Disa media në gjuhën shqipe dhe serbe kanë pretenduar, pa ndonjë bazë faktike, se Kosova është paraqitur si pjesë e Serbisë në një hartë të publikuar nga FIFA.
Më 16 dhjetor 2024, mediumi serb “Republika.rs” publikoi një artikull me titullin “PRISHTINA DO TË SHKRIHET NGA DHIMBJA: FIFA i kërkoi falje Ukrainës për Krimenë ruse, por KOSOVA MBETET SERBI (FOTO).” Ky medium pretendoi se FIFA, përmes një grafiku të shfaqur gjatë shortit të grupeve për kualifikuesit e Botërorit 2026, konfirmon që Kosova është pjesë e Serbisë.
“Kosova është Serbi, ka konfirmuar edhe njëherë FIFA. Ukraina ngriti alarmin, pasi gjatë shortit të grupeve për kualifikuesit e Botërorit 2026, grafika e publikuar shfaqi Krimenë si pjesë të Rusisë, që është pozicioni i Moskës, por jo i Kievit dhe pothuajse i gjithë botës”. Aty më tej keqinformohet se FIFA i kërkoi falje Ukrainës për gabimin në hartë, por që këtë nuk e bëri në raport me Kosovën.
“Domethënë, askush nuk i përmendi më, kështu që mund të konstatohet fakti që Kosova dhe M është pjesë e Serbisë dhe kjo për FIFA-n nuk është gabim, por realitet”, ka shkruar mediumi serb.
Faktet mbi hartën e FIFA-s
Gjatë shortit për Kupën e Botës 2026, FIFA publikoi një hartë që tregonte shtetet evropiane të cilave nuk u lejohet të luajnë kundër njëra-tjetrës, mes të tjerash edhe për shkak të raporteve jo të mira. Shembuj të tillë përshijnë Ukrainën dhe Bjellorusinë, si dhe Spanjën me Gjibraltarin. Kosova, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina gjithashtu figuronin në hartë si palë që nuk mund të ndesheshin.
Pretendimi i ngritur nga “Republika.rs” nuk reflekton realitetin e situatës. Harta nuk kishte asnjë lidhje me njohjen shtetërore të vendeve, por thjesht shënonte kufizimet për arsye sigurie dhe gjeopolitike.
Më tej, FIFA prej vitesh ka përjashtuar pretendimet se Kosova trajtohet si pjesë e Serbisë. Organizata ka njohur Kosovën si anëtare të saj që nga viti 2016, duke e trajtuar si një shtet të pavarur brenda komunitetit të futbollit ndërkombëtar.
“Gazeta Express” gjithashtu publikoi një artikull duke pretenduar se “FIFA dhe UEFA shkaktuan skandal të madh duke paraqitur Kosovën si pjesë të Serbisë”. Në këtë artikull u përmendën po të njëjtat argumente se Kosova trajtohet si pjesë e Serbisë, pa e sqaruar rrethanën se brenda së njëjtës ngjyrë është rrumbullakuar edhe Bosnjë-Hercegovina, si dhe shtete të tjera në Europë, që nuk mund të ndeshen mes vete.
FIFA, organi qeverisës botëror i futbollit, u përball me reagime të fuqishme nga Ukraina, që kërkoi sqarime se pse Krimea u trajtua si pjesë e Rusisë. Më pas, FIFA i ka kërkuar falje Federatës së Futbollit të Ukrainës, tek shtoi se ka hequr hartën ku Krimea ishte lënë jashtë Ukrainës.
“Ne e kuptojmë plotësisht ndjeshmërinë delikate të kësaj natyre dhe ndërkohë që incidenti ishte i paqëllimshëm, ne sinqerisht shprehim keqardhje për çdo shqetësim që mund të ketë shkaktuar”, shkruante në letrën e FIFA-s.
Kosova e Ukraina janë në mesin e 54 përfaqësueseve që ishin pjesë e shortit të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026, i cili mbahet në SHBA, Meksikë e Kanada.
In the latest kualifikimet e Botërorit, Kosova është në grup me Suedinë, Zvicrën dhe Slloveninë.
Rusia, për shkak të sanksioneve pas pushtimit të Ukrainës, nuk do të jetë pjesë e kualifikimeve.
*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”