Autor: Sbunker&Metamorfoza
Vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Shkup, u shoqërua me raportime të pakonfirmuara se ai u kërcënua me jetë, të cilat më vonë u mohuan nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut.
Më 10 shkurt 2024, Radiotelevizioni i Kosovës (RTK), publikoi artikullin me titull “Detaje të planit serb për atentat ndaj Kurtit në Shkup”. Duke u thirrur në burime të besueshme nga institucione të sigurisë në Kosovë, RTK, ka shkruar se menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku u diskutua për rregulloren e re të BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb, kanë siguruar të dhëna se burimi i tentativës për vrasjen e kryeministrit të Kosovës është nga Serbia. Siç shkruan RTK-ja, në Shkup ka pasur grupe të dislokuara duke iu afruar perimetrit ku ka qëndruar Kurti. Sulmin e kanë ndërlidhur me një shkrim në mediat serbe, ku akuzohej lideri opozitar Dragan Gjislas se do të takohej me Kurtin. RTK-ja po ashtu kishte premtuar se do ta përditësonte lajmin me informacione shtesë, por që kjo nuk ndodhi. Në vend të kësaj, RTK-ja e fshiu lajmin. Por, ai vazhdon të jetë i qasshëm në mediat e tjera që shpërndanë artikullin e njëjtë. Ky artikull u shpërnda edhe nga: “BalkanWeb”, “Java News”, “EuroNews”, “Alsat.mk”, “Sot.com”, “Shqiperia.com”, “Liberale.al”.
Foto: RTK
Kurti e vizitoi Maqedoninë e Veriut më 9 shkurt 2023, në kuadër të takimit rajonal me udhëheqës të partive simotra të Partisë së Socialistëve Evropianë, organizuar nga Fondacioni Friedrich-Ebert-Stiftung (FES). Mediat në Maqedoninë e Veriut kanë raportuar se Kurti do të ishte panelist në një konferencë me temë “Politikat progresive – përgjigje ndaj sfidave të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ndërsa në mesin e pjesëmarrësve të tjerë ishte edhe lideri i Partisë për Liri dhe Drejtësi, Dragan Gjilas, për të cilin RTK-ja ka pretenduar se planit terrorist serb i ka paraprirë një shkrim në mediat serbe, ku akuzohet pikërisht lideri opozitar serb Dragan Gjilas se do të takohej me Kurtin. Gjatë kësaj mbledhjeje, Kurti ka deklaruar se ka parë forca të shumta policore në Shkup pas raportimeve se ka pasur një tentim-atentat ndaj tij.
Për kërcënimin ka folur edhe kryeministri Kurti, që diskutoi në përgjithësi për kërcënimet që ka marrë.
“Kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesën për këtë mbledhje që e mbajtëm, e ku mysafiri special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil”, tha Kurti më 10 shkurt 2024.
Por, pretendimi i publikuar në mediat kosovare u demantua nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut. “Ju njoftojmë se gjatë vizitës së kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Shkup, nuk ka pasur asnjë tentim për vrasjen e tij. Sa i përket sigurisë gjatë vizitës së kryeministrit Kurti, ajo është e organizuar sipas rregullave të paracaktuara dhe vlerësimeve të sigurisë”, thuhet në demantin e Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë së Veriut. Edhe zyrtari i kësaj ministrie, Toni Angellovski, deklaroi se nuk ka pasur asnjë tentativë për atentat ndaj Albin Kurtit në Shkup.
Publikimi i një lajmi të tillë, që nuk mbështetet në fakte dhe në kundërshtim me rregullat bazë të gazetarisë, nxiti reagime të shumta.
Njohësja e medias, Flutura Kusari, tha se “lajmi nuk e përmbush asnjë nga elementet bazike të gazetarisë dhe as parimet etike dhe ligjore”. Reagime pati edhe nga partitë opozitare, PDK e AAK, që shprehën dyshime për lajmin e publikuar, për faktin se brenda disa orëve ai u demantua nga shteti që ishte mikpritës i kryeministrit Kurti.
Informacione për kërcënim të politikanëve janë publikuar edhe më herët. Në fillim të këtij viti, autoritetet zyrtare njoftuan se kërcënime pati ndaj liderëve të opozitës në Kosovë. Më 23 janar 2023, Policia e Kosovës njoftoi se cak i një atentati të mundshëm ka qenë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe tre deputetë të tjerë të kësaj partie – Avdullah Hoti, Armend Zemaj dhe Arben Gashi. Sipas të dhënave që pati publikuar Policia, burimi i kërcënimit ishte nga një grup shqiptarësh të cilët jetojnë në diasporë. Ata kanë rënë në përgjimin e Policisë gjermane, duke diskutuar për disa vrasjeve politike në Kosovë. Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku u vunë nën mbrojtjen e Njësisë së Mbrojtjes së Afërt të Policisë.