Connect with us

Hi, what are you looking for?

Disinfo

Dezinformimi i opinionit publik në Serbi si strategji elektorale

Tashmë është bërë e zakonshme që në çdo palë zgjedhje në Serbi, të shohim një rritje të diskursit nacionalist të liderëve politikë atje përkitazi me Kosovën. Politikanë të majtë e të djathtë, në pushtet e opozitë, i hyjnë garës se kush është më i ashpër në raport me politikat që do të ndiqnin  ndaj Kosovës po t’i fitonin zgjedhjet. E njëjta ngjau edhe gjatë fushatës së fundit për zgjedhje parlamentare dhe presidenciale që u mbajtën më 3 prill.

Që nga shpallja e pavarësisë, në Kosovë ishte krijuar një praktikë e papranueshme që çdo palë zgjedhjesh të Serbisë të mbaheshin edhe në Kosovë. Deri më tash, këto administroheshin nga OSBE-ja. Shkurt: një shtet i pavarur (Serbia) organizonte zgjedhje pa asnjë pengesë në një shtet tjetër, po ashtu të pavarur (Kosovë). Kjo praktikë u ndërpre nga Qeveria Kurti, e cila bëri thirrje njëkohësisht që të gjendet një zgjidhje e përhershme për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e Serbisë. Nga pala kosovare kishte një vullnet të hapur që qytetarëve serbë t’u mundësohej ushtrimi i të drejtës së votës, por që kjo të bëhet sipas praktikave të njohura ndërkombëtare. Kjo ofertë e Kosovës u refuzua nga Serbia dhe Vuçiq.

Fituesi i zgjedhjeve të 3 prillit në Serbi, siç pritej doli të jetë presidenti aktual Aleksander Vuciq dhe partia e tij. Jo rrallëherë, Aleksander Vuciq ka tentuar që të ndërtojë një narracion fantastik në raport më Kosovën, duke mos lënë anash as përpjekjet e tij për të dezinformuar opinionin publik serb për ato që gjoja do të ndodhin në Kosovë. Kështu, gjatë fushatës zgjedhore, Vuçiq gjatë një intervistë në televizionin shtetëror tha që “Nëse serbët fillojnë të organizojnë zgjedhjet, policia shqiptare do të qëllojë mbi ta. Në atë rast do të kishim dhjetëra e qindra të vdekur.” Ky alarm i rrejshëm i presidentit Vuciq, u dha për së paku dy qëllime politike. I pari, të krijonte një situatë paniku e tensioni në mes qytetarëve serbë të Kosovës dhe institucioneve të saj. Dhe i dyti, duke manipuluar me deklarata të tilla, Vuciq u përpoq të jepte porosinë që edhe përkundër gjoja “provokimeve” nga pala shqiptare, pala serbe do të tregonte maturi. Paçka se, pikërisht organizimi i zgjedhjeve në një territor të pavarur në vetvete ishte provokim.

Mirëpo, këto deklarata qenë të pabaza dhe gjendja në terren dëshmoi të kundërtën. Për më tepër,

Vuçiqi nuk e përjashtoi as mundësinë e zgjerimit të konfliktit të vazhdueshëm në Ukrainë si pasojë e agresionit të Rusisë. Sipas presidentit serb, “ka njerëz që po presin rastin për të provokuar luftë”.

Me tone kërcënuese e fyese ndaj shqiptarëve folën edhe vartësit e Vuçiqit, sikurse ministri i Mbrojtjes Aleksandar Vulin, i mirënjohur si mohues gjenocidiakomodues kriminelësh të luftës dhe promovues i ‘botës serbe’.

Duke iu referuar suspendimit të një gjyqtareje serbe nga Mitrovica për shkak të pjesëmarrjes në takimin e Këshillit të Sigurisë të Serbisë, Vulini kërcënoi se ky akt është një hap drejt përfshirjes së Serbisë në luftë me Kosovën.

“Ky është hapi i parë drejt përfshirjes së Serbisë në konfliktet e armatosura në Kosovë, të cilat shqiptarët padyshim po i përgatisin. Nëse Bashkimi Evropian, i cili është sponsor i Marrëveshjes së Brukselit, nuk thirr takim në Bruksel dhe ndalon çdo lloj dhune kundër serbëve në Kosovë, atëherë me të drejtë mund të themi se sulmi i Kurtit nuk erdhi nga koka e tij e helmuar me urrejtje”, tha Vulin.

Pati një sërë veprimesh që i paraprinë kërcënimit të Serbisë me luftë e që ndërlidhen me zgjedhjet presidenciale atje.

Pas konfirmimit të QUINT-it se qeveria e Kosovës refuzoi zgjedhjet e Serbisë, Vuçiq mblodhi në një takim politikanë serbë dhe zyrtarë të tjerë që janë pjesë e institucioneve të pavarura të Kosovës. Mes pjesëmarrësve u pa edhe Milan Radojçiq- i njohur si lideri i serbëve të Mitrovicës së Veriut. Ai dhe disa serbë nga Kosova vitin e kaluar u përfshinë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së.

Gjithashtu, Radojçiq ishte shpallur në kërkim për rastin e vrasjes së ish-politikanit Kosova Oliver Ivanoviq. Por pas një kohe ishte fshirë nga lista e kërkimit me vendim të prokurorit të çështjes. Ndërsa së fundmi, Prokuroria Speciale sërish e vendosi në listën e personave të kërkuar.

Deklarata të shumta me tone armiqësore dhanë edhe politikanët e Listës Serbe, të cilat u shpërndanë tek mediat lokale në Kosovë.

Protestat e serbëve në jug e veri të Kosovës

Një ditë pas takimit me Vuçiqin, Këshilli Gjyqësor i Kosovës e suspendoi nga puna kryetaren e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Liljana Stevanoviq. Për pasojë, Lista Srpska – subjekti i vetëm e që ka mbështetje nga Beogradi zyrtar për t’i përfaqësuar serbët në institucionet e Kosovës – organizoi protesta në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë.

Edhe pse u paralajmërua si protestë pasi serbët nuk u lejuan të votojnë në zgjedhjet e 3 prillit, organizatorët e saj patën vetëm një kërkesë – t’i hiqet suspendimi kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Stevanoviq. Në shenjë mbështetjeje për gjyqtaren të gjithë gjyqtarët serbë, por edhe përfaqësuesit politikë të serbëve, ata u vetësuspenduan nga pozitat e tyre.

Por subjekte tjera serbe që janë rivale të Vuçiqit protestën e cilësuan si përpjekje për t’i manipuluar serbët. Sipas Partisë Serbe të Kosovës, “tubimi i organizuar është dëshmi e çoroditjes së autoriteteve të SNS-së dhe frikës së filialit të tyre – Listës Serbe”.

Moslejimi i zgjedhjeve

Për herë të parë një qeveri e Kosovës që tani udhëhiqet nga partia e cila kishte kundërshtuar praktikat e mëhershme, nuk lejoi hapjen e qendrave të ashtuquajtura të grumbullimit, të cilat do të menaxhoheshin nga misioni i OSBE-së në Kosovë. Zgjedhjet e fundit parlamentare që Serbia i pati organizuar edhe për serbët në Kosovë janë ato të 21 qershorit 2020. Votat e grumbulluara në disa qendra votimi më pas ishin dërguar për numërim në Rashkë dhe Vranjë.

Në prag të protestës, shqetësim për rrezikun e përshkallëzimit të situatës shprehën shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian.

“QUINT-i dhe BE-ja gjithashtu i përsërisin thirrjet e tyre Kosovës dhe Serbisë për të vepruar në mënyrë të matur dhe të përmbahen nga çfarëdo retorikë apo veprim që do të mund të ngritë tensionet”, shkroi QUINT-i.

Por protesta kaloi qetë dhe pa incidente.

Përmes një videoje një rrjetet sociale Kryeministri Kurti në gjuhën serbe i falënderoi serbët për protestën paqësore, duke iu bërë thirrje ta ruajnë qetësinë dhe tu besojnë institucioneve të Kosovës, derisa për suspendimin e gjyqtares serbe tha se kuptoi nga mediat.

“Por, më duhet të them, do të ishte më e besueshme po që se do të protestonim, p.sh për drejtësinë sociale, zhvillimin më të shpejtë dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit të organizuar. Ju lutem që të mos ndikoheni nga regjimi autoritar në Beograd. Atyre nuk u interesojnë të drejtat dhe përfitimi i serbëve në Kosovë. Ata përpiqen ta destabilizojnë Kosovën për qëllimet e tyre zgjedhore e ndoshta edhe për interesat luftëndjellëse të ndonjë fuqie të madhe”, tha Kurti.

Përpjekjet e QUINT-it për ta bindur qeverinë

Megjithë përpjekjet e vendeve të QUINT-it për gjetjen e një modaliteti që serbëve të Kosovës do t’iu garantonte të drejtën e votës për zgjedhjet e Serbisë, ato dështuan pasi mungoi dakordimi mes dy palëve. Pamundësia për të gjetur një formulë për organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë u konstatua pas dy letrave që mbërritën në Zyrën e BE-së në Prishtinë. Njëra ishte e zyrtarit Ndërlidhës të Serbisë, ku nuk përmendej Qeveria e Kosovës e as nuk kërkohej të lejoheshin zgjedhjet, por vetëm bashkëpunim për t’ia mundësuar OSBE-së mbledhjen e fletëvotimeve.

Ndërkaq Kurti në letrën e tij listoi problemet me letrën e zyrtarit Ndërlidhës të Serbisë. Sipas tij, nëse do të lejohej mbajtja e zgjedhjeve sipas propozimit të Beogradit, do të shkelej Kushtetuta. Kurti argumentoi se referimi i tyre si ‘votuesit me të drejtë vote’ dhe jo ‘votuesit jashtë vendit’, është në shpërputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Por vendimi i Qeverisë u prit me kritika nga shtetet e QUINT-it që thanë se kjo qasje minon aspiratat evropiane të Kosovës.

“Me këtë vendim Qeveria e Kosovës ka dështuar të demonstrojë përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile e politike të të gjithë qytetarëve, përfshirë atyre të grupeve minoritare. Një sjellje e këtillë nga Qeveria e Kosovës s’është në linjë me vlerat dhe parimet tona dhe i minon aspiratat e tyre evropiane”, ishte reagimi i QUINT-it.

Megjithëkëtë, serbët që jetojnë në Kosovë dhe kanë shtetësi të Serbisë realizuan të drejtën e tyre, ku në mënyrë të organizuar me dhjetëra autobusë shkuan për të votuar në qytetet e afërta të Serbisë, në zgjedhjet e 3 prillit.

* Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.