Paralelisht me vazhdimin e luftës në Ukrainë, Federata Ruse po angazhohet agresivisht me shpërndarjen e informatave informative të rrejshme, përfshi në rajon dhe Kosovë. Së fundmi, Ministria e Brendshme e Rusisë ka publikuar një listë, ku pretendohet se në Ukrainë janë angazhuar mbi 7 mijë mercenarë nga vende të treta. Sipas kësaj ministrie, 156 prej tyre janë nga Kosova dhe se 61 prej tyre janë të vrarë.
Në këtë listë me gati 7 mijë mercenarë nuk ka emra apo të dhëna të tjera lidhur me identitetin e këtyre personave, por vetëm shifra. Lista është publikuar nga Agjencia Shtetërore e Lajmeve Tass. Edhe pse qasja në mediat ruse për publikun kosovar është e ndaluar, për këtë listë ka pasur reagime zyrtare nga Kosova.
Kështu, Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se asnjë shtetas kosovar nuk është duke luftuar në Ukrainë, dhe se këto janë pretendime të Rusisë për të arsyetuar luftën në Ukrainë. Ndërsa, Blerim Vela, i cili është Shefi i Stafit të Kabinetit të Presidentes së Kosovës ka reaguar përmes një postimi në llogarinë e tij në twitter, duke thënë se mediat pro regjimit të presidentit serb, Vuçiq po përforcojnë narrativën e Rusisë në rajon.
Duhet theksuar që Kosova ka vite që ka miratuar një ligj për parandalimin e qytetarëve të Kosovës për të marrë pjesë në luftërat jashtë territorit të Kosovës dhe se shkelja e këtij ligji ka pasoja penale.
Një reagim të ngjashëm ka pasur dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama gjatë vizitës se fundit të tij në Kosovë, i cili tha se nga fillimi i luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, kur bëhet fjalë për luftëtarët në Ukrainë, Putini dhe Lavrovi gjithmonë e përmendin Shqipërinë dhe Kosovën.
Ajo çfarë duket e çuditshme është se Ambasada Ruse në Shqipëri, në njoftimin që ka lëshuar për të njëjtën listë, i është referuar Kosovës si shtet i pavarur edhe pse zyrtarisht nuk e njeh.
Me qëllim të dezinformimit të publikut, dhe pa e mbështetur në fakte, Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, ka vazhduar të shpërndajë në Twitter pretendimet se një pjesë e madhe e armëve anti-tank të markave, Stinger dhe Javeline nga Ukraina, po kalojnë nëpërmjet tregut të zi në Kosovë e Shqipëri.
Kjo nuk është hera e parë që Rusia ka shpërndarë propaganda të tilla. Menjëherë pas fillimit të luftës, Lavrov deklaroi se Kosova po rekruton njerëz për luftuar në krah të Ukrainës.
* Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”