Connect with us

Hi, what are you looking for?

Debunking

Pretendimet e disa mediave në Serbi për kinse “Kurti do luftë”

Mediat në Serbi kanë keqinformuar lidhur me arsyet që çuan në dështimin e arritjes së marrëveshjes për targat në takimin e fundit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq. “Novosti” ka shkruar se Kurti qëllimshëm e dështoi marrëveshjen për ta pushtuar veriun me forca policore.

“E prishi marrëveshjen në BRUKSEL DHE PROVOKON MENJËHERË: Kurti dërgoi 40 automjete policie në veri”, është titull i “Novostit”. Duke u thirrur në burime jo zyrtare ky medium ka shkruar se, një kolonë prej rreth 40 veturash të Policisë së Kosovës është vërejtur nga drejtimi i Bajgorës duke zbritur në Srbovac dhe lëvizur në drejtim të Leposaviqit. Aty pretendohet se ministrat Sveçla dhe Mehaj kanë arritur në bazën Belvedere në Mitrovicën e Jugut- “që për qëllim kanë ushtrimin e dhunës kundër serbëve”.

Por, lajmi nuk është bazuar në informata zyrtare e as Policia e Kosovës nuk ka lëshuar ndonjë njoftim për zbarkimin e 40 veturave në drejtim të Leposaviqit.

Këtë pretendim e ka mohuar shefi i kabinetit të Presidentes Blerim Vela në twitter, ku ka postuar një fotografi të ministrit të rendshëm Sveçla me kryetarin e kuvendit Konjufca dhe presidenten Osmani në Belvedere.

“Mos u bini pas dezinformatave dhe propagandës së tyre. Institucionet e #Kosovës janë të përkushtuara për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë”, ka shkruar Vela duke iu referuar tabloidëve pro- qeveritarë në Serbi.

Edhe “Informer” poashtu ka publikuar një lajm më 22 nëntor, ku dështimin e marrëveshjes për targat e kanë interpretuar si: “Kryeministri i institucioneve të përkohshme në Prishtinë, Albin Kurti, po tenton të provokojë luftë në Ballkan!”

Image

Interpretime të tilla keqinformuese në Serbi ka pasur edhe para takimeve në Bruksel dhe para fillimit të zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale.

Ka kaluar më shumë se një dekadë dhe problemi i regjistrimit të veturave dhe përdorimi i targave të ligjshme në territorin e Kosovës ende mbetet çështje e hapur. Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës gjatë kësaj vere mori disa vendime në lidhje me zbatimin e marrëveshjes së vitit 2011. Me kërkesë të partnerëve ndërkombëtarë, vendimi për zbatimin e kësaj marrëveshjeje ishte shtyrë për disa javë. Pas skadimit të këtij afati, ShBA-ja dhe BE-ja i kërkuan qeverisë që ta shtyjë zbatimin e vendimit për 10 muaj të tjerë. Por qeveria e Kosovës mori vendim që vendimin ta zbatojë në tri faza.

Duke filluar nga data 1 – 21 nëntor, ishte paraparë të zbatohet masa e ‘qortimit’. Nga 21 nëntor – 21 janar 2023, do të shqiptoheshin masat e gjobitjes, ndërsa nga 21 janari – 21 prill 2023 të vendosen targa provuese për automjetet me targa ilegale. Ndërkaq, pika e tretë parashihte që pas datës 21 prill 2023 veturat me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nuk do të kenë mundësi të regjistrohen me targa RKS, të hyjnë apo të qarkullojnë në dhe përmes territorit të Republikës së Kosovës.

Ky pozicion i Qeverisë së Kosovës u kundërshtua hapur nga komuniteti serb i Kosovës dhe Lista Serbe, të cilët braktisën institucionet e Kosovës. Njëkohësisht, mediumet e ndryshme në gjuhën serbe, e kryesisht ato në Beograd nuk hezituan që ta shohin këtë vendim sikur i është drejtuar kundër serbëve të Kosovës.

Kështu, edhe mediumi “Alo!” i Serbisë e ka interpretuar thirrjen e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për zbatimin e vendimit, se kinse “Kurti do luftë ”.

Image

Por, kryeministri Kurti në disa raste e ka përsëritur që këto nuk janë masa kundër serbëve, “përkundrazi këto janë masa për serbët që iu ofrojnë lehtësime financiare dhe jemi të interesuar që  të  gjithë  të  jemi të  barabartë”.

Për Planin e Qeverisë ka dezinformuar edhe mediumi tjetër serb “Novosti” duke shkruar: “FILLON TERRORI NDAJ SERBËVE: Në Jarinjë është dhënë fletëqortimi i parë për një automjet të regjistruar me targa KM”.

Image

Në korrik të vitit 2011, Kosova dhe Serbia në kuadër të Dialogut Teknik në Bruksel kishin nënshkruar marrëveshjen “Lëvizja e Lirë,” pjesë e së cilës ishte edhe rregullimi i regjistrimit të automjeteve. Por marrëveshja nuk është zbatuar asnjëherë nga pala serbe duke i shkelur edhe afatet e vëna. Çështja u rikthye në diskutim pas vendimit të qeverisë për zbatim të reciprocitetit në targa. Kjo nxiti reagimin e palës serbe, të cilët thanë se nuk do t’i konvertojnë kurrë targat në RKS, për çka Brukseli organizoi disa takime mes palëve në Bruksel për gjetjen e një zgjidhjeje.

Pas takimit maratonik në Bruksel më 21 nëntor, Kosova e Serbia nuk arritën pajtimin për targat. Për këtë, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ia hodhi përgjegjësinë posaçërisht palës kosovare. Në mungesë të marrëveshjes, SHBA-ja i kërkoi qeverisë që ta shtyjë për 48 orë shqiptimin e gjobave për ngasësit e veturave me targa ilegale, gjë të cilën Kurti e pranoi. Brenda këtij afati u zhvillua një raund tjetër i negociatave në nivel të kryenegociatorëve. Pak orë para skadimit të afatit, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell njoftoi për arritjen e ujdisë për targat. Kosova hoqi dorë nga nisja e shqiptimit të gjobave për ngasësit e veturave me targa ilegale, ndërkaq Serbia u zotua të mos lëshojë më targa me denominime të qyteteve të Kosovës, të cilat i takojnë kohës së ish-regjimit të Slobodan Millosheviqit. Palët po ashtu u pajtuan që të nisin diskutimet për marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë, e cila mbështetet në propozimin franko-gjerman.

* Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.