Connect with us

Hi, what are you looking for?

Debunking

Cako u mëshon teorive konspirative rreth tërmetit në Turqi

Individë që shpërndajnë teori konspirative të cilat nuk bazohen në të dhëna shkencore, e shfrytëzuan edhe tërmetin vdekjeprurës në Turqi për të spekuluar rreth shkaktarëve.

Atyre iu ofrua hapësira mediale televizive në Shqipëri që t’i shpalosin konspiracionet e tyre, të cilat u shpërndanë në media tjera dhe në rrjete sociale në Kosovë.

Në tërmetin e 6 shkurtit në Turqi dhe Siri të intensitetit 7.8 ballë të rihterit vdiqën më shumë se 36 mijë njerëz.

Disa ditë pas fatkeqësisë, konspiracionisti nga Shqipëria Alfred Cako, ishte mysafir në emisionin “Zone e Lirë” dhe “Jashtë Matriksit”. Sipas tij, tërmeti në Turqi mund të jetë shkaktuar nga i ashtuquajturi Programi i Kërkimit Aktiv Auroral me frekuencë të lartë, i njohur si HAARP. Pa iu referuar ndonjë burimi zyrtar apo të dhëne shkencore, Cako pretendonte se tërmeti është shkaktuar nga dora e njeriut me qëllim të hakmarrjes.

Ai ka aluduar në mosmarrëveshjen mes Turqisë me NATO-n pas kërkesës së Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në Aleancë. Presidenti Erdogan kishte kërcënuar se do ta bllokonte anëtarësimin e Suedisë në NATO, pas djegies së Kuranit nga një grupacion ekstremist në Stokholm, në janar të këtij viti. Duke marrë shkas nga kjo deklaratë, Cako ka spekuluar se Turqia mund të dalë nga NATO-ja, gjë për të cilën do ta ndëshkojë Perëndimi.

Një javë më parë në një emision kemi thënë se Turqia mund të dalë nga NATO-ja, kemi thënë që Turqia nuk po i bindet vendimeve të Gladios që është krahu sekret i NATO […] dhe Gladio nuk pranon rolin e Turqisë për të ndalur futjen e Suedisë dhe Finlandës në NATO, si një nga arritjet e NATO -s […]Gjithashtu Erdogani po rri në dy karrige, përpiqet ta ketë mirë me Rusinë dhe Perëndimin“, ka thënë Cako. 

Teoritë konspirative të tij janë cituar edhe nga mediat online në Shqipëri e Kosovë si- Kosovarja, Indeksonline, Ntv.alBotaSotabcnews.

Veç këtyre deklaratave, në rrjetet sociale kanë qarkulluar edhe video me pretendimin se tërmetit i ka paraprirë një dritë e madhe misterioze, të cilat janë shikuar mbi 120 mijë herë dhe ka pasur mbi 100 komente për të. Por media të ndryshme ndërkombëtare kanë sqaruar sistemin HAARP duke verifikuar edhe faktet për pretendimet e rrejshme rreth tërmetit në Turqi.

Kësisoj ,“UsaToday” në artikullin e publikuar  me titull “Pretendimi i rremë që HAARP është përgjegjës për tërmetin në Turqi”, thekson se tërmetet ndodhin natyrshëm, në ato vende ku toka është e çarë. Sipas këtij raportimi, sistemi HAARP “nuk mund t’i krijojë ose përforcojë fatkeqësitë natyrore”. Aty ështe cituar një seizmolog nga Universiteti i Bostonit që thonë se “askush nuk ka aftësinë të shkaktojë qëllimisht një tërmet të madh”.

Ndërkaq Jonathan Stewart, profesor i inxhinierisë mjedisore në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos ka thënë se, “tërmetet e nxitura nuk arrijnë magnitudat mbi intervalin mesatar prej 5 ballësh”. Ndërsa tërmetet në Turqi dhe në Siri ishin shumë më të mëdha, gjegjësisht me magnitudë 7.8 dhe 7.5.

Edhe Jessica Mathhews– menaxhere në programin HAARP, – teksa ka demaskuar pretendimet se tërmeti në Turqi është shkaktuar nga HAARP,  ka thënë se  humbjet tragjike të jetëve vënë në pah shkatërrimin që sjellin fatkeqësitë natyrore.

Por çfarë është sistemi HAARP?

Sipas HAARP është transmetuesi më i aftë në botë me fuqi dhe frekuencë të lartë për studimin e jonosferës. Nëpërmjet tij synohet zhvillimi i një strukture kërkimore jonosferike, shkruhet ne faqën zyrtare të HAARP.

Jonosfera shtrihet afro 50 deri në 400 milje mbi sipërfaqen e Tokës, në skajin e hapësirës. Së bashku me atë që njihet si atmosfera e sipërme neutrale, jonosfera formon kufirin midis atmosferës së poshtme të tokës – ku jetojmë dhe vakumit të hapësirës.

Por në këto shpjegime nuk përmendet edhe aftësia që përmes këtij sistemi të nxiten tërmete në tokë apo të shkaktohen fatkeqësi tjera, ashtu siç pretendojnë konspiracionistët, duke përfshirë këtu  hapësirën mediale që i ofrohet nga mediat.

Prandaj lajmet e tilla që përmbajnë teori konspirative dhe nuk bazohen në të dhëna shkencore, kanë për qëllim shkaktimin e frikës dhe hutisë tek opinioni publik. Konspiracionistët zakonisht i përdorin rastet e fatkeqësive natyrore kur interesi i qytetarëve për të konsumuar informacione është i madh, duke hedhur kështu dyshime rreth shkaktarëve dhe motiveve të fatkeqësive. Në raste të tilla edhe disa media me qëllim të përfitimit financiar, shkelin parimet e etikës gazetareske duke u dhënë hapësirë konspiracionistëve.

* Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.