Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Vende të lira pune e kosovarë të shkolluar pa punë

Supozimet që një nxënës është i suksesshëm nëse është pranuar në shkollë të mesme akademike pasi ka mbaruar klasën e nëntë, ose nëse është pranuar në universitete pasi ka mbaruar shkollën e mesme janë ende tejet të fuqishme dhe forcë shtyse në shoqërinë tonë kosovare. Dëgjoj ankesa dhe zhgënjime të ndryshme, sidomos nga prindërit, që “nuk u pranua në gjimnaz/universitet edhepse ka sukses akademik të shkëlqyeshëm” ose “don’ me mbetë në shkollë profesionale ose pa diplomë”. Të gjitha këto shqetësime janë të arsyetueshme duke konsideruar normën shoqërore e cila është krijuar kundrejt krijimit të imazhit të një njeriu të suksesshëm – (1) shkon në shkollë profesionale është baraz me nuk ka arritur të regjistrohet në ‘gjimnaz’ ose (2) nuk pranohet në fakultet është baraz me ‘mbetë rrugëve’.

E unë kam dy replika për këto deklarime: (1) shkolla profesionale është shndërruar në një ndër faktorët kyçë në zbutjen e papunësisë së rinisë në Evropë duke përmbushur kërkesat e tregut të punës përmes shkollimit/trajnimit, dhe (2) nëse një kosovar ka mbaruar fakultetin dhe nuk posedon shkathtësitë e kërkuara nga tregu i punës ose nuk kërkohet në treg si fuqi punëtore, atëherë me të vërtetë ka ‘mbetë rrugëve’. Ka ardhur koha që si shoqëri të ndryshojmë gjykimin tonë në suksesshmërinë e një kosovari nga posedimi i një diplomë të fakultetit në posedimin e shkathtësive të kërkuara nga tregu i punës. Kjo do të thotë që duhet të vlerësojmë lart shkollimin profesional dhe të shtyjmë përpara politikat arsimore në përmirësimin dhe zhvillimin e shkollave profesionale. Duke qenë se ky ndryshim i qasjes shoqërore do shumë sqarime, kohë dhe shembuj, më poshtë do të mundohem të shtjelloj arsyet pse shkollimi profesional është i rëndësishëm; si të zhvillojmë shkollat profesionale dhe kush janë akterët kryesorë.

Pse? 

Tregu i punës është duke ndryshuar në mënyrë të vazhdueshme. Për më tepër, kërkesat e punëdhënësve për punësim kanë ndryshuar: tash, fokus kryesor ka eksperienca dhe posedimi i shkathtësive të ndërlidhura me punë dhe një përqindje e vogël e vlerësimit, nëse jo inekzistente, i jepet diplomës së shkollimit. Mungesa e eksperiencës dhe shkathtësive të kërkuara është kosto edhe për bizneset, edhe për familjet. Për bizneset: kosto shtesë për trajnimin e punëtorëve për të performuar në punën e kërkuar ngaqë  shkollimi nuk ofron këto shkaththësi në të shumtën e rasteve; për familjet/nxënësit: kostot e ndërlidhura me shkollimin të cilat ka mundësi të mos kthehen për shkak të mopërputhjes së shkollimit me tregun e punës.

Për një arsyetim më teorik, Kurba Beveridge tregon raportin në mes të vendeve të lira të punës dhe nivelit të papunësisë. Bazuar në Eurostat, kjo kurbë është duke u shtyer jashtë që do të thotë nivele relativisht të larta të vendeve të lira të punës bashkëjetojnë me nivele të larta të shkallës së papunësisë [1]. Kjo tregon që ka një mospërputhje ndërmjet nivelit të kualifikimeve dhe vendeve të lira të punës. Si rrjedhojë, politikat e arsimit dhe të punës duhet të përqendrohen në harmonizimin e arsimimit me kërkesat e tregut të punës.

Si?

Politikbërësit duhet të promovojnë mësimin e bazuar në punë praktike duke përfshirë përgjatë procesit akterë relevant si: kompanitë, oda ekonomike dhe shkollat profesionale. Këta akterë do të duhej të jenë strukturat kryesore që zhvillojnë shkollimin profesional dhe duhet të zhvillohen politika që lehtësojnë këtë ndërveprim – kompanitë dhe oda ekonomike japin statistikat përmes një sistemi të krijuar për gjenerim të të dhënave rreth kërkesave të tyre të punës dhe shkollat profesionale përputhin programet e tyre me këto kërkesa. Duke marrë parasysh dinamikën e tregut, si pasojë e paqëllimtë në këtë politikë do të mund të ishte pamundësia e shkollave profesionale të ndjekin këto ndryshime me përditësime në kurrikulë. Zbutja e kësaj pasoje do të mund të bëhej me përfshirjen e kompanive në mësimdhënie; në Sllovaki – shteti me shkollimin profesional tejet të zhvilluar ku rreth 65% e studentëve në shkollë të mesme vijojnë shkollimin profesional – qeveria ka prezantuar një skemë të dyfishtë (kompani dhe shkollë profesionale) e cila lejon kompanitë të mbajnë trajnimet e nevojshme për studentët. Këto kompani nënshkruajnë kontratë me shkollat në mënyrë që të sigurohet kualiteti i trajnimeve. Për më tepër, si pikë kyçe në axhendën e qeverisë Sllovake kundrejt arsimit është parashikimi dhe evidentimi i shkathtësive të nevojitura i bërë nga kompanitë dhe institucionet arsimore.

Kush?

Padyshim që rolin kryesor në zhvillimin e shkollimit profesional kanë kompanitë që ofrojnë punë dhe institucionet arsimore që ofrojnë shkollim profesional. Mirëpo, duke marrë parasysh ndikimin e organizatave të ndryshme dhe resurset që posedojnë, si akterë shtesë mund të konsiderohen edhe këto organizata. Si shembull suksesi, Fondacioni i Mijëvjeçarit të Kosovës (MFK) është duke implementuar programin e bursave “Gratë në Energji” për studime në Amerikë. Si pikënisje e këtij program ka qenë analiza e bërë e tregut të punës në sektorin e energjisë në Kosovë dhe rezultati që ka mungesë të kuadrove – sidomos vajzave − në shumë fusha si: specialist elektrik, specialist të energjisë të ripërtrishme, instalues dhe prodhues. Si rezultat, kjo organizatë ka themeluar programin Gratë në Energji i cili u ka mundësuar shkollimin profesional në nivel të arsimit të lartë 28 vajzave nga Kosova në këto fusha ku ka mungesë të punëtorëve. Programet e ofruara janë direkt të ndërlidhura me kërkesën e tregut në sektorin e energjisë në Kosovë. Pra, është bërë analiza e tregut, janë evidentuar profesionet që nevojiten, është ofruar shkollim profesional për këto profesione dhe tani pritet kthimi i 28 vajzave për të ju bashkëngjitur tregut të punës. Kjo skemë tenton të zbusë papunësinë në Kosovë dhe të ulë shpenzimet e kompanive për trajnime shtesë ose mbipagesën e punëtorëve për shkak të mungesës së ofertës në tregun e punës.

Andaj, si përfundim, është në përgjegjësi të politikbërësve të ndryshojnë paragjykimin shoqëror rreth shkollimit profesional duke mundësuar punësim direkt të kosovarëve që vijojnë shkollimin profesional. Kërkesë nga tregu i punës ka dhe kosovarë të papunësuar ka; ka ardhë koha të gërshetojmë këto dy fenomene që mund të eliminojnë njëra tjetrën.

—–

Gresa Statovci është Konsulente e Bursave dhe Punës Praktike në Fondacionin e Mijëvjeçarit të Kosovës. Opinionet në këtë artikull mund të mos pasqyrojnë domosdoshmërisht politikat e Qeverisë së Kosovës ose Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit.

[1]  Cedefop (2018). The changing nature and role of vocational education and training in Europe.

 

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.