Connect with us

Hi, what are you looking for?

Disinfo

Rikthehen tensionet në veri: tri sulme për 72 orë, cak infrastruktura kritike

Vendi ku u ndodhi shpërthimi në Ibër-Lepenc. Burimi: ZKM

Tri sulme brenda 72 orëve e prishën qetësinë në veri të Kosovës dhe rikthyen tensionet. Pas dy sulmeve fillestare ndaj Stacionit Policor dhe objektit të Komunës në Zveçan, shpërthimi më i madh ndodhi në kanalin strategjik të Ibër-Lepencit në Zubin Potok, sulm që autoritetet e Kosovës e përshkruan si më të rëndin ndaj infrastrukturës kritike që nga paslufta.

Ky akt pasoi me një operacion të Policisë së Kosovës, që rezultoi me arrestimin e disa të dyshuarve dhe konfiskimin e armatimit pranë zonës. Ndërkohë, përplasjet mes Kosovës dhe Serbisë u ashpërsuan, me akuzat për organizimin e sulmit, që iu atribuuan një grupi profesionistësh të stërvitur. Ndërkombëtarët kërkuan qetësi dhe hetime të kujdesshme për të zbardhur të vërtetën e kësaj ngjarjeje.

Mbrëmjen e 29 nëntorit, një shpërthim i fuqishëm tronditi fshatin Varragë të Komunës së Zubin Potokut, duke dëmtuar rëndë rrjedhën e Kanalit të Ibër-Lepencit. Ky kanal jetik, i mbushur nga Liqeni i Ujmanit, furnizon me ujë të pijshëm disa qytete dhe siguron ujin për sistemet e ftohjes së dy termoelektranave të Korporatës Energjetike të Kosovës. Sipas autoriteteve, në vendin e shpërthimit ishin vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv nga persona ende të paidentifikuar. Furnizimi me ujë të pijes u ndërpre përkohësisht dhe, në orët e para pas sulmit, ekipet emergjente, përfshirë zjarrfikësit, qëndruan afër termocentraleve.

Pas shpërthimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbajti një konferencë për media, ku akuzoi Serbinë për orkestrimin e sulmit, duke e lidhur atë me një valë sulmesh mbi infrastrukturën kritike, përfshirë atë të Ukrainës.

“Ky sulm kriminal dhe terrorist është kryer nga profesionistë dhe dirigjohet nga Serbia, e cila ka interes dhe aftësi për sulme të tilla. Sasia e madhe e eksplozivit të përdorur kërcënon furnizimin me energji në Kosovë”, deklaroi Kurti, duke shtuar se riparimi i dëmeve është i vështirë.

Ai paralajmëroi për fushata të vazhdueshme dezinformimi dhe u bëri thirrje qytetarëve të refuzojnë burimet e lajmeve që, sipas tij, janë bërë pjesë e një lufte hibride kundër Kosovës. Pa përmendur emra, Kurti kritikoi disa opinionistë dhe opozitarë, duke i akuzuar për qëndrime që, drejtpërdrejt apo tërthorazi, gëzohen me incidente të tilla.

Ky deklarim i kryeministrit në konferencën që për fokus duhej ta kishte shpërthimin u cilësua “sulm” ndaj mediave.

Pas konferencës, Kurti thirri mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë, ku u aprovuan masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike, si: ura, trafostacione, antena, liqene dhe kanale etj. Veç Policisë së Kosovës, në terren u aktivizua Forca e Sigurisë së Kosovës, me përjashtim të veriut.

Pas vizitës te Kanali i Ibër-Lepencit, Kurti foli sërish për atë se si lufta hibride ka marrë hov.

“Kur kësaj ia shtojmë faktin që gjatë kësaj jave ka pasur sulme të mëdha me mbi 200 raketa në Ukrainë nga forcat e Federatës Ruse kundër Ukrainës, në infrastrukturë kritike po ashtu, posaçërisht në kapacitetet energjetike të cilët kanë bërë që mbi 1 milion amvisëri në Ukrainë të ngelin pa energji elektrike, është e qartë se lufta hibride ka marrë një hov të madh dhe, përveç kësaj, është bërë edhe ajo që në literaturë, në strategjitë ushtarake e të mbrojtjes, quhet luftë kinetike, sepse po synohet dëmtimi i infrastrukturës kritike ku dëmi është maksimal”, tha ai.

Ndërkohë, ekipet emergjente ndërmorën masat për sanimin e dëmit dhe futjen e rrjedhës së ujit brenda gypave. Autoritetet thanë se është bërë një “rregullim i përkohshëm në kanalin e dëmtuar”, derisa informuan që furnizimi me energji elektrike nuk është ndalur.

Mbështetje ofruan edhe ndërkombëtarët, pasi më 2 dhjetor, Kurti zhvilloi një takim me ambasadorët e QUINT-it, BE-së dhe vendeve të tjera, të akredituar në Kosovë, për t’i informuar rreth sulmit.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, deklaroi se vendi i tij e dënon sulmin “e tmerrshëm”, tek shtoi se është herët të dihet fajtori dhe në këtë fazë “nuk mund të përjashtohet asnjë grup apo shtet”.

Sulmin e dënoi edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, duke e cilësuar si akt “terrorist” dhe “sabotues”.

Vendi ku u ndodhi shpërthimi në Ibër-Lepenc.
Burimi: ZKM

Arrestimi i të dyshuarve dhe konfiskimi i armatimit

Kurse, Policia e Kosovës zhvilloi aksione në disa lokacione, në kërkim të të dyshuarve lidhur me këtë rast.

Më 30 nëntor, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, bashkë me drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha, njoftuan për arrestimin e tetë personave. Aty u ekspozua edhe armatimi i konfiskuar gjatë aksionit, përfshirë eksplozivë, pajisjeje të ndryshme, emblema, uniforma ushtarake dhe para. “Këto do të shërbejnë si dëshmi për këto akte kriminale”, ka thënë Sveçla. Ndërkaq, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka njoftuar se lidhur me sulmin terrorist të 29 nëntorit janë shoqëruar në Polici dhjetë të dyshuar. “Me vendim të prokurorit, dy prej tyre, me inicialet D.V. dhe D.M., nga komuniteti serb, janë ndaluar, ku për personin D.V. është parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit dhe masa e paraburgimit është caktuar nga Gjykata për 1 muaj, kurse i dyshuari D.M. nga Prokuroria është liruar në procedurë të rregullt. Ndërkaq, më 1 dhjetor 2024, me vendim të prokurorit, është ndaluar edhe i dyshuari J.V., nga komuniteti serb, i cili ishte në kërkim lidhur me këtë vepër penale. Në shtëpinë e të njëjtit është kryer kontroll, ku janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm i armëve dhe pajisjeve të tjera”, shkruan në njoftimin e Prokurorisë.

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj D.V., i arrestuar nën dyshimin se ka marrë pjesë në sulmin terrorist të kryer kundër kanalit të ujit të Ibër-Lepencit.

Ky sulm kaloi pa dëme në njerëz, por banorë përreth zonës kanë folur për shpërthimin e fuqishëm dhe dëmet që u janë shkaktuar.

Një banor serb nga fshati Uglarë ka rrëfyer se bashkëshortja e tij, nga frika e shpërthimit dhe nga sasia e madhe e ujit që kishte hyrë brenda shtëpisë, ka kërcyer nga kati i dytë i shtëpisë. Përveç dëmeve në shtëpi, e cila është bërë e pabanueshme, tha se i janë shkatërruar edhe hambarët.

Serbia mohon përfshirjen në sulm

Përderisa Qeveria e Kosovës pretendoi se sulmi është dirigjuar e orkestruar nga Serbia, zyrtarët serbë i mohuan këto akuza.

Madje, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një konferencë, akuzoi Kurtin për inskenim të sulmit terrorist në veri. “Ne si shtet serioz nuk jemi marrë me akuza dhe kemi thënë se sulmi është urdhëruar drejtpërdrejt nga (Albin) Kurti. Këtë  do ta dëshmojë hetimi që po e bëjmë edhe ne”,  ka thënë Vuçiqi.

Ai shtoi se Serbia është e gatshme të bashkëpunojë me Bashkimin Europian, KFOR-in dhe pjesën profesionale të autoriteteve të Kosovës për zbardhjen e rastit.

Kurse ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, brenda një postimi, ka shprehur gatishmërinë e shtetit të tij të ndihmojë financiarisht dhe teknikisht në riparimin e dëmeve të Kanalit të Ibër-Lepencit, por edhe ka akuzuar Kosovën se Serbia është nën sulmin e “një fushate të koordinuar propagandistike nga regjimi i Kurtit, për të minuar rrugën e Serbisë drejt BE-së”.

Sulmin e ka dënuar edhe Lista Serbe, duke theksuar se ky akt është absolutisht kundër interesave të popullit serb. “Kërkojmë nga KFOR-i dhe EULEX-i hetim urgjent në lidhje me këtë rast. Dëmtimi i kanalit të ujit, përveçse ka rrezikuar furnizimin me ujë të qytetarëve, po ashtu ka shkaktuar shqetësim te serbët në veri të Kosovës”, shkruan në reagimin e Listës Serbe.

Frika për hakmarrje

Shpërthimi në Zubin Potok ka nxitur shqetësime dhe frikë në mesin e serbëve se mund të ketë hakmarrje nga autoritetet e Kosovës.

Politikani serb opozitar, Aleksandar Arsenijeviq, ka reaguar ndaj një postimi të ish-nënkryetarit të Prishtinës, Selim Pacolli (AKR), i cili tha se: “Vetëm koncepti “OLUJA” këtu kryen punë! Spastrim klasik i terrenit! Ndryshe, kjo e keqe do të na përcjellë gjithmonë”.  Sipas Arsenijeviqit, kjo është një thirrje e hapur për spastrim etnik dhe dhunë ndaj serbëve të Kosovës.

Oluja” (Stuhia) i referohet operacionit të datës 4 gusht 1995, kur ushtria kroate nisi “Operacionin Stuhia“, një ofensivë për të rimarrë rajonin e Krajinës, që kontrollohej nga serbët. Ofensiva, e cila zgjati vetëm 36 orë, rezultoi me vdekjen e rreth 526 serbëve, 116 prej të cilëve thuhej se ishin civilë, si dhe zhvendosjen e rreth 200 mijë të tjerëve.

Edhe një grup organizatash joqeveritare nga veriu i Kosovës dënuan sulmin ndaj Kanalit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok, duke u bërë thirrje të gjithë akterëve shoqërorë dhe politikë që t’i qasen me përgjegjësi këtij incidenti dhe të veprojnë në përputhje me ligjin. Thirrje iu bë edhe organizatave ndërkombëtare, që të sigurojnë funksionimin e duhur të forcave policore dhe të parandalojnë keqpërdorimin e kësaj ngjarjeje për të rritur presionin ndaj komunitetit serb në Kosovë.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.