Connect with us

Hi, what are you looking for?

Debunking

IPK-ja heton rastin e serbit që pretendon se u rrah nga Policia e Kosovës

Një incident tjetër ka ndodhur në veriun e populluar me shumicë serbe, ku disa zyrtarë serbë dhe media serbe ngritën pretendime për rrahjen e një banori nga komunitetit i tyre nga Policia e Kosovës.

Përtej raportimeve të mediave, Sbunkeri ka kuptuar se ky rast është denoncuar edhe në institucionet kompetente për verifikim të mëtutjeshëm.

Më 14.04.2024, Kosovo Online ka publikuar një artikull me titull “Forcat speciale të Kosovës rrahën një serb dhe e kërcënuan me armë pranë Zubin Potokut”. Bëhet fjalë për serbin Vladan Stevanoviq, nga fshati Bube afër Zubin Potokut. Stevanoviq ka deklaruar se është ndaluar nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës, që kanë përdorur dhunë fizike ndaj tij, ndërsa ka shtuar se pas sulmit ka marrë trajtim mjekësor.

Artikulli i njëjtë u shpërnda edhe nga mediat e tjera serbe si: Danas.rs, Blic.rs, Izazov.com, Naslovi.net, B98.net, Tanjug.rs. Përveç mediave, ky rast është publikuar edhe në  Platformën “X”, ku ka nxitur reagime të komentuesve.

Stefanoviq ka treguar për mediat serbe si ka ardhur deri te rrahja, pas së cilës ka pasur nevojë për tretman mjekësor.

Ai ka shtuar se në ditën e sulmit është ndaluar dy herë nga Policia e Kosovës. Fillimisht ka thënë se i janë kërkuar dokumente, përkatësisht letërnjoftimi i Kosovës, të cilin nuk e ka pasur me vete. Por, kur është ndaluar për herën e dytë, siç ka treguar ai, PK-ja ka gjetur në telefonin e tij fotografinë e letërnjoftimit, duke i kërkuar sqarime se pse nuk e ka vënë në dispozicion herën e parë. Derisa Policia kishte telefonin, ka mbërritur një koment në një grup të Telegramit dhe zyrtarët e policisë e kanë parë mesazhin, në të cilin ka  shkruar ‘Kosova është Serbi’.

“Një nga përdoruesit që e ndjekin atë faqe, dhe janë me mijëra të tillë, ka shkruar: Kosova është Serbi dhe ata e shikuan e më pas filluan pyetjet: ‘Pse po e ndiqni këtë, a është Kosova Serbi’. Ata ishin aty për të më rrahur. Unë kam tetë ose nëntë penj dhe në buzë kam katër penj ”, – ka deklaruar Stevanoviq për Kosovo Online.

Institucioni që merret me hetimin e veprimeve të policëve kur ata tejkalojnë autorizimet është Inspektorati Policor i Kosovës (IPK). Sipas tyre, ankesa është deponuar më 14 prill dhe një ditë më vonë kanë nisur hetimet paraprake në koordinim me Prokurorin e Shtetit.

”…në varësi të të gjeturave, do të procedohet sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në përgjigjen e IPK-së dërguar Sbunkerit.

Rasti është përmendur nga Lista Serbe, që ka vijuar me narrativën se Policia e Kosovës ka për qëllim keqtrajtimin e serbëve. Sipas tyre, incidenti është iniciuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Këta janë shembujt më të mirë dhe më të freskët se si respektohen të drejtat dhe liritë e popullit serb në Kosovë, dhe në të njëjtën kohë ilustrojnë më së miri se sa shumë kujdesen përfaqësuesit ndërkombëtarë për pozitën e popullit serb në Kosovë”,  thuhet në deklaratën e Listës Serbe.

Reagime erdhën edhe nga politikanë në veri të Kosovës. Lideri i Demokracisë Serbe, Aleksandar Arsenijeviq, ka realizuar një intervistë me Vladan Stevanoviqin, në të cilën përshkruajnë se si ka ndodhur ngjarja.

Kjo nuk është hera e parë kur rasteve të tilla u jepen konotacione politike dhe ndërlidhen me fushatën e pretenduar kundër serbëve, megjithëse nuk ka një epilog përfundimtar nga organet e hetuesisë.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.