarë të stafit akademik u suspenduan nga procesi mësimor, mirëpo që të tre më pas u kthyen në vendin e punës. Vetëm njërit – që ishte mësimdhënës i angazhuar, jo i rregullt – i është ndërprerë kontrata e punës. Pra, as kur plagjiaturat e pjesëtarëve të stafit akademik u publikuan nëpër media, plagjiatorët jo veç që nuk dhanë dorëheqje, por në shumicën dërrmuese të rasteve, as nuk iu nënshtruan masave fare. Në ato pak raste kur ndonjë masë është ndërmarrë, ajo më vonë është shfuqizuar. Madje, shumë prej plagjiatorëve edhe janë avancuar.

Tutje, bibliotekat e fakulteteve të UP-së nuk janë të furnizuara me literaturë bashkëkohore dhe nuk kanë qasje në databaza ndërkombëtare shkencore. Një hulumtim nga ADMOVERE gjen se bibliotekat e fakulteteve të UP-së kanë së bashku afro 122 mijë tituj, e sipas të dhënave të Rektoratit, UP-ja aktualisht ka gjithsejt 30.734 studentë, që i bie se bibliotekat e fakulteteve të UP-së kanë 4 libra për student. Të gjitha sallat e fakulteteve të UP-së kanë së bashku afro 1.200 ulëse, që do të thotë se kanë afërsisht 1 ulëse për 25 studentë. Për më shumë, asnjëra nga bibliotekat e fakulteteve të UP-së nuk ka kompjuterë, printerë, skanerë e as fotokopjues, madje disa as qasje në internet. Bibliotekat nuk kanë resurse të mjaftueshme njerëzore, disa as bibliotekistë, e për rrjedhojë rrinë të mbyllura. Bibliotekat e nuk kanë program kompjuterik për regjistrimin e librave, i cili do t’ua lehtësonte punën jo veç bibliotekistëve, por edhe studentëve, duke u mundësuar të rezervojnë libra online ose ta zgjasin kohën e lejuar të huazimit. Asnjë nga bibliotekat e fakulteteve të UP-së nuk zotëron libra online.

Në shumë departamente të UP-së studentët shpeshherë janë të shtrënguar që si literaturë të përdorin skripta dhe përmbledhje të ligjëratave, e ndonjëherë edhe teste të provimeve. Kjo lloj literature të shumtën e rasteve është pa ndonjë cilësi akademike. Për më keq, ka raste edhe kur profesorët i detyrojnë studentët t’ua blejnë librat, edhe pse cilësia e tyre akademike lë mjaft për të dëshiruar. KEC-i ka gjetur se shpeshherë profesorët rekomandojnë vetëm literaturë në shqip dhe se materialet alternative si burime të vetme të literaturës, siç janë sllajdet dhe dispensat, vazhdojnë të përdoren nga një numër i konsiderueshëm i profesorëve. Po ashtu, ndonëse Statuti i UP-së obligon profesorët që të vlerësojnë studentët përgjatë semestrit dhe me anë të një morie metodash, ÇOHU konstaton se shumica e profesorëve ende përdorin vetëm provimin final si mjet vlerësimi. Pastaj, sipas KEC-it, puna praktike vazhdon të jetë pikë e dobët e programeve studimore në UP, e arsyeja kryesore për mungesën e punës praktike, përveç mungesës së interesimit tek stafi akademik, është shpërputhja e madhe në mes të numrit të studentëve dhe të stafit akademik, e cila e bën të pamundur organizimin efektiv të punës praktike.

Në të kaluarën janë botuar 14 revista nëpër fakultete të ndryshme të UP-së, kurse aktualisht botohen vetëm 4 revista në 4 nga 13 fakultete, me gjithsejt 41 departamente. Sipas një hulumtimi të realizuar nga ADMOVERE, prej këtyre 4 revistave, vetëm 2 kanë ISSN (kodi i njohur ndërkombëtarisht për publikimet serike) dhe i ofrojnë të gjithë numrat online për publikun, kritere teknike këto për revista. Përgjegjësit e të gjitha revistave të fakulteteve të UP-së që publikohen aktualisht, thonë se artikujt e tyre marrin ‘peer review’ (recensione profesioninale), por në asnjërin artikull të këtyre revistave nuk figuron emri i recensentit që ka përcjellë procesin e vlerësimit. Asnjëra revistë nuk figuron në databazat serioze ku indeksohen ato me ‘peer review’ dhe në asnjërën nuk ka të dhëna për datën e dërgimit të punimit nga autorët dhe datën e pranimit nga redaktori i revistës. Nga intervistat e zhvilluara me dekanë, botues të revistave dhe profesorë, del se arsyet kryesore për ndërprerjen e revistave janë mungesa e fondeve dhe e honorareve, e jostimulimi i profesorëve për të publikuar në to, meqë nuk u shërbejnë për avancime.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm te revistat akademike është parapagimi i UP-së në revistat akademike ndërkombëtare. Gjatë viteve 1970-80, UP-ja parapaguhej në një mori revistash akademike botërore. Ky parapagim, për shkak të rrethanave tashmë të njohura, u ndërpre gjatë viteve ’90. Mirëpo, për fat të keq, nuk u përtëri as pas luftës në Kosovë, madje as pas shpalljes së pavarësisë më 2008. Për disa vjet, UP-ja kishte qasje vetëm në 14 burime të ndryshme të informacioneve akademike dhe shkencore përmes platformës elektronike EBSCO. Në fund të vitit 2015, ai siguroi qasje njëvjeçare në mbi 3.700 revista dhe mbi 28.000 publikime të platformës prestigjioze Science Direct të Elsevier Publishing, por kjo marrëveshje nuk u vazhdua që prej vitit 2017.

Duke u nisur nga këto gjetje alarmante, Qeveria e Kosovës, me theks të veçantë MASHT, duhet t’i marrë fort seriozisht vërejtjet, këshillat e rekomandimet e përmbledhura nga këto raporte, në mënyrë që ta ketë një pasqyrë sa më të qartë mbi problemet e shumta që rëndojnë arsimin e lartë në Kosovë, e veçmas mbi UP-në, si dhe të gjejë mënyra për t’i zgjidhur ato.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.