Më 15 dhjetor 2024, përmes një postimi të rremë në Facebook, faqja “Speciale.com” pretendoi se ambasadori Amerikan në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, kishte deklaruar se opozita në Kosovë po pajtohej më shumë me kërkesat nga Beogradi, sesa me vendimet e Qeverisë së Kosovës. Kjo deklaratë e fabrikuar, e shoqëruar me një fotografi të ambasadorit, pretendon gjithashtu se kjo situatë po ia vështirëson SHBA-së qëndrimin ndaj Qeverisë së Kosovës.
“Opozita, më shumë pajtohet me kërkesat që vijnë nga Beogradi, sesa me vendimet e Qeverisë. Pra, kështu na vështirësojnë edhe neve qëndrimet që i kemi ndaj Qeverisë”, shkruan në përshkrimin e fotografisë së ambasadorit Hovenier.
Ky pretendim i pambështetur në fakte, publikuar nga “Speciale.com”, ka marrë gjithsej 291 pëlqime, 125 shpërndarje dhe 77 komente, shumica prej të cilave kanë qenë negative për opozitën dhe ambasadorin. Por, pas disa orësh, postimi është fshirë nga faqja.
Fotografia me të njëjtin përshkrim është publikuar edhe më herët në një faqe në Facebook, e emërtuar “Puna e Mbarë Kryeministër”, ndërsa është demaskuar edhe në vitin 2022.
Faqet në Facebook, si “Speciale.com” dhe “Puna e Mbarë Kryeministër”, janë shembuj të përdorimit të platformave sociale për të shpërndarë dezinformata.
Në bazë të të dhënave të cilat ofrohen për “Speciale.com” në Facebook, kjo faqe është krijuar më 31 maj 2021, ndërsa menaxhohet prej 5 personave nga Maqedonia.
“Speciale.com” ka gjithsej 78.000 ndjekës në Facebook.
Asnjë burim zyrtar apo kërkim në media nuk konfirmon se ambasadori Hovenier ka dhënë këtë deklaratë. Publikimi i përmbajtjes së tillë pa asnjë bazë faktike përbën një akt të qartë të dezinformimit, me qëllim krijimin e tensioneve politike mes opozitës dhe Qeverisë në Kosovë.
Duke e lidhur opozitën me qëndrimet e Beogradit, krijohet një perceptim i rremë që ndikon negativisht në imazhin e saj.
Dezinformimi i tillë, që përfshin pretendime të rreme për qëndrimet e diplomatëve të huaj, mund të ketë pasoja politike. Ambasada Amerikane dhe përfaqësuesit e tjerë ndërkombëtarë kanë një rol të rëndësishëm në proceset politike dhe institucionale të Kosovës, dhe përpjekjet për t’i implikuar ata në narrativa të rreme minojnë besimin e qytetarëve ndaj tyre.
*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”