Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Vuçiq vs. Kurti: Kush e fitoi betejën diplomatike më 2023?

Viti 2023 është karakterizuar me zhvillime të rëndësishme sa i përket dialogut Prishtinë-Beograd. Në Kosovë, serbët nisën vitin me dorëheqje kolektive nga institucionet e Kosovës, protesta civile dhe bojkot të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës.

Prishtina vendosi njësi speciale për t’i shoqëruar kryetarët e rinj, gjë që i kontribuoi tutje rritjes së tensioneve. Njëkohësisht pati edhe një ofensivë diplomatike nga vendet e QUINT-it (Gjermania, Franca, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe ShBA-ja), që kulmoi me Marrëveshjen e Dytë të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve (Marrëveshja e Ohrit).

Megjithëkëtë, marrëveshja e re vrik i la vendin zhgënjimit, pasi BE-ja nuk qe në gjendje të shtyjë para zbatimin e saj dhe, rrjedhimisht, as t’i lehtësojë tensionet. Si përgjigje, BE-ja sanksionoi Kosovën për të parën herë, duke çuar në një seri raundesh të dështuara të negociatave në Bruksel, gjendje kjo që kulmoi me sulmin e paraushtarakëve serbë në Manastirin e Banjskës.

Liderët e Kosovës dhe të Serbisë, përkatësisht presidenti Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri Albin Kurti, patën reagime të ndryshme karshi secilës situatë. Kësisoj, është thelbësore të analizohen në mënyrë kritike zhvillimet më të rëndësishme, ashtu që të dihet se kush ka korrur përfitime më të mëdha në raport me situatat respektive.

Për ta adresuar këtë pyetje, është e domosdoshme të fillojmë nga shqyrtimi i qëndrimeve fillestare të Vuçiqit dhe Kurtit dhe më pas t’i krahasojmë ato me rezultatin përfundimtar të dialogut më 2023.

Objektivat kryesore të të dyja palëve

Duke nisur nga pozicioni i Serbisë, objektivi i saj parësor është themelimi i suksesshëm i Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe (AKS), i cili do t’u jepte më shumë kompetenca autonome serbëve vendës. Në të njëjtën kohë, Serbia ndoqi strategjinë e shpërfilljes së çdo mundësie për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës ka më shumë se një dekadë që e mendon dhe stërhollon themelimin e AKS-së, nën pretekstin se është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, duke risjellë në mendje vendimin e Gjykatës Kushtetuese për AKS-në, por duke mos propozuar ndonjë draft të ri të ndryshuar dhe duke mos respektuar detyrimet e saj. Duke shtyrë themelimin e AKS-së, Qeveria e Kosovës synoi të ushtrojë presion mbi Serbinë, duke shpresuar që të nxisë një momentum të ri i cili do të çonte drejt njohjes.

Përgjatë gjithë këtij angazhimi diplomatik, u veçuan tri fushëbeteja diplomatike, ndërkohë që palët e përfshira u përpoqën të maksimizonin pozicionin e tyre në negociata.

Beteja diplomatike 1: Themelimi i AKS-së

Kur ndalemi dhe e shqyrtojmë fushën e parë të betejës diplomatike, është evidente që Beogradi ka insistuar fuqishëm në zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme, veçanërisht marrëveshjet e lidhura me AKS-në e 2013 dhe 2015, para se të lëvizte tutje në procesin e normalizimit.

Kjo taktikë u përdor më 2022 dhe u pa të përsëritej më 2023 gjatë bisedimeve lidhur me propozimin franko-gjerman. Kjo qasje u dëshmua të jetë pjesërisht e suksesshme pasi gjeti vendin e vet në Nenin 7 të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Sidoqoftë, përkundër arritjes së një marrëveshjeje në mars 2023, AKS-ja nuk është themeluar ende. Në të njëjtën kohë, kryeministri Kurti tentoi pa sukses të përfshijë njohjen reciproke në agjendën e dialogut.

Për vite me radhë, Kurti mbajti një qëndrim kategorikisht kundër AKS-së. Ai fitoi popullaritet midis votuesve dhe përfundimisht erdhi në pushtet duke protestuar kundër krijimit të AKS-së. Megjithatë, qëndrimi i Kurtit ndryshoi këtë vit, kur ai nominalisht pranoi ta themelojë AKS-në.

Fakti që kryeministri Kurti ndryshoi qëndrimin e vet dhe e pranoi këtë detyrim, shënon një fitore diplomatike për Serbinë.

Beteja diplomatike 2: Mbështetja transatlantike

Kur bie fjala te mbështetja dhe ndërtimi i aleancave, viti 2023 shpërfaqi një dinamizëm të jashtëzakonshëm. Pavarësisht partneriteteve tradicionale dhe mbështetjes nga vendet perëndimore për pavarësinë e Kosovës, Serbia në mënyrë aktive u përpoq të siguronte mbështetjen e ShBA-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Qasja e Serbisë ishte deri në njëfarë mase e suksesshme, pasi arriti të fitonte luftën e marrëdhënieve publike dhe të fajësonte Qeverinë e Kosovës për stagnimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Për më tepër, BE-ja dhe ShBA-ja vendosën masa kufizuese për shkak të refuzimit për t’i tërhequr njësitë speciale të policisë nga veriu dhe për të zbutur përshkallëzimin e situatës. Kjo e vendosi Serbinë në një pozicion të favorshëm negociues dhe i la shumë pak hapësirë Kosovës për manovra diplomatike.

Nga ana tjetër, Kosova u përpoq të forcojë pozitën e saj duke siguruar mbështetjen e organeve legjislative në ShBA dhe Mbretëri të Bashkuar. Deputetja britanike Alicia Kearns në raste të caktuara veproi në kundërshtim me qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar duke mbështetur Prishtinën, ndërsa tetë kryetarë të komiteteve të punëve të jashtme, përfshirë vetë Kearns-in dhe senatorin amerikan Menendez, së bashku me deputetë të lartë nga vende të tjera, u bënë thirrje BE-së, ShBA-së dhe Britanisë së Madhe të ndryshojnë qasjen karshi Kosovës dhe ta rrisin presionin karshi Serbisë.

Pavarësisht betejës intensive diplomatike midis Serbisë dhe Kosovës, sanksionet e vendosura kundër Kosovës, për të parën herë qysh nga shpallja e pavarësisë së saj, zor se mund të injorohen. Kësisoj, Serbia markon një tjetër fitore diplomatike.

Beteja diplomatike 3: Sulmi në Banjskë

Së fundmi, fusha e tretë dhe kryesore e betejës ishte sulmi i forcave paramilitare serbe në Manastirin e Banjskës. Edhe pse në këtë rast fjala fushëbetejë mund të ketë kuptim literal, sulmi në Banjskë ndikoi padyshim në zhvillimet në terren.

Midis të gjitha ngjarjeve që u panë të ndodhnin përgjatë vitit 2023, sulmi në Banjskë deri më tani ka qenë ai me më së shumti ndikim. Pavarësisht një hetimi të vazhdueshëm dhe mungesës së informacionit të qartë se cili ishte qëllimi i këtij operacioni dhe kush realisht e mbështeti atë, sulmi vuri në rrezik të menjëhershëm dialogun, sikundër edhe procesin e normalizimit.

E qartë në këtë pikë është ajo se ngjarja në Banjskë ka përkeqësuar pozitën e Serbisë dhe pasojat e saj do të jenë të mëdha. Një pasojë e menjëhershme është kërkesa e hapur e BE-së dhe vendeve anëtare të saj drejtuar Serbisë që ta njohë de fakto Kosovën.

Kjo është një fitore e qartë për Qeverinë e Kosovës, pasi çështja e njohjes nuk ishte pjesë e negociatave të mëparshme e megjithatë Kurti arriti ta përfshijë atë në agjendën e dialogut.

Është sfidë në vete t’i japësh një përgjigje definitive pyetjes së parashtruar në titull. Fushëbetejat diplomatike duket se ndajnë një raport barabartësie, me Kosovën që arrin të shtyjë përpara çështjen e njohjes dhe me Serbinë që siguron themelimin e AKS-së. Megjithëkëtë, Serbia arrin të ketë një avantazh të ndjeshëm në raport me Kosovën, pasi Kosova vazhdon të jetë nën sanksione ndërsa Serbia jo.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.