Connect with us

Hi, what are you looking for?

Debunking

Manipulimi i zyrtarëve serbë lidhur me aeroplanin ushtarak britanik

Aterimi i aeroplanit ushtarak transportues të Britanisë së Madhe që është pjesë e kontigjentit të KFOR-it, ka bërë që zyrtarët serbë të reagojnë duke shpërndarë edhe dezinformata se kinse Kosova po armatoset. Por KFOR-i  ka sqaruar se në Aeroportin e Prishtinës ka ateruar një aeroplan i Forcave Ajrore të Britanisë së Madhe për të kryer një operacion ndihmës për forcat tokësore britanike që shërbejnë në Kosovë.

Image

Pas këtij njoftimi, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq ka reaguar duke thënë se “Askush nuk ka të drejtë të armatosë Prishtinën! Vuçiq: E kuptuam mesazhin”. Sipas tij, edhe në të kaluarën ka ndodhur ngjashëm, ku ShBA-ja i ka ndihmuar Kosovës me armatime, ndërsa Turqia i trajnon për të qenë pilotë të disa avionëve që mund t’i kenë në të ardhmen.

Deklarata e presidentit të Serbisë nuk është e bazuar në fakte.

Image

Po të njëjtën dezinformatë të presidentit të Serbisë, të paverifikuar dhe të pambështetur në fakte, e ka shpërndarë më 18 prill  KosovoOnline.

Image

Përveç presidentit Vuçiq, edhe zyrtarë tjerë serb kanë pretenduar pa fakte se Kosova po armatoset nga Britania e Madhe.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë Aleksandër Vulin, në deklaratën e tij për TV Pink ka thënë se dërgimi i armëve nga Britania e Madhe në Kosovë është një akt armiqësor, sepse “nuk mund të armatosësh terroristët dhe të shpresosh për paqe”.

Në mbështetje të Vuçiqit, drejtori i së ashtuquajturës “Zyra për Kosovë” në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar duke thënë se deklarata e presidentit përkitazi me armatosjen e Kosovës nga Britania e Madhe ështe fakt i pakundërshtueshëm dhe me atë veprim  ështe shkelur Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Mes tjerëve, reagim të ngjashëm ka pasur edhe Kryetari i Komisionit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë Milovan Dreçun i cili tha se rol kryesor në armatosjen e ushtrisë së Kosovës kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Turqia dhe Gjermania, dhe kjo është diçka e planifikuar dhe e bërë në mënyrë sistematike. “Qëllimi i prokurimit të armëve, në radhë të parë i helikopterëve, obuseve, mortajave, dronëve zbulues, është pushtimi me dhunë i veriut të Kosovës”,  ka thënë Dreçun.

Ky pretendim i Dreçunit është shpërndarë poashtu në KosovoOnline.

Image

Edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka deklaruar se është e shqetësuar për armatosjen e Prishtinës. Sipas saj, një veprim i tillë mbart porosi serioze.

“Kurti thotë se ne po armatosemi, ndërsa dikush tjetër po e armatos atë. Unë jam e shqetësuar se sa përkrahje ka pasur që serbëve të mos u lejohet e drejta elementare për të votuar fillimisht në referendum e më pas në zgjedhje”, ka theksuar Bërnabiq.

Të gjitha këto pretendime të zyrtarëve serbë janë demantuar nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Beograd, përmes një njoftimi në faqen e tyre në Facebook, duke i cilësuar si trillime.

Image

Lidhur me këtë është prononcuar edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Ai është shprehur se deklaratat që vijnë nga Beogradi nuk duhet kurrsesi të merren si fakte.

Këtë deklaratë të Kurtit Gazeta Express e ka interpretuar si sulm ndaj gazetarëve në lajmin e publikuar me titull “Kurti sulmon ulët gazetarët, i konsideron të manipuluar nga Beogradi”. 

Image

* Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.