Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Vertigo para fillimit: mbi kuptimin e natyrës të së drejtës ndërkombëtare

Të lexuarit e filozofisë të së drejtës dhe studimi i jurisprudencës, menjëherë të drejton drejt pyetjeve që mund të duken naive dhe të thjeshta si fillim, por nga rëndësia mbase fundamentale dhe nga natyra tejet të komplikuara përderisa kridhemi në to. Me këto pyetje do të përballemi edhe ne shkurtimisht, për të bërë një dallim fundamental rreth subjektit studimor që mëtojmë ta diskutojmë në artikujt në vazhdim, dhe për të vënë në pah kompleksitetin e çështjes që të mos çorientohemi kur aspekte të pavendosmërisë në të drejtën ndërkombëtare dhe dallimet në diskutimet teorike përbrenda fushës do na paraqiten si dilema dhe qëndrime kontraversiale kur trajtojmë çështjen e Kosovës në të drejtën ndërkombëtare (termi pavendosmëri është përshtatur nga koncepti i indeterminacy, për shtjellim të gjerë shih Koskenniemin). 

Fjalët po supozojmë që në raste të caktuara përfaqësojnë kuptimet, të cilat shpesh janë arbitrare dhe informohen nga bindjet ideologjike ose politike, dhe përfundojnë në rastin më të thjeshtë në dy kategori, asaj çka duhej të ishte dhe asaj që është, debat ky i vjetër në përballjen mes idealizmit dhe realizmit. Wollheim kur shtjellon pyetjen rreth natyrës dhe esencës së ligjit, i konsideron definicionet si çështje linguistike, pyetje mbi kuptimin e fjalës më shumë sesa pyetje mbi fenomenin i pasuar me diskutim mbi esencën e validitetin. H.L.A Hart, i cili edhe pse ishte kundërshtar kategorik i implikimeve esencialiste, por nuk arriti t’i shpëtonte kurthit të esencializmit, vë në pah faktin që edhe e drejta ndërkombëtare edhe ajo vendore konsiderohen si ligj, pavarësisht dallimeve dhe kategorive me fuqi a natyrë të ndryshme. Mënyra e vetme inteligjente për t’u marrë me definimin e një fjale me kuptime të shumëfishta, shprehet Glanville Williams në artikullin e tij E drejta ndërkombëtare dhe kundërthëniet që e rrethojnë fjalën ‘e drejtë’, është ta pranojmë që vetë definicioni nëse mëtojmë ta konsiderojmë kuptimin e zakonshëm të tij, është si i tillë i shumëfishtë.

Sidoqoftë, preferohet t’i ikim kurthit të Wittgenstainit të lojërave me fjalët për t’i dhënë kuptimin shprehjeve kyçe, duke e ditur që një gjë e tillë do të thoshte një diskutim i pafundmë që në rastin e së drejtës do na poziciononte përbrenda margjinave të esencializmit ku do ta gjenim veten në mes të zjarrit mes Austinit, Kelsenit e madje edhe Hartit dhe autorëve të tjerë duke u vënë kështu para një zgjedhjeje arbitrare të kriterit në funksion të eksplorimit të pashpresë të entiteteve metafizike. Me gjithë dallimet që kanë edhe e drejta ndërkombëtare edhe ajo municipale apo vendore, janë e drejtë, dhe kuptimin e të drejtës (jo drejtësisë) apo ligjit, do ta pranojmë si të shumëfishtë.

Për të kualifikuar këto dallime, sidomos në mes të së drejtës vendore dhe asaj ndërkombëtare, mjafton të shihet fuqia, në kuptimin e pushtetit, por edhe elemente të tjera si legjitimiteti, autoriteti, koncepte me mjaft hapësirë për të diskutuar sidomos në rastin e të drejtës ndërkombëtare. Në krahasim me të drejtën ndërkombëtare, e drejta vendore është shumë më e fuqishme në raport me subjektin që synon ta qeverisë, në këtë rast shoqërinë e organizuar në shtet, me mekanizma tërësisht të zhvilluar që garantojnë zbatueshmërinë dhe sanksionimin. E drejta ndërkombëtare, të cilës i mungojnë këto mekanizma për shkak të natyrës së ndryshme të saj, në krahasim me të drejtën vendore mund të llogaritet si e butë, jo me aq pushtet e rigorozitetin që gëzon e drejta vendore në raport me subjektin që qeverisë, por ajo ekziston si pasojë e konsensusit mes shteteve që prodhon normat e të drejtës ndërkombëtare. Së paku, pozitivistët mendojnë kështu, dhe ata e shpjegojnë që edhe në mungesë të shumë mekanizmave për zbatimin e së drejtës ndërkombëtare, shtetet e zbatojnë dhe e respektojnë të drejtën ndërkombëtare për shkak se është në interesin e tyre shtetëror.

Edhe mes pozitivistëve ka shumë dallime në shpjegimin e aspekteve të ndryshme të së drejtës, mjafton të shihen dallimet në qasjet mes Kelsenit dhe Hartit, dhe debatet mes Hart dhe Fuller që paraqesin qasjet diametralisht të kundërta mes pozitivizmit dhe natyralizmit, përderisa përfaqësuesi i hershëm i pozitivizmit Austini, ia mohon krejtësisht natyrën legale të drejtës ndërkombëtare bazuar në mungesën e mekanizmave që garantojnë zbatueshmërinë.

Natyralistët kanë një konceptim tjetër për natyrën e së drejtës ndërkombëtare, duke i veshur asaj elemente morale dhe etike. Duke avancuar logjikën e Austinit, Kelseni e konsideron të drejtën ndërkombëtare si një sistem monist e universal, i cili e definon atë si formë primitive e ligjit që rrjedhë nga një Grundnorm universalisht e pranuar, dhe e vetmja mënyrë për t’u avancuar është përmes metodave shtrënguese të cilat shtetet duhet t’i konsiderojnë dhe aplikojnë. Harti duke e konsideruar mungesën e rregullave sekondare dhe të rregullave për identifikimin e normës, shprehet se e drejta ndërkombëtare nuk është as sistem, por vetëm grup i rregullave primare ndaj të cilave shtetet binden si pasojë e obligimeve morale dhe jolegale.

Qasjet tradicionale nuk janë limiti i tentativave teorike për të shpjeguar të drejtën ndërkombëtare. Përtej përpjekjeve të shpjegimit të saj duke u bazuar ekskluzivisht në normativitetin, shkolla të ndryshme të mendimit fillojnë të konsiderojnë rrethana të tjera si politike, sociale dhe ekonomike, duke refuzuar të trajtojnë vetëm aspektin normativ të së drejtës, por edhe rrethanat e tjera.

Myers McDougal një nga përfaqësuesit kryesorë të New Heaven School, e ngritur mbi premisat e realizmit amerikan që poashtu më vonë inspiroi edhe shkollën e kritikës legale, shprehet se e drejta ndërkombëtare nuk është vetëm një grup i rregullave por proces global konstituiv i vendimmarrjes autoritative në shërbim të qëllimeve të caktuara të rendit botëror duke krijuar regjime të kontrollit efektiv, dhe në këtë linjë Rosalyn Higgins thekson se ajo është proces i vendimmarrjes autoritative dhe jo vetëm aplikim neutral i rregullave.

Ndërkohë juristët dhe teoricienët e marrëdhënieve ndërkombëtare që iu rikthyen Kantit, formësuan bindjen që shtetet e respektojnë të drejtën ndërkombëtare për shkak të legjitimitetit. Tutje, shkolla kritike, vë theksin te qasjet tradicionaliste dhe rolin e tyre në ripozicionimin e principeve liberale në arenën ndërkombëtare duke avancuar kështu agjenda të caktuara që i shërbejnë status quo-ve. (shih Koskenniemi, From Apology to Utopia)

Dija e prodhuar nga realistët dhe rrymat që rrjedhin prej realistëve, si aplikimi i metodave deri matematikore duke aplikuar teorinë e lojës nga admiruesit e metodave të studimit të sjelljes për të identifikuar interesin shtetëror (behavorism ose rational choice theory), e reduktojnë të drejtën ndërkombëtare në vetinteres të shtetit duke u pasuar me kritikë të rëndë nga përfaqësuesit e strukturalizmit dhe poststrukturalizmit. Nëse e lexojmë përmes prizmit strukturalist të Koskenniemit, teoria e zgjedhjes racionale i shërben vetëm qëllimit të njëjtë të përjashtimit në analogji më teorinë raciale të shekullit XIX, pasi ajo duke u bazuar në argumente të mendimit juridik klasik, zëvendëson teorinë raciale me atë të zgjedhjes racionale dhe kësisoj është ‚klienteliste‘ në raport me shtetet. (për ilustrim të teorisë së zgjedhjes racionale shih  Jack L. Goldsmith dhe Eric Posner, The Limits of International Law; dhe John Yoo: Point of Attack; për kritikë strukturaliste dhe post-strukturaliste ndaj realizmit dhe teorisë së zgjedhjes racionale shih punën e Koskenniemit, të Justin Desautels-Stein ‘From Apology to Utopia’s Point of Attack, apo Robert Knox mbi Hegjemoninë).

Strukturalistët dhe post-strukturalistët do të përpiqen t‘a trajtojnë të drejtën përmes retorikës, narrativave dhe diskurseve në të drejtën ndërkombëtare, dhe ridiskutimit të koncepteve të fushës. Nëse analizojmë argumentimin juridik, kuptojmë që në fund këto argumente përfundojnë në dikotomi mes pozitivizmit dhe natyralizmit, miratimit dhe drejtësisë, autonomisë dhe komunitetit, procesit dhe rregullave; përndryshe në kundërshtime binare si do të thoshte Derrida. (shih: Koskenniemi, The politics of International Law.)

Pikëpamjet nga qasjet e strukturalizmit dhe poststrukturalizmit na krijojnë hapësira për të diskutuar fenomenet ku e drejta ndërkombëtare ka lënë zbrazëtira dhe paqartësi, apo ku normat nuk janë të zhvilluara plotësisht, duke lënë kështu hapësire për të informuar qëndrimet dhe interpretimet nga objektivat politikë dhe qasjet politikbërëse.

Sidoqoftë jo gjithçka është binare në këtë rast. Për shembull formalizmi, i shkatërruar tashmë plotësisht nga kritika postmoderniste, ia vlen të shpëtohet kur diskutohet identifikimi i krijimit të normave në të drejtën zakonore, përkundër dinamizmit që mëton ta identifikojë normën duke e larguar prej natyrës së saj burimore normative në atë impaktuale. (shih: d’Aspremont: Formalism and the Sources of International Law). Formalizmi, në formën e vet klasike, i konsideruar si qasje që punon në favor të të fortit më shumë se në favor të të dobëtit, vjen si mburojë në rastin e përcaktimit dhe identifikimit të normës që në kohët e fundit është avancuar nga rryma të caktuara drejt impact based, duke i dhënë hipotetikisht hapësirë shteteve të pushtetshme ta orientojnë atë në interesin e tyre politik e strategjik.

Do mjaftonte të shihej evoluimi i rregullave për doktrinën e vetëmbrojtjes dhe qasjeve të single-element theory në raport me ndryshimin në interpretimin e normave, dhe vetë doktrinës së vetëmbrojtjes. Kur lexojmë debatet për elasticitetin e rregullave sidomos atyre të luftës, që konsiderohen si rregulla fundamentale prej të cilave asnjë derogim nuk është i pranueshëm, vihemi në pozicion ku vëmë në pikëpyetje vetë natyrën e ligjit. A është norma ligji apo interpretimi i saj, dhe nëse është kjo e dyta atëherë a e kemi reduktuar disiplinën vetëm në shkencë politike? (për këtë çështje shih  Kammerhofer te Marc Weller: The Oxford Handbook of the use of force in international law;)

I një rëndësie thelbësore është konsiderimi teorik i subjekt materies së studimit, pasi do të jemi në gjendje që në artikujt në vazhdim për çështjen e Kosovës dhe të drejtën ndërkombëtare, përderisa përballemi me dilema që na konfrontojnë si pasojë e pavendosmërisë apo moszhvillimit të plotë të doktrinave përbrenda të drejtës ndërkombëtare, të kemi një arkeologji primitive të natyrës të së drejtës ndërkombëtare.

Kësisoj do i kemi në dispozicion qasjet për shpjegimin e dilemave dhe kundërthënieve që na dalin para, e në rastin e Kosovës ato janë të shumta. Vetë qëllimi i kësaj tentative të pamundshme për të trajtuar qasjet teorike të së drejtës ndërkombëtare në përgjithësi, e më tutje edhe pozicionimet e debatet akademike kundrejt çështjes së Kosovës, nuk është përgjigjja definitive në pyetjet dhe dilemat që hasim, por siç shprehet Heideggeri tek strukturimi i pyetjeve të tij mbi qenien, qëllimi është thjesht për t’i bërë pyetjet apo qasjet  transparente.

Pyetje të tjera specifike do na dalin para gjatë trajtimit të ‘problemit’ të Kosovës, si a është krijimi i shtetit gjendje fakti apo ligji? A është materie për trajtim vetëm ligjor apo edhe politiko-filozofik? A është krijimi i shteteve çështje e ligjit apo e politikës?

A është njohja e shteteve, kyçe për të konsideruar subjektivitetin e Kosovës në skenën ndërkombëtare, dhe aspekte të tjera të shtetësisë, subjektivitetit, rëndësisë së anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, secesionit e të drejtës së popujve për vetëvendosje.

A mund të ridiskutohet statusi i Kosovës apo të bosnjëzohet ajo siç pretendohet nga disa. Këto dhe diskutime tjera relevante që bien nën penumbrën e së drejtës ndërkombëtare dhe që pothuajse çdo ditë përbëjnë lajm në Kosovë dhe bëhen pjesë e diskursit politik tashmë shumë të polarizuar në vendin tonë, përbëjnë subjekt materien e këtij bllogu tematik.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.