Connect with us

Hi, what are you looking for?

Debunking

Disa media serbe e akuzojnë Ahtisaarin për korrupsion edhe pas vdekjes

Foto: Presidenca e Kosovës, 21 shtator 2011

*Përgatiti: Ridona Berisha

Mediume serbe që njihen për narrativa kundër shtetit të Kosovës u janë rikthyer shpifjeve ndaj akterëve që ishin pjesë e procesit në krijimin e shtetit të Kosovës. Këtë e bënë edhe me rastin e vdekjes së ish-presidentit të Finlandës, Martti Ahtisaari, i cili konsiderohet arkitekt i pavarësisë së Kosovës. Ahtisaari vdiq më 16 tetor, në moshën 86-vjeçare. Kosova e kishte shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008, mbi bazën e propozimit të Ahtisaarit, edhe pse i njëjti nuk ishte miratuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për shkak të shkak të refuzimit të aleatëve të Serbisë, Rusisë e Kinës, që kanë të drejtë vetoje në këtë organizatë. Serbia dhe aleatët e saj nuk e pranuan propozimin e Ahtisaarit, edhe pse atij i paraprinë negociata të gjata për zgjidhjen e statusit final të Kosovës.

Mediume serbe të afërta me pushtetin në Beograd iu rikthyen pretendimeve të mëhershme ndaj Ahtisaarit, kinse atë e kanë korruptuar shqiptarët për t’ua themeluar shtetin. Kësisoj, mediumet si “Informer” dhe “Espreso”  publikuan artikujt me titull: “Kush ishte Marti Ahtisaari? I dërguari special për Kosovën, i cili pretendohej se kishte marrë ryshfet nga mafia shqiptare!” dhe ”VDIQ MARTTI AHTISAARI! Krijuesi i planit kontrovers për KOSOVËN do të kujtohet përgjithmonë nga serbët për këtë deklaratë të turpshme”. Artikulli me përmbajtje të njëjtë është shpërndarë edhe nga medimuet AdriaPressFaktor MagazinSrpskiportal.rsAlo.rsHappy TvBanjaluka-24Mondo.rsKurir.

Foto shkëputur nga artikulli i shkruar nga Espreso

Në përmbajtjen e artikujve spekulohet se Martti Ahtisaari ka marrë ryshfet nga mafia shqiptare prej 2 deri në 40 milionë euro. Fillimisht, këto pretendime ishin ngritur në vitin 2007 nga disa mediume serbe, por të cilat ishin mohuar nga zyra e ish-presidentit Ahtisaari. As në raportimet e tanishme këto media nuk sjellin diçka të re, vetëm se i kanë ricikluar pretendimet që nuk ishin konfirmuar asnjëherë dhe të cilave u mungojnë referenca të besueshme. “Lajmi i parë për ryshfet në fund të qershorit 2007 u përgënjeshtrua nga zyra e Martti Ahtisaarit, por qysh në fillim të korrikut, lajmi i shërbimit gjerman i inteligjencës BND se Ahtisaari ka marrë ryshfet u konfirmua nga Sistemi i Informacionit Global [5]. Ndërsa kryetari i Këshillit Amerikan për K&M, Jim Jatras, konfirmoi gjithashtu se ka informata se Ahtisaari ka marrë ryshfet”, shkruan në njërin prej këtyre artikujve.

Foto shkëputur nga artikulli i shkruar nga Informer

Raportime të tilla patën marrë hov në periudhën kur i dërguari special i OKB-së për Kosovën, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd më 2 shkurt 2007, i cili parashikonte pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën, të cilën do ta bënte Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) deri në vitin 2012.

Serbia nuk u bind ta pranonte planin as pas dërgimit të një misioni fakt-mbledhës të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, që kishte për qëllim shqyrtimin e rrethanave për zbatimin e planit. Ndërsa bisedimet e zhvilluara në Prishtinë e Beograd, nën ndërmjetësimin e “Treshes” ndërkombëtare të përbërë nga diplomati Frenk Vizner (ShBA), Volfgang Ishinger (Gjermani) si dhe Aleksandër Botsan-Kharçenko (Rusi), rezultuan të pasuksesshme. Pasi u mbajtën disa raunde negociatash, në Vjenë të Austrisë, Martti Ahtisaari përfundimisht e shpalosi propozimin për zgjidhjen e statusit final të Kosovës.

Meqë Plani i Ahtisaarit nuk u votua në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Kosova pasi e shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008 e integroi atë brenda kushtetutetës së vet. Përmes Planit të Ahtisaarit, Kosova definohet si shtet multietnik, që u ofron të drejta të shumta komuniteteve pakicë, veçanërisht atij serb. Pavarësisht vënies në dyshim të kredibilitetit të pakos së Ahtisaarit përmes narrativave në disa media serbe se ajo në thelb është e korruptuar, serbët i kanë shfrytëzuar të drejtat që u siguron ky dokument, siç janë vendet e garantuara në Kuvendin e Kosovës. Po ashtu, çdo ndryshim i aktit më të lartë juridik ose ligjeve me interes vital kërkon miratimin e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë. Mbi bazën e propozimit të Ahtisaarit janë krijuar edhe komuna të reja serbe.

Edhe pse kanë kaluar mbi 15 vjet që prej shpalljes së pavarësisë, Serbia po vijon përpjekjet për ta kontestuar Kosovën, qoftë përmes instrumentalizimit të serbëve të Kosovës, qoftë përmes lobimit në arenën ndërkombëtare. Serbia kishte kërkuar të dijë nga Gjykata Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) se: “A është Deklarata e njëanshme e Pavarësisë, e deklaruar nga institucionet vetëqeverisëse të Kosovës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?”. Mirëpo, pas dëgjimit të argumenteve të Serbisë dhe Kosovës, GJND-ja kishte arritur në përfundimin se: “Deklarata e Pavarësisë nuk cenon të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare”.

Ky nuk është rasti i parë kur mediat serbe ndërmarrin fushata linçuese qoftë ndaj individëve apo organizatave ndërkombëtare. Njësoj kanë vepruar edhe në përvjetorët që shënojnë intervenimin e NATO-s në Kosovë.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.